E shtune, 21.09.2019, 07:00 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Coli, Tuç Maku, Lokja, rishfaqen të harruarit

E diele, 30.12.2007, 11:50 PM


Nga Alma Mile - Shekulli
 
Një orë filma nga Hysen Hakani për 75-vjetorin e lindjes

Coli, Tuç Maku, Lokja… Personazhe që i kemi dashur, i kemi imituar, emrat e tyre përdorur si pseudonime, rikthehen për nostalgjikët. Një ditëlindje nuk shërben vetëm për të mbledhur miqtë e për të marrë urimet e rastit, por edhe për të përjetuar momente të pakthyeshme. Kjo është festa e vërtetë për regjisorin Hysen Hakani në 75-vjetorin e lindjes. Siç ndodh rëndom në kësi rastesh, për nder të "dollibashit" flasin miqtë, sjellin kujtime, japin urime. Dikur, në moshë të re, ish-operator i Hakanit, ndërsa sot "moderator" i 75-vjetorit, është regjisori Piro Milkani ai që hap takimin. Pas tij flet bashkëkohësi Viktor Gjika, aktorja Roza Anagnosti që në vitin 1964 luante rolin e Files tek "Toka jonë". Por më shumë flasin filmat e Hakanit. Nga Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar janë qëmtuar momentet më pikante të krijimtarisë së regjisorit, që rikthejnë në ekran filma që nuk janë shfaqur prej shumë vitesh. Jo thjesht të dalë jashtë mode në vitet e demokracisë, por edhe të anatemuar, për shkak të tematikës së tyre. Çka do ta kujtojë gjithnjë Hakanin, nuk janë vetëm filmat. Krijimtaria e tij lidhet me gjenezën e filmit shqiptar. Për rreth 10 minuta për ata që e kanë jetuar atë kohë, ofrohen momente nga xhirimet e filmit të parë shqiptarë. Aty fillon historia. Ata që kanë qenë pjesë e këtij momenti shohin veten kur kanë qenë të rinj, plot 50 vjet përpara, në vitin 1957, kur u xhirua filmi "Fëmijët e saj". Rishfaqen një nga një ata që nuk jetojnë më, Marie Logoreci, Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka. Për të vijuar me disa momente nga filma që para 17 vitesh përbënin "menunë e të dielës" për shqiptarët. Coli çamarrok, me pantallonat e grisura, shpërndarësi i trakteve e kapësi i breshkave të kthen në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, në kohën e debatikasve. Tek "Debatiku" i vitit 1961 u zbuluan "fatet" e aktorëve të ardhshëm. Vite më vonë, Roland Trebicka, në rolin e Kostës së zbehtë e të dobët, do të bëhej xhaxhi Vani gazmor. Ndërsa Shpëtim Zani, në rolin e Colit, që do na bënte të qanim sa herë e shihnim filmin, nuk vazhdoi dot më tej. Askush nuk dëgjoi më për të, por Coli do të mbetej një nga personazhet më të dashur e më të spikatur të kinematografisë. Dikur super i shfaqur, sot thuajse i harruar filmi "Toka jonë" na kthen në kohën e bajrakut dhe të bejlerëve kur historia e ndarjes së tokave është tashmë një nga temat e ditës, edhe pse sistemet kanë ndërruar.

Bardhë e zi rishfaqen personazhet mite si Lokja, Tuç Maku, Leka, apo Marashi, të interpretuar nga një trupë aktorësh të mëdhenj si Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Roza Anagnosti, Mario Ashiku, etj. "Njësiti guerril" na hedh sërish në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, si temë e preferuar e regjisorit Hakani. Kush është mbi të 30-at, absolutisht e kujton shprehjen "Ktheja dhjetëshen Gjergjit", që mori përdorim të gjerë edhe në jetën e përditshme.

Në arkivën e filmave pak të shfaqur sot bën pjesë edhe "Ndërgjegjja" me aktorë Rikard Ljarjan, Roza Anagnostin, Gëzim Kamen, etj. Është ndër ata pak filma shqiptarë ku ashtu siç sugjeron edhe titulli, nuk është ngritur mbi ngjarje apo aksion dramatik, por mbi lojën e kujtesës, e përsiatjes dhe e luftës së brendshme të një heroi pasiv me shoqërinë, por nën presionin e saj.

Thuajse i panjohur është "Plaku dhe hasmi", një prodhim më i ri, që i përket vitit 1981. Na çon në 7 prill 1939, kur Italia fashiste pushton Shqipërinë. Në rolet kryesore interpretojnë Sandër Prosi, Vasjan Lami, etj.

Ky ishte përvjetori i Hysen Hakanit i realizuar në Teatrin Kombëtar. Mungoi katalogu, katalogu i parë dhe i vetëm që një krijues si Hakani ka pak shanse ta ketë, si një arkiv më dinjitoz fotografik që do sfidonte arkivën modeste personale që regjisorët e kanë hedhur me kohë në qoshet e shtëpisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT