E diele, 07.06.2020, 09:27 AM (GMT+1)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Shpirti kristian i shqiptarëve

E shtune, 20.11.2010, 08:59 PM


KUVENDI I VII - TE  ZGJEDHOR  I  LDK - SE

 

SHPIRTI KRISTIAN I SHQIPTAREVE

 

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

 

Shprehja "shpirt kristian" zë fill nga Krishti shpirtmadh. "Zot fali, se këta nuk po dinë se çka po bëjnë",- i drejtohej Perëndisë Jezusi ynë  hyjnor, duke shikuar turmën vrastare kundër Tij. Në Kuvendin e VII-të Zgjedhor të LDK-së kjo shprehje u bë e dukshme, lëndore. Dhe, çuditërisht, kjo ndjenjë u manifestua fuqishëm nga 359 delegatët dhe të dhjetra mysafirëve të pranishëm në sallën e konferencave të hotel "Grand-it", më 7 nëntor 2010.

 

     Kryetari i deritanishëm i LDK-së, dr. Fatmir Sejdiu, i zgjedhur në Kuvendin e VI-të, me sjelljen dhe veprimet jodemokratike dhe të papërgjegjshme, shkaktoi ndarjen e partisë, duke humbur dy të tretat e elektoratit. Kjo humbje ishte një goditje e rëndë për anëtarësinë, veprimtarët dhe kuadrin e saj të përkushtuar.

 

     Humbja e parë në zgjedhjet qendrore, do të pasohej me humbjen e dy palë zgjedhjeve vendore. Koalicioni me PDK-në u bë në kundërshti të plotë me dëshirën e anëtarësisë, e cila nuk kishte harruar refuzimin kategorik, dy herë radhazi, të dr. Rugovës: "1. Thaçi jo kryeministër;   2. Jo koalicion me PDK-në!" Dr. Rugova ishte mentar i madh. Ai e dinte se nuk mund të qeveriset me "trimat e pas betejës", sepse ata për ta kompensuar trimërinë e munguar, përdorin hilenë dhe mujëshinë, që bien ndesh me parimet bazë të demokracisë.

 

     Të gjithë këtë të vërtetë eprore e dinte zoti Fatmir Sejdiu me kryesinë e tij klanore. Justifikimi banal se koalicioni është kërkesë e ndërkombëtarëve bie poshtë, po të kemi parasysh  edhe ardhjen enkas të zoti Havier Solana për një koalicion të tillë të më hershëm dhe jo-në e pakalueshme të kryetarit Rugova.

 

     Përgjatë kësaj qeverisjeje, fatalisht të keqe, u shpërdoruan milionat; mediat, organizatat joqeveritare u vunë në kontrollin e rreptë të qeverisë; emërimet dhe shkarkimet kishin vulën e mendësisë militante partiake; prepotenca dhe arroganca e pushtetarëve ishte jashtë çdo norme demokratike; nuliteti i rolit të LDK-së ishte i prekshëm.

 

     Rrjedhimisht, LDK-ja, edhepse pjesë e koalicionit, kishte "çilësat e kashtës" në qeverisje, por, gjithësesi, ishte pjesë e së keqes, sepse, për hir të koalicionit aprovonte nisma dhe ligje në kundërshtim me interesat e vendit, përkundër kmundërshtisë këmbëngulëse të opozitës.

 

     LDK-ja nuk merakosej fare me rrjedhjen e anëtarësisë, të kuadrove të LDK-së, madje edhe të anëtarëve të kryesisë, për të cilët "bedeli" i Sejdiut në parti - Eqrem Kryeziu, me cinizëm, thoshte se "asht dashtë edhe ma përpara me u largue"! Dhe, kryesia u tëkurr në atë masë, sa që përgjithçka vendoste rrethi vicioz prej 4 - 5 vetash!

 

     Nëse, vërtet, koalicioni ishte i domosdoshëm për proceset e pavarësisë, atëherë pse deklaratën e pavarësisë nuk e lexoi Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, si përfaqësues i shtetit!? Dhe, pasi akti i pavarësimit u krye, ndërkohë që mospërfillja e partnerit vazhdonte, kujt i duhej kjo aleancë?!

 

     Zenka në Parlament e ministrit Fatmir Limaj me zëvendësministrin Naser Osmanaj si dhe largimin e njëanshëm të këtij të fundit, ndërkohë që fyerja e të parit ishte shumë më e rëndë, ashtu siç ishte edhe pozita më e lartë, ishte motiv i mjaftueshëm për t`u shkurorëzuar me PDK-në.

 

     Rrëfimet rrënqethëse publike të akteve vrastare të shikasit të penduar Nazim Bllaca, i cili identifikohet me PDK-në, ishin një arsye e bollshme që LDK-ja, krahas distancimit nga krimi, të bënte edhe ndarjen spektakulare, duke këmbëngulur në ndëshkimin e vrasësve. Megjithatë, LDK-ja e zotit Sejdiu vazhdoi bashkëjetesën normale, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, edhepse numërohen 950 njerëz të vrarë në pusira!

 

     Kandidimi konkurues i dr. Bujar Bukoshit, për kreun e LDK-së, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Ukë Rugovës, hasi në sulmin frontal të kryesisë klanore, gjë që çoi LDK-në në një ndarje të re. Megjithatë, në raport me fajësinë e kryetarit me shokë, reagimet kanë qenë më shumë këshilluese, se sa akuzuese, ndërkohë që duhej të ishte e kundërta.

 

     Drejtuesi i Kuvendit të VII-të u ndjeh i lodhur nervash, me dy ndërhyrjet, mendoj të arsyeshme, që bëri autori i këtij shkrimi:

     E para, pse numri i delegatëve rezulton i shtuar, nga ai i deklaruar në fillim? Dhe, faktet nuk mungonin. Të rrëzuarit në kuvende degësh, ishin ngritur në Kuvendin Qendror!

     E dyta, prezantimi i delegatit se vjen nga Gjermania, ku ka demokraci eprore për popullin, por edhe diktaturë ligjore. Ndërsa, në Atdheun tonë Kosovë fakton e kundërta. Diktaturë bandash dhe liri ligjore për bandat.

     Dhe, reagimi i ligjshëm: Ky kuvend nuk mund të jetë valid, derisa zgjedhës janë edhe delegatët e disa degëve të Kosovës, ku kryetari dhe delegatët janë "zgjedhur" pa konkurentë dhe me aklamacion.

     Dhe, kërkesa, para votimit për kryetarin e LDK-së, të diskutohert rreth raportit të paraqitur nga kryetari ende në detyrë si dhe shqetësimet për manipulime në disa kuvende degësh.

 

     Përgjigja e kryesuesit ishte stili i mujëshisë, prepotencës dhe e mbytjes të çfarëdo zëri reagues e demokratik:

"Edhe marrja e fjalës pa leje nuk është demokratike"- u përgjegj ai, duke mos dhënë asnjë shpjegim shtesë!!

 

     Dhe, kush të jipte fjalën me leje, kur edhe ndonjë palë gishtëtinj të ngritur, u ulën pa u vënë re nga kryesuesi i Kuvendit! Dhe, asnjë zë nga delegatët heshtakë si peshqit. Fjalët e tyre i kompensuan me duartrokitjet frenetike! Dhe, kjo na kujton një kohë, paksa, të largët, jo shumë demokratikie, kur një zyrtar, reagimit të masës në një tubim, iu përgjigj prerazi: "Qeveria bën çka bën, populli të mos hajë m..."!

 

 

     Procesi për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së ishte i përkryer, demokratik dhe transparent. Çdo votë u lexua në ekranin e madh. Euforia e rezultatit zgjedhor ishte e skajshme. Fitore bindëse e Isa Mustafës ndaj Fatmir Sejdiut: 235 me 124. Diçka edhe e pritshme, për arsye të shpërdorimit të pozitës dhe të keq menaxhimit të partisë, përgjatë kohës ndërmjet dy kuvendeve zgjedhore.

 

   Në pauzimet e Kuvendit takova ish-anëtarin e kryesisë zotin Fatmir Rexhepi. - Keni qenë realist në sugjerimet e bëra për zgjedhjen e zotit Isa Mustafa koordinator të LDK-së, deri në përgatitjen e një kuvendi të rregulltë. Por, ky mendim i shprehur dhe i përsëritur publikisht, ka edhe koston e vet, sepse i tillë është niveli i kulturës dialoguese në Kosovën tonë - i thashë unë.

      " - Unë jam i hapur dhe i them gjërat ashtu siç i mendoj. Ju jeni i pari që ma thoni këtë, - u gjegj zoti Rexhepi.

     Dhe, vërtet, kuadri i hershëm i LDK-së Fatmir Rexhepi e pagoi koston e mendimit të lirë. Klani cinik i mendësisë të mykur ndërroi vetëm ustain dhe "mprehu shpatën edhe njëherë për situatën"! Turp!

 

     Dhe, përsëri kthim në regres. Kryetari i ri lexoi listën prej 107 emrash për Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke kërkuar aprovimin  me aklamacion, votim të hapur, kolektiv dhe hiç demokratik! Kjo zbuloi edhe qëllimin e fillimit të Kuvendit në mesditë dhe të sorollatjeve, kot se koti, në hollin e Grand-it, pikërisht për ta bjerrur kohën dhe për ta përligjur këtë "zgjedhje", tashmë të dalë boje.

 

     Lista e lexuar ishte shokuese. I gjithë klani rrënues i LDK-së ishte brenda listës, prej nga do të dilte edhe kryesia e re. Tre palë gishtërinj u ngritën njëherësh. Autori i këtij shkrimi zëshëm kërkoi fjalën, për ta kundërshtuar këtë maskaradë zgjedhore. Nipi im delegat dhe ca të tjerë, që me rethonin në ulëse, më thanë të hesht, sepse "është hera e tretë e kundërshtisë, ndërkohë që 359 delegatët në sallë po heshtin"! Dhe, kryetari i ri mbylli punimet e Kuvendit zgjedhor, duke bërë sikur nuk po ndodhë asgjë, pa dashur të shikojë dhe të dëgjojë gishtërinjtë e ngritur dhe zërat reagues!

 

     Bota demokratike ka bërë dhe vazhdon të bëjë shumë për çrrenjosjen e skllavërisë edhe në oazat fisnore afrikane dhe aziatike, duke derdhur miliardat dhe duke sakrifikuar ajkën e rinisë. Por, është harruar skllavëria në zemër të Evropës dhe konkretisht në Kosovën tonë.

 

     Njerëzit në Kosovë, për arsye të pushtimit të gjithmonshëm, në veçanti të periudhës komuniste, në mendjen dhe shpirtin e tyre është rrënjos skllavëria. Përkundër sivëllezërve tanë në Shqipëri, të cilët e kanë vrarë frikën dhe mendimet i shprehin ballas dhe jo prapa shpine. Në Kosovë ndodhë e kundërtra, madje edhe në shtresën intelektuale, një fjalë ndër sy dhe nëntë pas shpine!

 

     Faktikisht, më i lirë kam qenë unë, personalisht, në burgun famëkeq, në burgun e vdekjes, siç është futur në enciklopeditë botërore Burgu i Burrelit, me shtatë palë dyer të hekurta, se sa delegatët skllevër të Kuvendit të VII-të të LDK-së, të cilët jetojnë në pallate e vila luksoze. Liria mendore dhe shpirtërore është sipërore ndaj lirisë fizike.

 

     Dhe, ndodhi e keqja e madhe. Klanit të shkatërrimit të LDK-së në kryesinë e re i mungonte vetëm njëshi - kreu. Dhe, instalimi i gardës të vjetër në Kryesinë Qendrore të LDK-së, përjashtonte mundësinë e çfarëdo marrëveshjeje me grupimin -listë "LDK - Ibrahim Rugova", i cili ngulmonte për reforma në partinë e Presidentit Rugova. Dhe, pasoi ndarja, edhepse kryetari i ri kishte premtuar bashkimin e gjerë! Ky është dështimi i parë i zotit Isa Mustafa si dhe zhgënjimi i madh i anëtarësisë, simpatizantëve dhe të elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Urojmë për këndjellje të ngutshme në të mirë të LDK-së dhe të Kosovës!

 

 

     Baba ka lënë djalë. Historia e Familjes Rugova është histori e përgjakur ndër shekuj. Por, po e nis nga shekulli XIX-të dhe këtej. Sadri Elezi - Rugova, Rrustë dhe Ibish Rugova, Ukë Rugova - senior, të gjithë të rënë për besë e Atdhe. Kulmon me hyjnorin mendjendritur dr. Ibrahim Rugova - realizuesi i shtetsisë të Kosovës. Ukë Rugova i ri, në nismën për reforma në LDK-e nuk ishte i vetëm. Dhe, ai nuk mund ta baltoste veten dhe Familjen Rugova, duke braktisur shokët e listës. Sepse, baba ka lënë djalë. Këtë e dinte edhe klani vicioz, tashmë, i bartur në kryesinë e re, pothuajse, i pa cënuar. Andaj, i bënin thirrje, të përsëritura, thellësisht hipokrite, Ukë Rugovës, për t`u futur në listën e deputetëve, duke e përjashtuar mundësinë e hyrjes në strukturat e vendim-marrëse të partisë, siç është kryesia.

 

     Përmendim vetëm njërin nga shokët e Ukës, zotin Fadil Kryeziun, themeluesin e LDK-së në komunën e Prizrenit, për të cilin zoti Eqrem Kryeziu thotë se "Fadili më ka angazhuar në LDK-e". Dhe, mjaftoi kahja e tij për reforma, që ai, në cilësinë e nënkryetarit të degës të LDK-së të Prizrenit, në farsën e fundit zgjedhore, të mbetet jashtë strukturave të partisë. Thirrja e tij drejtuar kryetar Sejdiut dhe akademik Hamitit, që të mos lejohet degradimi i procesit zgjedhor në Jerusalemin e Hashim Thaçit, pra, në Prizren, hasi në veshë të shurdhër! Dhe, krejt logjike, sepse ata janë projektues të këtij procesi zgjedhor si dhe bartës faktik të listave emëruese e zgjedhore.

 

    Pas kërkesës ultimative të Ukë Rugovës me shokë se zoti Fatmir Sejdiu duhet ta lërë kreun e LDK-së, për arsye të humbjeve seriale të zgjedhjeve dhe të anëtarësisë, kundërpërgjigja nuk vonoi. Zoti Sejdiu, pa i përfillur fare struktura partiake në parti dhe qerveri, mori vendimin e pakohshëm dhe fatal për partinë, qeverinë dhe shtetin - daljen nga koalicioni qeverisës, me qëllim të provokimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale.

 

     Kjo nguti ishte e qëllimshme, për të pamundësuar konsolidimin e grupit reformator në LDK-e, të kryesuar nga Ukë Rugova. Dhe, duke vepruar në stilin tipik intrigues komunist zoti Sejdiu ia arriti, duke  realizuar përçarjen dytë në LDK-e në Kuvendin e VII-të zgjedhor, pas përçarjes të parë të bërë në Kuvendin e VI-të.

 

     Grupimi "LDK - Ibrahim Rugova" duhet t`i shmangët dyzimit. Votën nga anëtarësia e LDK-së duhet ta kërkojnë vetëm për veten e tyre dhe jo edhe për partnerin në koalicion AAK-në, për arsye të ndjeshmërisë, të hipotekave që bart ky subjekt ndër vite. Përndryshe, do të na kujtonin shprehjen: "Për inati të sime vjehërrë, do të flej me mullixhinë"! Herëdokur, kjo aleancë, krejt e panatyrëshme, do të kujtohet si një ëndërr e keqe. Lypset hap e maturi për të dalë nga ky batak.

 

     Në pamundësi për ta ruajtur fronin partiak, zoti Sejdiu me shkurtimin e qëllimshëm të kohës për zgjedhjet partiake, bëri kuvendet shkel e shko nëpër degë, duke i vënë në krye anëtarët e klanit të tij, rrënues të LDK-së, me qëllim të ruajtjes të statuquosë fatale. Zgjedhjet aklamative dhe manipulative në disa degë, u reflektuan edhe në emërimin listor të Këshillit të Përgjithshëm, prej nga doli edhe kryesia e re me njerëz të vjetër, përkatësisht, me klanin vizioz të kryesisë të vjetër! Eshtë logjike se kryesia aktuale nuk mund të jetë funksionale, sepse është e paligjshme, ndonëse është zgjedhur nga një Këshill i Përgjithshëm i pa votuar dhe tërësisht i paligjshëm.

 

     Votimi i fshehtë dhe demokratik do ta spastronte Këshillin e Përgjithshëm nga klani shkatërrues i LDK-së, madje në ato përmasa siç bëri me ish-kryetarin e LDK-së.

 

     Premtimi i zotit Isa Mustafa se do të bëhen ndryshime në kryesi në bazë të rezultateve  në votime, nuk është hiç ngushëllues, ashtu siç nuk na ngushëllon as deklarimi i tij se "të pakënaqurit janë pak, janë individë dhe jo grupe". Përkundrazi, pakënaqësia është masive, sepse është humbur shansi ideal për të mobilizuar dhe motivuar elektoratin numerikë të dikurshëm të Partisë të Presidentit Rugova, për të votuar për partinë e duarëve të pastra, për LDK-së. Thënë shkurt, anëtarësia  dhe elektorati i LDK-së donte t`i shihte sëbashku në fushatë kryetarin aktual Isa Mustafa dhe djalin reformator të Presidentit Rugova, Ukë Rugovën, pinjollin premtues të së vetmes familje simbol në Kosovë.

 

     Eliminimi bërrylor i krahut që identifikohet me reformat, është një hendikep i madh i LDK-së për zgjedhjet e pritshme kombëtare si dhe një sfidë shqetësuese pë kryetarin Mustafa. Eshtë fort brengosëse se i njëjti klan realizoi dy përçarje radhazi, madje në prag të zgjedhjeve, gjë që reflektimi negativ duket i pashmanshëm. Dhe, në vend të ndëshkimit, ata u shpërblyen, duke u renditur në krye të listave! Anashkalimi i klanit, mos futja e tyre në strukturat vendim-marrëse të partisë, do të ishte nisma e mbarë për vlerësime në bazë të rezultateve apo të humbjeve të kuadrit partiak. Por, kjo nuk mund të realizohet në mungesë të Institucionit të Përgjegjësisë brenda partisë.

 

     Anëtarësia e LDK-së sërishmi u provokua rëndë. Euforia, tashmë, ka rënë. Zvetnimi i shpresës për një fitore të mundshme të ëndërruar, nuk fshihet dot. Demoralizimi i anëtarësisë është  i dukshëm, me përjashtimin që klani i koracuar në strukturat vendim-marrëse të partisë i bëri Ukë Rugovës me shokë.

 

     Përlavdërimi i sekretarit aktual se "Ukë Rugova nuk mund të pakësojë numrin e votuesëve të LDK-së", është në vazhdën e deklarimeve të anëtarëve të kryesisë të LDK-së pas Kuvendit të VI-të, si: "nga LDK-ja po largohen individë"; "po heqim degët e thata"; "LDK-ja nuk merret me shifra"; "largimet  e të lëkundurëve veçsa e forcojnë partinë"; "LDK-ja edhe pas largimeve të të pakënaqurëve, është më e fortë se kurrë"; "LDK-ja mbetet forca e parë politike dhe do t`i fitojë zgjedhjet", si dhe përrallime e marrëzira të tjera të kësaj natyre, humbën dy të tretat e elektoratit, duke e fundosur dhe përtokur Partinë madhore të Presidentit Rugova, madje qëllimshëm dhe turpshëm, ngaqë kishin marrë obligime ndaj dikujt.

 

     Dilema se ke duhet mbështetur është sa bjeshka! Akuza se reformatorët e pretenduar janë me "rrebe" dhe se nuk nisën nga parime dhe ideale demokratike, por, thjesht, nga ambicje politike, kontestohet logjikshëm, duke pasur parasysh elementin e angazhuar për reforma. Ata ishin edhe faktorë të ndryshimit në kreun e partisë, ndërsa kryetari i ri duhej të vazhdonte më tej, brenda Kuvendit të VII-të zgjedhor, meqë vullneti i delegatëve ishte njësh me kërkesat e reformatorëve të munguar ose të larguar nga ky kuvend. Përgjegjësia ka adresë.

 

     "Njerëzit duhet të kenë durim dhe të presin reformat në LDK-së" - apelon tek anëtarësia e pakënaqur kryetari Isa Mustafa. Pikërisht, këtu ka cinizëm, për të mos thënë mungesë sinqeriteti. Pse zoti Mustafa nuk thotë se klani edhe kësaj radhe hartoi listat, duke e vënë veten në krye të tyre?! Eshtë kjo arsyeja që ata më parë pranuan rrënimin e mëtejmë të partisë, se sa bashkëjetesën me grupin reformator, i cili do t`ua pamundësonte këto privilegje hiç meritore.

 

     Fakti se grupi klanor është në krye të listës kandiduese për deputetë, konteston reformat e premtuara të kryetarit Mustafa, sepse për një katërvjeçar ata do të jenë të paprekshëm nga reformat e Isës dhe do të vegjetojnë në ulëset e Parlamentit të Kosovës, në të cilin "është përzier gjithfarë ujemi"! Dhe, përllogaritjet e tilla nuk janë të rastësishme, ashtu siç nuk janë "rrebe" reagimet legjitime  të veprimtarëve dhe të anëtarësisë të LDK-së.

 

     Thënë troç, Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri zgjedhje, por jo edhe zgjidhje. LDK-ja vazhdon të mbetet peng i klanit rrënues, i cili uzurpoi kupolën partiake pas shuarjes fizike të kryezotit të saj, urtakut shtetbërës të Kosovës, Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.

 

     Atdheun, partinë dhe demokracinë nuk mund ta duan të gjithë njësoj. Dhe, nisur nga familja e autorit të këtij shkrimi, e cila ka filluar burgjet politike në vitin 1945, duke u liruar i fundit i familjes më 1991, që ia dhuroi lirisë dhe demokracisë dëshmorët e vetë, duke mos harruar këtu as autorin e kësaj ekspozeje për rrjedhën e Kuvendit të VII-të të LDK-së, i cili ka bjerrur të gjithë rininë aktive burgjeve politike komuniste, ndërkohë që dikush veçsa ka ndërruar karrikët në dekada.

 

     Përsonalisht, për mua nuk ka rëndësi se nga vijnë tre të parët e LDK-së. Me kohë i kam tejkaluar nostalgjitë krahinore, ose nuk jam merakosur kurrë për to, për vet faktin se jeta ime ka pasë një rrjedhë, paskësa, ndryshe nga ajo e të tjerëve. Por, në Kosovën tonë, me një nivel të mangët kulturor e zhvillimor, nostalgjia krahinore mbetet ende e fortë. Votimet në tufëzim në Drenicë dhe në një pjesë të Dukagjinit e dëshmojnë këtë.

 

     Pa hamendje, regjionalizmi i partisë është mendësi provinciale. Llapjanët, të cilët pretendojnë se Presidenti Rugova u përkët më shumë atyre, se sa Familjes Rugova, duhej të mësonin nga Ai edhe për menaxhimin korrekt të LDK-së. Dr. Rugova kishte afër vetëm një polic nga zona e Tij. Sigurinë fizike për vete dhe familjen, ua kishte besuar djemëve të Drenicës, edhepse ishte më se paku i votuar në atë trevë. Dr.Rugova e donte dhe e vlerësonte shumë kryetarin e mençur të komunës të Istogut Fadil Feratin. Edhepse i suksesshëm dhe fitues i përhershëm i zgjedhjeve, asnjëherë nuk e mori në Kryesinë Qendrore, madje nuk e futi as në listën për deputet. Mjaftohej duke qenë vet Ai i asaj zone, edhepse ishte larguar nga Istogu para dyzetë vitësh.

 

     Kalaveshja me poste e klanorëve në mandatin e kaluar ishte enorme. Kjo tendencë po vihet re edhe tani, si për shembull: kryetar i degës të LDK-së në komunë, me pretendimin për t´u bërë kryetar komune; anëtar i Kryesisë Qendrore; në renditjen njëshifrore për deputet dhe në pritje për kryesinë e Parlamentit apo edhe ministër! Me këtë pompë sikur po na e ringjallin lugatin Enver Hoxha, i cili në gjallje mbante 9 poste shtetërore e qeveritare dhe të 10-in të përjetshëm e kishte kreun e partisë - shtet! Sikur Shqipëria të kishte mbetur në bujq e barinj, në analfabetë!!! Vetëm nga një botim krahasues i gazetës "Express", opinioni mësoi për disa kuadro të LDK-së se paskan qenë anëtarë të kryesisë, sepse klani i ka anashkaluar tërësisht. Dhe, së fundi, në vend që të largonin klanorët nga kryesia, e pësuan të gjorët e papërfillur, në emër të reformave në parti!

 

     Shtresa intelektuale e Kosovës ka një misioin madhor - edukimin e popullit të vetë, për ta vrarë frikën, për t`u shprehur lirshëm dhe ballas, sepse liria pa demokreaci është si një përrallë e gjysheve, për të vënë në gjumë kalamajtë. LDK-ja e duarëve të pastra, konsiderohet si e vetmja shpresë dhe mundësi, për ta zhvilluar demokracinë dhe për t´u paraprirë proceseve zhvillimore të shtetit të brishtë të Kosovës. Por, fillimisht, reformat brenda vet LDK-së janë sa akute, aq edhe të domosdoshme.

 

    

     Kryetari i ri dr. Isa Musta, fitorja e të cilit është zgjedhja e vetme legjitime e Kuvendit të VII-të, menjëherë pas zgjedhjeve qendrore kombëtare, duhet të nisë përgatitjet për zgjedhje të rregullta e thellësisht demokratike partiake. Vetëm demokracitë e brendshme partiake, mund ta demokratizojnë edhe Kosovën, duke e bërë shtet të mirëfilltë demokratik. Zoti Mustafa nuk mund të fillojë asnjë reformë me strukturat aktuale të partisë, sepse edhe reforma më e përciptë, ata, rrënuesit, shpërdoruesit dhe jomeritorët, do t´i nxjerrë jashtë loje. Dhe, askush nuk është i gatshëm të luftojë kundër vetes. Në rrugën për reforma duhet të bashkojë grupe dhe individë, pa u merakosur se pa klanin rrethues do të ndjehet më pak i fuqishëm. Përkundrazi, e ardhmja u përket reformatorëve. Reformatorët gjithherë përjetësohen. Dhe, kjo është dëshmuar përgjatë historisë njerëzore shumëshekullore..

 

 

     Kryetari i ri, duke dekoruar me titullin e lartë "Kryetar Nderi të LDK-së" kryetarin e vjetër, numëronte shumësinë e "sukseseve të arritura" nga ai. Duartrokitje dhe ngritje në këmbë në shenjë respekti për kryetarin në largim. Edhe ne, pleqtë u rinuam dhe brofnin në këmbë si edhat në pranverë! Shoku pranë meje, i cili më kishte thënë se "nëse fiton Sejdiu, nuk do të jem më anëtarë i LDK-së", tani ishte mërdhezur nga përplasja e duarëve në respekt për Sejdiun! Dhe, duke i fshehur shuplakat e duarëve të mia të skuqura, nga frika se do t`i jipja shkas për përgjigjen e gatshme: "Po ti"(?),- jo pa habi, e pyeta - çfarë po ndodhë me ty?!

 

     "- Jam shumë i gëzuar. Më në fund, u çlirova nga ethet e frikës se çfarë do të bëhet me LDK-në time. Isa me Fatmirin do të na bashkojnë me Dacin, Ukën dhe të gjithë të hatëruarit, të zemëruarit, të larguarit nga LDK-ja dhe ne do t`i fitojmë zgjedhjet në masën e 40 %, duke e mundur krimin, korrupsionin dhe qeverisjen e keqe" - u përgjegj, me një vetëbindje euforike, mërgimtari i moshuar, i cili për dyzetë vjet me radhë ka ëndërruar dhe vepruar për ta bërë Atdheun - Kosovë: të lirë, të pavarur dhe demokratik. Dhe, tani, ai me shokë, i fali të gjithë, madje edhe ata që e përtokën partinë e idhullit të tij - Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.

 

     Duartrokitjet në kor tregonin se të kësaj mendjeje janë të gjithë, përfshirë këtu edhe autorin e këtij shkrimi. Dhe, shpirti kristian i shqiptarëve u manifestua madhërishëm në sallën e Kuvendit të VII-të zgjedhor. Tashmë, anëtarët e LDK-së, më shumë se sa parti politike, mund të jenë anëtarë të denjë të Shoqatës Humanitare, me emrin e të shumëdashurës tonë, engjellores dhe shenjëtores "Nëna Tereze"!

 

Nëntor 2010



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora