E premte, 29.03.2024, 05:05 AM (GMT)

Mendime

Interneti "sherr" i shkencës

E diele, 30.12.2007, 12:16 AM


Nga Zekerija IBRAHIMI

SHKUP

Për keqpërdorimin e teknologjisë

Nuk përfillet më kurrfarë e drejte e autorit, kopjohet komplet Qosja dhe askund nuk ceket emri i tij, bashkohen tekste, kompilohen, ngjiten faqe, copy-paste, skanime të gjithë librit dhe krejt kjo shitet si SHKENCË.

Kaloja një ditë nëpër qytet dhe në xhamin e një punëtorie të fotokopjimit lexoj "Bëjmë punime të seminarit për fakultetin juridik dhe ekonomik". Kjo më bëri të kujtohem në punimin tim të seminarit në shkollë të mesme, për Jakov Xoxën, që e shkrova dhe ende e ruaj të shkruar me dorë, dhe veçmas, në përgatitjen e temës së maturës, të cilën meqë e kisha nga biologjia dhe duhej vënë disa foto, në tekstin e zbrazët që një profesor ma shtypi në makinë, ato i vura duke i ngjitur më ngjitës, e pastaj i fotokopjova që të dalin si pjesë e tekstit. Ishte kjo '95-ta. Atëbotë kompjuteri ishte luks vetëm i të pasurve, ndërsa ëndërr e vegjëlisë.E tash, në 2007-tën, kur kompjuteri është bërë element "i kuzhinës" familjare dhe kur interneti të vjen në derë me pak pare, thuaja çdo gjëje po i bie vlera. Ndonëse në botën serioze të shkencës, interneti i ka shpejtuar gjurmimet dhe kontaktet, te ne jo shumë rrallë po lë pasoja katastrofale për shkencën. Mjafton të dish të hysh në google, të shkruash një fjalë themelore nga punimi që të duhet dhe në çast të dalin qindra tekste që mund t'i përdorësh. Pastaj me selektim të thjeshtë bën një copy, e pastaj në word-document një paste dhe mbaroi puna - punimi i seminarit është gati. Shtype dhe dorëzoje në fakultet se gjithçka është këtu. Madje edhe kur një tekst nuk e gjejmë në internet, por e kemi të shtypur në ndonjë libër, fare lehtë mund ta kesh në kompjuter. Mjafton të kesh skaner dhe të dish të bësh dy-tre operacione dhe tërë librin e ke në word. Ndryshoje e modifikoje pak dhe gati. Kështu mund të kesh edhe punim magjistrature e të doktoratës në dorë. Prandaj kam filluar fare të mos habitem kur shoh sesi studentët i bëjnë punimet e seminarit për një ditë, ndërsa shkencëtarët sesi mbijnë më shpejt se kërpudhat.

TANI GJITHÇKA ËSHTË LEHTË - GOOGLE ËSHTË SHPËTIM.

Në gjithë këtë tragjikomedi mjafton të mos jesh krejt ahmak si ca studentë që kishin pasur punim për Misirkovin dhe kishin bërë copy nga një faqe probullgare me çka e kishin bërë zehër një asistente në Shkup. Pra vetëm pak duhet të dish të mendosh, të dish të manipulosh me kompjuterin dhe punimet e seminarit i ke gati. Kështu nuk përfillet më kurrfarë e drejte e autorit, kopjohet komplet Qosja dhe askund nuk ceket emri i tij, bashkohen tekste, kompilohen, ngjiten faqe, copy-paste, skanime të gjithë librit dhe krejt kjo shitet si SHKENCË.

Ky fenomen kaq joserioz para së gjithash duhet t'i bëjë më seriozë mentorët e këtyre punimeve. Ata duhet të jenë më syçelë që të mund të identifikojnë çka është tekst "i huazuar" dhe çka tekst origjinal, madje duhet të mendohet më thellë për kriteret shkencore të punimeve, sepse fundi na del krejt qesharak - kompilime, fragmente të njëjta, pa citate, pa bibliografi, si Ajnshtajni vetë. Edhe pse ky fenomen është i përhapur gjithandej nëpër Maqedoni, më së shumti më dhemb kur shoh libra të shkencëtarëve shqiptarë që nuk e kanë mësuar kulturën elementare shkencore se në libra shkencorë për përdorim publik nuk shkruhet titulli shkencor në ballinë të librit. E kam një libër në bibliotekë ku autori, një shkencëtar i një katundi të Pollogut, para emrit të vet i ka vënë Prof. Dr. Scc., që shikuar kështu Çomski vetëm ujë mund t'i japë këtij tonit. As Çomski as Umberto Eko nuk kanë aq tituj në librat e tyre, sa ky "shkencëtari" jonë këndej. Autorët e librave shkencorë te ne duhet ta marrin vesh një gjë: titujt shkencorë janë vetëm për përdorim universitar dhe vetëm në universitet. Ato nuk janë për t'u vënë në dyer të banesave, në hyrje të shtëpisë, në punime gazetareske ose në mbishkrime varri. Sepse ashtu bëjnë vetëm donkishotët e shkencës, ata që prej shkencës nuk e kanë mësuar as mësimin e parë për SH-në. Dhe, që të mos e zgjas më tepër e të largohem nga shpallja fillestare, po e përmbylli këtë tekst me drojën se ndoshta ndonjë ditë kur të kalojmë rrugës para ndonjë dyqani të fotokopjimit a ndonjë zyreje tjetër kompjuterike do të mund të lexojmë: "Bëjmë punime të magjistraturës dhe të doktoratës për këto shkenca:..... "Ruana Zot prej sahatit t'ligë, prej marifeteve të kompjuterxhinjve dhe prej sherrit të atyre me tituj shkencorë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora