E premte, 29.03.2024, 10:47 AM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Turqia i ka borxhe historike Kosovës

E shtune, 29.12.2007, 11:30 AM


TURQIA I KA BORXHE HISTORIKE KOSOVËS

Është koha t’i kërkohet Qeverisë së Ankarës, që të ndërmjetësojë te autoritetet e Moskës, për zhbllokimin e procesit të pavarësimit të Kosovës, përmes KS të OKB-së. Si hap i parë në këtë drejtim – Turqia duhet njohur dhe pranuar praninë disamilonëshe shqiptare në territorin e vet nacional dhe shqiptarëve atje t’u jepen të drejtat kombëtare që u mungojnë.

Shkruan: Engjëll KOLIQI
 

Engjëll Koliqi
Në shkrimet e mia të muajve të fundit, duke e prekur çështjen e statusit të Kosovës, që tashmë është çështje numër një në diplomacinë botërore, shpesh e kam përmendur një marrëveshje të fshehtë ruso-turke që ishte bërë në prag të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, marrëveshje kjo që filloi dhe mjerisht edhe sot vazhdon me përligjjen e copëtimit të tokave shqiptare. Që atëherë, kur në Berlin fuqitë e mëdha të kohës “bekuan” marrëveshjen në fjalë, Serbia me të gjitha mjetet dhe me të gjitha forcat që kishte në dispozicion, filloi tërbimet me krime e masakra, deri në gjenocid, mbi popullsinë shqiptare, duke bërë kështu spastrimin etnik të mbi 700 vendbanimeve shqiptare në Krahinën e Toplicës – prej Leskocit e deri në Shalë, Llap e Gollak.
Perandoria Osmane nuk bëzante, sepse vetë kishte lejuar këtë kërdi mbi tokat tona, që edhe pse i kishte në administrim, në fakt nuk ishin toka të Turqisë, por ishin toka shqiptare. Në anën tjetër, fuqitë e mëdha të kohës “lanin duart” si Ponc Pilati, duke thënë se Serbia ka bërë spastrim etnik në territoret e Turqisë e Stambolli “nuk ka kërkuar ndihmë” për këtë çështje. Përfaqësuesit tanë, mjerisht, asokohe nuk e kanë pasur aftësinë as mundësinë diplomatike që të ndërmerrnin hapa adekuatë në këtë drejtim. Njësoj ka ndodhur edhe në vitet 1912/1913 me rastin e mvetësimit të Shqipërisë (në të vërtetë vetëm të një pjese të tokave shqiptare) dhe të ndarjes fatkeqe e të lënies të mbi dy të tretat të tokave tona nën administrim të gllabëruesve grekër dhe serbianë. Në fakt, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912/1913) vetëm që kishte ripërligjur marrëveshjen famëkeqe ruso-turke të vitit 1878. Edhe në atë konferencë u tha se u bë ndarje e territoreve turke, sepse shqiptarët nuk patën fuqinë as aftësinë të argumentojnë para botës se nuk janë turq. Kështu pra, duke shfrytëzuar keqkuptimet, islamizimi i shumicës së shqiptarëve ishte identifikuar me asimilimin, respektivisht turqizimin e tyre.
Gjithashtu, me kartën e turqizimit është luajtur edhe me rastin e hartimit të projektit famëkeq të Çubrilloviqit, për spastrimin e tokave shqiptare nën administrimin e Jugosllavisë. Për realizimin e atij projekti janë bërë marrëveshje turko-jugosllave – edhe me kralevinën, edhe me regjimin komunist të Titos. Me zbatimin e këtyre marrëveshjeve, qindëramijëra familje shqiptare janë shpërngulur në Turqi. E keqja më e madhe e të gjitha këtyre kombinimeve famëkëqija është se ata në Turqi nuk kanë shkuar si shqiptarë, por si turq, duke qenë kështu të privuar nga të gjitha të drejtat kombëtare. Duke pasur parasysh këto marrëveshje turko-jugosllave, nuk kemi pasur kurrëfarë të drejtash për t’i kërkuar të drejtat për shkollim në gjuhën amtare (shqipe) dhe për kultivimin e kulturës shqiptare, edhe pse atje sot jetojnë miliona shqiptarë.
Edhe tash, kur në Turqi në kuadër të reformave demokratike, pakicat kanë fituar të drejtat e tyre kombëtare, ndërkaq shqiptarët kanë mbetur jashtë këtij procesi, sepse kanë shkuar si turq e jo si shqiptarë, por edhe çdo fëmi që lind në familjet shqiptare regjistrohet si turk e jo si shqiptar. Pra, miliona shqiptarë në Turqi nuk kanë kurrfarë dokumenti zyrtar, me të cilin do të mund të deklaroheshin shqiptarë. Kështu – mjerisht – si turq që figurojnë në të gjithë dokumentacionin e tyre, ata kurrë nuk do të kenë të drejtë që Qeverisë së Turqisë t’i kërkojnë të drejta kombëtare, të përkatësisë së tyre origjinale – shqiptare.
Duke pasur parasysh të gjitha këto që u thanë më lartë, e sidomos marrëveshjet famëkëqija, që Perandoria Osmane e më vonë Turqia ka bërë me Rusinë dhe me ish Jugosllavinë, në dëm të shqiptarëve, institucionet shtetërore të Kosovës (Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca), duhet të kërkojnë nga Qeveria e Turqisë në Ankara, që me akt zyrtar t’i shpall të pavlefshme, respektivisht t’i anullojë këto marrëveshje dhe përfundimisht të njohë identitetin kombëtar të miliona shqiptarëve që jetojnë në Turqi, duke u dhënë atyre të drejtat që u takojnë, me konventat ndërkombëtare. Njëkohësisht autoriteteve turke duhet kërkuar, që urgjentisht të ndikojnë – me tërë autoritetin dhe fuqinë diplomatike që kanë, te autoritetet e Kremlinit në Moskë, që t’i detyrojnë ata të heqin dorë nga bllokada e paligjshme, që Putin me kompani po i bën procesit të pavarësimit nga Serbia dhe të vendosjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës. Janë shumë rrethana, që autoriteteve të Turqisë u japin instrumente, me argumente diplomatike, për të ndihmuar në këtë drejtim. Pa hezituar, as pa friguar fare, autoritetet e Prishtinës duhet t’ia kërkojnë këto Turqisë, që historikisht i ka shumë borxhe Kosovës dhe përgjithësisht kombit shqiptar.
Nëse Turqia nuk përfill këto kërkesa, atëherë përmes kanaleve diplomatike dhe të drejtësisë ndërkombëtare, duhet parashtruar pyetjet me kërkesat për dëmshpërblimet e luftës dhe të okupimit 535 vjeçar mbi tokat tona, si dhe sqarimin e rrethanave të dhënies së kredisë financiare të vitit 1998, me të cilën Ankaraja zyrtare ia mundësoi kryekriminelit Slobodan Millosheviq financimin e makinerisë së luftës në Kosovë!

Lecco, dhjetor 2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora