E shtune, 20.04.2024, 06:03 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Për ata që ''qeshen gjithmonë me Shtetin shqiptar''

E enjte, 27.12.2007, 01:21 PM


Për ata që ''qeshen gjithmonë me Shtetin shqiptar''

Nga Ardian Ndreca

Ardian Ndreca
Patriotizmi nuk matet me kut, pse zakonisht gjanat që maten nxirren edhe në pazar.
Patriotë ka Kosova por ka edhe Shqipnija, e ata që qeshen me Shqipninë janë tallë edhe me Kosovën.
Në vitet e komunizmit, nën pretekstin e patriotizmit, shumë kosovarë ngashnjeheshin për Enver Hoxhën, bile nji pjese e tyne pati guximin me ardhë edhe në Shqipni, e nji pjese jo e vogël përfundoi në burgje dhe internime. E megjithatë nuk pati intelektualë kosovarë, përveç «kolaboracionistave» të Luftës së Dytë Botnore, që të dënonin haptas dhe me za të naltë regjimin antikombtar të Enver Hoxhës.
Shqiptarët që kishin rast me vizitue Kosovën në fillimet e viteve ’90 ndjenin neveri kur shihnin fotot e Enver Hoxhës të varuna në muret e shumë kullave kosovare.
Mjerisht ato foto kanë lanë gjurmë e danga në shumë zemra e kjo gja herë mbas here duket krejt qartë.
Po të mendojmë se qe E. Hoxha ai që i shiti Kosovën Titos do ta kuptojmë sesa turp përbanin ato foto. Aq ma tepër që shqiptarët kaluen disa dekada të idhta nën diktaturën e Hoxhës.
Nji pjesë e intelektualve kosovarë ishin nën influencën pasive apo aktive të Beogradit dhe të organeve të tija, nji pjesë tjetër nën atë të Tiranës dhe vetëm nji pjesë e vogël ishin kundër të dyja tiranive.
Ata që duhet të «qesheshin» me Shtetin shqiptar në kohën kur komandonte E. Hoxha nuk qeshën, por thjesht buzëqeshen dhe i dërguen karajfila të kuq për 1 Maj. Ata që duhet të denonconin diktaturën e E. Hoxhës, nuk e bane nji gja të tillë e ky qe shkaku që nji pjesë e shqiptarëve e humbi besimin në ta.
Ma i madh intelektual dhe njeri i politikës kosovar, Ibrahim Rugova, nuk qeshej me Shtetin shqiptar pse ai pat dijtë me gjetë tek ai Shtet nji aleat të përpjekjeve të veta politike.
Substancialisht ata që qeshen sot janë ata që i qeshnin dje diktatorit Hoxha, pse njeriu që qesh asht njeri pa kohë, mbasi nuk ka shprehje tjetër ma inteligjente.
Çeshtja shqiptare ka patriotë gjithkund: në Labëri, në Devoll, në Dibër e Malci të Madhe, mbasi patriotizmi nuk asht monopol i asnji krahine apo treve dhe nuk matet me debate televizive dhe me artikuj gazetash. Patriotizmi jeton ndër vepra dhe shqiptarët e treguen veten gjatë luftës së Kosovës sesa patriotë ishin. Ata pritën vëlleznit kosovarë, ndihmuen luftën me të gjitha mjetet (e ligjshme e të paligjshme), u banë bazë për forcat e NATO-s, shkuen vullnetarë me luftue në Kosovë.
Ata që qeshen gjithmonë janë njerëz pa shprehi reflektive e nji shprehje e vjetër latine thotë: risus abundat in ore stultorum.
Por s’e kemi edhe aq me qeshjen e cila pasqyron vetitë personale të secilit. Problemi asht se këtu po qeshet me Shtetin shqiptar dhe kjo gja nuk duhet t’i pëlqejë asnji shqiptari që kupton dallimin mes Shtetit dhe politikës.
Për ata që nuk kanë qenë kurrë Shtet nuk asht e thjeshtë me e kuptue dallimin mes Shtetit dhe politikës, dhe për rrjedhojë nuk e kuptojnë se me u qeshë me Shtetin shqiptar domethanë me u qeshë me të gjithë shqiptarët: pa përjashtim feje, krahine, gjatësia, përkatësia gjinore dhe klasore.
Pra, kemi nji individ që e sheh veten aq nalt sa me u qeshë me të gjithë shqiptarët!
Për me qenë aq nalt duhet së paku me qenë kaluer në kalë të Skënderbeut apo i ulun në nji kuvend me ideologët e Rilindjes... por, jo – nuk kemi asgja të këtillë, por vetëm nji shkrues anonim që përzien mnershëm nji gjoja standard me nji gegnishte dialektale tue u mundue me qeshë me Shtetin shqiptar.
Në qoftë se ndaj çeshtjes së Kosovës ka pasë mangësina, faje, paaftësina ato duhen t’i atribuohen politikës shqiptare dhe asaj kosovare. Përgjegjësít e këtyne fajeve kanë emna dhe mbiemna: ata janë ministra të jashtëm dhe politikanë, akademikë dhe gazetarë. Me përmend fajet dhe me numrue të zezat pa pasë guximin dhe inteligjencën me caktue edhe fajtorët me emën dhe mbiemën asht mungesë e theksueme vitaminash karakteriale.
Fajtorë janë disa politikanë dhe jo Shteti si strukturë sovrane dhe si instrument funksional i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, që mban monopolin e pushtetit dhe të së drejtës dhe ka për qëllimin zhvillimin dhe përparimin e individit mbrenda shoqnisë së cilës ai i përket.
Si mund të ndërtohet e ardhmja, si mund të kthehet fleta e historisë kur nuk dijmë me dallue Shtetin prej politikës. Por në anën tjetër nji pjesë e madhe e atyne që janë rritë nën Shtetin komunist shqiptar apo nën drzhaven e Titos nuk kanë faj, pse janë âjë aq fort me ideologjinë tjetërsuese që identifikonte Shtetin me partinë politike sa që sot fajet e partive ja hedhin në shpinë Shtetit.
Kjo logjikë ka shty nji pjesë jo të vogël të shqiptarëve në 1997 që tue u nisë prej mënish politike me djegë Shtetin shqiptar dhe me e vorfnue atë, e kjo logjikë asht logjika e thjeshtë e vandalëve: ajo që din vetëm me shpërbâ por që s’din me bâ asgja pozitive.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora