Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dorian Koçi: Etër dhe bij

| E merkure, 17.11.2010, 10:59 PM |


Etër dhe bij

 

Nga Dorian Koçi

 

Një nga romanet më të famshëm të letërsisë botërore të shekullit të XIX, është romani “Etër dhe bij”(1862) i shkrimtarit rus  Ivan Turgeniev (1818-1883). Romani është bërë i famshëm jo vetëm si përfaqësues i denjë i një letërsie të re që po lindte ndjenja të larta estetike dhe shpirtërore siç ishte letërsia e re ruse por dhe sepse në të  përshkruhen si ngjarje kryesore kontradiktat midis brezave. Personazhi kryesor i romanit Bazarovi një i ri fisnik rus i përket rrymës filozofike të nihilizmit dhe për rrjedhojë ai përçmon dhe nënvlerëson idetë e vjetra të prindërve të tij. Ajo çka ndodh në fakt në roman nuk ishte një fenomen i ri që i përkiste vetëm shoqërisë ruse të kohës por ashtu si e theksojnë shumë antropologjistë dhe sociologë modern ishte një pasqyrim i idesë se  revolta e parë e njeriut është ajo ndaj autoritarizmit të prindërve të vet.

Jehona të këtij konflikti mund të gjenden gjithandej në letërsitë botërore dhe në fusha të tjera të jetës ku sigurisht dhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Madje në Shqipëri për shkak të vështirësisë së ndërrimit të elitave ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm dhe i dukshëm në të gjithë ligjërimet publike jo vetëm të politikanëve por dhe personaliteteve të ndryshëm publikë në fusha të tjera si arti dhe shkenca. Veçse në Shqipëri ky debat i përjetshëm ka një veçori të ndryshme nga vendet e tjera. Në kundërshtim me çka me të vërtetë e kërkon logjika e ngjarjeve ku brezi i ri duhet të jetë kritikuesi dhe të ketë marrë revanshin ndaj brezit të vjetër, në fakt ndodh e kundërta. Sot në Shqipëri pas 20 vjetëve të rrëzimit të regjimit  komunist vazhdon të jetë në pozicione kryesorë të drejtimit të shtetit  elita e krijuar gjatë këtij regjimi. Po kështu vlerat shpirtërore dhe artistike vazhdojnë të dominohen nga personalitete të cilët sërish u formuan në atë regjim dhe që hierarkinë e vlerave e fillojnë sërish nga vetja.

Parë në këtë kontekst intervista e fundit që dha ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano e ilustron më së miri këtë dukuri. Pyetjes se nëse Partia Socialiste do i hapte dyert për tu kthyer si “djali plëngprishës” Fatos Nano, iu përgjigj me arrogancë se “Unë jam babai i tyre”. Përtej shijimit të batutës  për të cilat është shumë i njohur ish-kryetari i Partisë Socialiste, në deklaratën e tij ka një reflektim të vetëkënaqësisë  dhe vetëvlerësimit, i cili është problematik në një shoqëri demokratike. Sot kur lexojmë për historinë e themelimit të SH.B.A   gjejmë referenca për George Washington,Benjamin Fraklin, John Adams, Thomas Jefferson, John Jay, James Madison, dhe Alexander Hamilton  që konsiderohen  si Etërit e mëdhenj të themelimit të  demokracisë amerikane, një vlerësim dhe përcaktim që ata nuk e morën në gjallje por shumë më vonë nga studiuesit pasardhës që vlerësuan veprimtarinë e tyre të denjë. Po kështu të njëjtin vlerësim si Etërit themelues të Bashkimit Evropian kanë  marrë dhe Jean Monne dhe Roberst Schuman për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për unitetin dhe çuarjen përpara të idesë së Evropës së bashkuar. Por a mund të vlerësohen me këtë emërtim porsa i përket themelimit të demokracisë shqiptare dhe përfaqësuesit e elitës së viteve 90’ që realizuan transformimin e sistemeve, shumica e të cilëve janë të formuar në korrentet e revolucionit kulturor kinez të viteve 70’ dhe zbrazëtisë ideologjike që afronte i ashtëquajtuara lufta e klasave.

Natyrisht që paralelizmi nuk mund të qëndrojë nëse i hidhet në një shikim të shpejtë veprës së këtyre “etërve” të demokracisë shqiptare dhe arrin të perceptosh se në të nuk mund të ketë shumë gjëra për tu krenuar. Shqipëria përjetoi tranzicionin më të gjatë politik dhe më të dhimbshëm se të gjitha vendet e tjera të ish-lindjes duke u integruar e fundit në NATO dhe duke përfituar e fundit liberalizimin e vizave. Në vitin 1997 vendi, si asnjë vend tjetër i ish-lindjes komuniste shkoi në prag të luftës civile dhe mbi 1/3 e popullsisë emigroi gjatë këtyre, eksod pothuajse biblik që me statistika ia kaloi dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare në shekullin e XV si rezultat i pushtimit otoman të vendit. Sistemi i vlerave materiale dhe shpirtërore që ndërtuan këta  “etër” nuk është një reflektim i shoqërisë së prapambetur shqiptare në krahasim me vendet e tjera lindore si shpesh herë pretendojnë për ti shpëtuar përgjegjësisë para historisë, por një vepër drejtë për së drejtë e sistemit të klientelës servile ndaj pushtetit,nepotizmit rrënues dhe korrupsionit shkatërrues të tyre. Për më tepër ata kanë vrarë dhe shpresën pasi të rinjtë që kanë promovuar në politikë dhe në fusha të tjera të jetës janë një klonim i drejtë për së drejtë i tyre duke mos shkaktuar asnjë ndërrim cilësor elitash që rrjedhimisht do të sillte dhe një zhvillim më të hovshëm të vendit por duke parë se ç’kanë afruar këta të rinj deri tani në politikë mund të vlerësohen kollaj  sipas  shprehjes shqiptare “bëmë baba të të ngjaj”. Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë ka ardhur koha që shqiptarët të fillojnë të përjetojnë rigjallërimin e tyre si komb dhe krahas etërve të pavarësisë shqiptare të fillojnë të krijojnë Etërit e vërtetë të zhvillimit, prosperitetit dhe mirëqenies ekonomike, diçka që fatkeqësisht elitat dhe “etërit” e ndryshimeve të viteve 90’ nuk arritën dot ti krijojnë.