E shtune, 20.04.2024, 01:51 PM (GMT+1)

Mendime

2008-a, vit historik per Kosoven

E diele, 30.12.2007, 04:23 PM


Nga Xhavit Haliti

Viti i Ri 2008 është në prag, jo shumë orë larg ardhjes. E presim dhe do ta festojmë jo vetëm si ndryshim i zakonshëm vitesh, por me shpresë e besim për mbarësinë e gjithë qytetarëve dhe për ardhmërinë e begatinë e mbarë Kosovës. E presim Vitin e Ri 2008 me besimin e bindjen e palëkundur se ai do të zërë vend në historinë tonë si viti i shpalljes dhe i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë, Kosovës.

2008-a do të jetë viti që do të kurorëzojë përpjekjet dhe arritjet e 2007-ës. Kaluam një vit me iluzion e zhgënjime, kur pritëm njohjen e statusit të Kosovës, sipas planit ‘Ahtisari‘ nga Këshilli i Sigurimit dhe na u desh të pranonim dhe të përballeshim me afatin 120-ditor të bisedimeve me Beogradin zyrtar, të ndërmjetësuara nga Treshja Ndërkombëtare. Përballuam me vetëpërmbajtje kërcënimet e hapura të nacionalistëve me pushtet në Beograd, që nuk hezituan të deklaroheshin "të gatshëm" e "të sigurt" për një ripushtim. Për hir të ndjenjës së fuqishme kombëtare dhe të aspiratës tonë kombëtare për arritjen e objektivit, të decizuar më 1999-ën e vazhdimisht prezente qysh nga 1913-a për pavarësinë nga Serbia, shmangëm me "durim të lodhur" provokimet e shumta e të rrezikshme të bashkëqytetarëve tanë serbë, të manipuluar e të nxitur nga udhëheqës nacionalistë të Beogradit, të kryesuar nga Koshtunica.

Zhvilluam dhe realizuam zgjedhjet e 17 nëntorit në parametra demokratikë. Nuk na pëlqeu, por megjithatë, nuk na pengoi mospjesëmarrja e bashkëqytetarëve serbë në këto zgjedhje, që ishte jo vetëm e nxitur, por edhe e shoqëruar me kërcënime nga bashkëkombësit dhe kryesisht nga politika sunduese në Serbi. Mirëkuptues për pozicionin e tyre të dyzuar, mes bashkëkombësve në Serbi dhe fqinjëve shekullorë shqiptarë në Kosovë, pranuam, miratuam dhe mirëpresim pjesëmarrjen dhe kontributin e bashkëqytetarëve tanë serbë në të dy nivelet qeverisëse të pushtetit qendror e lokal. Reaguam qetësisht dhe urtësisht ndaj rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Serbisë, që jo vetëm nuk pranon njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, por edhe kërcënon me prishje të marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet, që do të "guxojnë" ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Pra, e përcollëm me "butësi" edhe kërcënimin më të fundit zyrtar e publik të shtetit serb ndaj Kosovës dhe gjithë mbështetësve të mëdhenj ndërkombëtarë të saj. 2008-a, pasuese dhe e mbështetur mbi ecurinë e zhvillimeve më të fundit demografike, ekonomike dhe politike të 2007-s në Kosovë, ofron, por edhe kërkon prej nesh, prej popullit, politikës dhe institucioneve tona politike:

Së pari, prej popullsisë, prej shqiptarëve e serbëve, duke mbajtur në konsideratë edhe pakicat e tjera të Kosovës, shmangien e pakënaqësive, hasmërive (të nxitura nga politika dhe diferencat etnike). 2008-a kërkon prej nesh kapërcimin e gjendjeve emocionale, të trashëguara mes etnive bashkëjetuese në Kosovë, që vazhdojnë të shfaqen si fantazma ende nga nxitjet e ndryshme politike. Ideja e fantazmave historike e tradicionale ballkanase të hakmarrjes dhe të gjakmarrjes vazhdon të sundojë në mentalitetin e gjithë banorëve të Kosovës, madje është e pranishme edhe te mbështetësit tanë ndërkombëtarë, që ndonjëherë i shtyn disa shtete të hezitojnë të deklarohen hapur dhe zyrtarisht për njohjen e pavarësisë së Kosovës. E fundit, prononcimi i disa shteteve për pavarësinë tonë është i ndërvarur nga qëndrimi dhe angazhimi i gjithë neve për të jetuar e ndërtuar ardhmërinë tonë në shtetin e pavarur të Kosovës, që premton dhe do të garantojë të drejtat dhe liritë demokratike, realisht më të mundshme, madje edhe preferenciale për pakicat etnike.

Së dyti, politika ndërkombëtare, dukshëm e dallueshme mes SHBA-së dhe Rusisë, por edhe brenda kuadrit të BE-së të arrijë në ditët e para të 2008-s konsensusin e arsyeshëm dhe njohjen e pritshme dhe të pashmangshme të statusit të Kosovës nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. Viti i Ri do ta sjell këtë, por urojmë (edhe dëshirojmë), që pavarësia e Kosovës të mos paraprihet e pasohet nga "trauma".

Së treti, nga politika jonë, që u shfaq e suksesshme dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht për zhvillimin e zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe në bisedimet 120-ditore të Ekipit të Unitetit me Beogradin zyrtar, 2008-a kërkon krijimin, legjitimimin dhe funksionimin sa më parë të institucioneve shtetërore e politike të dala nga zgjedhjet e 17-nëntorit kërkon që këto institucione jo vetëm të shpallin, por edhe të materializojnë e garantojnë liritë e të drejtat demokratike, në përputhje e zbatim të Konventës Evropiane për minoritete, që një pjesë shtetesh demokratike në Evropë ende nuk e kanë ratifikuar.

Për sa thashë më lart, viti 2008 është shumë i rëndësishëm për ne. Ai do të zërë vend në historinë e Kosovës si viti i shpalljes dhe i njohjes ndërkombëtare të shtetit të pavarur të Kosovës.

Me këtë rast, ju uroj të gjithëve; shëndet, mbarësi, lumturi në familje dhe punë produktive e të suksesshme në Kosovën e pavarur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora