E enjte, 18.04.2024, 03:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Dhimiter Beratti, Kujtimet e panjohura për ditën e Pavarësisë

E hene, 29.11.2010, 09:09 PM


Niko Kotherja

 

Për herë të parë botohen sipas dorëshkrimit të tij, kujtimet e Dhimitër Berattit, protagonistit të lënë jashtë historisë nga historiografia e para viteve ‘90, një prej nënshkruesve të dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në nëntor 1912, në emër të kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit, një prej figurave kryesore të politikës në Shqipërinë e para dhe pas 1912-ës, veprimtar shoqëror i lëvizjeve për çlirim kombëtar, i emigruar në kryeqendrën e shqiptarëve të Rumanisë, në Bukuresht, prej fillimit të shekullit XX. I ndaluar prej autoriteteve komuniste në Shqipërinë e pasluftës, Beratti nuk u kthye në atdhe, që prej gjysmës së parë të viteve ‘40 e deri në vitin 1970, kur vdiq në Romë, vend ku gjendet dhe varri i tij sot e kësaj dite. Le të shërbejë ky shkrim-homazh ndaj tij si apel për shtetin shqiptar, që të kthejë në vendin e lindjes eshtrat e Dhimitër Berattit, një prej gurëve të çmuar në themel të këtij shteti, të dekoruar me urdhërin “Për veprimtari patriotike” të klasit të parë, që prej vitit 1992.

Beratti është lindur në Korçë në tetor 1888, në familjen e një tregtari, i cili ushtronte veprimtarinë e tij me qytetin e Beratit, prej së cilit mori dhe mbiemrin, por në formën “Beratti”, formë të cilën e shohim të përdorur edhe prej Dhimitrit në dokumentat zyrtare, si Ministër i shtetit shqiptar, apo edhe në aktin e Pavarësisë në nëntor 1912.

Në Rumani përfundoi fakultetin e shkencave politike dhe atë juridik. Pas vitit 1905 kthehet në Korçë, ku punon si mësues i shqipes pranë shkollës Mësonjëtore. Anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908.

Në vitin 1909, ve në skenë dramën “Besa” të Sami Frashërit, si regjisor dhe sufler. Po këtë vit merr pjesë në Kongresin e Elbasanit e më vonë në Kongresin e dytë të Manastirit.

Dhimitër Beratti është nga të parët pjesëmarrës në mbledhjen e hotel “Kontinental”-it në Bukuresht më 5 nëntor 1912. Aty zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit dhe me pushkë në krah shoqëron Ismail Qemalin për në Vlorë.

Menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë, u emërua “drejtor i përgjithshëm” në gazetën e qeverisë së Vlorës, “Përlindja e Shqipëniës” dhe u zgjodh anëtar i pleqësisë së kabinetit “Qemali”. Më 1913 është sekretar i delegacionit shqiptar që udhëton për sigurimin e tërësisë së trojeve shqiptare. Shkon në Londër, Paris dhe Romë. Më 1913 merr detyrën e administratorit të spitaleve të vendit, detyrë kjo e barabartë me Ministrin e shëndetësisë.

Në korrik 1914 emigron në Rumani. Aty punoi për krijimin e kishës ortodokse shqiptare të Rumanisë. Mihal Grameno shkruan se Beratti është delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Në shkurt të atij viti shënohet si sekretar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Me këtë detyrë, ai i dërgon mjaft protesta kryesisë së Konferencës së Paqes në Paris me qëllim rishikimin e vendimeve të padrejta që merren në kurriz të popullit shqiptar. Gjithashtu ai ngre zërin kundra pretendimeve greke në jug të vendit: “Në emër të njëmijë shqiptarëve me origjinë nga zona e Korçës dhe Gjirokastrës me qëndrim provizor në Rumani dhe në emër të familjeve të tyre që janë në mëmëdhe, ne nënshkruesit protestojmë së fundi për pretendimet e qeverisë greke mbi territoret tona që i bashkangjiten shtetit shqiptar pas ndarjes së Komisionit Ndërkombëtar të 1913-ës (…) Në emër të drejtësisë dhe të gjitha principeve që duhet të shërbejnë si bazë e paqes dhe që të garantojnë jetëgjatësinë, ne i kërkojmë Konferencës të pranojë disa diskutime mbi rajonin e Gjirokastrës e të Korçës, djep të Rilindjes politike të Shqipërisë. Jeta e shtetit shqiptar – përfundon protesta – pa distriktin e Jugut është me të vërtetë e pamundur”.

Më 1924 ndodhet në Sofje me detyrën e kryekonsullit. Në periudhën 1926 deri më 1934 punon si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 emërohet Ministër i ekonomisë kombëtare. Një vit më vonë emërohet ministër në Romë. Nga ribotimi i librit “Mësime” të Naim Frashërit, ku ai shkruan parathënien, në tetor 1942, kuptojmë se është ministër sekretar shteti i kulturës popullore. Në këtë post u emërua në dhjetor 1941, datë e krijimit të qeverisë së Mustafa Merlikës. Këtë detyrë Beratti e mbajti deri në nëntor 1942, kur u zëvendësua nga Eqrem Vlora. Po këtë vit është anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë, me kryetar Ernest Koliqin, pararendëses së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas rënies së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u largua nga Shqipëria përgjithmonë e u vendos në Itali. Aty u mor me veprimtari të shumta patriotike, me organizimin e mbledhjeve e përvjetorëve të ndryshëm me qëllim afrimin e shqiptarëve me banim në Itali. Shkruan artikuj në gjuhë të huaja në favor të çështjes shqiptare si dhe përkthen në shqip studime të huaja për Shqipërinë. Mbretëria rumune më 1932 e dekoroi me medaljen “Grand Officer De La Courron Roumania”.

Ai ka botuar dy vëllime me titull “Shqipëria më 1937”, të cilët për nga vlera që mbartin, shërbejnë edhe në ditët tona si model për shkrimin e historisë së shtetit shqiptar.

 

Kujtime....

Të gjithë burrat më kambë, i pritën me brohori fjalët e Kryetarit të Mbëledhjes. Në mes të sallës, u shpall dhe valoi flamuri që kishte ndenjur katër shekui i shtrykur: ora ishte 5 ½ .

Gjendeshin, ahere, tepër afër këti akti dhe nuk ishte e mundur t’a kuptojmë tërë madhështin e tij. Sikundër gjërat tepër të vogla nuk duken për së largu, ashtu edhe të mëdhatë nuk i kap syri për s’afërmi.

Tani sikur e kuptojmë ma mirë atë ditë me shi e me erë të Nandorit dhe aq ma tepër na ka anda t’a kuptojmë , sa shtohen mot e nga mot palët e vjetëve që kalojnë. Po! Sa e shohim ma së largu në pasqyrën e mendjes s’onë, aq ma e bukur na ngjan kjo ditë e kurorëzimit të shpresave të kombit shqiptar.

“Sytë e miji plot mbushur me gëzim tyke parë qysh u vërtetua andërra për të të cilën kanë rojtur e kanë luftuar kaqë breza shqipëtarësh; por ju, djema, ju duhet të gëzohi akoma ma tepër se filizin të mbjellë sot, ju do t’a shifni të ritur e të lulëzuar” Kështu na thosh Ismail Qemali dhe fytyra i shkëlqente e lumtur.

Po vargu i mjerimeve të kombit nuk ishte sosur. Prapë reziqe të mëdha u çfaqën nga të gjith anët dhe ylli i tij u venit gjer më të shojtur. Armiqtë e jashtëm e të mbrendshëm vunë gjithë fuqit e tyre që t’a vrasin në djep këtë krijesë, por u mundën në këtë luftë të turpshme kundër së drejtës. Armiqt të mbrëndshëm, të cilëve padia e fellë u kishte nveshur mendjen e u kishte ngurur zembrat, mbesuan një çast se do të mundin t’e tërheqin kombin pas vullnetit të tyre të paudhë. Kjo ëndër e keqe, ky ankth nuk mbajti shumë. Të gjith me radhë u shpërblyen si pas veprimit. Shpirtëra t’ aratisura: Zoti pastë mëshirë.

Kështu as mendimet e bashkëta t’ armiqve të huaj e të vendit nuk mundën t’i grabitin popullit Shqiptar thesarin të cilin e ka mbrojtur me aq zell, për të cilin ka therorësuar shumë stoli të tjera të shpirtit e të trupit: lirinë. As shtrëngata e marrë që shduki e përmbysi në kohën e fundit mbretëri me themele të forta, as ajo nuk mundi të na rëmbejë lirinë, këtë proni jetike e të lumëshme të gjyshavet.

Ylli i venitur po shendrit tani me ma shumë fuqi; filizi i dobët po forcohet e do të lulëzojë. Detyra jonë ësht, në këtë ditë kur festojmë të dhjetin vjet të lindjes së Shtetit t’a kthejmë me nderim e me kujtim tek ata që janë munduar dhe kanë vajtur (vajtuar-shën.im N.K.) për këtë qëllim të shejtë dhe sot nuk janë në mes t’onë. Le të mos i harojmë edhe ata vëllazër fatkeq të cilët, padrejtësia e mallkuar e botës, i dënoj të mos mundin t’a festojnë bashkë me ne këtë ditë të lirisë.

 

Dhimitër Beratti, nëndor 1922.

------------------------------------

Dhimitër Beratti & Mustafa Kruja

 

Gazeta Shqiptare, 28/11/2010 - 14:38

Eugjen Merlika

 

28 nëndori! Ç’përfaqëson kjo datë për ata “haxhillarë” që morën pjesë në atë ditë të madhe të Shqipërisë së vitit 1912? Ishte sinonimi i jetës së tyre fizike, morale, shpirtërore e intelektuale. “...s’është e mundur të mos kujtojmë atë ditën e Vlorës plot gëzim e shpresë...”, sepse atë ditë, me firmat e tyre, pagëzuan lindjen e një Shteti, sendërtimin e një ëndrre shumë shekullore të një Kombi, për të cilin historia kishte qënë shumë dorështrënguar.

Kishin kaluar më shumë se katër dhjetëvjeçarë nga Dita e Flamurit dhe dëshmitarët, në shumicën e tyre dërmuese, kishin ikur në botën tjetër. Ata që jetonin, të cfilitur nga mërgimi dhe malli i Atdheut, nga dëshpërimi për fatin e tij nën një tiranì të cilën asnjë prej “flamurtarëve” nuk e deshi e nuk e përkrahu, shkëmbenin urimet nëpërmjet letrave që përshkonin mijëra kilometra.

Ishin urime prekëse, në të cilët spikaste ideali i rinisë, me të cilin njëjtësoheshin, që i ngjante flakës olimpike që nuk shuhej kurrë, dashuria për Atdheun e largët, shpresa e vagët dhe dëshira e zjarrtë për t’u kthyer në gjirin e tij, “shqiptaromania”, siç e quan shkruesi i këtyre letrave, atdhetari, publiçisti e shtetari Dhimitër Beratti. Por në to ndihej dhe dhimbja dhe zhgënjimi për rrjedhën e ngjarjeve, për nivelin e politikës në mërgim, për sëmundjen kronike të bashkatdhetarëve, paaftësinë për t’u marrë vesh me njëri tjetrin, për të shmangur politizimin skajor, për të respektuar mendimin e tjetrit edhe nëse nuk përkon me të tijin, për të mos quajtur “armik” kundërshtarin e ideve.

Duken se këto letra, që Dhimitër Berati i dërgon kolegut bashkëflamurtar Mustafa Kruja, janë shkruar sot, se pasqyrojnë diçka nga Shqipëria e sotme, të bëjnë të përsiatësh mbi shumë mangësi që siç duket, për ne shqiptarët, mbeten të përjetëshme. Janë shkruar më shumë se gjysëm shekulli të shkuar, por botohen sot për herë të parë, të nxjerra nga arkivi vetiak i Mustafa Krujës, e që familja i jep dritën e botimit për të ndihmuar lexuesin të njohë personazhet e së shkuarës së tij historike, duke i kujtuar atij se është tregues i qytetërimit të një populli respekti dhe nderimi për vlerat e tij të vërteta e për ata që quhen “etërit themelues”.

 

Romë , 18 Nendor 1956

 

I dashur mik,

Në grumbull të vjetëve po shtohet një tjatër 28 Nëndor! Në këtë rast, s’ësht e mundur të mos kujtojmë atë ditën e Vlorës plot gëzim e shpresë, atà q’ishin atje e u zhdukën dhe ata të pakët që kanë mbetur. Ndër të gjallë, jemi ne të dy: një gegë e një toskë, një musliman e një i krishterë, njëri përfaqësues i Krujës së vjetër dhe tjatri i Korçës se re, dy qytete që janë kandilat kryesore të shqiptarizmës së vjetër e të shqiptarizmës së re. Na ndajnë shumë gjëra e, njëkohësisht të gjitha na bashkojnë. Na ndan temperamenti e na bashkon ideali; na ndajnë, ndofta, pikpamje politike e kulturore, e na bashkon dashurija për fatin e atdheut, për mirqënien e popullit, për tokën e për malet tona.

28 – Nëndorin je i vetmi që e përfaqëson në Botën e re, për sa di unë. E përfaqësofsh me faqe të bardhë, e për shumë vjet gëzuar, por sa më parë n’atdhè, se vetëm atje ndjehet gëzimi i 28 – Nëndorit.

E mora t’a këndoj radhoin e anëtarëve të Kuvendit të Vlorës. Për sa i njoh unë, më duket, se veç nesh e Ekrem Vlorës – që jemi të tre në mërgim – tjatër s’do të ketë mbetur në Vendin tonë. U ndrittë shpirti atje ku shlodhen, të vdekurve; ne të mbeturit, paçim fatin t’i mbyllim sytë në Vendin tonë e toka jonë të na i tretë koskat.....

 

Të përqafoj vëllazërisht

Dhimitër Beratti

Firma

 

Romë, 27 Nëndor 1955

 

Mik i dashur,

Të falem nderit për letrën që më dërgove më 8 të këtij moji. U gëzuash q’e paske marrë vehten mirë dhe rifillove jetën normale, domethënë mjekimin e sëmundjes së përbashkët (se njësoj vuaj edhe unë prej asaj), që quhet interesimi i palodhëshëm për shqipen e Shqipërinë. A munt t’a quajmë këtë lëngatë “shqipomanì”? Manì a urtì, i-a thuaj si të duash, por ajo ngop një nevojë shpirtënore dhe na ep dëfrime të çmueshme.

U rëntë shumë shqipove kjo sëmundje bujare. Kështù, veç politikës shterpë që rihet nëpër tryezat e kafeve, do të munt të fitonin, sidomos të rinjtë, diçka për vehten e tyre dhe për Vendin e tyre. Mere me mënt shërbimin e vlefshëm që munt t’i bëjnë nesër atdheut, me pregatitjen kulturore që kanë!.... Një nga këtà politikanë më bëri një vizitë, disa dit përpara. Më trembi me vrullin e aksiomave politike që vërviti pa reshtur. A thua vetëm politika e ngushtë e gjëndjes shqipëtare? M eazallà! Ajo është gjë subsidiare, një me hiç; na intereson politika e naltë, “ad alto livello”. Sa për ndonjë mendim të saktë mbi ç’ka qënë, mbi ç’është e mbi ç’munt të bëhet në lidhje me këtë Shqipërì të ngratë, këto janë punë të vogla; me këto punë do të merren sekretarët. Është vëndi t’a kujtojmë fjalën e vjetër: “ Ti zot, unë zot, gomarin kush e kullot?” Në fjalën që kemi, gomari është Shqipërija e shkretë që ka patur zotër shumë e barij pak.

Nesër kemi festën kombëtare. U mbushën 43 vjet nga Kuvendi i Vlorës. Pak vetë kanë mbetur nga atà haxhillarë q’u ndodhën atje në ditën e ngritjes së Flamurit. Nè të dy domethënë kemi mbetur antika (apo vjetërsira, gërmadha), për të kallur në dollapin e ndonjë muzeu. Po t’ishim në një gjëndje të tillë, ndofta, herë-herë, do të vinte dikush, sidomos në ditët e festës kombëtare, të na pyesë: Po si vajti puna e Flamurit në Vlorë? Mbase do të kishim për të thënë ndonjë gjë që nuk e dinë të gjithë.......

Me këtë qëllim, u menduash të organizoj një darkë për 28 Nëndor, në ndonjë restaurant të këtushëm, ku të marrë pjesë çdo shqipëtar që të dojë, me refenè, natyrisht. Do t’ishte një rast i mirë për t’u pjekur, dobare një herë në vjet, rreth një tryeze, me qëllime të mira kuptimi e vëllazërimi. Mirë po kundrështimet që janë midis “partive” të ndryshme s’kanë insaf; na mungon edhe ndjenja e mirsjelljes q’e bën të mundshëm takimin e bisedimin edhè midis atyre që kanë mendime të ndryshme mbi mënyrën e zgjidhjes së problemave politike e të tjera. Ndër nè kundërshtimi i idheve nuk kufizohet me sqyrtimin e urtë të mendimeve, por arrin n’armiqësì personale që s’pranon bisedim e kundërshtim. Tamam mënyra komuniste: a je me mua a je kundër meje; në je kundër meje je armiku i popullit; për armiqt e popullit s’ka gjyq e bisedim, por plump a burgim..... M’a desh zemra, 28 Nëndori të ndrojë nga ditët e tjera, por dhe ky dëfrim i urtë qënka gjë e zorshme....

 

Të përqafoj dhe uroj mot më mirë

Dhimitër Beratti

Firma

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora