Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Vezët e gjarprit

| E enjte, 25.11.2010, 10:59 PM |


Vezët e gjarprit

 

Nga Lavdrim Lita

 

Para ca kohësh u enda në një roman mjaft interesant të shkrimtarit sicilian, Pietrangelo  Buttafuoco me titullin biblik:“Vezët e dragoit”. Në mënyrë të përmbledhur romani  rrëfente një histori të ndodhur mes viteve 1943 dhe 1947, në Sicili ku “ndodhi  çdo gjë...na ndodhi Brenda një lufte dhe na ndodhi e keqja”. “Vezët e dragoi”  tregon për një histori të vërtetë: të Eughenia Lenbach, një grua-ushtare e  dërguar nga Hitleri në Sicili si spiune, bashkë me 12 myslimanë të kamufluar si  priftërinj për të rekrutuar gjeneratat e reja, që pastaj do të shërbenin për t’iu  kundërvënë pushtetit të ri në rast humbje të Rajhut (operacioni në kod, quhej “të fshehim Vezët e dragoi”). E bukur dhe enigmatike,  Eughenia është ushtarja më e mirë gjermane,  një heroinë e mrekullueshme dhe fitimtare, me një histori të komplekse: kishte drejtuar operacionet e spiunazhit nga porti i Nju York-ut, duke bërë të mundur  rënien e shumë anijeve  në kurthin e nëndetëseve Gjerman. E pikasur prej Inteligjencës amerikane ajo duhesh të  ishte e eliminuar nga Laki Luciano, një mafioz të cilit i jepet si “punë” nga  FBI-ja. Ndonëse ajo shpëton, dhe në fillim të verës së 43 parashutohet në  vendqëndrimin e gjermanëve në Madonie, për një mision të ri në Sicili.  Gjithsesi shkrimtari Italian, i lindur në Katania, shprehet se personazhet dhe  ngjarjet janë fryt i fantazisë, edhe pse bazohet në një gjurmë historike ende të paqartë.

Përtej kësaj, recensorët dhe ndoca gazetarë letrarë të librit arritën të de-kodifikonin mesazhin e Buttafuoco-s,  edhe nëpërmjet çelësit që autori kishte lënë kastile në titull. “Vezët e Dragoit” lidheshin direkt me një fjali të Biblës, dhe jo një shaka, ku shkruhet “Të mbash në gji  vezët e gjarprit”, dhe ka të bëjë me ecjen  në shenjtëri përpara Perëndisë. Veza është simboli i rigjenerimi, pjellorie , që nuk simbolizon vec lindjen por edhe etapa të tjera të jetës.

Profeti biblik Isai zbulon shkakun e fshehtë të dështimit shpirtëror të popullit të  Zotit, dhe Perëndia i urdhëroi Isaisë që të deklaronte mëkatet që kishte bërë  popullit të Perëndisë. dhe mëkati ishte se populli e donte Perëndinë veç me gojë  kurse me vepra jo. Por cili ishte mëkati i vërtetë që kishte shkaktuar largimin e  Perëndisë? ishte mëkati i “çeljes së vezëve të gjarprit” dhe “lidhja e fijeve të  Merimangës” (Isai 59:5). Mendja është toka  e  zemrës dhe mendimet janë si fara ose spermë. Mendimet e këqija janë si fara e gjarpri, që shpejt do të bëhet vezë nëse këto vezë nuk do të shkatërrohen. Këtë mendim kishte dhe Ismail Kadare që para ca ditësh dërgoi një letër në kuvendin ndërkombëtar “Fjalë të lirisë” të organizuar nga PEN Clubi italian në veri të Italisë, në qytetin Bellagio. Fjala e shkrimtarit Kadare prekte historinë makabre të Genc Lekës e Vilson Blloshmit, dhe e kishte titulluar fjalën e tij “Ku pushkatoheshin poetët”. Ai shkrunte se “Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe duhma e tij, vezët e gjarprit janë ende kudo. Ato vazhdojnë të pjellin mashtrim, dhunë psikike dhe sidomos urrejtje. Ato janë shpesh të shpërndara në partitë e majta e të djathta, në të voglat e të mëdhatë. Ato rrinë syçelët për t'i siguruar mbrojtjen historike diktaturës së rrëzuar. Ato nxitin një kritikë të sipërfaqshme, shpeshherë në nivel vjershurinash e artistësh, për të hequr vëmendjen nga ajo që përbënte thelbin e sistemit: krimin e mirëfilltë. Provoni të prekni dosjet delikate të tij. Provoni të kërkoni seriozisht dhe jo sa për të larë gojën, të fshehtat e ndryra me shtatë palë çelësa nëpër arkiva. Provoni të flisni për famëkeqin "Fond të Partisë", miliona dollarët e depozituar në banka të huaja prej regjimit komunist, të cilin asnjë nga qeveritë nuk guxon ta kërkojë...Vezët e gjarprit për këtë janë programuar: të përtëritin helmin e tij. E megjithatë, koha e tij ka kaluar...”. Thelbi i këtyre fjalëve shpjegon shumë të vërteta.

Ndoca vezë gjarpërinjsh – për të cilat flet shkrimtari – u çelën së fundmi nga vendimi i Qeverisë për prishjen e mauzoleut të diktatorit ose siç njihet ndryshe Piramida e Enverit dhe ndërtimin e parlamentit të ri të Shqipërinë në 100 vjetorin e Pavarësisë. Më shumë se çdo gjë tjetër Piramida tregoi se mbante në themelet e saj ngrohtë ca vezë gjarprit, të cilët u frikësuan nga vendimi për shembjen e kësaj strukture. Iu shembej kujtesa e Hoxhës. Pas ikjes, gjarpri la pas vezët. Ato, pasi u zhvilluan duke u përpjekur që të bëjnë të njëjtën gjë si paraardhësi i tyre. Shqipëria është ende plot fantazma, hije dhe nostalgjira të asaj epoke. Mjaft të shikosh se Ish-ët e komunizmit, bijtë e tyre, janë njerëzit më të fuqishëm ekonomikisht sot. Vezët e gjarprit në gjirin  e kombit shqiptar i depozituan sllavët e Titos. Nga ana tyre serbët në kulturën hershme fshatare në çdo vijë të parë të arës vendosnin një vezë me qëllimin forcat e mbinatyrshme dhe pjellorine e tokës. Kurse në arën shqiptare komunistët serbë ngulën vezë gjarpri për të ndarë Kosovën me trungun kombëtar. Edhe sot e kësaj dite toka shqiptare është e intoksikuar nga këto “jovertebrorë” pa karakter.