E shtune, 07.12.2019, 02:14 AM (GMT)

Intervista

Mikel Gojani: Intervistë ekskluzive me veprimtarin e LDK-së, profesor Anton Kolaj

E enjte, 25.11.2010, 09:58 PM


 

INTERVISTË EKSKLUZIVE

ME INTELEKTUALIN DHE VEPRIMTARIN E LDK-së, PROFESOR ANTON KOLAJ, ISH- NËNKRYETAR I LDK-së, TASH KANDIDAT PËR DEPUTET PËR PARLAMENTIN E KOSOVËS

 

FRYMA RUGOVIANE ËSHTË PERSPEKTIVA MË E NDRITSHME PË POPULLIN SHQIPTAR

 

Intervistoi: Mikel Gojani

 

Profesor Anton Kolaj, emër i njohur në jetën intelektuale, politike,  arsimore e kombëtare. I takon plejadës së veprimtarëve  të hershëm të kauzës politike e kombëtare, i cili për shkak të bindjeve të tij që binin ndesh me politikën hegjemoniste serbe nga regjimi i atëhershëm  u burgos (bashkë me shumë intelektualë të tjerë nga anekënd Kosova) dhe vuajti dënimin në Burgun famëkeq të Leskovcit dhe në Burgun CZ të Beogradit në Serbi. Për ta sfiduar atë politikë, më 1989, Kolaj, bashkë me  intelektualë të tjerë, në krye me dr. Ibrahim Rugovën, formuan Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku për shumë vjet njëherësh ishte edhe nënkryetar i saj. Ishte nga bashkëpunëtorët më të afërm të dr. Ibrahim Rugovës, filozofisë dhe vizionit të të cilit i mbeti besnik  der me sot.  Për rreth një dekadë e gjysmë Kolaj jeton dhe vepron në Gjermani. Është i angazhuar në Degën e LDK-së për Gjermani. Në këto zgjedhje nga kjo degë është deleguar delegat në Kuvendin e VII-të të LDK-së. Kolaj, nga Kryesia e  LDK-së është zgjedhur kandidat për  deputet në Parlamentin e Kosovës për zgjedhjet e ardhshme.

 Me profesor Kolaj,  zhvilluam këtë intervistë ekskluzive.   

                                                     

Fryma rugoviane është perspektiva më e ndritshme për popullin shqiptar përgjithësisht

 

Z. Kolaj, ju keni qenë në vitet e nëntëdhjeta njëri nga bashkëpunëtorët më të afërm të dr. Ibrahim Rugovës, pastaj  themelues i Degës së LDK-së në Klinë dhe më vonë nënkryetar i LDK-së. Janë të njohura disa zhvillime të viteve të ’90-ta që kanë ndodhur në Kosovë, dhe si pasojë e tyre jeni  i “viktimizuar”, që për një kohë  keni heshtur së vepruari, megjithatë  nga koncepti politik dhe filozofk të dr. I. Rugovës nuk hoqët dorë  për asnjë moment, çfarë mund të na shtoni edhe diçka më tepër rreth këtij koncepti?

 

Anton Kolaj: Unë kam pasur privilegjin që të jem njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Dr. Ibrahim Rugovës. Në Kuvendin e Parë të LDK-së u zgjodha nënkryetar i këtij subjekti. Në ato vite, siç dihet, LDK-ja ishte forca kryesore kohezive dhe vepruese në Kosovë. Ndikimi LDK-së ishte shumë i madh edhe në gjithë hapësirën shqiptare. Në LDK, ishin angazhuar dhe vepronin te gjitha shtresat e shoqërisë: intelektualë, punëtorë, studentë, fshatarë etj. LDK-ja, në ato vite arriti së bashku edhe  me subjektet tjera shqiptare ta legalizojë luftën për liri dhe pavarësi.  Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosoves Republikë dhe miratimi i  Kushtetutës së saj (7 Shtator1990), Referendumi popullor për pavarësinë e Kosovës (fundi i shtatorit 1991), pastaj zgjedhjet e para shumpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës (24 maj 1992), janë bazamenti i ndërtimit të Kosovës së Re.

LDK, vuri themelet e shtetësisë së Kosovës. Në planin ndërkombëtar bëri një prezantim shumë të fortë, sa që Kosova ngadalë, por sigurt u bë çështje e të gjitha kancelarive diplomatike europiane dhe të SHBA-ve. Gjithësesi figura e Presidentit Rugova, si dhe subjekti që ai i printe, pra LDK-ja, tregonte një qasje të re në angazhimet për liri, demokraci dhe pavarësi.

Në planin e brendshëm arritëm, përpos tjerash të ruajmë dhe forcojmë idenë për liri dhe pavarësi. Me format e reja të organizimit, si në arsim, shëndetësi, planin social etj., treguam se format e represionit serb nuk mud të na mposhtin dot. LDK-ja ishte bërë simbol i besimit për fitore  të qytetarët e Kosovës.

Insistimi dhe këmbëngulësia e Dr. Ibrahim Rugovës se Kosova është pjese e Europës demokratike, mesazhet e përsëritura për miqësi me SHBA-të, qendrimi shumë tolerant ndaj atyre që mendojnë ndryshe, demokratizimi i brendshëm, koordinimi me forcat politike të shqiptarëve në të gjitha hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi, bashkëpunimi me Shqipërinë etj.,  kishin marrë rrugën e vet dhe po bëheshin përditshmëri.

Sot, ndoshta, gjeneratave të reja, kjo i duket si diç e vetëkuptueshme, por për ato vite këto ishin sfida të mëdha dhe të përcjella me shumë rreziqe dhe sakrifica. LDK- nuk bënte politikë pasive, siç dëshirojnë disa ta paraqesin. Ajo ishte shumë aktive dhe përbënte forcën kryesore të veprimit politik dhe shoqëror. Tani nuk është e tepërt të thuhet se LDK-ja ishte nismëtarja dhe implementuesja e shtetësisë së Kosovës. Ne, në ato vite iu kthyem vetvetes dhe punonim për ardhmërinë tonë.

Tani, nga kjo distancë kohore, e duke i njohur mirë potencialet konfliktuoze që në vete i përmbante shoqëria kosovare, si ato ideologjike e konceptuale përgjithësisht, nuk mundem për të mos theksuar se merita i takon LDK-së , pra frymës rugoviane, që kjo situatë u tejkalua pa përplasje të brendshme.
Iu ktheva këtij thesari të LDK-së për të theksuar se edhe sot LDK-ja do të dijë t’i pëgjigjet aktualitetit për të ndërtuar një shtet të bazuar mbi vlerat historike rugoviane: ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë europiane, sundimin e ligjit, ruajtjen dhe afirmimin e identietit tonë shtetëror dhe nacional, integrimet ndërshqiptare dhe ato europiane, miqësine e përhershme me SHBA-të dhe vendet mike të Bashkimit Europian dhe të tjera.  Për këto dhe qëllime të tjera të larta shtetërore, shumë kush është viktimizua, ka dhënë edhe më shumë për Kosovën, për lirinë e saj.

Për derisa në LDK frymon rugovizmi, unë ndjehem mirë në këtë subjekt, me, ose pa funksione. Ne duhet vazhdimisht të punojme që kjo frymë të mos shuhet dhe të mbetem kokurrues karshi forcave dhe ideve tjera. Fryma rugoviane është perspektiva më e ndritshme për popullin shqiptar përgjithësisht. Rugova ka pasur VIZION dhe ne këto vizione duhet t’i bëjmë realitet. Prandaj, i bëj thirrje gjeneratës së re që edhe më shumë të kyçen në rrjethat politike, në këtë rast të kyçen në LDK, që ne të ndërtojmë një shoqëri vërtet demokratike, të zhvilluar ekonomikisht, pa korrupsion, ku do të mbretërojë ligji dhe shteti i së drejtës.

 

            Për arsyet objektive të “heshtjes” sime do të flas një ditë…

 

Cilat janë arsyejet që për një kohë keni qenë i “pasivizuar”, përkatësisht keni qenë i pa kyçur në jetën politike, edhe brenda LDK-së?

 

Anton Kolaj: Arsyet janë objektive dhe subjektive. Për arsyet  objektive unë do të flas një ditë.

Në fakt, unë për nga natyra nuk mundem të rri pasiv. Ndoshta, intensiteti i angazhimeve të mia është ndikuar nga rrethanat nëpër të cilat kam kaluar dhe duke qenë jashtë vendit, nuk jam dukur shumë në Kosovë. Por, ja, tani po i ofrohem elektoratit kosovar në këto zgjedhje për të dhënë kontributin tim si kandidat i LDK-s për deputet në Parlamentin e Kosovës.

 

Ky Kuvend, tregoi se LDK-ja di, do dhe mundet të jetë në ballë të proceseve shtetformuese 

 

Kohëve të fundit vëreheni se i jeni kthyer angazhimit tuaj në politikë, përkatësisht në  partinë e Dr. I. Rugovën, çfarë do të thotë për ju që pas një kohe relativisht disavjeçare, të angazhohi në politikë, përkatësisht në LDK, në shtëpinë që bashkë me dr. I. Rugovën dhe intelektualë të tjerë ndërtuat?

 

Anton Kolaj: Është një sfidë, por edhe një kënaqësi për mua. LDK-ja është subjekti ku unë prej themelimit të saj kam milituar. Dëshiroj që me kontributin tim të ndihmoj që LDK-së t’i kthehet nami. Jemi në rrugë të mirë për të arritur këtë. Ne jemi një parti serioze me potenciale të mëdha kadrovike dhe koncepte shumë atraktive për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë.

 

Ju jetoni dhe veproni në Gjermani, Dega e LDK-së në Gjermani ju ka caktuar  delegat të Kuvendit të VII të LDK-së, si i vlerësoni ecuritë  e  Kuvendit të fundit të LDK-së?

 

Anton Kolaj: Po, unë punoj si pedagog në një institut në Gjermani që nga viti 1998. Aty kam pasur rastin të bie në kontakt me njohuri të reja profesionale dhe me  një metodologji të re pune.

Sa për Kuvendin e VII-të të LDK-së, do të kisha dëshiruar ta kem një incizim dhe atë t’ua shpërndaj edhe subjektve tjera politike. Demokracia dhe procedura demokratike nuk është vetëm fjalë, retorikë. Ajo duhet të implementohet. Dikush mund ta mbajë këtë fjalë tërë ditën në gojë, por çështja është që ajo të shihet dhe të preket, të implementohet. Le të më lejohet të ilustroj me rrëfimin për notin: vetëm kur njeriu hyn në ujë do të tregojë se a din apo jo të notojë. Disa priten dhe menduan se LDK- do të fundoset. Ajo nuk ndodhi dhe ecuria e këtij Kuvendi të VII-të tregoi qartë se ne LDK ka potencial menaxhues dhe kuadro të zot që dinë të realizojnë atë që premtojnë. Ky Kuvend, pra tregoi se LDK- din, don dhe mundet të jetë në ballë të proceseve shtetformuese.  

 

Në përbërjen strukturore të organeve  të LDK-së vërehet ka ndodhe një  rikonfigurim i  kuadrove, sa besoni që dr. I Mustafa ka  arritur që, megjithatë, t’i bëjë disa reforma në brendinë kësaj partie?

 

Anton Kolaj: Vetë fjala “reformë” ngërthen në vete një proces, një proces që çon kah ndryshimet. Ato janë të  hap pas hapshme  dhe të pandalshme. Me ka rënë të dëgjoj se po ecet ngadalë. Kjo duhet të kuptohet si dëshirë e anëtarësisë për të arritur caqet e synuara. Por, nganjëherë, ecjet e shpejta çojnë në revolucione dhe përmbysje. Unë jam kundër përmbysjeve. Reformat marrin kohë dhe nuk përfundojnë kurrë. Me këtë dua të them se LDK-ja vazhdimisht duhet të reformohet, pra të ecë me sfidat e kohës.

Besoj se zoti Isa Mustafa e ka vullnetin, dijen, përvojën  dhe përkrahjen e anëtarsisë se LDK-së për të arritur këtë.

 

Jemi në prag të zgjedhjeve nacionale. LDK hyn në këto zgjedhje e hendikepuar për shkak të  momentit dhe rrethanave me të cilat po i bie të përballet. Në këto zgjedhje parlamantare, LDK po hyn pas zgjedhjeve  brendapartiake dhe se dihet mirëfilli se fundi i të gjitha zgjedhjeve  brendapartiake sjell pakënaqësi, zhgënjime, frustrime, bile këto janë të zakonshme në një parti të madhe dhe me traditë siç është LDK . Sepse LDK ka  shumë kuadro  më bagazh  të pasur intelektual, e të veprimit kombëtar. Prandaj, shumë prej kuadrove meritorë mbesin jashtë përfaqësimit në piedestalin e partisë, që  faktikisht reflekton  zhgënjim, frustrim, ikje… Sa pajtoheni me këto konstatime?

 

Anton Kolaj: Jo, LDK pas Kuvendit të VII-të nuk ndihet e hendikepuar. Përkundrazi, aty siç thashë edhe më lartë u pa se LDK ka një potencial të madh, një staf udhëheqës premtues dhe një anëtarësi shumë të përkushtar për fitore. LDK-ja synon fitoren dhe shumë kuadro do të kenë rastin të kyçen më vonë në organe të  tjera shtetërore. Unë nuk vërej zhgënjim, përkundrazi, shoh një mobilizim edhe më të madh. Mendimet dhe qëndrimet ndryshe duhet respektuar.

 

Zoti Kolaj, dihet mirëfilli se pas Kuvendit të VII-të të LDK-së, nga LDK   ka pasur edhe disa largime tjera nga partia juaj, sa e dëmtojnë LDK-në këto largime në prag të këtyre zgjedhjeve?

 

Anton Kolaj: Unë për nga pozitioni im nuk mundem për t’i komentuar këto, siç shpreheni ju “largime”. Kryetari i LDK zoti Isa Mustafa ka dhënë sqarime për këto raste dhe mendoj se ka qenë shumë i qartë dhe opinionet e tij vlerësoj se mjaftojnë rreth këtyre çështjeve.

 

LDK-ja është partia e dr. Ibrahim Rugovës. Personalisht do dëshiroja që kjo frymë t’i flladise edhe ata që këto dite  i ka kapluar vapa politike

 

Zoti Ukë Rugova, i biri i dr. I. Rugovës, vizionarit të platformës politike e filozofike të LDK-së, kërkon nga LDK që  kjo parti të mos  thirret në  filozofinë e  babait të tij, dr. Ibrahim Rugovës. Sa qëndron racionalisht kjo thirrje e Ukës?

 

Anton Kolaj: Filozofia e dr. Ibrahim Rugovës nuk është pronë ekskluzive e asnjë individi. Këtu nuk kemi të bëjmë me trashëgimi biologjike dhe të  gjakut. Fjala është për botën e ideve dhe vizioneve. Fjala është për njerëz që qysh në nismë të LDK-së janë  identifikuar me rugovizëm. Fjala është për njerëz që edhe më vonë pa shtrëngime dhe kërcënime i kanë përvetësur këto vlera. Kjo është ajo që unë e quaj: “fryma rugoviane”. Dhe FRYMËN, edhe si simbolikë, nuk mund askush ta ndal.

LDK-ja është partia e dr. Ibrahim Rugovës. Personalisht do dëshiroja që kjo frymë t’i flladise edhe ata që këto dite  i ka kapluar vapa politike.

 

 Midis kritikëve të LDK-së ka pasur edhe të atillë që kanë theksuar se LDK po shndërrohet në parti rajonale, çfarë mendoni Ju,  a po rajonalizohet vërtetë skena politike në Kosovë?

 

Anton Kolaj: Unë, sinqerisht, jam kundër kësaj ideje. Por, nëse i sheh emrat kjo demantohet vetvetiu. Ja për shembull, Klina e ka një anëtar të Kryesisë, Gjilani po ashtu, Peja etj.

 

Ku e shihni LDK-në pas zgjedhjeve, në pozitë, apo opozitë?

 

Anton Kolaj: Po ashtu, përgjigjen edhe rreth kësaj pyetjeje e ka dhënë Kryetari dr. Isa Mustafa. Unë angazhohem që LDK-ja ta zëjë vendin e pare dhe për këtë ftoi elektoratin që të votojë për LDK-në. Lista është shumë premtuese dhe njëri nga ata jam edhe unë me numër 74.

 

Tashmë jemi në prag të zgjedhjeve. Është më se e arsyeshme që në fund  të na jepni një mesazh për  zgjedhjet.

 

Anton Kolaj: Mesazhi im është që në këto zgjedhje të dalim masovikisht, të tregojmë një kulturë të lartë demokratike, të respektohet liria individuale e secilit, njerëzit të votojnë lirshëm dhe pa frikë, të mos këtë keqperdorime dhe dhunë.

           

-          Ju falmnderit!

-          Qofshi me nder!



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Muharrem Sfarqa: Intervistë ekskluzive me Anton Kolajn, ish nënkryetar i LDK-së Nexhmije Mehmetaj: Intervistë me shkrimtarin e shquar nga Kosova Arif Demolli Albert Shala: Intervistë ekskluzive me aktivistin Lekë Hajdaraj nga Gjakova Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me poeten Xhevahire Izmaku Ramiz Dërmaku: Intervistë Ekskluzive me profesorin Azem Ajvazi Shaban Peraj: Intervistë Ekskluzive me Naser Çobaj Ramiz Dërmaku: Intervistë ekskluzive me poetin, kritikun, analistin Prof. Nexhat Rexha Milazim Kadriu: Intervistë Ekskluzive me Agim Rexhepin, kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës, Miqtë e Bill Klintonit” Kadri Mani: Intervistë Ekskluzive me veteranin Ismail Bytyçi Ramiz Dërmaku: Intervistë Ekskluzive me mësuesen Hatixhe Ramadani Ramiz Dërmaku: Intervistë Ekskluzive me aktivistin e dalluar z. Baki Shala Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me këngëtaren Elsa Hamitaj Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me profesorin italian, mikun e shqiptarëve, Vittorio Andolfato Alfred Papuçiu: Intervistë Ekskluzive me Prof. Dr. Isuf Kalon Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me Poetin, Studiusin dhe Pedagogun Gjekë Marinaj Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me Këngëtarin, kompozitorin, Poetin dhe Publicistin, Demir Krasniqi Sylejman Morina: Intervistë Ekskluzive me Prof. Draqo Mariq, publicist dhe historian Faruk Tasholli: Intervistë Ekskluzive me biznesmenin Lazim Destani Sulejman Morina: Intervistë Ekskluzive me prof. dr. Aleksandër Stipçeviqin

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT