E enjte, 28.03.2024, 07:58 PM (GMT)

Mendime

Dorian Koçi: Nacionalizmi dhe Kozmopolitizmi

E shtune, 29.12.2007, 10:59 AM


Nacionalizmi dhe Kozmopolitizmi

Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi
Në një fjalim të tij, fill pas Luftës së Ftohtë,presidenti amerikan i asaj kohe Xhorxh Bush,e cilësoi nacionalizmin si një nga rreziqet më të mëdha që i kanosej popujve të Evropës Lindore të porsaçliruar nga thundra e Komunizmit. Të mësuar prej kohësh me një periudhë lulëzimi të demokracisë,SH.B.A dhe Evropa nuk mund të toleronin shpërthimin e konflikteve etnike të cilat shpesh herë janë të bazuara mbi urrejtjen dhe racizmin,vlera krejtesisht te papranueshme këto për për shoqëritë demokratike. Evidentimi i këtij rreziku nuk ishte i rastësishëm, por u bë mbi një analizë të thellë,të “koncerteve” të politikës evropiane që kishin caktuar kufijtë e Evropës lindore më 1913,1921 dhe 1945.

Një sinjal pozitiv erdhi nga ndarja e Çekosllovakisë,ku Çekia dhe Sllovakia u ndanë paqësisht duke konfirmuar secila etnitetin e vet shtetëror. Fatkeqësisht kjo ndarje paqësore nuk pati një efekt domino në rajon dhe nuk influencoi aspak në krijesën tjetër artificiale të quajtur Jugosllavi. Për më tepër perëndimorët të trembur nga një evidentim në masë i nacionalizmave nxituan ti fusin në një thes të gjithë përpjekjet e popujve në rajon për tu afirmuar si etnitete mëvetësisht shtetformuese,pa bërë një dallim të qartë se cilët kishin qenë nacionalizmat agresive dhe që i kishin vënë flakën jo vetëm rajonit por dhe Evropës , dhe cilët ishin ata nacionalizma që ishin përpjekur vetëm për të mbijetuar dhe që kishin vuajtur nën thundrën e të parëve. Për të evituar konfliktet ndëretnike Evropa u përpoq të promovojë kozmopolitizmin e vet,popujve të Ballkanit-një patate e nxehtë kjo që e kapërdiu klasa politike shqiptare,them e nxehtë pasi shtetet evropiane i kishin zgjidhur problemet e tyre kombëtare dhe ishin afirmuar prej kohesh si fuqi vendimarëse mbi fatin e popujve të vegjël si ai shqiptar.Si rezultat u krijua një papajtushmëri midis synimeve të popullsisë shqiptare në rajon,që për momentin politik ndihej si ai popullsia italiane para bashkimit të vitit 1870,dhe klasës politike e cila ndiqte verbërisht misionarët e kozmopolitizmit që si Bibël kishin konferëncën e Londrës të vitit 1913.Fatmirësisht kjo situatë ndryshoi me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konfliktin e Kosovës,por reminishenca të saj i gjejmë shpesh herë në politikën e sotme shqiptare.Kështu psh në dallim nga shtetet e tjera fqinje ku për çështje të tilla madhore si ajo e Kosovës, do të zhvillohej një debat i hapur,në Shqipëri ishte për të ardhur keq që nuk pati një të tillë për planin Ahtisari,duke e konsideruar apriori të mirë vetëm sepse e kishin rekomanduar ndërkombëtarët.Po kështu , provokimeve të ndryshme që kanë ndodhur herë pas here nga Greqia,nuk u është dhënë një përgjigje e fortë nga shteti shqiptar por ka pasur vetëm reagime spontane qytetarësh,të cilat në shumtën e rasteve u konsideruan nga klasa politike si të panevojshëm dhe démodé! Nuk mundet,dhe nuk duhet, që klasa politike shqiptare të ketë zë kaq të ulët apo akoma më keq të vuajë nga kompleksi i infioritetit dhe çështje të tilla ti lërë në dorën e fatit apo miqve të Shqipërisë për ti zgjidhur . Një kompleks i vërtetë ndrojtje ekziston te klasa politike shqiptare e cila i trembet faktit të pohojë se ka një Shqipëri natyrale (term i përcaktuar shumë qartë nga publicisti Koço Danaj) e cila nuk mund të mohohet por as mund dhe emërtohet me termin abuziv “Shqipëria e Madhe”.Them abuziv sepse nacionalizmi shqiptar në dallim nga “Naçertania” e serbëve apo “Megali Idea” e grekve kurrë nuk ka kërkuar përfshirjen e territoreve jo-shqiptare brenda një shteti shqiptar në emër të së drejtës së dyshimtë historike,ashtu siç kanë bërë fqinjët tanë, por gjithmonë i ka hartuar kërkesat vetëm në bazë të së drejtës së vetvendosjes-një parim universal ky tashmë i së drejtës ndërkombëtare. Fqinjët tanë që e përcaktuan këtë term për përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre kombëtar në tokat ku banonin gjithë shqiptarët,do kishin të drejtë ta emërtonin kështu,vetëm nëqoftëse në emër të së drejtës historike, shqiptarët duke qenë pasardhësit e Ilirëve të pretendonin se gjithë bregdeti i Ballkanit perëndimor u takon atyre,apo sepse Jutbina qytet ne Kroacine e sotme vetëm se përmendet si kryeqëndra e Mujit dhe Halilit të përfshihej në një shtet shqiptar! Fatmirësisht rilindasit tanë kurrë nuk ranë në një kurth të tillë meskin kur hartuan programin politik të shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre,një kontrast shumë i fortë ky me “Naçertanian” dhe “Megali Idenë”-në emër të së cilave u përftuan territore të gjera në Kosovë,Maqedoni e Epir,me popullsi jo-serbe për Serbinë dhe popullsi jo-greke për Greqinë. Ka qenë ndoshta ky parim i nacionalizmit shqiptar i mbështetur gjithnjë tek e drejta e vetvendosjes që tërhoqi vemëndjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërhyrë në konfliktin në Kosovë në krah të shqiptarëve.Politika amerikane që nga vitet 20 e ka pasur një tipar kryesor të saj-parimin e vetvendosjes qysh kur u formulua për herë të parë nga presidenti amerikan Wilson në konferëncën e Paqes në Paris.Si për koinçidencë edhe atëherë në vitet 20’fati i Shqipërisë u vendos nga ndërhyrja energjike e Shteteve të bashkuara që nuk lejuan copëtimin e e Shqipërisë dhe sërish në fund të viteve 90’,ishin po Shtetet e Bashkuara që shpëtuan nga genocidi rreth dy milionë shqiptarë në Kosovë dhe u hapën rrugë perspektivave të tyre shtetformuese.. Duke vepruar kështu ,Shtetet e Bashkuara te Amerikës i hapën rrugën një të drejte të vonuar të popullit shqiptar në Kosovë-shprehjes së vullnetit të tij për vetvendosje.U vërejt me të drejtë se kur nacionalizmi mbështetet në të drejtat themelore të një kombi për të mbijetuar dhe afirmuar si një etnitet shtetformues në territoret e veta,nuk është gogol as kërcënues për fqinjët,por përkundrazi mund të shërbejë si faktor stabiliteti. Situata e sotme e shqiptarëve në Ballkan ,kur ata shumë shpejt do të kenë shtetin e tyre të dytë , dëshmon një triumf të nacionalizmit të drejtë shqiptar të popullsisë së Kosovës, e cila pas eksperimentimit të trishtë me kozmopolitizmin, e kuptoi shumë drejt se pa u afirmuar si etnitet vetvendosës nuk mund të konsiderohej si faktor i rëndësishëm në rajon. Ky arsyetim duhet të mbizotëroj gjithandej në hapësirat shqiptare në mënyrë të tillë që kur të ndodhemi para sfidave kombëtare, të dimë sesi të afirmohemi dhe çfarë të kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar, me fjalë të tjera të jemi në gjendje të zbatojmë porosinë e Rilindasve dhe t’ua lëmë atë brezave që vijnë “Amanet Shqipërinë, dheun e të parve”!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora