E enjte, 18.04.2024, 02:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Lajmet më të çuditshme të vitit 2007!

E diele, 30.12.2007, 10:28 PM


Një drekë te Gorbaçovët? 160 mijë USD

Një çift amerikan pagoi 160 mijë dollarë për të ngrënë një drekë me ish-presidentin sovjetik, Mikhail Gorbaçov, në shtëpinë e tij. Gjatë një ankandi të organizuar më 2 qershor në Londër kishte një ofertë: një drekë me familjen Gorbaçov në Moskë. Një çift amerikan pagoi 160000 dollarë. "Çfarë të bëjmë, do të nxjerrim lakër, harenga dhe votkë", gjellët tradicionale ruse, deklaroi Mikhail Gorbaçov. Ankandi në Londër u organizua nga Fondacioni Raisa Gorbaçov, sipas emrit të bashkëshortes së Gorbaçovit, që vdiq në 1999 pas një kanceri, për të ndihmuar fëmijët e prekur nga kanceri. Katër milionë dollarët e mbledhur gjatë këtij ankandi do të ndahen meS dy qendrave onkologjike për fëmijët në Moskë dhe Shën Petersburg (veriperëndim).

Gjobë kirurgut, piu cigare gjatë operimit

Një mjek urolog italian u dënua me 4500 euro gjobë pasi piu cigare ndërsa ndodhej në sallën e operacionit në spitalin e Pescias, në Toskana (qendër), njoftoi agjencia ANSA. Janarin e kaluar, mjeku ishte kapur në befasi duke pirë duhan në sallën e operacionit nga disa karabinierë që po bënin një kontroll sanitar. Ata i vunë një gjobë prej 55 eurosh, pasi kishte shkelur rregulllin e ndalimit të duhanit në një vend publik. Gjykata hapi më pas një proces kundër mjekut, i akuzuar se kishte dëmtuar imazhin e institucioneve të shëndetit publik, në përfundim të të cilit ai u dënua t‘u paguajë 4500 euro gjobë sigurimeve shoqërore.

Cila fjalë përmbledh shekullin XX? 11 Shtatori

Cila frazë përmbledh deri tani shekullin XXI? Për një në katër persona, përgjigjja është "11 Shtatori". Sondazhi u krye për të përkujtuar publikimin e "Raportit të gjuhës" të Susie Dent, përmbledhja vjetore për fjalët e reja që futen në gjuhën angleze. "Fuqia e shprehjes ‘11 Shtatori‘ është se do të përdoret gjithmonë si shenjë stenografie për të përcaktuar një moment të vetëm në kohë", tha Dent për sulmet e 11 Shtatorit kundër SHBA-së. "Kjo shprehje shfaq në mënyrë të përkryer sesi historia mund të konservohet në një fjalë apo shprehje të vetme", shtoi Dent.

Britanikët: Euro në bazat ushtarake në Qipro

Britania e Madhe e ka kot që tregohet skeptike lidhur me monedhën unike evropiane, pasi bazat e saj ushtarake sovrane në Qipro do të miratojnë monedhën e përbashkët më 1 janar, me hyrjen e ishullit mesdhetar në zonën euro. Në mënyrë ironike, këto baza ushtarake nuk bëjnë pjesë zyrtarisht në Bashkimin Evropian, edhe pse pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar ka hyrë në organizatë në 1973. Por bazat ushtarake në Dhekelia dhe Episkopi-Akrotiri, që mbulojnë një sipërfaqe prej 255 km2, do të fusin përdorimin e euros më 1 janar. "Jemi plotësisht gati, një numër i madh personash e kanë përdorur më parë në Gjermani, pra përdorimi i euros nuk do të jetë një shok", deklaroi zëdhënësi i forcave britanike në Qipro, kapiteni Nik Ulvert. Afro 10000 qipriotë banojnë në bazat britanike dhe mund të përfitojnë atje nga plazhet, restorantet dhe kafenetë. Përdorimi i monedhave të ndryshme do të kishte qenë një telash i madh, sipas ushtarakut. Të gjitha çmimet e prodhimeve dhe shërbimeve janë afishuar aktualisht në euro dhe në paundë qipriotë, si në pjesën tjetër të ishullit. Qiproja fitoi në 1960 pavarësinë, por Britania e Madhe ka ruajtur aty dy baza ushtarake sovrane.

Krishtlindje para kohe në një qytet amerikan

Banorët e një qyteti të vogël pranë liqenit Erie, në verilindje të SHBA-së, morën një dhuratë para kohe për Krishtlindje: një donacion anonim prej 100 milionë dollarësh. Donatori, që u identifikua si një "mik anonim", ia bërë këtë dhuratë një fondacioni ku bëjnë pjesë disa shoqata bamirësie të qytetit të vogël të Eries, sipas "Pittsburgh Tribune-Review". Dhuruesi nuk dha asnjë të udhëzim për mënyrën sesi duhen shpenzuar paratë, ndërkohë që sipas shtypit lokal, ndër përfituesit e kësaj dhurate bujare do të jenë një bankë ushqimore për të pastrehët, një qendër pritjeje për gratë dhe një shoqatë në ndihmë të verbërve.

Një gjerman... drejt e në gojën e ujkut

Një polic gjerman, që ndiqte prej disa muajsh një të kërkuar, e përfundoi me sukses hetimin falë një aksidenti rrugor: i kërkuari u përplas rastësisht me makinën e policit në Këln. "E njihja këtë fytyrë, por nuk arrija të kujtoja se nga e njihja", shpjegoi polici, i cili kishte parë vetëm një fotografi të të dyshuarit, mbi të cilin hetonte që në verë, bashkë me zyrtarë të tjerë të policisë në të gjithë vendin. Keqbërësi 27-vjeçar, arratia e të cilit mori fund në një kryqëzim në qendër të qytetit të Këlnit, kërkohej në të gjithë Gjermaninë. Ai akuzohet ndër të tjera së ka përdorur një pasaportë portugeze të falsifikuar për të tërhequr para nga një llogari që nuk ishte në emër të tij.

Ora e ish-gruas së Bonapartit, 900 mijë euro

Një orë e perandoreshës Josefine u shit për 1505000 franga zvicerane (913.810 euro) gjatë një ankandi në Gjenevë, njoftoi shoqëria Christie‘s. Kjo shumë është sa 7 herë vlerësimi fillestar prej 200 000 frangash zvicerane i bërë nga shoqëria e shitjeve në ankand. Blerësi nuk u bë i ditur. E realizuar në 1800 me flori, diamant dhe smalt, objekti me ngjyrë blu të errët është një nga mostrat e para të "orave me prekje", e shpikur nga Abraham Louis Breguet rreth viteve 1790. Ky sistem mundësonte të lexohej ora me një të prekur të thjeshtë, për të shmangur nxjerrjen e orës nga xhepi për mirësjellje. Sipas shtëpisë Breguet, fusha e orës u porosit në 1799 nga Josefine për 3 000 franga. Në 1804, pak pas kurorëzimit të Napoleonit, medaljoni u zbukurua me diamante dhe më pas u zbukurua me një kurorë. Josefine ia ofroi më pas orën të bijës, Hortense de Beauharnais dhe kapaku u gdhend me një "H" me gurë xhevahiri. Josefine de Beauharnais (1763-1814) u martua me gjeneralin Bonapart në 1796, por u nda në 1809, pasi nuk lindi dot një trashëgimtar

Kur shefi i opozitës "ngjan" si hidraulik


Shefi i opozitës konservatore britanike u ndie i vlerësuar fillimisht kur modelja, Kate Moss i kërkoi numrin e telefonit, përpara se të kuptonte që ajo e kishte ngatërruar me një hidraulik. David Cameron u shpreh për televizionin "ITV1", se ishte takuar me top modelen gjatë një evenimenti bamirësie. Për një arsye që ai nuk e shpjegon, biseda kishte vazhduar rreth dëmeve të shkaktuara nga uji në shtëpinë e politikanit. "Dhe vazhdova më pas të flas e flas kur ajo më tha: ‘Zot, ju dukeni si dikush që mund të jeni tepër i dobishëm, mund të kem numrin tuaj të telefonit?‘ Kur u riktheva në tavolinë tek të ftuarit e tjerë, u thashë: kam një lajm të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë është se takova Kate Moss dhe më kërkoi numrin e telefonit. Lajmi i keq, mendoj se ajo beson që unë kam të bëjë me profesionin e hidraulikut".

Hetime për Babagjyshin: Ku e ka shtëpinë?

Qeveria e Kirgistanit urdhëroi nisjen e një hetimi për të vërtetuar se babagjyshi i Vitit të Ri banon në këtë republikë të vogël të Azisë Qendrore, pas një raporti bërë publik këtë javë në Suedi dhe për të zgjidhur në këtë mënyrë një nga enigmat e fundit në botë. "Agjencia shtetërore e Turizmit ka qenë gjithnjë e bindur se babagjyshi i Vitit të Ri banonte pranë nesh dhe së fundmi shkencëtarët suedeze e kanë vërtetuar këtë fakt", deklaroi kryehetuesi i Agjencisë shtetërore për Turizmin, Akbar Djigitov. "Një punë e madhe na pret, pasi Kirgistani e ka përzemër të njihet si shtëpia e vërtetë e babagjyshit të Vitit të Ri", shtoi ai, duke këmbëngulur mbi rëndësinë e këtij operacioni. Kirgizët kanë afat deri më 20 dhjetor për të dërguar çdo dokument, që mund të ketë lidhje me vendbanimin e babagjyshit të Vitit të Ri, një operacion kërkimor që parashikohet tepër i vështirë në këtë vend me terren të thyer malor ku në mjaft fshatra është e vështirë të futesh në dimër. "Për një kohë të gjatë, mendohej se babagjyshi i Vitit të Ri banonte në Polin e Veriut, por tani e dimë se për të përmbushur detyrën dhe për t‘i thënë "Gëzuar" gjithë botës, ai duhet të nisë turneun në Kirgistan", kujtoi nga ana e tij drejtori i Agjencisë kirgize për Turizmin, Turusbek Mamachov. Një studim i shoqërisë së këshilltarëve inxhinierë Sweco zbuloi javën e kaluar se babagjyshi i Vitit të Ri duhej të përshkonte Tokën për 5800 kilometra në sekondë dhe të bënte 2,5 miliardë ndalesa në mënyrë që të gjithë fëmijët e botës të merrnin dhurata. Shkencëtarët suedeze vërtetuan se vetëm duke u nisur nga Kirgistani babagjyshi i Vitit të Ri mund të kryente të gjitha zhvendosjen në mënyrë optimale dhe do të humbiste më pak kohë. Një çmim, padyshim në dhuratë, do të jepet për atë që do të gjejë shtëpinë e babagjyshit të Vitit të Ri, i njohur në Kirgistan me pseudonimin "babagjyshi Akull"

Prifti vret veten: Rikthehem pas 2 ditësh

Një prift hindu, në Indinë Qendrore, vrau veten me premtimin se do të rikthehej në jetë pas dy ditëve, njoftoi policia. Manoxh Bagel, i përshkruar si njeri tepër i dhënë pas fesë, u helmua në prani të një turme të vogël njerëzish në një tempull në Raigar, në shtetin Çatisgar. Ai u dërgua në spital, por vdiq menjëherë pas mbërritjes atje. Policia regjistroi vdekjen si vetëvrasje, por nuk mundi ta marrë trupin e 25-vjeçarit, pasi ithtarët e tij kishin këmbëngulur në kthimin e trupit të viktimës në tempull për të parë se çfarë do të ndodhë pas dy ditësh.

Bashkia punëson shoferë ... pa patenta

Bashkia e Palermos ka punësuar "110 shoferë autobusësh", por që nuk janë të pajisur me patentë. "Tani për tani me ta nuk mund të bëhet gjë. Për sa kohë që ata nuk do të marrin patentën ata do të paguhen‘‘, shpjegoi bashkia, që i punësoi këta persona në prag të zgjedhjeve bashkiake.

Kalimtarët e dehur, më shumë aksidente

Në Lima, këmbësorët në gjendje të dehur shkaktojnë dy herë më shumë aksidente vdekjeprurëse se shoferët e bërë tapë, thekson një raport i policisë. Në kryeqytetin peruan, ku qarkullimi është i rënduar dhe i rrezikshëm, gjysma e shoferëve të taksive kanë patenta false. Ndërsa këmbësorët, edhe kur nuk kanë pirë, pa menduar për jetën e tyre, kapërcejnë rrugët ku lejohet që makinat të udhëtojnë me shpejtësi, edhe në autostrada.

Kërkon divorcin për ... një program në TV

Një saudit kërkoi divorcin pas kapi të shoqen duke ndjekur në televizion një program që drejtohej nga një burrë. Burri mbështet doktrinën shumë strikte të Islamit, që ndalon gruan të qëndrojë vetëm me një burrë që nuk është anëtar i afërt i familjes.

Arkë kursimi që shpërthen, po s‘e mbushe


Një prodhues lodrash japoneze ka shpikur një kumbara kursimi që shpërthen dhe i shpërndan të gjitha monedhat nëse pronari i saj harron ta mbushë brenda një kohe të caktuar. "Bomba kumbara" është e destinuar t‘i detyrojë përdoruesit e saj të kursejnë, thotë krijuesi i saj, Takara Tomy.

Nuk i duronte erën, ndahet nga i shoqi

Një egjiptiane, që nuk e duronte dot më "erën kundërbuese" të të shoqit, arsimtar, 39 vjeç, arriti të merrte divorcin pasi bindi një gjykatë për kalvarin e saj të përditshëm. Megjithë këmbënguljen e bashkëshortes, burri refuzonte me këmbëngulje të lahej, duke bojkotuar sapunin dhe furçën e dhëmbëve.

Ha mish qeni në formë proteste

Një artist britanik hëngri në transmetim direkt në një radio londineze një qen të rracës Korxhi, raca e preferuar e mbretëreshës Elisabeta II, për të protestuar kundër vrasjes së dhunshme në janar të një dhelpre nga një grup gjuetarësh, përfshi edhe bashkëshortin e sovranes, princin Filip. Mark McGowan, i njohur për këto praktika, pasi gjatë një performance të mëparshme artistike kishte ngrënë një mjellmë, hëngri në shoqërinë e Yoko Onos, vejushës së ish- Beatls-it, John Lennon, një qen që kishte ngordhur në një qendër kafshësh, dhe saktësoi se kishte një shije "me të vërtetë shumë, shumë të neveritshme". "Disave mund t‘ju duket ky gjest tronditës dhe pa shije, por unë po e bëj për të ndërgjegjësuar njerëzit për paaftësinë e Shoqërisë Mbretërore për Parandalimin e Mizorive ndaj Kafshëve (RSPCA) për të paditur princin Filip dhe miqtë e tij pasi kishin qëlluar mbi një dhelpër në fillim të vitit dhe e kishin lënë të përpëlitej për pesë minuta, përpara se ta qëllonin me shkop deri sa të ngordhte", deklaroi artisti. RSCPA, e ngarkuar me paditjen dhe ndjekjen e autorëve të dhunës ndaj kafshëve, njoftoi se nuk kishte "asnjë provë" për një keqtrajtim të mundshëm të dhelprës, "ndërsa autopsia kishte zbuluar se kafsha kishte ngordhur pasi ishte qëlluar me plumb dhe nuk kishte as trauma dhe as plagë në trup". Mbretëresha e Anglisë ka patur më shumë se 30 qenë të racës Korxhi që pas ardhjes së saj në fron në 1952, ndërsa aktualisht ka katër të tillë.

Makinisti, pasagjerëve: ta shtyjmë trenin

Qindra pasagjerëve të një treni në Indi iu kërkua shumë më tepër nga sa mund të mendohet, kur makinisti u tha të zbrisnin dhe të shtynin trenin. U desh më shumë se gjysmë ore për të lëvizur 4 metra trenin elektrik që kishte ngecur në vend, në mënyrë që të bënte kontaktin me telat ajrorë dhe të fillonte sërish udhëtimin, thanë zyrtarët. Incidenti ndodhi në shtetin lindor të Biharit, pasi një pasagjer tërhoqi zinxhirin e emergjencës dhe e ndaloi trenin në një zonë "neutrale", në një pjesë të shkurtër të trasesë, ku mungonte energjia në telat ajrorë. "Në kaq shumë vjet shërbim në hekurudhë, nuk kam ndeshur kurrë në një incident të tillë, kaq të çuditshëm", tha zëdhënësi i Hekurudhës Indiane, Kumar Jha. Shpejtësia e një treni i lejon atij zakonisht të vazhdojë udhëtimin edhe në zonat neutrale. Rrjeti hekurudhor indian transporton më shumë se 15 milionë njerëz në ditë, më shumë se popullsia e Norvegjisë dhe Suedisë së bashku, por siguria e tij le shpesh vend për kritika.

Makina e Papës, në shitje për bamirësi

Për herë të dytë në dy vjet, një makinë që më parë i përkiste papës Benedikti XVI, është në shitje. Në maj 2005, kazinoja e Teksasit "Golden Palace" i pagoi 250000 dollarë një 21-vjeçari gjerman për makinën "Volkswagen Golf", prodhim i vitit 1999, ngjyrë gri dhe tani e shet atë për bamirësi. Kazinoja tha se do t‘i dhurojë të ardhurat e ankandit, që filloi në fundjavë, filialit britanik të organizatës së ndihmave "Habitat for Humanity".

Prishin muret e tualetit për ta nxjerrë

Një grua, e cila peshonte 318 kilogram, u arrit të nxirrej nga tualeti nga zjarrfikësit, pasi këta të fundit hoqën një mur të jashtëm si edhe një dritare, njoftoi një zyrtar i zjarrfikësve. Gruaja, e identifikuar si Patty Brown, telefonoi shërbimet e emergjencës në Trenton, Nju Xhersi, pasi u rrëzua në tualet dhe nuk ishte në gjendje të ngrihej. Shërbimi mjekësor nuk arriti ta lëvizte, kështu që thirri në ndihmë zjarrfikësit, të cilët dërguan 25 persona për t‘i ardhur në ndihmë gruas.

Kishte shumë fëmijë, e pushojnë nga puna

Partia Komuniste e Kinës, e cila ka pushtetin në vendin e madh aziatik, pushoi nga puna një zyrtar lokal pasi ai kishte shumë fëmijë, çka do të thotë se ka shkelur rëndë politikat kombëtare për planifikimin familjar, njoftoi një gazetë. Qin Huaiwen, i cili drejtonte një zyrë ndërtimesh në provincën Shanxi, kishte tre vajza me bashkëshorten e tij si edhe një djalë dhe një vajzë me të dashurën, shtoi gazeta "Beijing News". Shumica e çifteve në zonat urbane në Kinë lejohen të kenë vetëm një fëmijë.

Kryeministri, rrogë 5 herë më shumë se Bush

Kryeministri i Singaporit, Li Hsien Lung, do të marrë një pagë sa pesëfishi i asaj të presidentit Bush, pas rritjes së saj në 2,05 milionë dollarë në vit. Një ministër i deklaroi Parlamentit se edhe ministrat e tjerë të qeverisë së Singaporit, të cilët janë më të paguarit në botë, do të shkojnë në 1,26 milion dollarë në vit. Li Hsien Lung deklaroi muajin e kaluar se pagat e ministrave dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë do të rriteshin ndjeshëm, pasi ato ishin shumë poshtë nivelit të pagave në sektorin privat. Njoftimi i kryeministrit shkaktoi irritim të madh, që solli peticione të shumta dhe kryeartikuj kritikë gazetash kundër këtij vendimi.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora