Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Momenti me i dhanë kuptim shtetit

| E marte, 30.11.2010, 10:59 PM |


Momenti me i dhanë kuptim shtetit

 

Nga Ndue Ukaj

 

Një shoqëri, komb a shtet, për me jetuar në liri, duhet me refuzua nënshtrimin. Cilido qoftë ai. Asnjë çmim s'e arsyeton nënshtrimin, shitjen e vullnetit politikë dhe qytetar. Kjo është premisa e parë për me krijuar një shoqëri me vlera dhe parime të shëndosha, një shoqërie të shëndoshë dhe me një sistem te konsoliduar demokratik. Një shoqëri për të gjithë, në të cilën të gjithë kontribuojnë dhe nga e cila, të gjithë përfitojnë. Një shoqëri, ku shteti është për çdo kënd dhe çdo herë.

 

A është Kosova e tillë? Mendjet racionale as që duan me diskutuar për këtë, sepse e vërteta është aq ndryshe, sa të kap trishtimi.

 

Për çdo qytetar të Kosovës, pyetja, nëse ka demokraci  të shëndoshë në këtë vend, është shndërruar në makth. Në makth është shndërruar edhe vetë çështja e ekzistencës së shtetit të Kosovës. 

 

Prandaj, me i dhanë fund kësaj anarkie, e cila po sundon ne ketë vend te mrekullueshëm; me i dhanë fund këtij dëshpërimi, qe ka triumfuar mbi idealet tona; me i dha ne fund kësaj lufte politike t' pashembullt qe zhvillohet këtu, pa asnjë parim e asnjë vlere; me i dhanë fund kësaj prapambeturi e këtij dembellaku oriental, shqiptaret e mire duhet me refuzua nënshtrimin. Ndërsa elitat intelektuale, duhet me dite me formësua një shpirt kreativ, një kulture te sistemit, përkundër asaj te anarkisë, instikteve dhe heshtjes që po na përcjell dhe ngulfat.

Kosova ka nevoje për një mentalitet te ri udhëheqës, i cili, me mençuri, kreativitet dhe mendësi sistematik, kishte me krijua mundësi që këtë vend te mrekullueshëm, me rikthye ne binaret e vlerave te dëshmuara perëndimore

 

Thuhet me të drejtë se çdo punë e mirë, e ka statusin e tillë vetëm kur vihet në raport krahasimi me tjera, të mira, më të mira e të dëshmuara. Në fakt, Kosova, për shkak të një histori më se tragjike, vështirë mund të krahasohet me ndonjë vend, brenda përkatësisë Eruopiane, ku është dhe gjallon. E, ku aspiron të jetë përfundimisht.

 

Kosova është duke u mëkëmbur nga e kaluara dhe vitet e mungesës. Prandaj, është ky  rrugëtim me rreziqe të mëdha, kur mund të bëhen gabime të pariparueshme. Ashtu sikur një fëmije të njomë që i duhen këpucë stabile, përkujdesje, kur fillon të ec, ashtu vendit tonë i duhet një elitë politike e mençur, një elitë politike e aftë, një elitë politike e guximshme me dit realisht mi jetësua idetë dhe idealet perëndimore, për shtetin tonë dhe të ardhmen e tij.

 

Kosova e nesërme, Kosova e ardhme, varet edhe prej nesh, prej veprimeve tona, prej ideve tona, prej punëve tona, prej vullnetit tonë.  Për mu krijua kushtet me ndodh kjo, duhet me besuar ne forcën e ndryshimeve. Ndërkaq pikërisht në këtë mund të na ndihmoj e kaluara. Në këtë kontekst, në shërben një referencë e At Gjergj Fishta, kur shkruante se: "Per me sundue nji shtet, nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakcilleku, rena, trathtija; duhet ndere, dije, urti, burni: qe se shka duhet". Këto që duhen me qeverisë një shtet, vendit tonë, ka kohë që i mungojnë, prandaj, te ne, ndjehet ankthshëm dhe në çdo segment, mungesa e shtetit. Apo, në variante tjera, shteti për ne, thënë me gjuhën popullore, është bërë një njerk, që i përkund kur nuk duhet dhe i le në vaj, pikërisht kur duhet. Pikërisht kjo gjendje, duhet me motivua mendjet e ndritura, me refuzuar këtë logjike të krijimit të shtetit dhe me synue mi gjallëru idetë dhe idealet për një vend, me plotë kuptimin e fjalës, demokratik, europian dhe në funksion të interesave të përbashkëta. 

Tanimë është bërë klishe të thuhet se Kosova këtë herë ndodhet para sfidave të mëdha, para punëve të mëdha, para përgjegjësive të mëdha. Ç'është e vërteta, Kosova ka kohë që ndodhet nëpër sfida. Mirëpo që të tejkalohen këto sfida duhet populli me guxuar me veprua ndryshe, që sfidat të mos përdorën si instrumente me abuzuar me votën e tyre, me lirinë e tyre, me ardhmërinë e tyre, duhet me tejkaluar sfidën e gjitha sfidave, parakushtin e gjitha parkushteve. Me ditë me jetuar të lirë dhe me vepruar të lirë. Prandaj,  sfida me e madhe për Kosovën është tejkalimi i mendësisë klanore, farefisnore, mentalitetin jo europian. Sfida më serioze për Kosovën është, ta funksionalizojë mentalitetin dhe kulturën perëndimore, si pjese e mendësisë shqiptare, të mentalitetit shqiptar, të konceptit për shtetin, për kombin, për shoqërinë dhe për politikën.

 

Nga empirik e dimë se shteti ecin para jo me rrahagjoksa, por nga njerëz te zot, që vënë ne balle inteligjencën. Vetëm atëherë shpresat për një Kosovë si e kanë ëndërruar shumë breza, mund të sendërtohet.

 

Ne kemi një politike dhe elitë, e cila, deri me tani, është bërë robe e mentalitet farefisnillekut, primitivizmit, ideve fundamentaliste dhe interesave tepër të ngushtë. Rrallë të bie të dëgjosh, e hiq më pak të lexosh, ide dhe ideale që kërkojnë dhe promovojnë interesat e përbashkëta, kulturë të përbashkët, mendësi të përbashkët.

 

Është e vërtetë se kemi trashëgua një te keqe te madhe, mirëpo, përballë këtyre të këqijave që janë të natyrave të shumta, duhet të kemi zë unik, sidomos në çështje kruciale, që lidhen me mentalitetin tonë, kulturën tonë, të tashmen dhe historinë tonë.

 

Kombet dhe shtet mund të shkatërrohen fizikisht. Ndodhin luftëra dhe gjëra tjera. Mirëpo fuqia shpirtërore është ajo që i përtërin dhe i ndihmon mu konsoliduar. Empiria na tregon raste të shumta. Kujtimi më i freskët është Gjermania. Por edhe Izraeli. Kosova ka nevojë ta tejkalojë sfidën e sfidave. Me fituar lirinë dhe me shpreh vullnetin e plotë, me binde dhe besim. Kjo është kthesa më e madhe. Ndryshe klithjet, ankimet, vuajtjet, pasiguria, mungesa e perspektives, edhe për shume vite, kane me qenë  shoqëruese të këtij populli .

 

Përkundër kësaj gjendje të mjerë, në të cilën çdo njëri ka pjesën e fajit dhe përgjegjësisë, duhet më kërkua alternativa dhe mendësi që kanë aftësi, guxim dhe vullnet me ndryshuar këtë gjendje.