E marte, 23.04.2024, 07:31 AM (GMT+1)

Faleminderit

Kadri Tarelli: Dy Heronjtë e Kosovës Haki Taha dhe Bajram Gashi

E enjte, 25.11.2010, 11:00 PM


Heronjtë e Kosovës

 

DY HERONJTË E KOSOVËS HAKI TAHA DHE BAJRAM GASHI (Salihi),

mësues në Shënavlash të Durrësit.

 

Nga Kadri Tarelli

 

            Në përpjekjet e mundimëshme për hartimin e historikut të shkollës 9-vjeçare të Shënavlashit, zoti bajram Gashi, ish drejtor i kësaj shkolle, po përpiqet të gjejë sa të mundet më shumë dokumenta arkivore dhe shkrime të ndyshme, fotografi dhe kujtime nga mësuesit dhe ish nxënësit. Vetëm ai që e ka provuar e di se sa telashe dalin gjatë rrugës: Mundim, harxhim kohe dhe shenzim parash, pasi do të bredhësh jo vetëm në Durrës dhe rrethinat, por edhe nëpër qytete të tjerë. Shumëkush si mësues mund të pyesë: Po të tjerët në vitet e shkuar asgjë nuk paskan bërë ? –Kush e njeh sado pak jetën e shkollave e di mirë se janë shumë të pakta ata drejtorë dhe mësuesë që kanë bërë punë të mirë, serioze dhe me cilësi. Në rastin konkret Bajrami ka në dorë vetëm një fletorkë katërlekshe, edhe kjo jo e mbushur plot, pra një punë e bërë sa për të kaluar radhën, apo për t’u justifikuar ndaj atyre që e kërkonin. As që bëhet fjalë për fotografi dhe dokumenta të shkruar gjatë viteve, meqënëse shkolla është hapur në vitin 1916 gjatë pushtimit austriak të vendit, pra avash – avash po mbushen rreth 100 vjet. Dokumenta s’ka, sepse dikush duhet të çfletojë në biblioteka dhe arkiva. Megjithatë fat i mirë që nuk janë grumbulluar, sepse do të kishin humbur si shumë të tjera gjatë kohës, duke u hedhur sa andej – këtej e duke kaluar dorë në dorë.

Bajrami kishte zbuluar se ne vitin e fundit të mbretërisë së Zogut dhe gjatë dy viteve të parë të pushtimit, në shkollën e Shënavlashit kishin qënë si mësuesë Haki Taha dhe Bajram Gashi (Salihi).  Çudi ! Sepse në atë fletorkë nuk ishte shkruar asgjë për këta dy mësuesë nga Kosova, aq më tepër që, koha kur është bërë ky gjoja studim, ishin vitet 1960, pra ishin gjallë nxënësit, por edhe kujtimet për ta. Bile ca më keq akoma, nuk ishte shkruar as emri i mësuese Nafie Mema, e fejuara e poetit aq të njohur Lasgush Poradecit. Në librin “Ditar dhe korespodenca intime”, volume 3, mësojmë se në Shënavlash, Lasgushi paska ardhur shumë herë, jo vetëm për të fejuarën, por edhe sepse ka patur shumë miqësi me mësues Bajramin dhe Hakiun. Tani kur po njihet jeta dhe veprimatria e tyre bindemi se, nuk mund të përmendej e jo më të shkruhej emri i nacionalistëve, të cilët kurë nuk u pajtuan me komunizmin, bile e luftuan atë, duke kryer akte heroizmi.

“Rastësia mbreti i jetës” Siç thuhet në një fjalë të mençur, na çoi në fshatin Qerret të Durrësit, për të takuar e biseduar me mësuesin veteran Z. Ali Meta (Berisha), me të cilin njiheshim prej kohësh, pasi kishim punuar shumë vite së bashku. Mësues Aliu, rreth të tetëdhjetave, i gjatë dhe elegant, pa shenja të krusjes nga mosha, na prit i në oborr dhe na njohu menjëherë nga zëri, pasi shikimi i ishte venitur pak. Njeri me shumë kulturë e humor të hollë, por edhe me një kujtesë të habitëshme. Ngjarjet i tregonte sikur të kishin ndodhur dje, me aq hollësi sikur çfletonte faqet e një libri. Ndjehej i lumturuar pasi e çuam në kujtimet e atyre viteve kur ishte fëmijë e nxënës shkolle. Ne nuk e dinim, por mësues Aliu paskesh qënë nxënës në shkollën e Shënavlashit në vitet e pragluftës të pushtimit të Shqipërisë. Rastësi, por më shumë fat për ne, pasi kishim gjetur njeriun më të pështatëshëm për ta pyetur:

-“Isha në klasën e katërt të shkollës fillore, kur nga fshati Rreth pranë Shijakut, erdha në Shënavlash”. -Kujton baca Aliu. –Atëhere fshati Qerret ku u vendos familja ime nuk kishte shkollë. I mbaj mend mirë të dy mësuesit, si Bjramin ashtu edhe Hakiun. Të dy burra të gjatë dhe shumë të bukur. Haiku ishte shumë elegant. Më donte shumë, isha në klasën e tij. U ngazëllye kur morri vesh se isha një fëmijë i trungut të familjes së Sadik Ram Gjurgjevikut, luftëtarit me emër shumë të njohur për lirinë e Kosovë. Erdhi një natë për darkë në shtëpinë time. Me babën, duke biseduar ndjejtën deri në të gdhirë të mëngjesit.

 Në prill të vitit 1941 kur u bë një lloj bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, ndër ata qindra mësuesë që shkuan në Kosovë për të ndihmuar në hapjen e shkollave shqipe, ishin edhe Hakiu me Bajramin. Bajrami u vra si luftëtar me armë në dorë në përpjekje kundër partizanëve serbo – malazesë, që ripushtuan Kosovën,  ndërsa Hakiu vrau veten pasi bëri atentatin duke vrarë Miladin Popoviçin, bash në zyrën e tij në Prishtinë. Ishte një vepër e madhe kjo, por para viteve nëntëdhjetë nuk mund të flitej, pasi Miladini mbahej si mik i madh partisë dhe i shqiptarëve”.

 Këto të dhëna mjaftuan për të kërkuar më tej dhe u gjet libri “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë” shkruar nga Prof. Ibrahim Këlmendi, ku lexojmë: “Një ndër çetat e Pejës ishte ajo e Ram Alisë me 15 pjestarë, e cila netët  e ftohta të dimrit i kalonte në dy stanet e Vojdullit. …kur predhat e murtajave filluen me ra mbi kulme dërrsash gurri, u plagos në kambë arsimtari Bajram Gashi…  Tre shqiptarët hapën dyert dhe sulmuen. Në flakëne parë u vra Bajrami...”. Faqe 160. Më tej në faqen 171 shkruhet:

“… pikërisht më 13 Mars të vjetit 1945, trimi guximtar, poeti dhe patrioti i flakët Haki Taha i Gjakovës në mënyrën ma të guximshme … e vrau Miladin Popoviqin, njanin ndër komunistat ma të njoftun të Jugosllavisë..Një sekretare e Miladinit e cila ndodhi present, ngjarjen e përshkruan kështu: “Para dite, aty nga ora 11, hyni nji burrë i gjatë.... Vetëm mbaj mend fjalët kur tha: -Jo ! Zot i Kosovës nuk je, as nuk munesh me qenë kurrë ! Zot i Kosovës është kjo….nxuer revolen dhe ia zhgrehi Miladinit në krye… Mbi tavolinën e përgjakun e hodhi një flamur të Shqipnisë dhe duel….. Siç u pa më vonë, ai vrau veten….”

            Z. Tahir Berisha në librin e tij “Emra që nuk harrohen – arsimtarët veteran” (!941 – 1951). Vëllimi i I-rë. Prishtinë 1994, faqe 153, shkruan se Haki Taha ka qënë edhe poet dhe ka botuar plot vjersha, mes të tjerave “Kosovë, o shpirti i jonë”.

…….“Na ke bij e të kemi nanë

Kosovë, shpirt i Shqipnisë

Pa ty, vdek ma mirë të tanë”….. 

“Po mjerisht, deri vonë emir i tij ka qënë i anatemuar dhe bisedat rreth tij të ndaluara e të padeshiruara, përpos me konetacion negativ”. Këto i pohon edhe me fjalët e shkrimtares së mirënjohur Meri Lalaj, marrë nga libri  “Lasgushi në Pogradec”: “Po ecnim rrugës të dy me Lasgushin dhe ai po më tregonte se si serbët i ndiqnin kosovarët në kohën e Zogut, mes tyre edhe Bajramin dhe Hakiun që ishin mësuesë në Shënavlash. … “Një ditë në Tiranë më takoi Haki Taha dhe më tregoi një libër të trashë sa gishti…..Hakiu më kërkoi t’i bëj parathënien…..”

Një jetë boll e trazuar, për dy heronjtë tanë, por e mbushur me trimëri dhe atdhedashuri. Puna dhe vepra e tyre i bëjnë nder Kosovës dhe Shqipërisë. Një emër dhe nder të veçantë edhe fshatit e shkollës së Shënavlashit, ku ata jetuan e punuan në rininë e tyre.

Profetike fjalët e Bajram Gashit (Salihi) para se të vritej, të sjella të gjalla sot nga kujtesa e plakut Isuf Hajdari (Bekaj) nga fshati Dubravë (Iastog), Kosovë. (intervista e bërë më datën 27. 09. 2010).

-Mixh ! -I’a ktheu Bajrami. –Kur t’i bajnë djemtë e Kosovës 30 vjet shkollë, atëherë do të çlirohet Kosova….. T’i çoni fëmijët në shkolla, mbasi shkolla asht pshtimi jonë”

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora