E shtune, 24.08.2019, 05:43 PM (GMT+1)

Komente

Armir Shkurti: Kultura e dhunes

E enjte, 27.12.2007, 12:12 PM


Kultura e dhunes

Nga Armir Shkurti - Shqip

"Shtrati është vendi më i rrezikshëm i botës: 99% e njerëzve vdesin pikërisht aty", - ka thënë Mark Tuejn. Mbase në kohë të tij, kjo shaka mund të ketë qenë gjysmë e vërtetë, por për ne, sot, në Shqipëri, është më pa kuptim se kurrë. Në shtrat kanë fatin e madh të japin shpirt ata që gjatë gjithë jetës u kanë shpëtuar aksidenteve me makinë, aksidenteve në punë, sherreve ngado dhe mbi të gjitha, nuk ka pasur ndonjëherë në familje, fis, krushqi a miqësi ndonjë të prapë që t‘i ketë lënë gjak a telash mbrapa. Ca të huajt e ca vetë ne ia kemi nxjerrë bojën vetes si kriminelët më të egër e më mizorë të paktën në kontinent. Por për fat të keq, kjo nuk është edhe aq gënjeshtër. Ne kemi therur, përdhunuar, masakruar, hedhur në erë, djegur pa pikën e mëshirës, duke marrë mbi vete faqen e zezë, si një nga popullsitë më të dhunshme të Evropës. Edhe këtu kanë hak. Por, paradoksalisht, jo i gjithë faji është i atij që zakonisht e quajmë kriminel, madje edhe monstër.

Ne të gjithë vijmë nga një kulturë dhune, që nis nga shpulla byçave kur sa kemi mësuar të ecim e rrëzohemi, tek thuprat e mësuesit kur shkonim pa detyra, për të përfunduar tek rreziku për të mbetur i pakallur kur vdes, se nuk ka më vend për varreza. Kjo është pjesa e traditës. Mirëpo, shumë kombe të njohur si mizorë e barbarë në histori, sot janë ndër më të qytetëruarit e paqësorët e globit. Dhe kjo ka ndodhur për shkak se dikur, shekuj më parë, ata kanë vendosur të ndërtojnë shtet. Ndërsa tek ne, në 95 vitet e historisë së tij, shteti shqiptar ka qenë kultivuesi dhe modeli më i shkëlqyer i dhunës. Vetëm brenda dy dekadash, Shqipëria ka shkuar dy herë në prag të luftës civile (1991 dhe 1997) ndërkohë që tensionime të fuqishme ka pasur vazhdimisht, sidomos nga vera e vitit 1990 deri në pranverë 1992, më tej në vjeshtën e vitit 1994, vjeshtë 1996 deri në pranverën e 1999-ës, e kështu me radhë.

Në këto periudha, vendin e shtetit të mpirë e kanë zënë kriminelët e lagjeve a banditët e organizuar, tek të cilët madje duhej marrë leje e paguar haraç për të hyrë a për të dalë nga qytetet. Secilit nga ne i ka rënë për hise të jetojë në këtë standard dhe të jetë i përgatitur se mos ndodh sërish herët a vonë, për sa vite të tjera ky vend të mbetet në tranzicion. Shtatëmbëdhjetë vjet tranzicion përkthehen në shtatëmbëdhjetë vjet pasiguri, që do të thotë frikë për nesër, e që dy reagimet më të natyrshme ndaj frikës, janë o ikja nga rreziku ose përgatitja për betejë. Ata që kanë ikur që nga korriku 1990 e deri më sot janë nja një milion. Ne, dy milionë e ca të tjerët jetojmë të kreshpëruar e veshëngrehur se mos reforma e tretë në administratë të nxjerrë në rrugë të madhe ty me gjithë grua, se mos kursimet e jetës tënde fluturojnë siç fluturuan në ‘92-shin, pas zhvleftësimit të lekut apo në ‘96-‘97 ën nga fajdet, se mos të bie ndonjë sëmundje dhe le ç‘ke e nuk ke nëpër doktorë e derman nuk gjen deri kur të të dalë shpirti. E pasi të të dalë shpirti, kush do të t‘i rrisë jetimët, se pensioni a asistenca për ta është sa për të larë gojën.

Pas ikjes së socializmit, syri na pa shumë më tepër nga ç‘na mban xhepi, ndaj edhe dhjetë porositë që Zoti i dha Moisiut, si "mos vidh, mos vrit, mos shko me gruan e tjetrit..." janë ca si të vështira të mbahen. Aq më tepër kur ti kthehesh në shtëpi dhe dëgjon gruan tënde që ka nevojë për një fustan si ai i fqinjës, apo një dhomë gjumi të re, pasi atë të martesës, me pllaka zdrukthi, e ka grirë mola... Ndaj nuk është rastësi që muajt e fundit ka pasur seri vrasjesh brenda familjes.

Në fillim të viteve ‘90, ideatorët e reformave këmbëngulën në ngritjen e një sistemi të kapitalizmit liberal, të cilin në mënyrë të figurshme e shpjegonin me teorinë hidrodinamike: "lëre ujin të rrjedhë dhe ai do ta gjejë vetë shtratin e tij". Ky ujë që rrodhi e gjeti shtratin mbi pronat e tiranasve, durrsakëve, lushnjarëve, shkodranëve, lezhjanëve ... si dhe mbi gjithçka që prindërit tanë kishin ndërtuar për 40 vite me radhë. Të gjithë këta të ardhur-zaptues sot e kësaj dite, jetën e re dhe begatinë ia dinë për nder vetëm brutalitetit të tyre dhe janë të gatshëm të derdhin edhe gjak për ta mbrojtur atë. Sot e kësaj dite mbështeten e përkëdhelen nga politika. "Uji që rrjedh" me para, që jo gjithnjë dihet nga rrodhën, ndërtoi edhe kapitalin e sotëm. Dhe këta, sot e kësaj dite, mbështeten e përkëdhelen nga politika. Edhe vetë kjo lloj politike po kështu ka "rrjedhur", duke kërkuar nëpër fushata "poshtë" e "vdekje" të kundërshtarit e në fund, më i forti, duke vjedhur votat e duke rrëmbyer pushtetin.

Pra, me shumë pak fjalë, ky është modeli që i paraqitet një individi të lindur në Shqipëri: O të ikë, o të luftojë. Nëse lufton në krahun e gabuar mund të përfundojë të paktën në burg. Nëse zgjedh llogoren e duhur, mund të bëjë emër e karrierë. Ndaj edhe ca nga ata kriminelët mjeranë, që shfaqen kokëvarur në kronikat e zeza, shpesh janë viktima të drejtpërdrejta të këtij sistemi dhune dhe kulture dhune, të konsoliduar me kontributin e të gjithëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT