E shtune, 04.02.2023, 06:11 AM (GMT)

Kulturë

Një studim i ri: “Kur dhe Ku u shkrua Dhiata e Re”

E hene, 24.12.2007, 12:38 AM


Nga Laura Konda

Studjuesi i periudhës së Rilindjes Shqiptare Thanas Gjika, i cili ka emigruar që prej 11 vjetësh në Shtetet e Bashkuara, u prezantua kohët e fundit para publikut shqiptar me një vepër, tema e së cilës është e re për për lexuesit shqiptarë. Libri “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” sjell fakte të reja mbi udhëtimet në Iliri të Shën Palit, i cili është një figurë historike dhe që njihet si një misioner i rëndësishëm i fesë së Krishterë. Siç njofton kolegia jonë Laura Konda, libri “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” sjell fakte të reja mbi fillimet e Krishtërimit në Shqipëri.

Hulumtimet mbi fillimet e Krishtërimit në Shqiperi janë pak të lëvruara nga studjuesit shqiptarë. Së fundi, lexuesit kanë në duart e tyre në gjuhën shqipe, një studim të tillë të botuar, me titullin “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e re”. Autori, i librit, Thanas Gjika, studjues i njohur i Periudhës së Rilindjes Kombëtare, që ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, autor i monografisë “Mihal Grameno, publicist demokrat” (1980), ka imigruar në Shtetet e Bashkuara që prej 11 vjetësh. Vitet larg vendit, duket se nuk ia kanë shuar dëshirën dhe vullnetin për të hulumtuar në fushën e letërsisë dhe të historisë.

Zoti Gjika thotë se puna e tij e mëparshme studimore e ka ndihmuar së tepërmi në hartimin e veprës së re. "Kjo punë më përgatiti mua që të krijoj një “Questionnaire” (pyetsor) të saktë për letrat e Dhiatës së Re, për të gjetur se kush e shkroi, ku e shkroi, kur e shkroi, ku e dërgoi, me kë e dërgoi, cili është problemi kryesor, në ç’rrethana ka lindur problemi që trajtohet në këtë apo atë letër a fragment letre. Duke studjuar biografitë e autorëve të Dh R, përgjigja ndaj këtyre pyetjeve më shpuri në përcaktime të reja për kohën dhe vendin e hartimit të letrave dhe ungjijve të Dhiatës së Re."

Studjuesi Gjika thotë se vepra e tij mundi të realizohej në saje të përvojës së tij hulumtuese, por edhe të burimeve të shumta bibliotekare në Shtetet e Bashkuara, që ai mblodhi pikërisht në Bibliotekën e Atlantik Union College, atë të Worcesterit, etj. E pyetëm autorin se cila është arritja kryesore e veprës së tij:

"Arritja kryesore është se Apostulli Pal, përhapësi kryesor i krishtërimit në popujt jojudenj, kishte punuar dhe në territoret e Shqipërisë së sotme, që në atë kohë ishin Maqedonia Perëndimore dhe Iliriku i Jugut, si dhe në qytetin e lirë të Durrësit. Këtë gjë e kishte thënë disi vetë Pali dhe disa historianë si Danile Farlati, Marin Barleti, Edwin Jasques, Kristo Frashëri, etj; por unë vërtetova që Shën Pali, jo vetëm kishte qenë në këto anë, por dhe që në qytetin e lirë të Durrësit, ai kishte shkrojtur dy letra të rëndësishme. “

Sipas studiuesve të Krishtërimit, Apostulli Pal ka qenë një nga misionarët më të rëndësishëm të Krishtërimit, përhapësi kryesor i tij në popujt jo-hebraike. Libri “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” ka vlera të veçanta për albanologjinë dhe historinë e Krishtërimit, pasi në të ritheksohet se Ilirët ishin një popull autokton dhe jo i ardhur në gadishull mbas shekujve 5-6, sic pretendojnë disa studjues jomirëdashës të shqiptarëve.

Autori Thanas Gjika thotë se ka disa burime, apo fakte që vërtetojnë vizitat e Apostullit Pal ne vitet ’50 dhe ‘60 të shekullit të Parë në trojet Iliri të asaj kohe dhe pikërisht, në Zadrimën e Sipërme, në qytetet Lissos (Lezha) dhe Dyrrah (Durrës):

“Burimin e parë e përbëjnë vetë letrat e Palit. Ai thotë se ka predikuar fjalën e Zotit në një qark që nga Jeruzalemi e deri në Ilirik (Rom. 15:19).

Një tjeter fakt ku eshte bazuar studjuesi Gjika per te arritur në përfundimin e vizitave te Apostullit Pal në Shqipëri, është një dëshmi e historianit Marin Barleti: “Vetë Barleti, duke folur për princin shqiptar Pal Dukagjini, tregon se ky ruante në Zadrimën e Sipërme monumente prej mermeri ku vërehen disa gjurmë, nga të cilat kuptohet me një mënyrë të mjaftueshme se po këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishtit. Këto monumente prej mermeri, që ne sot nuk i dimë ku janë, ose që janë shkatërruar gjatë pushtimit otoman, kanë ekzistuar në atë kohë dhe prifti historian Marlin Barleti, i ka parë me sytë e tij. Kjo dëshmon se në Zadrimën e Sipërme, ku jetonte princi Pal Dukagjini, ruheshin deri në shekullin e XV monumente që mund të konsiderohen si dëshmi dokuementare të vizitës së Shën Palit aty.”

Studiuesi Gjika e vërteton ndalesën e Shën Palit në Durrës dhe me anë të ndjekjes së udhëtimit të nxënësve të tij. Po ashtu, shton ky studiues, një tjetër fakt që provon vizitat e Apostullit Pal në territore të Shqipërisë së sotme, është ekzistenca e disa toponimeve dhe legjendave që lidhen me emrin e Shën Palit. Në Tiranë, prapa Malit të Dajtit, ka një fshat dhe një zonë me 14 fshatra me ketë emer; në Mirditë ka një fshat me po këtë emër dhe legjenda për Shën Palin. Kepi i Pallës në Durrës, Lumi Pavlla në jug... të gjitha këto emra, pas provave të mësipërme, thotë studjuesi Gjika, duhen konsideruar si gjurmë të punës misionare të këtij Apostulli.

Libri “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re”, është vlerësuar prej mjaft nga studiuesit shqiptarë, por, pasi të përkthehet e botohet anglisht, thotë z. Gjika, do të marrë vlerësimin edhe të specialistëve të huaj të Dhiatës së Re.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora