Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ingrid Gjoni: Unë marr gjithmonë atë që dua

| E merkure, 12.04.2006, 12:23 AM |


Ingrid Gjoni

Mjaft rrezatuese dhe brilante në skenë, por e thjeshtë, pa tualet, me atlete, në jetën e saj të përditshme. Mes këtij binomi shfaqet figura e artistes së re mjaft të talentuar Ingrid Gjoni, e cila karrierën e saj artistike e ka filluar që në moshë të vogël, ku i është dashur të përballet me vështirësitë e botës së artit.

Jeni një nga artistet e reja me një karrierë shumë të pasur artistike. Si arritët deri këtu?
Karrierën time artistike e kam filluar që në moshën 9-vjeçare, ku jam ngjitur në skenë për herë të parë si balerinë soliste e grupit. Pastaj deri në moshën 14 vjeç kam marrë pjesë në turne të pafundme nën drejtimin e profesor Llaqi Nakos.Më vonë kam prezantuar për dy vjet spektaklin e bukurisë Miss Adoleshenca, ku dhe kam prezantuar edicionin e parë të “Rin Fest”. Gjithashtu në kohën e gjimnazit kam marrë pjesë dhe në koncerte të ndryshme ku kam fituar çmime. E gjitha kjo është përsa i përket kuadrit të kërcimit dhe moshës që unë u mora në atë periudhë. Dëshirën për të konkuruar në Miss Albania nuk e kam pasur kurrë, sepse kam pasur më shumë besim tek vetja për të arritur sukses dhe Zoti më ka dhënë një bukuri që mund ta shfrytëzoja dhe tek një miss. Pastaj kam ngacmuar artin e fotografisë, e cila është një shtyllë kryesore në karrierën time, një lançim shumë i mirë, tek fotot “Toples” të cilat unë i vola aq sa kisha ndërmend t’i vilja. Kjo zgjati rreth dy vjet dhe për mua ishte mëse e mjaftueshme që një vajzë në moshën 16-vjeçare të thyente komplet tabunë dhe të mposhtte të gjitha kopertinat. U shkëputa nga eksperienca e fotove pasi shumë rëndësi i dhashë shkollës, ku aktualisht pres të diplomohem në Akademinë e Arteve për degën dramaturgji në vitin e katërt. Me shumë dashuri e kam nisur këtë shkollë. Por njëkohësisht m’u dha mundësia të këndoj, ku ishte Kristi, kompozitori i cili më nxorri në skenë për herë të parë të këndoja në vitin 1998 pas një ftese të Ardit Gjebresë. Deri tani jam shumë mirë, sepse kam realizuar një album dhe mbaj një emër shumë të rëndë mbi shpatulla që është emri i motrës sime Inisit dhe tashmë vazhdoj vetë rrugën time, sepse e di që çdo gjë që do nis me forcën dhe me dëshirën që kam do t ‘ia arrij.
Në moshën që jeni keni një karrierës artisike për t’u pasur zili. Si do ta përkufizonit gjithë këtë ecuri?
Talentin dhe pasionin për të punuar duhet ta kesh të lindur brenda vetes, sepse nëse brenda vetes nuk do të kesh dëshirë për të punuar, e po flasim për një ambicie profesionale dhe kur kjo ambicie është reale nuk ke ç ‘të thuash dhe kush ai që nuk do ta kishte zili. Të gjithë vuajmë për pak ambicie, ndërkohë që jo vetëm në Shqipëri, por në përgjithësi në botën e artit është kthyer pak ambicia në ambicie personale. Por të kesh ambicie për punë është shumë mirë.
Le të flasim pak për look-un tuaj ku në klipin e fundit ishte shumë i veçantë. Kush kujdeset për të?
Përsa i përket look-ut tim në albumin me Inisin ka qenë Rezarta Skifteri dhe idetë e mija janë para se të shkoj tek stilistja. Por përsa i përket këngës “Përse me mua” që e kam realizuar tani, përsëri janë idetë e mija dhe me pak ndihmesë të Enada At Nikollës.
Le të flasim pak për këngën e fundit “Përse me mua”....E kujt ishte ideja?
Ideja për të realizuar këtë këngë ishte e imja. Duke vazhduar shkollën për dramë dhe meqenëse kisha ngjitur dhomën e regjisë dhe brenda vetes më ka pëlqyer regjisura edhe pse kam zgjedhur dramën, e kisha menduar prej kohësh të realizoja një klip shumë të parritshëm këtu në Shqipëri. Synimi im ishte të nxirrja diçka shumë të bukur, të gjeja një këngë që t’i bashkangjitej idesë që kisha unë. Kur kam dëgjuar këtë këngë kam qenë në një diskotekë, e cila ishte në një version të huaj dhe i kërkova dj-it që të ma jepte ku më pas e kam orkestruar tek Gramoz Koseli. Kënga doli shumë e bukur dhe arrita të realizoj atë që doja pa ndryshuar aspak ritmin. Unë e kam patur një album komplet të kompozuar dhe besoj që ai kapitull u mbyll në sensin që tani po filloj diçka të re. Tek kjo këngë doja të sillja zërin tim, versionin shqip, për më tepër dhe një klip shumë të bukur ku e them me plot bindjen që është një nga klipet shumë të arrirë dhe me vështirësi do të zëvendësohet si klip. Kjo është regji e imja, ide e imja dhe pse është një këngë e huaj, nuk ka asnjë gjë të keqe sepse kam dashur ta kthej për publikun në gjuhën shqip.
Në këtë klip duket se ju në një farë mënyre keni luajtur me mediat..Çfarë ke dashur të tregosh?
Kjo këngë flet për një tradhëti dhe mendoj që çdo këngëtar do të këndonte për tradhëtinë, mirëpo duke mos dashur t’i shkoj pas si bruto kësaj kënge ka ndryshim me atë çfarë kam bërë unë, pasi kënga që unë kam realizuar ka nivel, ka fillim, zhvillim dhe punë. Ideja e këtij klipi ishte që ai djalë u bë i njohur prej meje ku unë isha vajza e kopertinave. U vura në rolin e vetes time që pozonte dhe në momentin që paparacët ishin drejtuar rreth tij për të zbuluar se ku ndodhet Ingridi, pasi ai po tradhëton, por del që Ingridi kishte qenë vetë aty, por me një ndryshim parukesh. E bukura është se, mediat mendonin se unë po tradhëtohesha nga ai, por e vërteta është se po tradhëtoheshin paparacët nga unë.
Jeni një femër shumë e bukur.Çfarë reagimesh kanë meshkujt në rrugë?
Më mirë s’ka ku të shkojë, nuk do e kuptoja dot ndonjëherë që reagimet e tyre do më mungonin. Sepse nga që jam mësuar aq shumë me reagime të mira ndaj tyre, që mua më bëjnë të ndjehem mirë dhe e vetmja gjë që bëj nga ana ime është vetëm një buzëqeshje, asgjë më shumë.
Cili është komplimenti më i bukur që keni marrë?
Ah, kam shumë komplimenta dhe e rëndësishme është që janë të shumta dhe unë ndjehem mirë.
Si është Ingridi jashtë botës së artit?
Po ta nisim nga ana e jashtme, siç më shihni dhe vetë jam pa tualet, kam veshur atlete, jam shumë rehat me veten. Me pak fjalë tek unë ka shumë ndryshim skena në krahasim me jetën e përditshme.
Sa ambicioze jeni?
Ambicioze jam për punët e mija, për të cilat bëj gjithçka. Nuk e lë ndonjëherë pas dore shoqërinë, se përshembull më doli një punë dhe me duhet të shkoj, por i ndaj ditët kur kam për të punuar. Jam e dashur me shokët dhe shoqet, pavarsisht se nuk kam shumë shoqe.
Sa ka ndikuar emri i Inisit në karrierën tuaj? Mendoni se në një farë mënyre e keni emrin tuaj falë Inisit?
Unë falenderoj Zotin që më ka dhënë motër Inisin, një njeri që unë flas deri në orët e vona dhe nuk e shtyj dot nëse nuk flas me të. Përveç kësaj kam një motër që e kam pasur model tërë jetën, e cila ka qenë një model i mirë që unë t’i shkoja asaj nga pas. Jam shumë krenare që është Inisi, por ajo ka emrin e vet dhe ajo i ka treguar aftësitë e veta. Unë balerinë klasike nuk u bëra kurrë, u bëra modele dhe gjithashtu Inisi nuk u bë kurrë. Kemi shumë gjëra të ndara nga njëra- tjetra e përsa më përket mua, doja të thoja se Inisi nuk më ka thënë ndonjëherë : “Hajde motra se do këndosh në festivalin ku jam unë”. Kur kam qenë e vogël nuk më njihte njeri, kam trokitur vetë dyerve dhe kam qenë unë ajo që kam këmbëngulur. Por gjithçka duke çarë vetë, pasi nuk kam dashur të përfitoj nga emri i saj. Klipin e fundit që ka bërë bujë, nuk ma ka bërë Inisi ,përkundrazi ajo është shtangur kur e ka parë në televizor. E mbaj gjithë këtë peshë pasi jam më e vogla.
Keni pozuar ndonjëherë nudo?
Unë u lodha duke e sqaruar këtë fakt, por qenka e kotë. Një vajzë në plazh me rroba banjo, me një tyl me një profil të caktuar dhe me shumë baltë, mendoni se mund të hyjë tek nudo kjo??? Atëherë duke mos hyrë tek nudo, por duke qenë një foto e 98’ që ishte goxha për atë kohë, revistat tona të nderuara, për të shitur sa më shumë tirazhin, i këpusin një titull me foto nudo. Dhe e keqja është se do ketë pak veta në gjithë këtë Shqipëri, intelektualë , të cilët kur e shohin atë faqe, mund të thonë: “E shkreta por kjo s’është as nudo!”, pasi nuk korrespondon fotografia me titullin. Foto nudo nuk kam bërë ndonjëherë, kam bërë me rroba banjoje, siç bën çdokush dhe pse isha pak më e guxishme se të tjerat pasi isha e para vajzë që e bëra. Por shyqyr që i paskam bërë se ato foto më hapën shumë rrugë.
Sa e organizuar jeni në jetën tuaj private?
Jeta ime private është e bukur, nga mëngjesi deri në darkë dhe e aktivizoj vetë gjithë ditën. Jeta private ka çmendurirat e veta, ka shoqërinë e zgjedhur dhe vendet të cilat ne frekuentojmë.
Sa mbizotëruese jeni në dashuri?
Fatmirësisht apo fatkeqësisht jam mbizotëruese, jo vetëm në dashuri por në gjithçka.
Puthja juaj e parë?
Puthja ime e parë bën pjesë në dashurinë time të parë. Ka ndodhur në një lulishte, ai më afrohet dhe më puth, por në atë moment më thotë mami: “Zgjohu se u bëre vonë për shkollë”! (Qesh).....

Ndonjë ambicie në të ardhmen?

Projektet janë të shumta gjatë rrugës të albumit që po vazhdoj. Publiku e ka pëlqyer shumë këngën time të fundit duke përfshirë dhe trevat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë në Maqedoni dhe Kosovë madje dhe atje është bërë një hit kenga. Do të nisem për në Maqedoni, ku më pret një publik shumë i madh. Kësaj të shtune jam në Elbasan, pastaj me datë 14 shkurt kam një koncert në Vlorë dhe jam shumë e impenjuar.
Nëse do të kishit ndonjë propozim për martesë do të pranoje?
Më falni po ku e dini ju që s’kam pasur një propozim të tillë?

Sot