E premte, 29.03.2024, 07:23 AM (GMT)

Editorial

Dorian Koçi: Ideja evropiane e Ballkanit dhe nacionalizmi

E diele, 21.11.2010, 07:59 PM


Ideja evropiane e Ballkanit dhe nacionalizmi

 

Nga Dorian Koçi

 

Riga Velestinis Ferreo (1757— 13 qershor 1798), iluministi grek i shekullit të XVIII në kartat e tij kushtetuese që hartoi nën shembullin e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut të Revolucionit Francez nuk i dha shtetit të ri që do të ndërtohej karakter të ngushtë nacional, por duke reflektuar frymën e kohës në të cilën ai ishte formuar i dha një karakter universal. Ai hartoi karta kushtetuese për pothuajse gjithë popullsitë e Ballkanit dhe në krye të këtij shteti të ri , i influencuar nga ideja e iluministeve te “monarkëve te arsyeshëm”ai shikonte çuditërisht sërish Sulltan Selimin III të mbiquajtur reformator për shkak të reformave që ai kish ndërmarrë në ushtri dhe jetën publike otomane. Ashtu si dhe iluministët evropianë që u bënin thirrje mbretërve të Evropës për qeverisur drejt, ai i bënte thirrje Sulltanit otoman që të përqafonte arsyen dhe ti jepte popullit të vet një qeverisje më të mirë. Edhe gjuhën greke që ai parashikonte si gjuhën e folur të këtij shteti panballkanik nuk e shikonte në aspektin hegjemonues dhe asimilues ndaj popullsive të tjera, por në karakterin e saj universal si gjuha kulturore që ishte përdorur për mëse katër shekuj nga elitat ballkanike. Në një nga këngët e tij të shkruar në greqishten e re ai u bënte thirrje “grekëve, shqiptarëve,bullgarëve, rumunëve dhe turqve të shtypur të linin qytetet e okupuara dhe gjithë shtypje dhe të iknin në mal ku mund të shijonin lirinë”. Riga, për idetë e tij që edhe pse ishin universale dhe bënin thirrje për një Ballkan të bashkuar u arrestua nga austriakët në Trieste që shinin në veprimin tij shkatërrimin e rendit otoman në Ballkan për të cilin shin shumë të interesuar të konsolidohej pasi ishin në luftë me Francën. Ai iu dorëzua autoriteteve otomane , të cilat pasi e torturuan në burgun Beogradit rrugës për në Kostandinopojë, për të mënjanuar presionet nga miqtë e tij që do të ndërhynin për ta liruar e vranë dhe e hodhën në ujërat e Danubit. Ky ishte fundi tragjik i tij por natyrisht nuk ishte dhe fundi i ideve të tij.

Riga konsiderohet si një nga pararendësit e Revolucioni grek. Trashëgimia e tij politike dhe iluministe është pretenduar gjithnjë se u përqafua dhe u konkretizua në Revolucionin grek, por në një shikim të kujdesshëm dhe kritik ndaj shtetit grek që u formua pas pavarësisë kuptohet lehtë se nga plani dhe mendimi i Rigës u përvetësuan vetëm karakteri antitiranik  dhe ai panhelenik i veprimtarisë së tij. Edhe pse Riga kish folur përgjithësisht për një Ballkan ku popullsitë dhe etnitë do ishin të barabarta sipas modelit të Revolucionit francez, shtetarët e parë grekë këtë universalizim të Rigës e përkthyen si vullnet për të krijuar një shtet të madh grek ku do përfshiheshin dhe shumë territore jo greke me popullsi jo greke nën shembullin e dikurshëm të Perandorisë së Bizantit, ku pushteti politik, ekonomik dhe kulturor do u përkiste grekëve.

Natyrisht në periudhën 30 vjeçare që ndante vdekjen e Rigës dhe themelimit të shtetit grek kishte rrjedhur shumë ujë. Në  fillim në Greqi ashtu si dhe në shtetet e tjera ballkanike më vonë nën ndikimin e ideve nacionaliste që penetruan në fillim tek ato zona dhe grupe të cilat kishin kontakt të ngushtë me Evropën Perëndimore ose Qendrore, kishte lindur nacionalizmi i cili synonte ndërtimin e shteteve kombëtarë. Shekulli i XIX do të ishte në fakt triumfi i formimit të shteteve-komb në Ballkan, një proces që sa përmbante zhvillime pozitive të afirmimit të qenësisë së kombësive në Ballkan po aq dhe u shoqërua me pasoja negative pasi solli një rivalitet të madh për ndarjen e territoreve që zotëronte Perandoria Otomane. Një pas një u krijuan Greqia, Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria si shtete të pavarura. Akti i fundit i kësaj drame ballkanike u nënshkrua në Londër më 29 qershor 1913, kur u caktuan kufijtë e shtetit të fundit ballkanik, Shqipërisë që shpallej principatë dhe e pavarur nën garancinë e gjashtë fuqive të mëdha. Përdorim fjalën dramë për të neutralizuar nga ana linguistike batërdinë e madhe që ndodhi me caktimin e kufijve të Shqipërisë. Për një studiues të zellshëm të historisë lënia jashtë territoreve të Shqipërisë së një sipërfaqe të më shumë se gjysmës së shtetit që u krijua emërtohet si padrejtësi, sepse e ka të vështirë sesi ta emërtojë ndryshe këtë vendim absurd të Fuqive të Mëdha. Koha në fakt e tregoi se paqëndrueshmëria e kufijve dhe e vullnetit të popullsive për tu integruar në sfera kulturore dhe shpirtërore që ishin të huaja për to, se ky vendim ashtu si dhe vendime të tjera të ngjashme të marrë nën influencën e politikës së ekuilibrit të forcave   kinse për të shpëtuar paqen dhe për të arritur kompromisin midis Fuqive të Mëdha ishin të gabuara dhe jo vetëm që nuk u zhdukën nën tisin e kohës por nxorën krye sërish në konfliktin e përgjakshëm në ish-Jugosllavi.

Duke shqyrtuar nga kjo pikëpamje  tingëllojnë të çuditshme komente të ndryshme të politologëve të rinj shqiptarë të formuara në shkollat e Real Politikës evropiane që justifikojnë këto veprime të papërgjegjshme të Koncertit Evropian në fillim të shekullit, madje tërheqin vëmendjen se nuk mund të përdoret termi padrejtësi, pasi termi në “drejtësi” në fakt është relativ. Përtej sofizmave të tilla që kërkohen të shiten si evropianizim i Ballkanit, në hapësirat ballkanike edhe pse shumica e tyre janë integruar në Bashkimin Evropian ekziston një klimë tjetër që akoma vazhdon të kërkojë të “përvetësojë portokallet nga kopshti i fqinjit”. Konfliktet greko-turke për shumë çështje të pazgjidhura midis tyre, përcaktimi i emrit të Maqedonisë, konfliktet e heshtura serbo-kroate rreth Bosnjës, marrëdhëniet Kosovë –Serbi  tregojnë se problemet nacionale nuk janë zgjidhur por përkundrazi vazhdojnë të përcaktojnë politikën e jashtme të vendeve të rajonit. Në këtë rebus ballkanik Shqipërisë prej kohesh i është kërkuar të luajë rolin konstruktiv të frenimit të nacionalizmit të popullsive shqiptare në rajon detyrë që klasa politike në Tiranë, Prishtinë , Ulqin dhe Shkup e ka luajtur shumë mirë aq sa në Shqipëri në veçanti nga vendet e tjera të rajonit nuk ka një parti politike që të pasqyrojë drejtë për së drejti ndjenjat nacionaliste të tyre. Promovimi para dy javësh i listës së Shqipërisë Natyrale u prit me një shurllëri nga na e politikës zyrtare të qendrave të politik bërjes shqiptare madje patën nga ata që në shtyp nxituan ta quajnë folklorike, fashiste, dhe antievropiane duke fyer në këtë mënyrë ndjenjat e një pjese të bashkëqytetarëve të vet të cilët mendojnë ndryshe nga ta. Sigurisht nuk mund të pretendosh se problemi kryesor që zgjidh si me magji problematikën e Shqipërisë në rrugën e saj drejt progresit është zgjidhja e problemit kombëtar, por të mundohesh që ta përjashtosh atë si problem nuk është as ndershmëri intelektuale dhe as evropianizim i rajonit. Por a mund të fshihet një problem duke e injoruar? Në zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë , lëvizja “Vetëvendosja”, tashmë e kthyer në një parti politike do të konkurrojë në zgjedhje dhe suksesi apo mossuksesi i saj do të jetë një test nëse përqindja e popullsisë që do i votojë do jetë e njëjtë si në Serbi , Greqi, Bullgari e Rumani ku partitë nacionaliste përfaqësohen në parlament. Shumë shpejt shembullin e saj mund ta ndjekin dhe lëvizje të tjera në popullsitë shqiptare të Ballkanit dhe atëherë ndoshta çfarë emri do të përpiqen tu veshin këtyre votave legjitime të përfaqësuara në parlamentet përkatëse?

Rreth dyqind vjet më parë para se të vdiste thuhet se Riga Velenstinis u tha xhelatëve të vet se  “kish mbjellë një farë të fortë dhe se ai besonte se ora po vinte kur vendi i tij do ti vilte frutat e saj të lavdishme.”Studiuesit seriozë të historisë nuk kanë arritur akoma të kuptojnë se kë nënkuptonte me “vendin e tij” Riga, Greqinë si pretendon historiografia greke apo Ballkanin më gjerë? Derisa të zgjidhet kjo dilemë, gjithë popujt ballkanikë kanë parë sesi të realizojnë aspiratat e tyre kombëtare dhe shqiptarët në gjithë këtë vorbull ballkanike duhet të dinë të gjejnë vetveten. Perspektiva evropiane natyrisht që duhet të përbëjë lajtmotivin kryesorë të integrimit të gjithë territoreve shqiptare në Evropën e Bashkuar ku idetë vizionare të Rigës dhe etërve të tjerë iluministë kanë ndërtuar fole prej kohësh.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora