Shtesë » Historia
1912-1920 Përvjetorët e pavarësisë në Korçë
E hene, 29.11.2010, 06:38 PM
1912
Në atë kohë, ushtritë e Turqisë ishin pothuaj të shkatërruara nga lufta ballkanike e kështu u mblodhën në Korçë bashkë me gjeneralët Ali Riza pasha, Kara Said pasha dhe Xhavit pasha. Dy të parët ikën menjëherë nga Korça, ndërsa i treti qëndroi deri nga fillimi i dhjetorit, kur në qytet u muar vesh se para rreth tre ditësh në Vlorë ishte shpallur pavarësia kombëtare. Menjëherë patriotët korçarë filluan të organizonin ngritjen e flamurit edhe në qytetin e tyre, por prania e Xhavit pashës nuk e lejoi këtë.
1913
Përvjetori i parë i pavarësisë e gjeti Korçën nën pushtimin e forcave ushtarake greke, të cilat nuk lejuan në asnjë mënyrë asnjë lloj aktiviteti me rastin e përvjetorit të parë të indipendencës. Atë vit korçarët i gëzoi lajmi i Konferencës së Londrës, ku u vendos se Korça do të ishte pjesë e hartës së Shqipërisë, duke hequr mënjanë përgjithnjë pretendimet greke.
1914
U kremtua në zemrat e popullit me hidhërim, sepse që dy muaj para filloi turbullimi i shtetit, me largimin e Princ Vidit nga Durrësi. Pas ikjes së tij, trupat greke përsëri vërshuan në Korçë, duke plotësuar veprimtaritë antishqiptare që nuk mundën të realizonin në puçin e organizuar në prill të atij viti.
1915
U kremtua nga qytetarët nën sundimin grek dhe në vitin e dytë të luftës së parë botërore. Me shpresë se lufta do të përfundonte shpejt dhe Shqipëria do të ishte përsëri e lirë.
1916
Ishte një vit i shënuar i kremtimit të 4 vjetorit të pavarësisë kombëtare. Ishin ato ditë kur populli po përjetonte luftë, por edhe marrëveshjen e patriotit Themistokli Gërmenji që solli ngritjen e flamurit kombëtar në Korcë në dhjetor të atij viti, duke shpallur krahinën autonome të atij qarku. Populli datën e 28 nëntorit 1916, këtë vit e festoi më datë 10 dhjetor kur Gërmenji ngriti flamurin në Korçë. Ekzistenca e republikës së Korçës bëri që të mbahet gjallë Shqipëria, pasi të gjitha tokat e saj kanë qenë të pushtuara dhe vetëm Korca bëri të mundur që të mbante gjallë frymën e shtetit shqiptar, duke e shënuar këtë edhe në kartomedhat e kohës, si psh “Republika Shqiptare”.
1917
Këtë vit, përvjetori i pavarësisë kombëtare u kremtua me mallëngjim ndër korçarët, pasi ishin nën pushtimin francez.
1918
U festua nën pushimin francez, pa flamurin kombëtar në ballkonin e prefekturës së Korçës, pasi francezët e kishin hequr atë që në shkurt të atij viti. Ky është dhe viti i përfundimit të luftës së parë botërore dhe rifillimin e shpresës se Shqipëria do të ribashkohej.
1919
Si një vit më parë, Korça e kremtoi përvjetorin e pavarësisë nën sundimin francez. Me ndryshim se në Durrës ndodhej një qeveri shqiptare nën drejtimin e Turhan pashë Përmetit si dhe para disa muajsh disa vendime të Konferencës së Paqes ndaluan hyrjen e grekëve në qytet.
1920
Nga të vetmet herë që në Korçë u kremtua me madhështi dita e flamurit kombëtar. Ky është viti i bashkimit të Korçës me qeverinë e Tiranës, në maj 1920. Këtë vit në Korçë u ngrit flamuri kombëtar për të tretën herë, kësaj rradhe nga dora e patriotit të madh Vasil Tromara, në ballkonin e bashkisë së qytetit.