E enjte, 25.04.2024, 10:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Dimensionet e ligjërimit poetik dhe imazhet reale

E diele, 28.11.2010, 08:44 PM


(Recencion)

 

DIMENSIONET E LIGJËRIMIT POETIK

DHE IMAZHET REALE

 

/Albert Shala, Shtigjeve të mesnatës, poezi, botoi shtëpia botuese “Gjakova 2000”, Gjakovë, 2006/

 

SHKRUAN PROF. SKËNDER R. HOXHA

 

Nga viti 1995, kur poeti gjakovar, Albert Shala, botoi përmbledhjen e parë poetike me titull “Pranverë e përgjysmuar”, sikur i kishte hapur vetes shtigjet për një rrugëtim edhe më të guximshëm poetik, përkrah edhe shkrimeve të tjera nga zhanre të ndryshme letrare ku e provoi dhe dëshmoi talentin e tij krijues.

Se kredoja e tij në shkrimin e vargut poetik kishte marrë udhë të mbarë, bile edhe duke e bërë specifik e herë – herë duke na sjell frymë të re e metodë të re në vargëzimin poetik, gjeta te përmbledhja me vjersha “Shtigjeve të mesnatës”, që e kemi kësaj radhe në shqyrtim.

     1. Observimi poetik i shqetësimeve

     Vjershave të përmbledha në këtë libër iu prin një titull i përbashkët: “Shqetësimet dhe sytë”, një togfjalësh poetik i cili emocionalisht dhe artistikisht ngacmon dhe sugjeron njëherazi. Ndër vargje të para të librit, edhe lexuesi i rendomtë mund të krijojë përshtypjen se vërtet poezia e Albert Shalës ka specifikat e veta, se deri të kuptimi i mirëfilltë i tyre, mbase, duhet të lexohen jo vetëm një hërë.Them kështu, ngase në fillim të librit do të shohim vargje që, në të parë, krijojnë përshtypjen se athua ku do na shpie poezia e poetit Shala dhe a mos kemi të bëjë me poezi që më tepër trajtojnë tematika fetare sesa vargëzimin lirik postmodern (?). Mirëpo, ende pa hyrë në thellësi të kësaj përmbledhjeje poetike, vërejmë se poeti  nuk pretendon të krijojë poezi teologjike, por as e lë veten në një shkallë naiviteti sa të injorojë tempujt fetarë të vendlindjes së tij, por, përkundrazi, në vjershën “Tungjatjeta Avni Mula” që, krenarisht, bëhet prijatare e vjershave të tjera të këtij libri, jep një cep të autobiografisë dhe emra të tempujve religjiozë: “Unë jam një çun i lagjes Gërçar/ I lindur në Gjakovën e Xhamisë së Hadumit/ Teqesë së Madhe e shumë Teqeve të tjera/ i Kishës së Shën Ndout ku kambanat/ Shpojnë thellësitë e qiellit”/, (f. 7).

Që nga këto vargje ndeshemi me problemin e karakterit estetik se a është e mundur të ktijojmë vargje poetike në bazë të parimeve “filozofike” dhe “teologjike”? Nuk kam përshtypjen se autori është i eskaluar nga kjo pikëpamje, por, thjesht, kjo i hyn në punë për të treguar respekt e devotshmëri, i shërben edhe si pjesë e kompozicionit të një atunticiteti, në një anë, dhe për të njësuar e zbatuar psikologjinë e tezës poetike të paravënë, nga ana tjetër. Në këto vargje, shprehja e lirshme, reflekton njëherazi guximin poetik që i jep ideologjisë dimenzione të ligjërimit të pastër e të fuqishëm poetik. Po te kjo vjershë poeti Shala ngërthen emra vendesh nga atdheu i tij, i tashëm e dikurshëm, si: Gjakova, Shqipëria, Tirana, Fushë Kruja, Toplica, Kroacia,Çamëria, Çabrati, Mahalla Gërçar, që krijojnë historinë e imazheve dhe flasin me gjuhën e imazheve reale.

Në art, thika është simbolikë e tragjedisë, e krimit, tradhtisë etj.. Në përjetimet tona të hidhura (të një kohe jo të largët), me thikën poeti paraqet një nga skenat makabre me anë të vargjeve:  … /”Një fëmijë u pre me thikë në fyt/Dëgjohen do zëra serbisht”/, ku tregohen edhe esencat e jetës sonë në robëri e në luftë, si pjesë e tragjikës kombëtare.

Komunikimi poetik me Zotin, apo të bërit e autorit në rolin e zëdhënësit të tij, paraqet një segment në vete, e pse jo edhe të veçantë, në poezinë e Albert Shalës: “Zoti deshi ta shpëtojë njeriun” (vj. “Korrespondencë”, f. 10). Pikërisht te kjo vjershë kemi kultin filozofik në poezi. Për të vazhduar me këtë tematikë, ku në një përditshmëri të rëndë e të pakuptimtë, poeti thotë se: “Zoti tund kokën” (vj. me po këtë titull, f. 13), ku dimenzionet e ligjërimit poetik zgjerohen me një imazh tjetër - sikur poetizohet edhe raporti: Zot – njeri.

      Poeti e vë njeriun para udhëkryqeve … te vj. “Luhatje” (raporti: njeriu – bota) … (në disa vjersha të kësaj përmbledhjeje  vërejmë se dominojnë vargje që poetizojnë raportet  Zot – njeri, njeri – botë, duke gërmuar edhe thellësitë e shpirtit të njeriut, përballjet me ekzistenten dhe inekzistenten, kur, në realitet të rrëmujshëm, njeriu dridhet në mes dy gravitacioneve: materje – shpirt, të cilat paraqesin një raport tjetër të lidhur me qenien e tij (shih, vj. “Askush”, f. 17) dhe bëhen pjesë e udhëkryqeve, vullkaneve, kurthave, gropave, horizonteve të paarritshme, detit të trazuar etj., për të cilat poeti vargëzon në disa vjersha të kësaj përmbledhjeje, ndonjë prej të cilave, mund të lexohen edhe si ironi poetike.

      Në observimet e tij, poeti sikur vjen te një përfundim: se jeta është e mbushur përplot shigjeta, ndaj thotë: “Jeta qenka një udhë/ Nëpër të cilën fluturojnë mijëra shigjeta” (vj. “Shigjetat”, f. 31). Këto krijime tingëllojnë si kontraste në raporte: kohë – njeri – etikë, e që, në njëfarë mënyre, ngrejnë temën - arti dhe jeta.

 

     2. Kulti  moral e luftarak i personazheve…

     Vjersha të tjera që zënë një pjesë të rëndësishme të këtij libri janë ato që u janë kushtuar figurave të luftës: Ukshin Hotit, Shkëlzen dhe Luan Haradinajt, Aze Brahimajt, Eldita Tahirajt (vajzës pesëvjeçare të plagosur nga serbët), “Ai buzëqesh” – Elton Zherkës; “kometa” – Yll Morinës; “Vetëtima” – Fadil Nimanit-Tigrit; vjersha në të cilat gjejmë dhembjen kombëtare e poetike për njerëzit tanë që u sakrifikuan për ideale të atdheut, trimërinë, heroizmin e tyre, të cilët, krenarisht, hynë dhe mbetën në gjirmën e pavdekësisë së popullit shqiptar. Autori, nga burimi i frymëzimeve poetike të tij, nxjerr fjalët me të cilat u referohet dëshmorëve të kombit, filluar nga zhdukja, ende, misterioze e atdhetarit Ukshin Hoti, me të cilin sikur bën një bashkëbisedim imagjinativ: “Kosova doli nga dimri i madh/ Me trup plot plagë/ Iku bisha iku/ E ti askund askund s’dukesh/”, për t’iu drejtuar me pyetjen ku fshihet edhe shpresa kolektive: “Ç’u bë me ty/ Të gjithë të presim…”, (vj. “Lamtumirë s’mund të të them”, f. 33). Ndërkaq, në vjershën “Për ju”, f.34,  kushtuar Shkëlzen dhe Luan Haradinajt, poeti shpreh shpirtin luftarak të tyre duke thënë  se: “Shkëlzeni që ndër beteja/ Si bjeshkë qëndronte/ Dhe Luani zemërluftëtari”. E, në vjershën për Azë Brahimajn me titull “Nëna bijare”, (f. 35), kemi vijëzimin e traditës dhe të bujarisë: “Natë e ditë ushtarëve të lirisë/ U kthente bukë në odën shqiptare”. Poetit i bëhët sikur dëshmori Elton Zherka buzëqesh dhe se hija e tij “Endet qytetit të kallur/ Të quajtur Gjakovë”, (vj. “Ai buzëqesh” – Elton Zherkës, f.37), sikundër që bashkëqytetari i tij Yll Morina, kur u desh t’i dilej zot atdheut “Veshi rrobat shtrëngoi armët… Dhe iku si kometë/ Qiellit të atdheut”, (vj. “Kometa” – kushtuar Yll Morinës, f. 38). Në vjershën e kësaj tematike që mban titullin “Vetëtima” – kushtuar luftëtarit të paepur Fadil Nimanit – Tigrit, vargu  Atdheun e kishte mbi çdo gjë”, sublimon idealin dhe sakrificën e Fadilit për atdhe. (f. 42).

    Për këto krijime letrare mund të thuhet se obsesioni dhe konkreti poetik për imdividë të caktuar janë në funksion të retorikës poetike, ku edhe  identiteti artistik, arsyeshëm,  merr përmasa të rrëfimit dramatik. Në anën tjetër, këto vargje përkushtuese, jo vetëm që janë sinonim i sensibilitetit të dhembjes krenare, por edhe bëhen palimpsest poetik i metadhembjes. Përfundimisht, vargjet e kësaj tematike, në mënyrë stilistike e estetike reflektojnë kultin moral e luftarak të personazheve – heronjve, për të cilët vargëzoi në këtë përmbledhje poeti Albert Shala. Gjithashtu, ato janë krijime të një konteksti unik kohor e hapësinor, që për lajtmotiv kanë “Kosën e vdekjes që preu shqiptarët”, si formë e shprehjes së përjetimit të realitetit të hidhur.

 

     3. Përditshmëria dhe intima personale 

     Kah fundi i librit, edhe pse nuk janë të ndara me ndonjë lloj renditjeje, gjejmë vjersha në të cilat dominojnë vargje të lidhura me përditshmërinë dhe me intimën personale.  Në ndonjërën prej tyre poeti shpreh ndjenjën e thellë se ai nuk mund të ndahet as fizikisht as poetikisht nga atdheu, nga nënqielli i tij, e këtë e thotë me: “Lamtumirë kurrë s’të them/ Ty qielli im” (vj. “Qielli im”, f. 44), ku me përdorim të ndonjë figure stilistike, ngërthehen ideja poetike dhe eksplikimi poetik.

     Kurse disa lirika poetike, si: “Do të vijsh”, sepse atë “Gjatë të kam pritur/Mes bubullimash e vetëtimash” dhe asaj i referohet me vargjet: “Ti ke hyrë në damarët e gjakut/ Dhe i ndien tik-taket e zemrës sime”, (vj. “Të barti si retë”, f. 46). Për të dashurën e tij poeti, edhe përkundër pritjes së gjatë, nuk heq dorë nga pritja: “Do të të kërkoj netëve me shi? Kur as hëna s’do të duket/( …) Kur edhe mendtë me më dalë/ Për një buzëqeshje të dëlirë!”/, (vj. “Netët me shi”, f. 47), shohim se vargjet e këtyre vjershave korrespondojnë me kodin e artit poetik dhe reflektojnë  rrëfimin për pathyeshmërinë dhe devotshmërinë  për  miken e tij.

 

     4. Si përfundim   

     Kemi përshtypjen se vjershat e librit “Shtigjeve të mesnatës” të Albert Shalës janë realizime me karakteristika të veçanta dhe me specifika të artikulimit poetik. Mënyra e shprehjes poetike të këtij poeti, dallon nga shumë krijues të tjerë dhe tingëllon me origjinalitetin e saj dhe dimensionet e ligjërimit poetik, e si e tillë, kjo poezi, të tërheq ta lexosh e rilexosh. Për këtë  mendoj se kjo mënyrë e vargëzimit është shumë premtuese në rrugën begatimit e formimit të stilit vetjak, gjë që është kod artistik për çdo krijues.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora