E enjte, 28.03.2024, 11:48 PM (GMT)

Kulturë

Ferit Ramadani: 28 Nëntori - Manifesti i krenarisë

E hene, 29.11.2010, 09:59 PM


28 Nëntori - MANIFESTI I KRENARISË

 

Nga Ferit RAMADANI

 

Ka data që në historinë e njerëzimit flasin për vlerësime të natyrave të ndryshme! Ka data që flasin për pasoja të cilat kanë lënë vrragë në gjendjen shpirtërore të njerëzve! Ka data mallkimesh e zemërimesh të cilat i kanë ngritur sundimtarët në kronikën e historisë . Ndërsa shqiptarët, krahas gjithë datave që flasin për vepra gjeniale të mbijetimit kanë mbidatën : Ditën e Flamurit - 28 Nëntorin!

Kjo datë që nga koha e Skenderbeut , në kohën e Ismail Qemalit e paskëtaj, është karakteristika e një drejtimi pas së cilës lidhet fati ynë kombëtar! Pikërisht këtë datë, bëhet manifesti i krenarisë për shumë arsye! Hapet horizonti i faqes së përballjes shqiptare në shumë dimensione! Dhe në kaptinën e qëndresës pikëqëndrohet me të gjitha kacafytjet e kurdisjeve nga besëprerjet tinzake të perandorëve dhe argatëve të tyre , e të tillë , ka pasur , dhe, fatkeqësisht ka e, do të ketë… !

Kjo datë i përngjan ringjalljes e cila vjen me emblemën gjeniale të shqiptarëve që nisen drejtë bashkimit dhe pavarësisë, dhe ndeshet nëpër lakadredhat e mbrapshtisë për ta përjetuar persekutimin , akuzimin! Edhe pse, është data e një humanizmi të madh ajo, ende trajtohet nga qarqet e armiqëve, si datë e pikëpamjeve radikale! E projektuar në vendimet e sunduesve të shqiptarëve, si datë qëllimkeqe, është bërë shenjëzim i përhershëm, të digjet, për t’u kthyer në harresë!

Megjithatë, 28 Nëntori, është bërë dritërrëfimi i përjetëshëm i shqiptarëve mbarë rruzullit tokësor! Kjo datë, shqiptarëve, gjithkah, ua ka shpie porosinë e përjetimit, se si munden të jenë të ndritur drejtë synimeve sovrane të një Legjislative bashkëformuese në territorin e prerë nga projektet okupuese. Ua ka ndezur zemrat, se si ta shprehin dinjitetin kombëtar edhe përmes vetëmbrojtjes! Ua ka ndezur frymëzimet si t’i bëjnë këngët për Atdheun dhe Flamurin legjendar!

Esenca e kësaj Date të Madhe është Barabarësia! Është Liria ! Është Pavarësia! Bashkimi! Është jehona e një kushtrimi kundrejt atyre që ndërtojnë standarde projektesh për robëri e përçarje ! Është përballje kundrejt gjithë borizanëve të kotësisë që bartin jehonën e një stafete të përçudnuar se shqiptarët patjetër duhet të jetojnë të ndarë e të okupuar dhe si kasnecët trumbetojnë se janë për integrim - pranimin e okupatorëve në aleancat evroamerikane !

Me çfarë dëshmishë të tmerrshme shqiptari doli ta bëjë këtë manifest në përfundimshekullin XX ?! Me çfarë kënaqësie e dhembjeje e shpreh, në nismën e Shekullit të ri?!

Ata që ia shtuan gjithë fatkeqësinë përpara fakteve gjithmon dalshin djaj! Të mallkuar qofshin!

Shqiptarët në jetë nuk e kanë pasur natyrën e përcaktimeve robëruese! As nuk kanë bërë synime të robërojnë! Enciklopedia e peripetive shqiptare nga sundimtarët dhe argatët e tyre, është bërë kulmi më fatkeq i tendencës për ta zhbërë nga Atdheu. Megjithatë, 28 Nëntori, gjithmonë është bërë Pika e ndezjes së një ambienti të ri, prej ku është bërë motivi i ringritjes! Bukuria mahnitëse dhe dashuria e pakufishme për bashkimin dhe pavarësinë, i ka ndez zemrat shqiptare ! Ndaj, kjo datë është përjetimi i kënaqësisë për Liri !

Edhepse këtë datë është bërë gjysmë - skalitja e Shqipërisë së pavarur , në ndjenjën e çdo shqiptari është kompozuar përherë shfaçja e një Tërësie ! Ajo ka dalë nga lashtësia e bedenave të Krujës dhe me zë kushtrimi nëpër shekuj , ka mbërri t’ua shtojë guximin dhe trimërinë Shtëpi - Kullave që rritën trima dhe s’u mposhtën nga armiqtë! Ajo është bërë monumenti më i lartë i ndërgjegjes shqiptare, qofshin ata malsorë e qytetarë të shtrirë nga Janina e deri në Tivar, apo nga Manastiri e deri në Kalabri! Ajo është bërë jehona e kushtrimit që vjen nga largësia! Nga Amerika dhe Azia! Evropa dhe Australia! Dhe i mbledh të gjithë për një qëllim: Ta bëjnë manifestin e kremtes së Ditës së Flamurit, se, siç do të shkruante Noli tek himnizimi poetik : Hymni i Flamurit, ka qenë:

 

“Fortesë shkëmbi tmerr tirani,

S’të trëmb Romani as Venecjani,

As Sërp Dushani, as Turk Sulltani

Flamur i math për Vegjëli.”.

 

Nëpër krajatat e mbijetimit të 28 Nëntorit, janë rilindur idealet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kanë dalë në sheshin e përballjes me jehonën e kushtrimit Abdyl Frashëri dhe Mic Sokoli, Sylejman Vokshi e Sefë Kosharja, t’i japin zemër Isa Boletinit dhe Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit dhe Vehbi Dibrës me shokë, për ta përmbajtur Ismail Qemalin, ta vulosë emblemën e Rritës Kombëtare. S’është vulosur ajo emblemë vetëm për gjysmën e Atdheut! Me jetë e me gjak trimash është bërë, dhe me lotë gëzimi e krenarie është shpërndarë nëpër Pollog - Pellagoni , nëpër Artë, Prevezë , Janinë e Çamëri, nëpër Plavë e Gusi! Ashtu siç bëhen jehonë për liri Presheva Bujanoci e Medvegja, t’ia shtojnë tërësinë Kosovës së Adem e Hamzë Jasharit , Fehmi Ladrovcit , Muedin Aliut, dhe Ismet Kumanovës legjendarë!

Kaptina e faqes së lavdisë për 28 Nëntor, i ka përmbledhur tërësitë! Në amzën e lidhjes janë futur martirët e kombit dhe shkruajnë përkushtime si Asdreni, Fishta, Poradeci! Me dritën e Qiririt të Naimit i zbardhin ëndërrat e bashkimit, Jusufi , Bardhoshi e Kadriu! Edhe në kantierët e Evropës, edhe në restoranët e Amerikës, edhe në Burgjet e Sërbosllavisë ku mbeti Ukshini, e qëndron Albini, dhe atë të Idrizovës ku kaloj rininë Avni Elmazi, Mehmet Riza Gega…, me shokë! Bëhen bashkë ta festojnë këtë datë të shndërruar në manifest kënaqësie e dhembjeje!

Vetëm tuxharët rrijnë anësh nëpër furrikët e sobranieve dhe vlladave të kolonistëve, dhe projektojnë me syrin gjarpëror , përfitimet personale! Dhe enden t’ia presin gjymtyrët Atdheut të mbesë cung! Të mbesë me emblemë pushtimi e përçarjeje!

28 Nëntori, Dita e Flamurit, është bërë data e shpalimit të Epokës e cila përqëndrohet në themelimin e fuqishëm të ngritjes sonë e cila, nuk lejon t’i cënohet liria! Edhepse shqiptarët dolën të ndarë e të përçarë, nga ai përfundimshekull – burg , dhe, u nisën në Fillimshekullin e ri - me gjyqe arbitrazhi , në parimin e një vullneti të tërësishëm, janë bashkë! Dhe gjatë shekujve ecën e do të ecin në dimensionin e atij synimi me Flamurin e himnizuar të kombit:

 

O Flamur gjak, o flamur shkabë

O vënd e vatr’ o nën’ e babë,

Lagur me lot, djegur me flagë,

Flamur i kuq, flamur i zi...

 

Shumë vite të këtyre shekujve perandor, nëpër të cilët kaluan shqiptarët e Atdheut të ndarë, veçmas, gjatë ditës së kësaj mbidate Kombëtare, që të shuhet në harresë, tiranët perandorë kanë ushtruar dhunë, kanë përdorur kërbaçin dhe vrasjet, burgosjet e shqiptarëve. Megjithatë, kurrë nuk i kanë mposhtur! Megjithatë kurrë nuk i kanë larguar ! As do t’i largojnë nga synimi i :

 

“Përlintja shpirtin dhe fuqinë,...

Për botën ëndërr e qiell i ri...!

 

28 Nëntori gjithmonë është në bekimin e uratës të bëhet manifest i trimërisë se mbahet nga valëvitja e shqiponjës dykrenore që u ngrit në Krujë e pastaj në Vlorë! Edhe në Kullën e Jasharajve valon për Ditëlindjen e Ademit Legjendarë, i cili, pas gjithë asaj dhune të shkinës sërbosllavi, e cila për një shekull bëri krimin në Kosovë , ra heroikisht, që të rinidizet jehona e kushtrimit të UÇK-së, të bëhet Pavarësia ! E shkaba, Valoj edhe mbi kufomat e vëllezërve e motrave të vrara e të dhunuara : Gjithmonë me një domethënie! Gjithkah me një porosi që përcillet brezpasbrezi! Me një përbetim kombëtar për bashkimin ! Se është:   

 

Flamur që lint Shën Konstadinin,

Pajton Islamn ‘ e Krishtërimin”

Çpall midis feve vllazërimin

Flamur bujar për Njerëzi...!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora