E shtune, 08.08.2020, 07:17 AM (GMT+1)

Intervista

Muharrem Sfarqa: Intervistë ekskluzive me Anton Kolajn, ish nënkryetar i LDK-së

E hene, 22.11.2010, 11:00 PM


 

Intervistë ekskluzive me Anton Kolajn, ish nënkryetar i LDK-së (vitet ’90-ta )

 

LDK KA BËRË DHE DO TË BËJ PUNË TË MËDHA PËR KOSOVËN

 

Nga Muharrem Sfarqa

 

Anton Kolaj, njëri ndër nënkryetarët e parë të LDK-së, organizuesi dhe pjesmarrësi i shumë procesve kombëtare për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, në Klinë dhe në tërë Kosovën, i viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta, po i  rikthehet skenës politike të Kosovës, me një vitalitet dhe gatishmëri, si  një  detyrim i përhershëm që secili prej nesh ka ndaj atdheut të vet, këtë e ndien për borxh.

Si njeri i rezistencës, protestës, i sfidimit të dhunës dhe burgjeve serbe, nxitës i proceseve për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e këtij vendi, që zanafillën e angazhimeve të tija e  kishin nga vendlindja e tij, Klina, ai, përpos që do zgjidhej në hierarkinë e parë të një partie politike në Kosovë, siç ishte LDK, në vitin 1992 do zgjidhej edhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të cilat u organizuan nën pushtimin e egër serb. Po këtë kohë, në emër të realizimit të vizionit për liri, pavarësi e demokraci, Anton Kolaj, si njëri ndër anëtarët e asaj kryesie, inicioi dhe mori për sipër organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Ai në këtë kohë kishte edhe funkcionin udhëheqës në kuadër të kësaj ministrie.

Prezenca e tij në Kuvendin e VII të Zgjedhor të LDK-s mbase  nuk u vërejt shumë nga mediat, por shumë miq të vjetër, përfaqësues të LDK -së nga degë të ndryshme të Kosovës, ish nxënës dhe bashkëpunëtorë, veprimtarë nga diaspora etj,e takonin me një dashamirësi të veqantë. Veçanërisht klinasit  e tij duken më të entuziazmuar për rikthimin e tij.

Prandaj dhe zhvilluam këtë  intervistë ku, ai shpalos pikëpamjet e tij për zhvillimet e fundit në skenën politike dhe në LDK , pa ju shmangur dhe interesimeve tjera, me këtë rast.

 

Zemra Shqiptare: Z. Anton,  rishfaqja e juaj pas një kohe të gjatë në  Kuvendin e 7-të zgjedhor të LDK-së, a është sinjal se ju po i rikthehi politikës dhe përpjekjeve për ta ndihmuar partinë që dukej se ju kishte harruar?

 

Anton Kolaj: Gjithsesi, që ky është një sinjal, falë  nxitjes dhe kërkesës së vazhdueshme të anëtarësisë dhe shumë  qytetarëve të Klines e me gjerë si dhe të Degës - së LDK-së në Gjermani.

Vendosa që të jap kontributin politik dhe profesional pikërisht në  këtë fazë nëpër të cilën po kalon vendi im dhe posaqerisht LDK-ja . Për mua ishte privilegj po edhe  kënaqësi që po rikthehesha dhe që mora pjesë në Kuvendin e VII zgjedhor  të LDK-s, si njëri nga delegatët e Deges së LDK-s për Gjermani.

 

ME SYGJERIMIN E PRESIDENTIT …

 

Zemra Shqiptare: Si mund të justifikohet kjo mungesë , qoftë nga ana e juaj po edhe e vetë lidershipit të LDK-së, për mos angazhimin e deritashëm apo thënë më drejt, abstenimin e gjatë?Ka të bëj me shkëputjen e juaj nga Kosova, për vite e vite ? Apo, lidershipi i LDK-s thjesht ju kishte harruar?

 

Anton Kolaj: Të dyja nga pak. Por,dalja ime jasht ka qenë pjesë e kërkesës së  vetë  Presidentit tonë historik, dr.Ibrahim Rugovës. Ai më sugjeroi  për shkak të burgosjeve që në vitet e nëntëdhjeta iu bënë stafit udhëheqës të Ministrisë së Mbrojtjes. Atë kohë,  siç mund të jeni në dijeni ju dhe opinioni i gjerë kosovar, u burgos zoti Hajzer Hajzeri (tashmë i ndjerë) dhe shumë ushtrakë dhe veprimtarë të cilët kishin marrë mbi supe të formonin Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Në këtë formacion unë kisha postin udhëheqës të kësaj Ministrie.

Më vonë kanë  pasuar ndryshimet në kryesinë e  LDK-s(1998) dhe ka  munguar  vullneti i  stafit udhëheqës të Qeverisë së Republikës së Kosovës  në ekzil që këto procese të zhvilloheshin me intenzitetin e duhur dhe që aktorët e saj të vazhdojnë punën pa pengesë.

Unë, qëndrova anash, pa dashjen time dhe nuk u bëra pengesë e proceseve të cilat dihet mirëfilli se si ecën.

Tash, vlerësova momentin dhe kurrë nuk është vonë për t’i ndihmuar vendit tënd. Sidomos në këto rrethana që janë krejt ndryshe nga rrethanat e asaj kohe.

 

Zemra Shqiptare: Ju erdhët si delegat i Degës së LDK-së për Gjermani, ku edhe jetoni e punoni  që nga viti 1995. Keni zhvilluar aktivitet  në këtë degë gjatë këtyre viteve apo keni zgjedhur dhe atje  “heshtjen” për të mos thënë , mos veprimin deri në zgjedhjet e  7-ta në LDK?

 

Anton Kolaj: Po, në Gjermani jam nga ajo kohë. Ndërsa nga 1998 punoj si pedagog në një institucion gjerman, më saktësisht jam i punësuar te Arbeiterëohlfahrt, në qytezën Übach- Palenberg,  në afërsi të qytetit Ahenit.

Gatishmëria ime nuk ka munguar asnjëherë. Kur më kanë thirrur, mbrenda mundësive te mia, iu kam pergjigjur ftesave. Këtë e dinë më së miri udhëheqësit e Nëndegës së NRË.

Gjithsesi,  jeta jashtë vendit për mua nuk ka qenë e lehtë sepse krahas përkujdesjes ndaj familjes, më ështeë dashur që shumë kohë dhe shumë  mund  për të investuar në kualifikime profesionale për të qenë i aftë dhe konkurent në tregun e punës në Gjermani, ku siç dihet,  ekziston një konkurencë shumë e fortë.

 

NUK ZHGËNJEHEM LEHTË

 

Zemra Shqiptare: Po të pyesim troç, Anton Kolaj, a kishe ofertë edhe më parë për angazhim nga LDK ,  nga ndonjë subjekt tjetër politik apo ju kishin lënë anash që të gjithë? Apo ka “munguar” interesimi dhe i  juaji, si rezultat i një zhgënjimi?

 

Anton Kolaj: Jo, unë për nga natyra nuk zhgënjehem. Gjithsesi ka pasur faza kur unë nuk kam qenë i kënaqur dhe kam pas qendrim tjetër ndaj proceseve nëpër të cilat ka kaluar LDK-ja.

Sa ju përket interesimeve të subjekteve tjera politike që garojnë në Klinë dhe më gjerë, më janë ofruar shpesh me oferta të ndryshme për cka dhe i falenderoj. Unë kam shumë miq dhe bashkëveprimtarë që e kanë çmuar dhe e çmojnë angazhimin tim në Klinë dhe më gjerë e,  të cilët militojnë në subjekte tjera politike.

Ama, unë jam njëri ndër themeluesit e Degës së LDK-s në Klinë dhe pastaj bartës i funkcionit të nënkryetarit    LDK-s në vitet nëntëdhjeta dhe jam shumë i identifikuar me filozofinë politike të ketij subjekti të cilit i ka pri Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.

Në LDK,  edhe pa poste,  edhe pa funkcione, jam ndie dhe ndihem sot e gjithë ditën, mirë. Çmoj shumë rrugën institucionale dhe procedurën demokratike, pa lënë anash angazhimet dhe meritat. Çdo kush që dëshiron të hyjë në struktura udhëheqëse, duhet te perballet me konkurencën dhe kritere të procedurës demokratie. Vetëm kur të arrijmë që në jetë të implementojmë kriterin demokratik  51 me 49 mendoj se mund të lavdërohemi se po ndërtojmë një shoqëri europjane dhe një subjekt demokratik.

 

Zemra Shqiptare: Atëherë, si e përjetuat këtë Kuvend të LDK-së, kontaktet me veprimtarët që nuk i kishit takuar kohë të gjatë, me ata që nuk të njihnin fare?

 

Anton Kolaj: Po filloj nga e fundit: kontaktet me miq të vjetër (e ata nuk jane pak), posaqerisht duke qenë një kohë fizikisht jashtë, njeriu i përjeton pak ca emocionalisht. Kjo është edhe sindrom i mërgatës apo jo! Shpesh befasohem se sa me emocione dhe saktësi i dëgjoj rrëfimet e veprimtarëve të atyre viteve. Shumë prej tyre atëbotë ishin të rinj dhe i takonin forumeve rinore, atij të gruas dhe kështu me radhë. Nga kjo distancë kohore mund të konstatoj se LDK-ja ka bërë dhe po bën punë të madhe për Kosovën. Këtë mendim e kam pasur gjidhmonë. E kam edhe sot.

Vetëm distanca kohore të jep mundësi për tëparë në mënyrë neutrale rrugën e kaluar.

Por,t’i kthehem pjesës së parë të pyetjes së suaj.

Kuvendin e shtatë zgjedhor të LDK-s e perjetova si një moment tejet i rëndësishëm për demokracinë e vendit tim. Ishte një Kuvend i organizuar mirë, kishte një strukturë të çartë organizative, transparencë dhe procedurë demokratike të votimit. Por ajo që unë pashë dhe e mora si mesazh ishte prezentimi i dy garuesve për postin e Kryetarit të LDK-s. Si zoti Sejdiu po ashtu dhe zoti Mustafa,  treguan se posedojnë vlera njerëzore dhe demokratike. Aty nuk pashë mundës dhe të mundur.  Pashë një garë fer dhe dinjitoze. Aty fitoi LDK-ja dhe rruga e saj demokratike. Do të isha i lumtur që këtë frymë ta ruajmë dhe ta kultivojmë në të gjitha nivelet organizative të LDK-s. Ne duhet të mësohemi se pa garë dhe konkurencë nuk mund të zhvillohemi si shoqëri dhe si subjekt politik.

 

Zemra Shqiptare: Tashmë meqë emri juaj figuron dhe në listën e kandidatëve të LDK-së për Kuvendin e Kosovës (  nën numrin 74) , ju , si njëri ndër kuadrot e para udhëheqëse që vutë edhe themelet e organizimit dhe shtrirjes në terren, ç’ mund të na thoni për gjithë këto vite nëpër të cilat kaloi Kosova, LDK-ja dhe vetë, Anton Kola, si njëri ndër besnikët më të heshtur të saj?

 

Anton Kolaj: Nëse i referohemi te kaluares, pa fije dyshimi, LDK-ja ishte inicuese dhe prijëse e çdo veprimi dhe procesi që qonte drejt çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Kaluam  vite te rënda por të lavdishme. Sot pavarësinë e Kosovës e kanë njohur shumë vende të botës. Kemi miq të fortë dhe ata duhet t’i ruajmë. Këta miq çmojnë orietimin politik dhe demokratik të popullit të Kosovës. Ky orientim dhe kjo frymë politike rrënjët i ka në filozofinë politike të Presidentit Ibrahim Rugova,  të impementuar  përmes LDK-s .

Gara dhe dëshira për të fituar LDK në këto zgjedhje jane motivi kryesor i angazhimit dhe rikthimit tim. LDK-ja po i ofrohet votuesit me ofertën për një Kosovë Europiane dhe premtimin  e siqertë për ta ndertuar dhe zhvilluar më mirë këtë vend, kaq të përvuajtur.

Lista e LDK-s, me emra eminent të dijes dhe veprimit është garanti i kësaj që them. Votuesi ka çka të zgjedh.

 

FITORJA SI BORXH

 

Zemra Shqiptare: Besoni se LDK , pas këtyre zgjedhjeve, si brendapartiake, si tash me këto shumëpartiake për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do nis ringritjen drejt partisë së parë në vend, aty ku ishte për të gjallë të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës?

 

Anton Kolaj: Besimi dhe dëshira për ta parë LDK- n në vendin që e meriton,  pra në vedin e parë, më kanë nxitur edhe më shumë që t’i ofrohem elektoratit si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë. Këto ditë në Kosovë po shoh një gatishmëri dhe disponim shumë pozitiv për t’u angazhuar që LDK-ja të del fituese në këto zgjedhje. Sa i përket anëtarësisë së LDK-s,  mund të them se jam i impersionuar me përkushtimin e saj anekënd  Kosovës. Ata duan fitore dhe me votën e tyre kjo do të ndodhë. Edhe si një  borxh ndaj  Presidentit tonë historik , dr. Ibrahim Rugovës  dhe vetë të ardhmes së Kosovës.

 

Zemra Shqiptare: Ju e njihni mirë edhe liderin e saj të ri Zotin Isa Mustafa, që thënë kushtimisht lidhet edhe rikthimi I juaj me ardhjen e tij në krye të LDK-së. A mundet ky njeri ta reformojë LDK-në  kur dihet se gëzon mbështetjen e pamohueshme të anëtarësisë së saj, madje edhe në mërgatë?

 

Anton Kolaj: Zotin Isa Mustafa, kryetarin e ri të  LDK-s e njoh që nga koha kur unë kamë qenë nënkryetar i LDK-s dhe përpos tjerash përcillja organizimin dhe punën e degëve të LDK- s në Diasporë. Ai ishte Ministër në Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës. Më bënte përshtypje përkushtimi profesional, modestia dhe qendrimi shumë dashamirës ndaj çdo veprimtari. Ani pse të qenurit ministër kërkonte një neutralitet karshi subjekteve politike, ai nuk nguronte të theksonte shpesh se pa LDK-n, nuk ka fond të 3% -it, në fakt nuk ka shtet.

Disa në atë Qeveri nuk e kishin  këtë burrni për ta pranuar  këtë realitet.

E kam percjellur gjithashtu dhe  garën e zotit Mustafa për Kryetar të Pishtinës dhe aty ka qenë lehte për t’u parë se ai posedon aftësi për t’u perballur me fushatë edhe konkurent në mënyrë dinjitoze, pa rënë ultë dhe pa u ndikuar nga ethet zgjedhore. Oferta e tij fitoi bindshëm dhe ky është edhe një indikator se zoti Mustafa do dijë dhe mundet për t’i prirë LDK  në ringritjen e saj si partia e parë në vend. Natyrisht, ehde përmes mbështetjes së secilit prej nesh.

 

Zemra Shqiptare: Nëse zgjidheni deputet i LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju, përveç interesave të qytetarëve të saj, do jeni dhe zë i mërgatës shqiptare, kur dihet se mbi 15 vite e sa po e ndani të njejtin fat me ta?

 

Anton Kolaj: Gjithsesi, angazhimi im për mërgatën nuk do të mungojë. Mërgata jonë ndihet nganjëhë e lënë pas dore dhe ne duhet që këtë pjesë të kombit tonë ta trajtojmë më me dinjetet. Sepse, kjo mërgatë në mënyrën më të dinjitetshme u angazhua dhe kontribuoi për lirinë , pavarësinë e, edhe për demokracinë në Kosovë.

Unë do të jem edhe zëri i këtyre bashkëkombasve.

 

DO FLAS DHE UNË...

 

Zemra Shqiptare: Tash, sapo jeni rishfaqur në LDK. Strukturat e mëvonshme të saja, mbase edhe nuk ju mbajnë mend., gjithaq. Po, edhe koha e shkurtër për fushatë dhe rinjohje. Mendoni se do t’I sfidoni suksesshëm të gjitha këto dhe, pas 12 dhjetorit do ju shohim në njërën nga ulëset e deputetëve ne Kuvendin e Kosovës?

 

Anton Kolaj: Unë do të perpiqem që së bashku me strukturat udhëheqëse të Deges së LDK  të Klinës dhe asaj në  Gjermani po edhe me një armatë të terë veprimtarësh, miqsh dhe  anëtarësinë e shum,të anekënd Kosovës, në rend të parë të fitojë LDK-ja se, përmes saj fiton e tërë Kosova.

 

Zemra Shqiptare: Jeni ndër figurat e pakta  dhe kyqe të politikës ( mbase dhe e vetmja)që nuk keni rrëfyer për zhvillimet e bujshme të viteve -90-ta.  Ju, pos pozicionit të nënkryetarit të LDK-së, kishit edhe një mision tepër të rëndësishëm dhe të ndieshëm, përgatitjen dhe organizimin e popullit në luftën për liri e pavarësi. Do ta dijmë një ditë edhe anën tjetër të angazhimeve që kishte LDK-ja, ju dhe mekanizmi që kishit ndërtuar atë kohë, për ta sfiduar një pushtues shekullor? Apo edhe mëtutje do t’i qëndroni besnik heshtjes dhe do t’ju lini hapësirë spekulimeve për atë periudhë e cila, megjithatë nuk e ka zbardhur të vërtetën, akoma?

 

Anton Kolaj: Presidenti Rugova thoshte shpesh: “Mos folni shume por punoni shume...” Po një ditë do të flas, edhe unë. Atëher kur ta vlersoj se kjo nuk është vetëlavdërim  por rrëfim për brezat që vijnë e vijnë. Ajo që mund te them  tash është se LDK- ja ka bërë shumë,  më shumë se sa nganjëherë thuhet. Të bëmat e saj kanë kontribuar që ne të jemi ketu, në Kosovë.



(Vota: 33 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Nexhmije Mehmetaj: Intervistë me shkrimtarin e shquar nga Kosova Arif Demolli Albert Shala: Intervistë ekskluzive me aktivistin Lekë Hajdaraj nga Gjakova Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me poeten Xhevahire Izmaku Ramiz Dërmaku: Intervistë Ekskluzive me profesorin Azem Ajvazi Shaban Peraj: Intervistë Ekskluzive me Naser Çobaj Ramiz Dërmaku: Intervistë ekskluzive me poetin, kritikun, analistin Prof. Nexhat Rexha Milazim Kadriu: Intervistë Ekskluzive me Agim Rexhepin, kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës, Miqtë e Bill Klintonit” Kadri Mani: Intervistë Ekskluzive me veteranin Ismail Bytyçi Ramiz Dërmaku: Intervistë Ekskluzive me mësuesen Hatixhe Ramadani Ramiz Dërmaku: Intervistë Ekskluzive me aktivistin e dalluar z. Baki Shala Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me këngëtaren Elsa Hamitaj Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me profesorin italian, mikun e shqiptarëve, Vittorio Andolfato Alfred Papuçiu: Intervistë Ekskluzive me Prof. Dr. Isuf Kalon Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me Poetin, Studiusin dhe Pedagogun Gjekë Marinaj Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me Këngëtarin, kompozitorin, Poetin dhe Publicistin, Demir Krasniqi Sylejman Morina: Intervistë Ekskluzive me Prof. Draqo Mariq, publicist dhe historian Faruk Tasholli: Intervistë Ekskluzive me biznesmenin Lazim Destani Sulejman Morina: Intervistë Ekskluzive me prof. dr. Aleksandër Stipçeviqin Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me piktorin Pjetër Koleci

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora