E marte, 23.04.2024, 07:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Telemaku merr shpërblim

E diele, 28.11.2010, 07:39 PM


5.- TELEMAKU MERR SHPËRBLIM

 

Nga cikli “Qyfyret e Telemakut” i Luan Çipit

 

Ndërmarrja e Ndërtimit, ku Telemak Xhaxhua ishte Kryetar i Degës Financiare, në një vit kishte plotësuar e tejkaluar detyra e planit të shtetit dhe treguesit financiar, kështu që sipas ligjit të hozrashotit, kishte të drejtën e përdorimit të një fondi monetar vetjak në dispozicion të Drejtorit, që të bënte shpërblime mbi pagat e zakonshme për disa kategori punonjësish, ku përfshiheshin më të dalluarit në punë dhe më nevojtarët. Fondi, rregullisht llogaritej nga Kryetari i Degës se Financës, në një përqindje të caktuar mbi fitimin faktik të vitit ushtrimor.

E llogariti Telemaku fondin dhe ia njoftoi komisionit përkatës me shprese se do përfshihej edhe ai në listën e shpërblimit, se në të vërtetë, i plotësonte të dy kushtet: Edhe punëtor i pakursyer ishte, po dhe hallexhi dhe që familja i vuante se nuk ngopej, si i thonë, as me bukë thatë.

 

E merr i gëzuar Telemaku listën me kandidatët, i bindur se në të do shihte dhe emrin e tij, po jo. Ata, të komisionit, e kishin plotësuar limitin e fondit me të tjerë, pa e përfshirë Telemakun. Secili kishte venë emrin e vetë dhe të miqve e më të njohurve, pa bërë ndonjë faj të madh, se faktikisht shumica hallexhinjë ishin. Nuk kishte si e kundërshtonte propozimin, në interes të tij, ndaj Telemaku i mençur u thotë:

-More shokë të dashur të komisionit, plotësisht të ndershëm dhe të saktë, të më falni, po unë zbulova dhe një rezervë fondi dhe ju mund të shtoni në listën e shpërblimit edhe 3 a 4 të tjerë.

Edhe në listën shtesë... Telemaku nuk ishte përfshirë, se për ti bërë qefin  dhe sipas sugjerimit të Drejtorit, Sekretarit të Partisë dhe Kryetarit të Komitetit Profesional u shtuan 4 miq të tyre.

Telemaku, që e sheh se ende nuk i kishte ardhur radha e shpërblimit të tij, u thotë se zbuloi rezervën e fundit, duke u thelluar në kërkimet dhe duke punuar si për vete, ndaj... mund të shtoni edhe 3 të tjerë.

Komisioni më së fundi u kujtua dhe e përfshiu në listën e shpërblimeve vjetore Telemakun me një rrogë mujore të plot. Këtë ai e pa me bishtin e syrit, ndaj deklamoi i gëzuar,  me zë të lartë dhe me vendosmëri:

-Ishte rezerva e fundit. Listën e konsideroj të mbyllur. Tjetër fond nuk ka!

 

=Tregon shoku i afërt i Telemakut, inxhinieri gazmor Xhoxhi Bitri: Në një mëngjes pune: Tek ne, në Zyrën Teknike, kishte ardhur n/drejtor D., që kishte qenë prokuror dhe si nga edukata e asaj  punë të mbrapshtë, po dhe nga natyra e tij, ai ishte i ashpër dhe i hidhur.

Telemaku, pasi trokiti në derë, kërkoi leje mundësisht t’i firmoseshin nga nëndrejtori, që gëzonte të drejtën e firmës së parë, disa akte financiare urgjente si fatura,  çeqe dhe mandat pagesash. Kishte shumë dokumente për firme dhe kjo punë morri kohë dhe madje e mërziti nëndrejtorin që, i përqendruar dhe në mosbesim, se e njihte mirë ligjin dhe kishte frikë ta shkelte, kontrollonte çdo fletë dhe pastaj e firmoste.

Mjedisi aty ishte jo fort i favorshëm me pluhura, tym duhani dhe lagështi. Ndofta nga kjo Telemaku u ndie keq dhe pasi u shtrëngua fort për ta mbajtur, në pamundësi, teshtiu me ulërimë. Përkoi që në të njëjtën kohë, hamulliti zëçjerrë dhe një qen rruge aty pranë. Nëndrejtori, i përqendrua në punën e vetë, i befasuar dhe i trembur nga teshtima ulëritëse, po dhe instinktivisht,  i prirë dhe nga natyra e tij e egër, në vend që ti thoshte, sipas mirësjelljes “shëndet”, i thotë “plaç, hej dreq”.

Telemaku, befasohet, po dhe frikacak e i matur siç qe, nuk i përgjigjet.

Unë, thotë inxhinier Xhoxhi  edhe për shaka, e pyes Telemakun:

-Pse nuk ja kthen përshëndetjen nëndrejtorit?

Telemaku, që këtë radhë detyrohej të përgjigjej, po pa e prishur për të ndjell sherr me “njeriun e lig”, tha:

-“ Përse të përgjigjem unë? Nuk e kishte me mua nëndrejtori, e kishte me qenin e rrugës.”

Ndërkohë Telemaku me afrohet afër veshit, aq sa mos ta dëgjonte nëndrejtori, dhe i zëmëruar më pëshpërit:”se një qen vetëm qenërisht leh dhe në këtë rast atij, qenbirqen nëndrejtori, nuk i shkoi dëm se ia tha  llafin e lig shokut të tij, qenit të rrugës”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora