E merkure, 24.04.2024, 07:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Një libër studimor për letërsinë shqipe

E diele, 28.11.2010, 08:58 PM


NJË LIBËR STUDIMOR PËR LETËRSINË SHQIPE

 

(Luan Topçiu,  Tradita moderne në letrat shqipe, Zenit, Tiranë 2010)

 

Nga Baki Ymeri

 

Këto doli në qarkulli libri me studime i studiuesit të mirënjohur Luan Topçiu, “Tradita moderne në letrat shqipe”. Libri e pa dritën e botimit në Shtëpinë Botuese të mirënjohur në Tiranë, “Zenit”. Një titull paradoksal, një oksimoron provokues “Tradita moderne…” është një përgjigje në një pyetje të shtruar. Është çelja e një debati te munguar mbi kritiken letrare, një befasi estetike qysh në titull, që bashkon dy kundërshti, që në vijimësi trajton problemet me elegancë, por dhe me guxim profesional, me forcë argumentuese e gjithëpërfshirje, me emocion e gjakftohtësi, jashtë klaneve dhe interesave të tjera, prej të cilave karakterizohet mjedisi letrar shqiptar tani, lavdi e çmime të udhëzuara apo të rrëmbyera siç rrëmbehen pronat me dokumente të falsifikuara. Libri “Tradita moderne..” shikon interesin sublim  të kulturës së vendit, ndaj si i tillë ai nuk është shtojcë e botimeve a certifikim i tyre, por qëndron më vete, krahas çdo libri të mirë që ka dalë e del, teksa drejton, jep informacion kulturologjik dhe rrëzon mitin "se tek ne nuk ka kritikë".

 

Libri përmban studime të ndryshme mbi letërsinë shqiptare, si dhe sprova apo studime për disa autorë të shquar të letërsisë shqiptare. Kjo vepër çelet me një studim introduktiv për përmasën moderne në letrat shqipe, duke ofruar shpjegime për nocionet aq shumë të diskutueshme si moderne-tradita-postmodern, qendror-periferik, kitch, avangarda si pluralizëm stilistik, sekularizmi dhe arti modern, posmodernizmi dhe shoqëritë postkomuniste, idiotësia si ndjeshmëri postmoderne, gjuha shqipe-jo gjuhë e komunikimit ndërkombëtar etj. Kështu, objekt studimi në këtë libër janë disa nga romanet e Ismail Kadaresë, poezia e Naim Frashërit,  poezia e Lasgush Poradecit, proza magjike e Mitrush Kutelit, proza moderne e Anton Pashkut, poezia hermetike e Martin Camajt, poezia plot forcë e Visar Zhitit, proza onirike e Besnik Mustafajt, saga ballkanike e Luan Starovës, romancieri i mirënjohur Fatos Kongoli, proza metaforike e Agim Isakut, proza vibrante e Agron Tufës, lirika e Ali Podrimjes, Sali Bashotës, Resul Shabanit, Krenar Zejnos, Jamarbër Markut, Senad Guraziut etj.

 

Libri, pra, ofron një udhëtim në disa identitete letrare të letërsisë shqipe, te cilët përfaqësojnë forca novatore të dorës së parë në historinë e letërsisë sonë dhe sidomos në zhvillimet e mëvonshme të letërsisë moderne shqiptare. Na ofrohet një libër i shkruar me profesionalizëm, një instrument pune për gjithkënd që i intereson letërsia shqipe, kultura shqiptare dhe përmasa e modernitetit të saj, me fjalë të tjera dimensioni evropian i saj. Studiuesi i mirënjohur Luan Topçiu dëshmon njohje të thellë të kulturës shqiptare, te autorëve gjegjës qe shqyrton dhe dukuritë letrare të përzgjedhura me sqimë, me vlera ilustruese,me vlera përfaqësuese, por dhe zhvillimet teorike të letërsisë bashkëkohore evropiane.

 

Veprat e shqyrtuara në këtë libër bëjnë pjesë në mënyrë të denjë e shembullore në atë pjesë të letërsisë sonë kombëtare, jo vetëm për vendin që zënë ato në hierarkinë e vlerave, por dhe si formula të reja provokative që shërbejnë për të çuar në udhë të reja, në zhvillime të reja, të panjohura në letërsinë shqipe si pjesë e spiritualitetit të njërit nga popujt më të vjetër të kontinentit evropian. Libri “Tradita moderne në letrat shqipe” nuk është një inkursion mbi modernen si një dukuri e së shkuarës së letërsisë shqipe, por përfshin në mënyrë implicite dukuri letrare të sotme që sjellin një ndihmesë në evropianizimin e letrave shqipe.”- shkruan autori në fjalën hyrëse të kësaj vepre me vlera specifike në fushë të kritikës sonë letrare. "Tradita moderne në letrat shqipe" është vepër që mungonte, mendim i epërm i një studiuesi dhe kritiku paraprijës, jo nga ata që presin të shoshiten gjërat pa të flasin, qoftë dhe bukur.

 

Luan Topçiu ushtron tre tipe të kritikes: atë paraprijëse e vlerësuese, sinkronike dhe atë te analizës (diakronike, hermeneutike). Por më shumë se kaq, libri “Tradita moderne në letrat shqipe” nuk mund të klasifikohet vetëm si një libër me kritikë letrare, por një libër teorik kulturologjik, një libër i shkruar si një ligjërim paralel me letërsinë që zgjon kërshëri dhe kënaqësi estetike, një udhërrëfyes i vlerave letrare, një libër që zgjeron kufijtë e njohjes. Pikërisht për botimin e këtij libri, Shtëpia Botuese Zenit, përpos nismave të tjera botuese, meriton mirënjohjen e njerëzve te kulturës për këtë dhurate të çmuar. Për të gjithë ata që mendojnë se nuk ekziston kritikë letrare i ftojmë: Ja, hapeni dhe lexojeni: "Tradita moderne në letrat shqipe".



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora