E enjte, 25.04.2024, 11:00 AM (GMT+1)

Editorial

Lindita Sejdiu: Dita e Flamurit, mesazhi i pamësuar nga politikanët

E hene, 29.11.2010, 10:59 PM


Dita e Flamurit, mesazhi i pamësuar nga politikanët

 

Të edukuar në një shkollë të mbrapsht të përçarjes e mosdurimit, politikanët shqiptarë në Maqedoni në momente të caktuara nuk vlejnë, as sa një qime e mjekrrës së thinjur të Ismail Bej Vlorës. Për dallim nga kryediplomati i shquar shqiptar, i cili kishte braktisur të gjitha privilegjet dhe ofiqet që ia kishte ofruar Perandoria Otomane, në këmbim të udhës së shenjtë për ta shpallur atdheun e tij të pavarur e të lirë, politikanët e tanishëm shqiptarë bëhen rezili i dynjasë, duke e sharë njëri tjetrin, vetëm e vetëm të tregojnë lojalitet më të madh politik në kabinetet qeverisëse të kryeministrave maqedonas

 

Nga Lindita SEJDIU

Redaktore ne gazeten FAKTI-Shkup

 

Nëntori risjell në kujtesën e shqiptarëve ngjarjet e bujshme, që u sollën atyre më shumë dinjitet dhe mëvetësi shpirtërore e territoriale. Kongresi i Manastirit (1908), i cili për herë të parë unifikoi shumësinë e varianteve të shkrimit të gjuhës shqipe, sikur i hapi udhë, katër vjetë më vonë, një ngjarjeje tjetër edhe më të madhe, asaj të shpalljes së Shqipërisë më vete. Kjo ngjarje gjatë gjithë viteve, që pasuan u quajt me të drejtë Dita e Flamurit dhe shqiptarët këtë festë e shënojnë kudo që të ndodhen ata, në atdhe, në diasporë, në paqe, në luftë. Historianët mund të debatojnë në pafundësi për rrethanat, vonesat, personat që lidhen me këtë datë historike, por ajo që mbetet konstante deri në amshim është fakti, se shqiptarët pa këtë ngjarje madhore nuk do ta kishin vendin e tyre të merituar në bërjen e historisë kombëtare.

Mesazhet që përcjell kjo festë në ditët e sotme, do të duhej të reflektojnë një model të avancuar bashkëpunimi e bashkërenditjeje në shumë plane. Klasa politike shqiptare, kudo që ndodhet ajo, nuk duhet kërkuar model më të mirë, se sa Ditën e Flamurit, për t’i bërë ata më koshient për rolin, që kanë në tejkalimin e dallimeve e divergjencave.

Por, në realitet, a po ndodhë gjithmonë kështu? Historia politike shqiptare, që nga pavarësia e Shqipërisë e deri sot, ka dëshmuar se jo gjithmonë faktorët e jashtëm kanë determinuar pengesa të caktuara në dinamikën e zhvillimit të proceseve e ngjarjeve të rëndësishme, që lidhen me shqiptarët. Fatkeqësisht, kanë qenë edhe vetë shqiptarët penguesit e vetvetes, duke treguar jo rrallë mungesë të theksuar të sensit përbashkësues, për t’i hapur udhë, kështu, më tepër sindromit të përçarjes dhe fragmentarizimit të interesave jetike kombëtare. Po të mos ishte kështu, me siguri nuk do ta kishim as lëvizjen rrebele të Haxhi Qamilit, i cili u shfaq si lugat menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke i rënë borisë së turpit për një kthim prapa, atje ku na kishin lënë me shekuj pushtuesit e barbarët e ndryshëm.

Sindromi i Haxhi Qamilit do të rishfaqet herë pas herë edhe më vonë në historinë politike të shqiptarëve, sidomos në ato momente, kur shqiptarëve iu nevojitej më së shumti uniteti.

Nxënia e dobët e historisë, ku bën pjesë edhe Dita e Pavarësisë, dëshmoi për dobësi të theksuara në menaxhimin e situatave kritike nga ana e politikanëve shqiptarë.

 

Mjafton të ndalemi vetëm në situatën momentale, nëpër të cilën po kalon klasa politike shqiptare në Maqedoni dhe nuk na duhen më tepër argumente për të konkluduar, se gjithmonë kur politikanët e kanë harruar historinë, ata nuk kanë ditur ta gjejnë të ardhmen. Marrja me kaq zell me vetveten, duke hedhur në plan të dhjetë problemet jetike të shqiptarëve, mund të jetë shërbimi më i kapital që politikanët shqiptarë ua bëjnë kundërshtarëve politik maqedonas. Këta të fundit ka kohë që nuk po hartojnë platforma politike për denigrimin e shqiptarëve, sepse këtë punë vullnetarisht po e bëjnë vetë politikanët shqiptarë.

Të edukuar në një shkollë të mbrapsht të përçarjes e mosdurimit, politikanët shqiptarë në Maqedoni në momente të caktuara nuk vlejnë as sa një qime e mjekrrës së thinjur të Ismail Bej Vlorës. Për dallim nga kryediplomati i shquar shqiptar, i cili kishte braktisur të gjitha privilegjet dhe ofiqet, që ia kishte ofruar Perandoria Otomane, në këmbim të udhës së shenjtë për ta shpallur atdheun e tij të pavarur e të lirë, politikanët e tanishëm shqiptarë bëhen rezili i dynjasë, duke e sharë njeri tjetrin, vetëm e vetëm të tregojnë lojalitet më të madh politik në kabinetet qeverisëse të kryeministrave maqedonas.

Dita e Flamurit është festë e gjithë shqiptarëve. Politikanët është mirë ta rrëzojnë murin që e ngrejnë vetë, sepse vetëm në atë mënyrë mund t’i shohin më mirë interesat, që nuk janë vetëm partiake e parciale.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora