E enjte, 28.03.2024, 11:26 AM (GMT)

Kulturë

Uçi: Ajo letërsi erdhi nga kongreset

E diele, 28.11.2010, 05:55 PM


Fillimet e letërsisë së realizmit socialist nisën në tryezat e kongreseve të partisë, por zhvillimi i mëvonë i ndan studiuesit, po edhe vetë estetët që mbrojtën metodën.

 

Nga Elsa Demo

 

Mos u përpiqni ta komandoni jo vetëm letërsinë po edhe studimet. Alfred Uçi, esteti me emër për disa dekada në letrat shqipe, shqiptoi diçka që dikur mund ta thoshte një disident. Në moshë të shtyrë dhe i pamundur, prof. 

Uçi u shfaq në ditët e konferencës për letërsinë shqipe dhe realizmin socialist, në të njëjtin vend, Akademia e Shkencave, por përpara një auditori shumë të ri. 

Ai iu drejtua organizatorëve në podium, aty ku dikur rrinte ai. I kujtoi se ajo që po bëhet sot në studimet letrare, njeh një përpjekje në fund të viteve tetëdhjetë, kur mendohej hartimi i Historisë së Letërsisë I

Mendimtari dhe esteti i artit popullor, i metodës së realizmit socialist po aq sa i modernizmit dhe dekadentizmit në artin botëror, bëri një pohim publik: Letërsia e realizmit socialist ka qenë dëshmi e një shteti diktatorial që vendoste edhe në drejtim të letërsisë. 
Duke dashur të japë një periodizim të letërsisë së realizmit socialist, tregoi se si filloi të krijohej një letërsi që ai do ta quante letërsi të kongreseve. 

Pse? Sepse "në Kongresin e Parë të Frontit Demokratik Shqiptar, ka pasur poetë që kanë shkruar aty për aty duke dëgjuar diskutimet e këtij kongresi, një poemë të jashtëzakonshme, poemën "Enver". Realizmi socialist që mendohej i komanduar nga lart, fillon këtu." 

Ky fillim kishte aprovimin e shumicës dërrmuese të shkrimtarëve po edhe të kritikës ideologjike.
Në tetor të vitit 1945, ishte themeluar Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë. 

Në komisionin iniciator bënin pjesë Imzot Vinçens Prenushi, Sejfulla Maleshova, Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Dhimtër Pasko, Selim Shpuza, Sterio Spasse, Dhimitër Shuteriqi dhe Shefqet Musaraj. Kurse kryesia përbëhej nga Sejfullah Maleshova (kryetar), Aleksandër Xhuvani (nënkryetar), Dhimitër Shuteriqi (sekretar) dhe At Benedikt Dema, Ethem Haxhiademi, Dhimitër Pasko, Shefqet Musaraj (anëtarë). 

Studiuesi Bashkim Kuçuku përmendi në fjalën e tij, një origjinë jo politike të së njëjtës strukturë, Lidhja e Shkrimtarëve, të cilës i referohet Uçi. 

"Lidhja jonë nuk duhet të jetë një organizatë politike siç është organizata e frontit demokratik. Ne këtu na bashkon profesioni." Kishte thënë Dhimitër Shuteriqi më 1945, autori i romanit "Çlirimtarët", që do të ishte kryetari më jetëgjatë i LSHA-së.

"Unë e mendoj kështu: duhet të flasim për historinë e letërsisë shqipe, duke pasur parasysh karakterin e saj konkret", thotë prof. Uçi. "Duhen përcaktuar fazat se kur hyri dhe si hyri realizmi socialist në letërsinë tonë. 

Faza e parë, siç e thashë, është Kongresi i Parë i Frontit Demokratik me poema kongresesh politike; faza e dytë është '49-ta, Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve që përjashtoi Sejfulla Maleshovën, Skënder Luarasin dhe të tjerë; faza e tretë vjen më vonë kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik." 

Esteti, vepra e sotme e të cilit është vlerësuar me çmime kombëtare nga Ministria e Kulturës, nuk është dakord me atë që thonë se nuk ka pasur përpjekje përpara se sa të përmbysej regjimi komunist në Shqipëri, "për të shqyrtuar në mënyrë të drejtë dhe të saktë zhvillimin e letërsisë shqipe". 

Vëllimi III i Historisë së Letërsisë Shqipe, në drejtimin e Dhimitër Shuteriqit si kryeredaktor, ngeli një kohë të gjatë pa u botuar. Në vitin 1988 është paraqitur platforma e re e shkrimit në Akademinë e Shkencave. 

Studiuesi tregon: "Kur u shtrua platforma e hartimit të vëllimit III me titullin Historia e Letërsisë Shqipe e Realizmit Socialist, nga viti 1944 deri më 1988, unë dhe Ismail Kadareja e patëm kundërshtuar në mbledhjen e Seksionit të Shkencave Shoqërore të Akademisë së Shkencave, këtu në këtë vend.

Thamë, unë thashë që nuk është e vërtetë që çdo vepër letrare që është krijuar në këto kohë, është medoemos e realizmit socialist. Ne kemi vepra që janë të realizmit socialist, por kemi dhe vepra që nuk kanë emrin e realizmit socialist. Veç kësaj, Ismail Kadareja propozoi që të mos ketë më tekste zyrtare, sepse ai tekst ishte i detyrueshëm për shkollat e larta në atë kohë. 

Ai kërkoi tekste të bëra nga autorë të veçantë që të mbajnë dhe përgjegjësi. Megjithatë përsëri u pranua platforma që të mbetej si një histori e realizmit socialist." 

I ndërprerë disa herë nga të qeshurat e sallës, nga reagimet që shkaktonin te bashkëkohës më të vjetër të estetit deklaratat e tij, që saç kanë sinqeritet në një rast aq bien në kundërthënie me veprën e tij të dikurshme, akademiku këmbënguli të thotë se përpjekjet aktuale për të riparë prodhimin letrar të shkruar më 1945-1990, nuk është e vetmja: "Mbas rënies së regjimit komunist, për të dytën herë është ngritur në Akademinë e Shkencave ky problem, por përsëri u ngulmua që të botohej si Histori e Realizmit Socialist. Kurse këtë radhë unë kam propozuar që të quhej Histori e Letërsisë Kombëtare. 

Sepse kam ngulur këmbë që të përfshihej dhe letërsia e shqiptarëve të Kosovës që ishte letërsi me një dinjitet të madh, por edhe kjo u hodh poshtë." 

Këto ishin fjalët e fundit të prof. Uçit. 

Organizatorët, pedagogë, të Departamentit të Letërsisë, Univerisiteti i Tiranës, bënë disa konkluzione për studentët e Letërsisë: Megjithë kontrollin dhe censurën, letërsia shqipe gjeti shteg dhe mbijetoi; soc-realizmi nuk ishte në gjendje të prodhojë një art të madh, përveçse krijesa artificiale, etatiste; veprat me vlerë që na vijnë nga kjo kohë, janë falë talentit të shkrimtarit që iu shmangën normës së realizmit socialist; vepra si të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Sabri Godos, Vath Koreshit, Zija Çelës, Bardhyl Londos, Mimoza Ahmetit, jo vetëm nuk rezultonin të realizmit socialist, por e sulmojnë estetikën e asaj metode e cila ka ushtruar një trysni shformuese e tjetërsuese të vazhdueshme; realiteti shqiptar ku ka vepruar kjo metodë nuk ka qenë krejtësisht pasiv, madje ka qenë aktiv dhe kundërshtues ndaj metodës. 

Pa një interpretim të plotë të kësaj periudhe s'mund të ketë histori të letërsisë shqipe të shekullit të njëzetë. Dëgjuam teza interesante, qëndrime të kundërta. Por sfida më e rëndësishme është që po arrihet të thyhet heshtja, droja për vlerësimin e asaj letërsie. Fjalët e stafetës drejtuar të rinjve ishin: "Ne e hëngrëm çairin. Aq dinim dikur, aq informacion kishim. Tani vazhdojeni ju."

*********************************

Sabri Hamiti: Letërisa e Realizmit Socialist dhe utopia

"Letërsia e realizmit socialist duket se e ka bazën në një utopi letrare me pretendimin që ajo të realizohet në një vend dhe në një kohë të tashme. Prandaj kundërshtia duket e papërballueshme prandaj dhe rrëshqitja e ngadalshme kah ideologjia. Letërsia e realizmit socialist shqiptar ka lindur në kohën e utopisë së re, komunizmit. 

Duket e këtillë utopi në kuptimin e parë në ideologji për t'u ngushtuar kështu në letërsi të tendencës. Letërsia e tendencës, letërsia e misionit si dhe letërsia qëllimore kanë një prehistori që mbështet në historinë e letërsisë shqipe të paragjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. 

Në utopi, që shikuar në rrjedhë kohe, shfaqet si utopi e zotit dhe e besimit, në utopi të vendit e të atdhedashurisë, në utopi sociale apo në absolutin e përparimit; Në letërsi qëllimore e cila domosdoshmërish mbështetet në një ide dominante apo në një ideologji për t'u bërë e dobishme përballë kësaj ideologjie, duke marrë statusin e letërsisë së tendencës disa herë e kanë quajtur edhe letërsi e angazhuar; Në letërsi sociale me tema sociale të kohës, e lidhur kryesisht në letërsinë shqipe me vitet 20-30 të shekullit të njëzetë, ashtu dhe me literatura të tjera të Ballkanit të këtyre viteve, madje me një orientim të letërsive të Evropës të kësaj kohe.

Por letërsia e realizmit socialist nuk është asnjëra prej këtyre, ndonëse merr nga diçka prej secilës duke u vetëpërkufizuar si letërsi ndërmjet utopisë dhe ideologjisë dhe për të përfunduar kryesisht në utopi letrare. Ajo nuk arrin asnjëherë të bëhet letërsi e realizmit në kuptimin barthesean që ka thellësinë, tërësinë, sistemin e të besueshmes. 

Letërsia e realizmit socialist shqiptar nganjëherë përpiqet të rimarrë modele të mëparshme të letërsisë shqipe siç është po e zëmë "Nënë Shqipëri" e Dritëro Agollit dhe lidhur me "Bagëti e bujqësi" të Naim Frashërit, ose me letërsi të tjera siç është "Lumi i vdekur" i Jakov Xoxës i lidhur me "Donin e qetë" të Mihal Shollohovit. Ngushtësia e saj metodike e shpie kah pamja karikaturale e shtypur nga censura. Vazhdon varfëria migjeniane në jetë por nuk duket askund tema e mjerimit social. 

Përjashtohet tema e seksit si tabu dhe vështirë të gjesh një përshkrim ose shenjë të hapur të shpërblimit dashunor në letërsi po dhe në arte të tjera në këtë vend... Termi realizëm socialist si sintagmë që lidh një formacion stilistik me një sistem ideologjik, është vështirë i shpjegueshëm në trashëgiminë letrare shqipe. 

Ndoshta mund të dukej më qartë po të shtjellohej duke u kundërvënë me një formulim të ngjashëm, tanimë të artikuluar më shumë në nivel interpretimi se metode. 

Fjala është për realizmin borgjez. Por kjo mund të bëhet vetëm kur ekziston prodhimtaria letrare e trashëguar që mund të kundërvejë një realizëm të quajtur socialist me një realizëm borgjez, nëse i kemi veprat letrare të dy periudhave. Nëse jo, është pastaj një spekulim." 

**************************************

Bardhyl Matraxhiu: Këtu nuk u përmend fjala partishmëri

"Këtu nuk u përmend fjala partishmëria proletare. Në majën e piramidës qëndronte Njëshi, Enver Hoxha. Hoxha kishte rimarrë fjalët e Leninit: "Shkrimtarët duhet të jenë ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave." Po flasim për një kohë kur shetet kontrollonte gjithçka, po letërsia nuk kontrollohet dot. 

Gabimi i dytë që bëhet në këtë diskutim është që gjykimi i shkrimtarëve me rryma dhe metoda: ekziston shkrimtari pa ekzistojnë parimet teorike. Pra do përgjigjet individi, do përgjigjet vepra letrare dhe ato vepra që do të ngelen, do të ngelen. 

Për sa i takon metodës së realizmit socialist, nuk ka dyshim që shqiptarët që s'kanë lidhje me letërsinë as me metodën, ky është një term zyrtar. Dhe këtu faktet nuk duhen harruar. U përmend nga prof. Kuçuku një listë, gjoja na qenka krijuar vullnetarisht Lidhja e Shkrimtarëve. 

Në literaturën tonë janë botuar fotografitë e gjeneralëve jugosllavë në Lidhjen e Shkrimtarëve, kurse ne bëjmë sikur harrojmë që tre nga ata shkrimtarët që u përmendën këtu si themelues të LSHA-së, janë dënuar dhe pushkatuar, ndofta jo për letërsi në dukje. 

Për shembull kemi rastin e Ethem Haxhiademit. Është dënuar jo për letërsi dhe nuk është përmendur fare në gjyq fakti që ky njeri ka themeluar Lidhjen e Shkrimtarëve profesionistë. 

Pra nuk mund të harrojmë gjëra që ne i dimë dhe të bëjmë sikur nuk i dimë, se nuk është e ndershme. Nuk ka shkencë pa të vërtetën. Prof. Uçi u zgjat pak, por foli ndershmërisht. 

Dhe të vërtetat janë ato fotografitë me gjeneralët serbë që ka dalë kryesia e lidhjes së shkrimtarëve kur është themeluar. Pastaj janë kongreset që përmendi profesori, janë plenumet, është viti 1961, momenti i prishjes me BS. 

Por në fund, në shkallë piramidale, gjërat vendoseshin nga partia. Kur themi Partia, thotë Majakovski, nënkuptojmë Lenini. Edhe këtu i njëjti parim ishte për shtetin totalitar: kur themi partia, nënkuptojmë Enveri."

*************************************** 
Floresha Dado: Jo interpretime subjektive politike

"Konferenca ishte shumë e domosdoshme në sfondin e detyrave që ka shkenca e letërsisë, për të rikonceptuar gjithë historinë e letërsisë shqiptare. Nëse flasim se duhet rishkruar historia e letërsisë shqiptare, kuptohet që periudha e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, është një periudhë e gjatë, e ngjeshur, me shumë vepra, shumë autorë, me shumë gjini letrare. 

Është folur, ka pasur shumë debate që në këto njëzet vjet, kemi vënë re që ka qëndrime të ndryshme. Disa e mohojnë krejtësisht, disa heshtin, nuk guxojnë të flasin për të. Personalisht kam bindjen që janë disa aspekte të rëndësishme teorike që duhet të kihen parasysh. 

Letërsia nuk është politikë, pavarësisht se u imponua që kjo letërsi të ishte e tillë. Por duke hyrë në sistemin letrar ne mund të kuptojmë se deri në ç'masë shkoi deformimi i thelbit të saj estetik? 

Pra, sa u përpoq politika ta deformonte këtë letërsi? Nga ana tjetër, kemi parasysh dhe një gjë, që ne nuk mund ta dhunojmë sot procesin krijues. Në kuptimin që ka autorë me vepra të realizmit socialist, por kanë edhe vepra që nuk janë të kësaj natyre. 

Vetë realizmi socialist nuk është se u imponua dhe pranua nga të gjithë njëlloj. Pati shkallë të ndryshme të pranimit, ashtu sikurse pati autorë që nuk u shprehën kundër, por që me krijimtarinë e tyre dëshmuan që ishin kundër atyre parimeve estetike. 

Gjithsesi për mendimin tim letërsia e realizmit socialist, është më komplekse seç e mendojmë ne, ka shumë aspekte për të interpretuar dhe në themel të të gjitha gjërave qëndron: të mos bëjmë interpretime subjektive politike, por interpretime mbi bazën e koncepteve teorike që lidhen me sistemin letrar."

*************************************

Bashkim Kuçuku: Tjetërsimi më dramatik, dyzimi i shkrimtarit

"Disa shkrimtarë e përqafuan metodën me bindje dhe i qëndruan besnikë, kryesisht shkrimtarët e ideologjizuar që erdhën idealistë nga lufta kundër fashizmit dhe morën mësimet e para letrare të specializuara në ish-Bashkimin Sovjetik. 

Por këta shkrimtarë kanë patur dhunti të pakta letrare, si tip krijuesish, të prirur për të ndjekur rrugën e të tjerëve, nga paaftësia për të hapur rrugë vetjake e për të qëndruar brenda skemave të njohura, edhe pse tashmë ato në letërsinë shqipe ishin kapërcyer. Këta shkrimtarë nuk e kishin problem që të vegjetonin brenda skemës së realizmit socialist, aq më tepë që u lehtësonte të bënin emër dhe karrierë sikurse dhe e kanë bërë. 

Disa shkrimtarë të tjerë, idealistë të brezit më të ri, edhe pse e përqafuan metodën, dikush më herët e dikush më vonë, e panë se ishte e pamundur t'u nënshtroheshin atyre rregullave, ndërkohë që kolegë të tyre, pa e kuptuar dhe pa dashje kishin dalë me kohë nga kjo metodë. 

Shumë shkrimtarë të vetëdijshëm për pamundësinë e përdorimit dhe për pasojat në letërsi, për kompromis botimi e pranuan publikisht dhe për këtë e propaganduan dhe u shprehën në mbrojtje të saj. 

Shkruan edhe vepra të atij lloji dhe nga ana tjetër, sa herë kishin mundësi, shkruanin lirshëm, jashtë dhe në kundërshtim estetik me të, dhe herë pas herë edhe në kundërshtim politik sipas përmbajtjes. 

Më dramatikja nga llojet e tjetërsimeve ka qenë dyzimi i shkrimtarit që do të thotë, i njëjti shkrimtar të ketë qëndrime politike, morale e letrare të kundërt me njëri-tjetrin, karakteristikë e njohur në çdo censurë, veçse në rastin e letërsisë shqipe merr përmasa tejet më të mëdha e shumëpërfshirëse. Ndërsa në veprën e Ismail Kadaresë është dyzimi ndër më të skajshmit." 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora