Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ikjet e mëdha të vitit 2007

| E enjte, 27.12.2007, 10:14 AM |


Nga Flori Slatina - 55
     
Homazh per personalitetet e artit dhe kultures qe u ndane nga jeta ne vitin 2007

Disa nga personalitetet më të mëdha të kinematografisë shqiptare, të artit e kulturës sonë janë ndarë nga jeta gjatë vitit 2007. Mes tyre emra të mëdhenj, si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, e së fundi Xhanfise Keko. Ikja e tyre ishte një humbje e madhe për artin dhe shtetit tonë. Ata, deri në çastet e fundit të jetës së tyre ata nuk e ndanë shpirtin e veprimtarinë e tyre në dobi të artit e kulturës. Disa prej tyre e kishin plane të cilat vdekja e la në mes, por mbeti pas emrin dhe veprimtaria e madhe, si një nga gjërat më të çmuara për këtë vend. Ata bënë historinë dhe dhanë kontributin e tyre më të madh në shekullin e XX, ndaj edhe shekulli XX është, pa diskutim, nga shekujt më të rëndësishëm në kulturën dhe artin tonë.

Kadri Roshi, 4 janar 1924 - 6 shkurt 2007
 
Serinë e vdekjeve të mëdha e nisi një emër i madh, “Nderi i Kombit”, aktori i falshëm Kadri Roshi. Ai u nda nga jeta më 6 shkurt, pas një sëmundje të gjatë. Kadri Roshi është ndër figurat më të mëdha të artit tonë teatror e kinematografik. Me mbi 100 role në kinema e teatër, me kryevepra që mbeten në fondin e artë, Kadri Roshi u lind më 4 janar 1924, Mallakastër.
Përfundoi studimet në Prage në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qene ne nder krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jetë prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri te aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Gëzim Erebara, 19 maj 1929 - 12 shkurt 2007

Pak ditë pas vdekjes së Roshit, më 12 shkurt u nda nga jeta në moshën 79- vjeçare regjisori i filmit shqiptar Gëzim Erebara, realizues i disa filmave që kanë mbetur në fondin e artë të filmave shqiptarë si “Vajzat me kordele të kuqe”, apo “Pylli i lirisë”. Gëzim Erebara lindi në 19 maj të vitit 1929 në Dibër. Mbasi mbaron studimet e mesme, në vitin 1948 shkoi për studime në Çeki, ku nisi studimet për regjisurë në Akademinë FAMU në Pragë, pa arritur t’i përfundojë ato. Në vitin 1957 filloi punë pranë Kinostudios “Shqipëria e re” si regjisor e skenarist. Ndër filmat e tij më të mirë numërohen “Në fillim të verës”, fitues i disa çmimeve në Festivalin e Filmit, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Një natë pa dritë”, “Pylli i lirisë”, “Fushë e blertë-fushë e kuqe”, etj. Gëzim Erebara është vlerësuar me disa çmime, si dhe mban titullin “Artist i Merituar”. Veç të tjerash ai do kujtohet edhe në fushën e përkthimit. Falë shqipërimit të tij nga çekishtja, lexuesi shqiptar ka në duar një nga kryeveprat e letërsisë botërore “Ushtari i mirë Shvejk” i autorit Jarosllav Hacek

Sulejman Pitarka, 2 shkurt 1924 - 24 mars 2007

Një tjetër humbje e madhe për filmin dhe teatrin. Më 24 mars u nda nga jeta “Artisti i popullit” Sulejman Pitarka. Lindi më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibër dhe vdiq në Tiranë më 24 mars të vitit 2007, ishte një aktor shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai ka luajtur me sukses rreth 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinema. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, kur ai ishte në moshën tre vjeçare familja e tij u vendos në Durrës. Këtu kaloi fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë.
Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 – ’47) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951, u përzgjodh për t’iu bashkangjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi.

Vitore Nino, 1924 - 25 mars 2007

Një ditë më pas u shua Vitore Nino, aktorja e shquar e teatrit “Migjeni”. Ajo ka lindur në 1924 dhe është themeluese e teatrit “Migjeni”. Nino ka mbaruar institutin dhe biografia e saj fillon me “rolin” e mësueses si në Tiranë dhe Kosovë ku jepte gjuhën shqipe. Rolet e para i ka filluar nga vitet 47-48 dhe ato kanë qënë të shumta. Ajo ka luajtur në drama si me “Loken” por dhe me “Sosen” te “Fisheku në Pajë”. Por ajo ka luajtur edhe te “Baca i Gjetjave” si dhe “Ijen” te “Martesa e Blertës”. Nino ka edhe shumë role të tjera të cilat i ka përkryer me lirshmërinë dhe origjinalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Aktoria shkodrane ka mbi 20-të role kinematografike të cilët janë kryesorë dhe më pak të tillë, por gjithmonë të luajtur me talentin dhe simpatinë që kjo artiste shkodrane ka transmetuar gjithmonë. Vitore Nino është vlersuar me titullin “Artiste e Merituar” për interpretimin dhe përkushtimin e saj skenik dhe artistik.

Ilia Xhokaxhiu, 28 gusht 1948 - 7 maj 2007

Në 7 maj u nda nga jeta piktori dhe skenografi Ilia Xhokaxhiu, njëherësh drejtor i AQSHF. U lind më 28 Gusht 1948 në Tiranë. Diplomoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 1973. Xhokaxhi ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar si skenograf , si dhe në “Alba Film Studio” ku ka realizuar 34 filma artistike me regjisorët më të njohur të kohës. Ndër këto filma përmenden “Shëmbja e idhujve”, “Mësonjtorja”, “Një emër midis njerëzve”, ”Gjeneral Gramafon”, ”Përballimi”, “Dollia e dasmës sime”,” Prilli i thyer”,”Pas vdekjes”, ”Vrasje në gjueti”, ”Nekrologji”, ”Vitet e pritjes”, “Nata”,”Dasma e Sakos”. “Funeral bussines”. Ai është nderuar me shumë çmime të para si skenograf dhe kostumograf. .

Violeta Manushi , 5 mars 1926 - 27 korrik 2007

Pas dy kolosëve të skënës, Roshi e Pitarka, në 26 korrik u nda nga jeta një tjetër figurë e madhe Violeta Manushi. U lind më 6 mars 1926 në Tiranë. Ajo ishte një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës, aktive edhe pas 48 vjetësh! Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi. Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977.

Boris Plumbi, 27 shkurt 1923 – 30 maj 2007

Në muajin maj u nda na jeta në moshën 84-vjeçare, pianisti historik i Korçës, Boris Plumbi. Ishte lindur në Sofje më 27 shkurt të vitit 1923. Biri i një diplomati shqiptar në Bullgari, mbeti jetim fare i vogël dhe për të do kujdesej e ëma e cila rridhte nga familja e mirënjohur korçare, Nikolla. Në vitin 1926 familja Plumbi kthehet në atdhe dhe vendoset në Korçë. Borisi, shkollën fillore e kryen në kolegjin “Kenedi” të misionit amerikan në qytet. Më vonë vazhdon studimet në Liceun Francez, të cilin e përfundon në 1943. I edukuar në ndikimin e nënës së vet ai që në moshën 7-vjecare hyri në rrugën e artit. Në 1930 merr pjesë në një koncert të organizuar nga shoqëria “Lira” në një shfaqje baleti, ku me partneren e tij, vogëlushen Antoneta Llambi, luajnë një minuetë nga opereta “Don Juan” të Moxartit e cila ishte përgatitur për skenën nga mësuesja franceze Bigu. Në vitet që pasojnë ai jepet tërësisht pas pianofortit. Nga viti 1935 ai ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë dhe shfaqjet muzikore që organizoheshin në qytetin e Korcës. Për shumë vite ka drejtuar sektorin e muzikës në Radio Korça dhe në Pallatin e Kulturës, ngriti dhe drejtoi grupe muzikore e amatore në qytet. Ka udhëhequr personalisht përgatitjen artistike të operës “Agimi” dhe “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos. Për talentin e tij në fushën e muzikës në vitin 1958 Borisi transferohet si pianist pranë Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë si koncertmaestër dhe si solist.

Lec Shllaku , 3 nëntor 1921 - 5 gusht 2007

Në fillim të muajt gusht u nda nga jeta Lec Shllaku, regjisori i teatrit dhe aktori i disa roleve. U lind më 3 nëntor 1921 në qytetin e Shkodrës. Shkollën fillore e kreu në “Shkollën Fretnore” dhe të mesmen në gjimnazin “Illyricum”, si kolegjial. Klasën e fundit dhe maturën e merr në shkollën “28 Nëntori”. Më pas përfundon shkëlqyeshëm institutin 2-vjeçar dhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi. Ai punoi dy vjet në Tiranë në Teatrin Qëndror të Ushtrisë e më vonë si regjisor në Shkodër. Në vitin 1962 hapi dhe drejtoi teatrin profesionist “Skampa” të Elbasanit. Aty qëndroi për 10 vjet. Vuri në skenë dramat: “Linda”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “I pesti u zu gjallë”, “Udha e gjatë”, “Udha e zavalinajve”, “Firmat e vogla”, “Skënderbeu”, “Shqetësimet e Sokratit”, “Rrethimi i Bardhë” etj. Perveç skenës teatrore, ku dha ndihmesë si regjisor dhe dramaturg, Leci interpretoi në shumë filma artistike si tek “Skënderbeu”, “Para agimit”, “Plumba Perandorit”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Qortimet e vjeshtës”, “Larg barbarëve”, “Yjet e netëve të gjata” etj. La mjaft vepra, dorëshkrime, punime artistike, romane, tregime, novela, monografi, kujtime. Në pesë vitet e fundit të jetës botoi 7 libra, ndër të cilët librin me përshtypje udhëtimi: “Dy hapa në Perëndim”, i cili është botuar në italisht dhe greqisht. Për kontributin dhe vlerat që dha, Lec Shllakut i është akordua titulli “Artist i Popullit” dhe, së fundi, nga Bashkia e Elbasanit titulli “Qytetar Nderi”.

Faruk Begolli, 14 shkurt 1944 - 23 gusht 2007

Ikona e teatrit dhe mjeshtri i filmit i ka mbyllur sytë në fund të gushtit 2007. Si aktor ai theu paragjykimet që ekzistonin në territorin e ish- Jugosllavisë. Faruk Begolli ka lindur në Pejë më 1944. Ai ishte ndër aktorët e parë kosovarë që studiuan Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd, ku edhe u diplomua në vitin 1966. Në moshën 33 vjecare, Begolli kishte lënë pas vehtes 33 filma, shumica e të cilëve kishin për autorë regjisorët më në zë të asaj kohe në ish-Jugosllavi. Në tërësi, janë rreth 70 filma në të cilët ka luajtur Faruk Begolli. I lidhur shumë me filmin, Begolli do t’i largohej paksa teatrit. Megjithatë ai do të kthehej për të realizuar role të shkëlqyera. “Si regjisor dhe si drejtor i teatrit “Dodona” ai po ashtu ka merita të jashtëzakonshme. Ka drejtuar teatrin “Dodona” në një kohë kritike, kur jeta kulturore në Kosovë praktikisht ka qenë e vdekur tërësisht. Historia e këtij teatri është mbase një prej historive më të veçanta të teatrit në botë. Pjesën kryesore të kësaj historie e ka krijuar Faruk Begolli, me të cilin shpesh edhe identifikohet ky teatër.

Avni Shehu, 1933 - 1 shtator 2007

Avni Shehu u lind në Tiranë në vitin 1963. I pasionuar pas muzikës , ai mbaroi Liceun artistik “Jordan Misja” dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Akademinë e Arteve. Shehu kishte një përvojë të konsiderueshme në TKOB, duke qenë fillimisht si korist e më pas që nga viti 1995, solist në TKOB. Në vitin 1995 realizon rolin e tij të parë në skenë. Ka realizuar një sërë rolesh në TKOB si në operat Monterones nga opera “Rigoleto”, Leporolo dhe njëkohësisht edhe rolin e Mazetos nga opera “Don Giovani”, Cosi fan tute”, Bartolo dhe konti Almaviva nga Oera “Dasma e Figaros” , “Il maestro di Capella”, “Requiem” nga Moxart, bashkimin nga “Oirat” e Peçit , Filiberton nga “Il signore Bruschino”, etj. Një paraqitje të suksesshme ka pasur edhe në koncerte e festivale kombëtare e ndërkombëtare siç ka qenë rasti i Festivalit të Romancës, Festivali “Marie Kraja”, etj.

At Zef Pllumi, 7 prill 1924 - 26 shtator 2007

At Zef Pllumi lindi në vitin 1924, në Malin e Rençit (Lezhë), vdiq më 26 shtator të vitit 2007 në Romë, ishte shkrimtar shqiptar. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, ku ndjek ciklin e arsimimit klasik me mësues personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, At Gjon Shllaku e të tjerë ku, veç të tjerash, përvetëson dhe mjaft gjuhë të huaja. Gjatë viteve 1943-1944 është bashkëpunëtori më i ri i revistës Hylli i Dritës dhe sekretar personal i At Mati Prendushit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri (Shkalla më e lartë hierarkike). Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në fund të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet famëkeqe të Bedenit dhe Orman-Pojanit. Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë at Zefi, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Por u gabuan rëndë. Në vitin 1956 shugurohet meshtar dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. Me ardhjen e demokracisë rifillon meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë (25 dhjetor 1990). Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për at Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, etj. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Po në vitin 2006 At Zef Pllumi merr çmimin letrar Penda e Artë për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Serafin Fanku, 24 maj 1937 - 29 shtator 2007

Në fund të shtatorit u nda nga jeta në moshën 70-vjeçare aktori dhe regjisori i shquar “Artisti i popullit” Serafin Fanku. U lind në Shkoder, me 24 maj 1937. Kreu studimet e larta ne Akademine e Arteve ne Prage, (Ceki) ndersa i perfundoi ne Institutin e Larte te Arteve ne Tirane. Aktori dhe regjisori, skenografi dhe kostumografi, “Artisti i Popullit” Serafin Fanko ishte i integruar prej vitesh ne nje hapesire te gjere mbarekombetare me vepren e tij shumedimensionale. Regjisori i mbi 150 veprave, duket se ai nuk e ka pasur te lehte rrugen e karrieres. Fillimet artistike i nisi me mesimet e pianos, me pas ndoqi nje kurs pikture, u mor me balet dhe pastaj me fushen e artit skenik, qe e beri te njohur edhe jashte kufijve. Vepra e pare, e vene ne skene nga regjisori Fanko, eshte opereta “Me ne eshte gezimi”, ne vitin ’84. Eshte fituesi i shume cmimeve ne aktivitetet kombetare dhe nderkombetare, nder te cilet spikat cmimi per dramen “Quo vadis”. Ne veprimtarine e tij artistike ka bashkepunuar me teatrin e Shkodres, Durresit, Tiranes, Lacit, Lezhes, si dhe me teatrin e Shkupit, Podgorices, Malit te Zi dhe te Turqise. Loja e tij aktoreske ka qene nje shembull i vecante per studentet e dramaturgjise, nderkohe qe Fanko perbente nje model te vecante edhe ne gjetjet e tij regjisoriale.

Vangjel Heba, 11 mars 1933 – 18 nëntor 2007

Vangjel Heba lindi në vitin 1933 në qytetin e Durrësit në një familje të njohur qytetare. Shkollën 7-vjeçare dhe atë të mesme i kreu në qytetin bregdetar. Që në këtë moshë spikatën aftësitë e tij në fushën skenike. Në fillim të viteve ’50 Heba nis punën aktor në Teatrin e Ushtrisë në Tiranë, ndërsa më 11 janar të vitit 1953 ai do të bëhej një nga aktorët themelues të teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit. Në skenën e këtij teatri, Vangjel Heba u shqua si aktor i roleve të fuqishme dramatike, duke interpretuar role të heronjve kryesorë. Ai mbahet mend dhe për rolet e interpretuara në një tjetër gjini shumë të pëlqyer të teatrit. Kështu, nuk kanë munguar edhe rolet e suksesshme në komedi të ndryshme. I njihen më shumë se 120 role në teatër, mes të cilave kanë spikatur, Petriti te “Familja e peshkatarit”, Anjuckin te “Martesa” e Gogolit, Adem Reka te “Flamur në stuhi”, Breti te “Rrënjë të thella” etj. Kontributi i Vangjel Hebës është mjaft i njohur edhe në kinematografi. Ai ka krijuar 26 figura të ndryshme në filmat “Nëntori i dytë”, “Toka jonë”, “Malet me blerim mbulur”, “Furtuna”, “Njësiti gueril” etj. Gjatë karrierës së tij të gjatë artistike, Heba ka provuar me sukses dhe regjinë teatrale. Ai vuri në skenë disa pjesë duke shfaqur edhe talentin e tij si regjisor. Dramat dhe komeditë “ Njerëz mbi shkëmb” dhe “Revizori” mbajnë firmën e regjisorit Vangjel Heba.

Viktor Gjoka, 4 korrik 1922 - 24 nëntor 2007

Në Itali u shua një prej aktorëve të shquar Viktor Gjoka. U lind më 4 korrik të vitit 1922 në Tepelenë, është aktor i njohur shqiptar. Aktivitetin e tij artistik e filloi që në rininë e tij me amatorët. Në Teatrin Kombëtar u pranua në vitin 1946 dhe punoi deri në vitin 1971. Ndër rolet e tij më të suksesshme përmendim pjesët “Revizori”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Fytyra e dytë”, “Karnavalet e Korçës”, etj. Shquhej për humorin e hollë dhe interpretimin e shkëlqyer të roleve. Në vitin 1959 merr një bursë për studime në BS, ku studion për dy vjet dhe me ndërprerjen e marrëdhënieve në vitin 1961 kthehet në Tiranë dhe i vazhdon ato në Konservatorin e Tiranës. Në Teatrin Kombëtar rikthehet në vitin 1991, pas një mungese të gjatë prej më shumë se dy dekadash, ku fillimisht e shohim në rolin e Spirakes në komedinë rumune “Valsi i Titanikut” dhe më pas në komedinë “Revizori”, me regji të vetë Viktorit. Veprimtaria e tij artistike është e suksesshme sidomos në Estradën e Tiranës. Edhe në filmin artistik ka interpretuar disa role.

Merita Sokoli, 1926 - nëntor 2007

E konsideruar si aktorja e pare shqiptare, Merita sokoli u shua ne SHBA, ne moshen 81-vjeçare. Ajo ka qene aktorja e pare ne filmin “Takim ne liqen” te Mihallaq Mones, nje film i metrazhit te shkurter i vitit 1943. Lindi ne 1926 ne Korçe. E nisi karrieren si kengetare ne Radio Tirana., ku shkelqeu ne vitet 41-44. Me pas u denua nga regjimi komunist. Jeten e kaloi ne Kavaje, dhe ne 1991 iku ne SHBA, ku mbylli syte.

Xhanfise Keko, 27 janar 1928 - 23 dhjetor 2007

Vdekjet e mëdha mbyllen me regjisoren e shquar të flimave për fëmijë Xhanfise Keko. Ajo u lind në Gjirokastër në një familje me tradita. Pas mësimeve të para, në vitin 1950, kryen një specializim në Bashkimin Sovjetik, për kinematografi. Pas studimeve në vitin 1952, fillon punë në kinostudion “Shqipëria e Re”, si asistente regjisore. Më vonë punoi si regjisore montazhi e paralelisht si regjisore filmash dokumentarë e kronikale, ku realizoi disa filma me temë nga jeta e përditshme, ku përmendim “Tregim për njeriun e punës” (1963), “Ata çajnë përpara” (1964), “Tingujt dhe fëmijët”(1970) etj. E nisi krijimtarinë e saj me filmin artistiko-dokumentar, “A, B, C... ZH” në vitin 1972. Një histori fëmijësh në një kopsht të kryeqytetit. E zgjeruar kjo temë dhe me një vështrim artistik vjen në dy vitet e mëpasme në filmat “Kryengritje në pallat”, “Qyteti më i ri në botë” dhe “Mimoza llastica”. Filmi i fundit i saj, “Taulanti kërkon një motër”, që ishte edhe filmi i saj i 11-të artistik, e çoi atë drejt titullit të lartë “Artiste e popullit” në vitin 1985.

***

Viti 2007 ka pasur edhe pjesen e tij te trishtuar, duke larguar prej nesh keta personalitetete rendesishme per kulturen dhe artin tone. Ai mori disa emra te medhenj, te cilet i kane sakrifikuar jeten e tyre per kete vend.
Gjithsesi, keto figura te nderuara kane lene pas emrin e tyre, per t’u kujtuar brez pas brezi ne vitet qe vijne. Mirenjohje e respekt per ta, per vepren e tyre te pavdekshme!