E shtune, 20.04.2024, 06:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Qengji më tha: Ha bar

E enjte, 02.12.2010, 10:57 PM


KALOSH ÇELIKU

 

QENGJI MË THA:

       HA BAR

 

(Fragmente nga romani për fëmijë)

 

Në vend të parathënies

SHTËPIA ME TRI ZEMRA

     + ME TRI DRITARE

 

         Atë ditë me vjeshtë të verdhë, binte një shi i butë me një muzikë pa nota që lagte faqet e xhamave të autobusit. Unë dhe Kalosh Çeliku ishim ulur në ndenjëset 14 dhe 15.

         THASHË: Kalosh, ti më ke thënë para një kohe të gjatë, se kaloshi i vogël ka lindur një natë të një dimri të madh me një borë të trashë me pak diell. A të kujtohet ndonjë copë jete e atij ZOGU QË ERDHI ME NJË KËNGË?

         Tha: Më kujtohet ai djalë me opinga lëkure dhe një Abetare të vjetër. Isha në klasën e tretë, në orën e fundit e vizatova një shtëpi të vogël me tri dritare dhe tri zemra: F, P, G… Flutura që ishte ulur në bankën prapa meje më pyeti: pse vetëm këto germa?

         Nuk fola.

         Mësuesi ma mori fletoren dhe më pyeti me një të qeshur të ëmbël: Kalosh, edhe ti di të vizatosh në këtë mënyrë?!

         Nuk e ula kokën… Të gjithë i nisën shikimet nga mësuesi dhe unë… Nga çanta i nxora tri revistat: FATOSIN, PIONIERIN dhe GËZIMIN. I preka me gisht të tri germat e para. Mësuesi më ladhatoi me duart e tij që nuk harrohen. PIONERI për herë të parë kishte hyrë  në shkollën tonë me një dritare të vogël. U gëzua mësuesi dhe krejt klasa. Pranvera i lexoi tri fabula të Ezopit. Ndërsa Uraniku vjershën e Luigj Gurakuqit: GUXO.

         Në fund të orës mësuesi më tha: edhe dora jote do të mësojë të shkruajë vjersha.

         Atë ditë kam fluturuar nga gëzimi. Kur u rrita pak më shumë, nëpër kokë më sillej një zog i bukur me një këngë… Më pëlqente kënga: Ciu, ciu, ciu. Dhe, ia vodha zogut vjershën. Një javë më vonë ia lexova një vajze në klasë.

         Tha: Kalosh, kjo është këngë e zogut. Jo jotja.

         Vazhdova: Flutur, zogu i ëndrrës ma ka falur.

         Qeshi. Tha: Vizatoje atë zog.

         Kur u ktheva në shtëpi, e vizatova  me revistën PIONERI në sqep. Kur e pa nëna, më tha: Edhe ty zogu im i bukur të ka sjellur lejleku… Dhe më përqafoi shumë. E pyeta: Pse?

         Tha: Të tregojnë ëndrrat.

         E pyeta: Kur?

         Tha e buzëqeshur: Kur të përqafon Hëna në fund të këngës sate. Në ëndrrën e parë dora e gjatë e saj ma solli një laps dhe një fletore… Tha: Shkruaj. Prej asaj nate nuk i kam ndërprerë shkrimet…

         E shikova orën në telefonin mobil, ishte 14 pa 05.

         Thashë: Kalosh, do t’i tregoj PIONIERIT, që dora jote tash me rrudha, i ka shkruar më tepër se dyzet vepra… Nga çanta e nxori një fotografi…

         Tha: E përqafoj me zemër PIONIERIN.

         Nuk e di pse iu lag syri?!... Nuk e pyeta.

 

                                                                                                                 Gani XHAFOLLI

 

Prolog

 

         Dhe, ju posa ta merrni këtë libër në dorë do të thoni: po, moti s’jemi takuar xhaxhi shkrimtar, në revistat për fëmijë, në ndonjë libër më të ri në bibliotekë. Vite me radhë na harrove, nuk shkruajte për ne asnjë vjershë, asnjë tregim, asnjë roman. Edhe në revistat për fëmijë nuk na përshëndetë siç e ke zakon me diç të re, risi në letërsi. Tekefundit, me ndonjë vjershë. Në librat e këndimit nuk të hasim shpesh si dikur mes atyre faqeve në klasë. Edhe në emisionet e fëmijëve, në TV e radiostacione. Vallë, mos edhe ty “demokracia” të ka vënë censurë si ne në librat e këndimit plot me gabime skandaloze?!

         E vërtetë. Faji sa është i të tjerëve, është edhe imi si shkrimtar. “Fatosi” më nuk del në dritë. Edhe “Gëzimi”. “Pionieri” delë si “Zekthi”, revistë për humor dhe satirë kur t”i teket, po shkaku tekave të ne të rriturve, nuk u hy në shkollë. Klasë. Shtëpi. Bibliotekë. I kanë vënë kufi në Elez Han. Poashtu, edhe revistave tjera për fëmijë nga Shqipëria, në Qafë Thanë. Shkollën tuaj e vizitojnë disa revista të tjera për fëmijë, po fatkeqësisht për nga vlerat e arrira letrare artistike, nuk janë në nivelin e  “Gëzimit”, “Fatosit” dhe “Pionierit”… Edhe librat e këndimit i përpilojnë gjysëmanalfabetët, partizanë të partive politike mes për mes Atdheut.

         Vetëm, nuk është e vërtetë se u kam harruar, hequr nga mendja. Përditë e kam vrarë mendjen se, si të hedh diç të re për ju në letër. Përnatë, e kam ëndërruar veten në mesin e juaj, në shkollë. Lojë. Bibliotekë. Rrugë. Shtëpi. Edhe kur zgjohesha në mëngjes, e mallkoja veten pse nuk kisha fuqi së paku të hedh në letër, qoftë edhe një varg. Tregim.

         Vite më vonë, e kuptova të vërtetën. Personazhet e librave të mi për fëmijë: Beni, Yllka, Asdreni, Fitorja dhe Agoni u rritën një ditë mes librave. Edhe nëpër shkollat e malësisë së Shkupit nuk punoja më si mësues. E unë s’kisha kujt t’i vjedh inspirime, ngjarje për ndonjë libër. Ja, arsyeja kryesore, që për pak kohë e humba rrugën për të arrirë në botën e juaj të çudirave fantastike.

        Shkaku i vërtetë, që unë përsëri kthehem në mesin tuaj me këtë roman, është nipi im, Joni. Personazhi kryesor, që e kam vjedhur përditë për ta shkruar këtë roman. Meritat dhe lëvdatat i takojnë atij, ndërsa mua mjeshtria për ta hedhur në letër.

         Rrugë dhe lexim të mbarë mes këtyre faqeve të këtij libri!...

1

XHAKA* E BREDH

           K?T? LOJ?

 

        Joni nuk vjen shpesh në Shkup. Edhe atë, vjen vetëm atëherë kur prindërit kanë ndonjë punë. Babai pas ndonjë vize për në Gjermani. E, mami për studime pasdiplomike në Universitet. Megjithatë, vocrraku e shfrytëzon këtë rast, gjithënjë viziton kopshtin zoologjik, në Shkup. Miqtë e tij të vjetër: Luanin, ujkun, tigrin, arushën, dhelprën dinake…Dhe, pse jo edhe Patën e Madhe Ga-ga-ga…

         Në fund: edhe në “Ramstore”, vendin ku personazhet e tij rrinë kokë më kokë si burrat. Në një pusi e presin edhe armët e gjyshit. Dihet, ato më moderne. Ngadalë më thotë në vesh: sot dua t’i përdorë këto armë kundër armikut. Mirë. i them unë, o Joni. Dhe, drejtohem nga teta komandante, përgjegjëse e armatimit të luftës. Ia përcjellë dëshirën e të nipit. Ajo pasi buzëqeshë, më përgjigjet: nuk i përgjigjet moshës së tij kjo lojë. Them: nuk ka rëndësi, paguaje dyluftimin në luftë. E marr zhetonin dhe kthehem te i nipi. Papritmas, më thotë: dil në atë anë dhe rroke armën! Jo, i përgjigjem unë, dorëzohem para lufte. Nuk e di këtë lojë. Nipi e rrok në dorë mitralozin me dy këmbë dhe bënë kërdi mbi armiqë. Unë matanë tavolinës mbeta gojëhapur. Teta komandante u ra duarve shuplakë.

         Dhe, vocrraku më, kur mërzitet  mes kësaj bote moderne plot armë, kërkon edhe diç të re, ndonjë gjurmë katundi. Me mjeshtri ua hedh prindërve: tashti dua ta shoh edhe gjyshin! Prindërit, e shohin sa është ora, nuk kanë më ku të ikin nga kjo pusi pas gardhi. Mirë, thonë njëzëri: pajtohemi. Tashti do ta vizitojmë edhe gjyshin.

         Papritmas, hapet dera e verandës me parje nga parku. Drunjtë që rrinë kokë më kokë mes livadheve. Tinës, i pari hyn Joni. Gjyshi i thelluar mbi libra e ngre zërin:

-          Kush është ky hajdut, që më hyri në dhomën e punës?!...

-          Miu. gjysh. Qeshi, Joni.

         Dhe, pasi njëherë përqafohen, Joni e pyet gjushin:

-          Ku është Dac Poeti?

-          Në dhomën tjetër. Edhe ai me siguri shkruan poezi…

-          Edhe kësaj radhe Mamit, pyeti me ironi Joni?!...

-          Jo. Kësaj radhe me siguri ndonjë Cuce me mustaqe. Buzëqeshi gjyshi mes librave.

         Joni hyri në dhomën tjetër si burrat. Dac Poeti përdredh mustaqet. Posa e sheh Jonin shtrihet në mes të dhomës. Dihet, kërkon përqafim. Përgëdhelje. Edhe trimi ynë nuk vonohet në këtë punë. E merr në përqafim Dac Poetin.

-          Eh, ore mik, si e kalove kohën? E ke shkruar ndonjë poezi të re?

-          Mmm… E shkund kokën, Dac Poeti. I thotë se nuk ka shkruar asgjë të re, i ka munguar inspirimi. Cuca me mustaqe…

-          E, a të ka sharë dikushi, apo të ka nguc, më trego se ia tregoj qejfin unë Xhaka në mes të pazarit!

-          Mmm… Përsëri i përgjigjet me kokë Dac Poeti.

1.)    Xhaka: lokalizëm për xhaxhain, Kërçovë.

         Dikur, kur kthehet në dhomën e pritjes u thotë prindërve:

-          Me Dac Poetin u përqafuam. Vetëm, ai “ magari i madh “, ende siç duket nuk më njeh mirë si mik, ikë prej meje me të katra nën shtrat…

  2

XHAKA EC VET?

         PARA KOHE

 

         Librat e këndimit… Lektyrat shkollore… Revistat për fëmijë, i kemi plot nipa të partizanëve… Minatorit… Punëtorit... Bujkut… Barinj të deleve… Prijësa të partive politike… Dhe, sipas tyre, në këtë kohë të televizorit, kompjuterit, ne fëmijët të gjithë duhet të bëhemi partizanë… Minatorë… Punëtorë… Bujqër… Bari të deleve… Aktivistë të partive politike… Ja, po e marrim si shembull, unë jam nip i shkrimtarit. Dhe, sipas tyre çka duhet të bëhem unë sot: minator, punëtor, bujk, bari i deleve, apo shkrimtar?!...

         Jo, Xhakës. Jo. Këta xhakallarë jetojnë me tru të moçëm në kohë të sotshme. Nuk ecin me kohën. E, Xhaka ec me kohën. Nuk i do këshillat e tyre nëpër shkolla… Libra të këndimit... Lektyra shkollore… Revista për fëmijë… Xhaka ecë vetë para kohe…

         Dhe, vërtetë nipi im ka të drejtë të mendoj me kokë. Eci me kohën. Dhe, siç thotë: vetë Xhaka e bredh këtë lojë…

        Vërtetë, nipçe e bredh vetë lojën. Nuk i pranon ndikimet sakate. Botën sot e udhëheqin të tjerë heronj… Luftëra… Trimëri nëpër shkolla…

         Edhe librat e këndimit duhet të jenë të kësaj bote. Lektyrat shkollore. Revistat për fëmijë. Fatkeqësisht, për trusakatët ti je mbi nivelin e tyre arsimor dhe botën e sheh me tjetër sy nesër…

         E kush  u ka faj atyre qorrave, që nuk kanë sy… Veshë… Kokë…

         Dhe, guxim në jetë…

 

  3

TULLUMBAT E LULIT VOC?RR  

MA KAN? H?NG?R M?SUESEN     

 

         Edhe në shkollë nuk kam liri. Frymë. Nga të katër anët më ngushtojnë mes këtyre mureve me këshilla. Rregulla.

         Zilja më rri mbi kokë si police. Mësuesja. Patjetër, duhet të mësoj: “punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë“... Ashtu siç ka thënë xhaxhi Naim. Eh, sikur ky xhaxhi Naim të kishte thënë: lojë, lojë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë… ??! Edhe mami, edhe babi, edhe mësuesja do ta ndërronin pak mëndjen. Po, ja për bela që nuk e ka thënë këtë xhaxhi Naim.

         E një xhaxha tjetër ka shkuar edhe më larg në një tregim. E ka thënë me plot gojën: se, “ tullumbat e Lulit të Vocërr, që e kanë hapur gojën në klasë, një ditë do ta hanë mësuesin… “

         Dhe, për çudi, ja sot u binda me atë mendim, kur e pashë mësuesen time në klasë. Një muaj rresht me të njëjtin fustan. Çizme. Çantë. E shoqet e saja për çdo ditë i shihja rrugës me rrobe të reja sipas modës së fundit. Firmave më të njohura botërore.

         E dini çka?! Jo, nuk e dini. Tullumbat e Lulit të vocërr, vërtetë ma kishin hëngër mësuesen…

         Xhaxhi Migjen, kishte pasur të drejtë, e kishte ngritur me kohë zërin. Po, ne nuk na ka kush faj, përveç përgjegjësve të ministrive të arsimit, që nuk i kishin marrë masat me kohë… Sëmundjes t’ia presin rrënjët që në fillim, të mos na shpërthejë në pranverë…

 

  4

E KAM V?LLA

   DAC POETIN

        

         Joni edhe sot erdhi në Shkup. Dhe, pasi e kishin vizituar kopshtin zoologjik. E kishin parë ujkun. Tigrin. Arushën. Dhe, majmunit ia kishin hedhur një banane. Përsëri u ankua se moti nuk e ka parë gjyshin. Prindërit, si prindër, më në fund e hëngrën grepin.

         Atë ditë Gjyshi ishte në verandë dhe shkruante një libër të ri për dy maçorra dhe një mace. Dera u hapë dhe hyri Joni.

-          Gjysh, ku është Dac Poeti?

-          Nuk e di, o Joni! Me siguri në park, ose ka dalë në takim me Cucën Di…

-          Gjysh, unë Dac Poetin e kam vëlla!

-          Edhe unë Dac Poetin e kam djalë, o Joni!...

-          Mrekulli! Qënkemi miq…

Dhe, vocrraku u nis pas Dac Poetit. Në korridor e takoi Komandant Dacin. Ose, siç e kishte pagëzuar, “ magarin e madh “.

-          Gjysh, përsëri iku “ magari i madh “, si duket ende nuk më njeh si mik?!...  

-          Po, o Joni! Ende të ka frikë.

-          Po, unë gjysh nuk jam armik?!

-          E di, o Joni! E di. Komandant Daci ende nuk të njeh mirë. I duhet kohë…

         Joni më në fund bindet me këtë mendim. Komandant Daci ende nuk e njeh Jonin. Miqësia, vërtetë do edhe kohë.

         Nesër, me siguri do të jenë miq. Dorën e pajtimit do t’ia zgjasin njëri-tjetrit si burrat për një të nesërme me diell...

         Ashtu qoftë!...

  5       

BIÇIKLETA E XHAK?S SI LEJLEK

                 FLUTURON MBI LIVADH

 

         Gjyshi një ditë për ditëlindje Jonit i solli një biçikletë. Gëzimi e kaloi kufirin. Edhe livadhit i doli gjumi. Shokët i turreshin përmbrapa plotë pordhë e piskamë. Plakat me shkop në dorë i prisnin te porta: vetëm edhe njëherë provoni të futeni në lëmë, po do t’ua tregoj qejfin unë plaka, skuq bythët me shkop.

         Hutaçëve këto kërcnime të plakave, u hynin te njëri vesh, ndërsa u dilnin te tjetri vesh, në mes të lëmës. Shkaku: Joni sot e përuronte biçikletën e gjyshit. Shokët i silleshin rrotull me gishta në gojë duke ia uruar e duke e prekur pak me dorë.

-          Vërtetë, o Joni qenka si nuse!

                   E përgëzoi një vogëlush.

-          Epo, gjyshi e ka zgjedhur në Shkup… U mburr vocrraku.

-          Dihet. Nuset më të bukura janë atje, në atë qytet. U lëvdua pak Fitorja.

-          Ta merr mendja… U fry pak Joni mbi biçikletë. Pastaj gjyshi im, di t’i zgjedhë nuset…

-          E shohim këtë edhe vetë. Nuk do sqarime. E sidomos ato të qytetit… Po, këtë hajmali, kush ia vari për qafe?!

-          Unë. U mburrë Joni.

-          Hi-hii-hiii… Hajmali për qafe bartin nuset e katundit... Qeshën fëmijët.

-          E, unë mendoj se, edhe pa këtë hajmali kjo biçikletë është e bukur…

-          Budallaçkë! Iu përgjigjë Joni plumb. Biçikleta nuk e mba hajmalinë për bukuri, por mos ta hanë mësysh… Zënë magjitë e plakave…

-          Hi-hii-hiii… Qeshën edhe njëherë fëmijët.

-          Qeshni ju!... Qeshni. Po, biçikleta e Xhakës si lejlek flutuotn mbi livadh… Majë lisave, mbi Çukë.

         Fëmijët nuk e zgjatën më me fjalë. Ngacmime. Të qeshura. Ku ta dish, thanë me vete?! Ndoshta, vërtetë biçikleta e Xhakës fluturon mbi livadh. Edhe kjo mund të ndodhë në botën e soçme të televizorit… Kompjuterit… Fantazisë.

         Ku ta dish?!...

  6

QENGJI M? THA: HA BAR

 

         Joni sot në mëngjes u zgjua me përtesë. E hapi derën e dhomës së ditës duke i fërkuar sytë me dorë. Këmbët i ngatërroheshin nëpër dhomë. Dhe, hidhej sa në njërën anë, po aq në tjetrën anë. U përplas si një cung shelgu në kanape.

-          Hë, ore Joni?! E shpëtove sonte anijen në detin plot me dallgë?!..

-          Jo, mami. Dallgët ma përplasën për një shkëmbi.

-          E, halli?!

-          Halla do burrë… Mezi i shpëtova detarët.

-          Dhe,…?!

-          Dhe, e kam parë një ëndërr të tmerrshme…

-          Epo, kur të biesh në gjumë me pulat, me siguri do të shohish edhe ëndrra, ndërhyri babai me një gazetë në dorë.

-          Mos ma mërzit djalin, u ngutë mamai nga kuzhina!

-          Jo, po ia bëj me dije se ëndërrat shihen natën, pse nuk shihen ditën?!...

-          Sepse, natën jemi në gjumë. U përgjigjë plumb Joni.

-          E unë them se ka fëmijë që i shohin ëndrrat edhe ditën…

-          Po, nëse ia fusin gjumë në mes të ditës, nën hijen e Lisit midis livadhit, u përgjigjë edhe kësaj radhe Joni…

-          Eh, o Joni, me siguri ke parë ndonjë ëndërr të bukur?!

-          Jo, o mami! Jo. ?ndërra nuk qe hiç e bukur. Qengji më tha: ha bar!...

-          Hi-hii-hiii… Qeshi e ëma. Qengji me siguri ka bërë shaka…

-          Jo, o mami! Jo. Nuk bëri shaka, po më tha më gjithë mend Xhakës.

-          E, çka i tha Xhaka?

-          Eh, çka i tha Xhaka! Bar, nuk do të ha unë, po do të hash ti o miku im, qengj!...

-          Dhe, ai si t’u përgjigjë?

-          Qeshi. Jo, o Joni. Jo. Bar do të hash ti në livadh! Babai yt e merr rrogën pesë muaj me vonesë. Babai im merr rrogë për çdo ditë në male. Unë pi për çdo ditë edhe tambël në breg të përronit…

-          Vërtetë, o bir babai nuk e merr me rregull rrogën, po kjo nuk do të thotë që ne do të hamë bar…

-          E di, o mami! E di, Xhaka. Po, kështu më tha qengji…

-          Përsëri, o Joni them: ka bërë pak shaka…

-          E pabesueshme. Qengji, mami nuk bënë shaka… E thotë të vërtetën në sy, e jo pas shpine.

-          Jo. Qeshi babai matanë shtratit. Qengji, vetëm e ka përsëritë një thënie të Xhaxhit Enver: “ po të jetë nevoja do të hamë edhe bar!...

-          E kam dëgjuar edhe këtë histori të moçme, Xhaka. E kam lexuar edhe te libri i xhaxhit Kiço Blushi: Beni ecën vetë…

-          Hi-hii-hiii… Qeshi mami. Si babi yt dikur, o Joni.

-          Epo, Xhakës… Babai im ecën vetë në jetë…

-          Po, o bir! Vetëm se, ato kohëra vdiqën. Erdhën kohëra të reja, kur Atdheut nuk i dilet zot edhe duke hëngër bar…

-          E, si i dilet zot, o babi sot Atdheut?! I trego mamit!...

-          Me laps e libër, o Joni!...

         Vërtetë, babai pati të drejtë. Kohë të tjera ishin ato që perënduan… E kohë të tjera janë këto sot që lindin me Diellin. Nuk janë ato të maleve… Dhe, livadheve… Po Xhakës, është kohë e librave… Lapsave në brez…

  7

HUTAÇ?T U P?RSHKUAN

      TE DY LISAT E ÇUK?S

 

         Dielli sot zbriti më këmbë maleve. E rroku për qafe një lule. Qengjit të Jonit i tha diç në vesh. Ujkut, që pinte ujë te burimi ia futi një shuplakë bythëve. Zogut i dha fuqi për këngë në male.

        Në mbrëmje, xixëllojës i ngriti edhe pak fitilin e fenerit. Fluturat mos përplasen në ndonjë lakuriq. Bilbili në përqafim të hutit me veshë.

        Joni u zgjua përgjumshëm dhe doli në dritare. I fërkoi sytë me duar. Nuk i besohej, i dukej se shihte ëndërr. Po, jo.

        - Hë, qengji im me një zile në qafë varë, çka do të më thuash tashti në ëndërr?! Përsëri do të më thuash: ha bar!

        - Hi-hii-hii… Qeshi Dac Poeti, matanë shtratit. Tashti do të të thotë: ha borë!...

        - E pamundshme! Po, unë nuk jam Dordolec! Ose, ndonjë top dëbore, që rrokulliset teposhtë Çukës…

       - Mundet. Bora  është jorgan i natyrës.

      - E Xhaka, ka jorgan, gëzofin e ogiçit.

      - Hi-hii-hiii… Qeshi Dac Poeti. E unë jorganin tim e mbaj me vete mbi shpinë. Dimër e verë.

      - E di, o mik! E di. Prandaj, edhe nuk ke vapë, as acar…

      - Epo, “ Xhakës “, siç thua ti, ky jorgan mua më duhet vetëm sajë. Tym e mjegull ta lëshoj te Guri i Zi, teposhtë Çukës.

      Jonit, iu bë pak qejfi. Dac Poeti për herë të parë e përdori shprehjen e tij, “ Xhakës “. Nuk do mend, e meritonte edhe shpërblimin. Pse, sot të mos rrëshqisinin pak me sajë te kodra e Çukës?! Dikur, edhe të përshkohen te Dy Lisat e Çukës.

-          E di çka, o mik! Ec zbriti skitë e tua nga tavani! Sot do të rrëshqasim te kodra në Çukë.

-          Po, unë dua t’i marrim me vete edhe Komandant Dacin dhe Zonjën Di!

-          Ta merr mendja, do t’i marrim, o mik! Pa ta nuk ka edhe rrëshqitje. Gara.

Joni para me saj, Dac Poeti pas tij me ski, Komndsnt Daci dhe Zonja Di, u nisën livadhit nga Çuka. E kaluan gardhin. Kasollën e Xha Sadinit. Dhe, hipën te Guri i Zi.

-          Haaajt, saja e Xhakës, bërtiti Joni! Dhe, tym e mjegull u lëshua teposhtë kodrës. Dac Poeti pas tij me ski. Komandant Daci duke u rrokur fortë pas bishtit të Dac Poetit. Zonja Di për bishti të Komandant Dacit.

      Dhe, në fund të kodrës të gjithë bythekrye, njëri mbi tjetrin përfunduan në përrua.

-          Epo, u tha Xhaka që të mbaheni fortë njëri pas tjetrit, se saja e Xhakës fluturon si shqiponjë  teposhtë kodrës. Ju nuk e dëgjuat, tashti shkunduni nga bora se, do të përshkohemi te Dy Lisat e Çukës!

         Trimat tanë, pasi u shkundën nga bora, u nisën pas Xhakës. Xhaka ecte krenar me sajën duke e hequr përpjetë kodrës. Matanë dëllinjave arriten te Dy Lisat me një trup të përbashkët, që ishin të zbukuruar plot lecka e penj me lloj-lloj ngjyre. Në këtë vend gratë i përshkonin fëmijët. Thonin: se, ky lis i ruante nga magjitë. Xhindet, që gjithë natën e gjatë i hidhnin dorë mbi dorë mbi çatia. Majë lisave…

-          Ecni këtu, urdhëroi Joni! Përshkohuni pas meje mes këtyre dy lisave!

Dhe, trimat tanë u përshkuan njëri pas tjetrit te Dy Lisat e Çukës. U shpëtuan maxhive. Xhindeve, që gjithë natën i hidhnin dorë më dorë mbi çatia… Majë lisave…

 

                                                                                                                        (vazhdon)

 



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora