E marte, 23.04.2024, 09:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Zhongleri i Shën Mërisë

E marte, 25.12.2007, 01:33 AM


Nga Paulo Coelho

Na ishte një familje me emrin Bukhard në vendin që ne sot e quajmë Austri, rrëfen një legjendë mesjetare, që përbëhej nga burri, gruaja dhe një djalë. E kishin bërë zakon të zbavitnin të ftuarit në mbrëmjet e Krishtlindjeve me recitime poezish, këngë baladash të hershme trubadure dhe zhonglime. Parà të lëna mënjanë për të blerë dhurata nuk kishin, kjo dihej, mirëpo babai i thoshte vazhdimisht djalit të tij: “A e di ti përse thesi i Plakut të Vitit të Ri nuk boshatiset kurrë, edhe pse ka kaq shumë fëmijë në botë? Patjetër, aty ka shumë lodra, por nganjëherë janë më të rëndësishme disa gjëra të tjera që ka brenda, që ne i quajmë “dhurata të padukshme”. Në një shtëpi me probleme, ai përpiqet të sjellë harmoni dhe paqe në këtë natë të krishterimit. Në zemrat e fëmijëve pa dashuri, ai lë farën e besimit. Aty ku e ardhmja duket e errët dhe e pasigurt, ai sjell shpresë. Në rastin tonë, Plaku i Vitit të Ri vjen një ditë më vonë të na bëjë vizitë dhe ne jemi të lumtur që jemi ende gjallë dhe bëjmë punën tonë, që është të zbavitim njerëzit. Këtë mos e harro kurrë”.
Kaloi kohë, djali u rrit dhe një ditë familja kaloi pranë manastirit mbresëlënës të Melk-ut, që sapo ishte ndërtuar.
“Baba, a të kujtohet, vite të shkuara, kur më tregove historinë e Plakut të Vitit të Ri dhe dhuratave të padukshme? Ta dish, edhe unë e kam marrë njëherë një dhuratë të tillë: është pasioni që të bëhem prift. Pa shih, a nuk të duket se tani e hodha hapin e parë drejt ëndrrës sime?”
Edhe pse kishin nevojë për praninë e të birit, prindërit e kuptuan dhe e respektuan dëshirën e tij. Ata trokitën te porta e manastirit dhe u pritën me dashuri e nderim nga murgjit, që e pranuan djaloshin Buckhard si rishtar.
Kaloi njëzetekatër dhjetori. Atë ditë ndodhi një mrekulli e rrallë në Melk: Maria, me Jezusin foshnje në krahë, vendosi të zbresë në tokë për të vizituar manastirin.
Gjithë priftërinjtë u rreshtuan në një qëndrim krenar përpara Virgjëreshës Mari, duke e nderuar atë dhe Djalin e saj. Njëri prej tyre shfaqi piktura të mrekullueshme që e zbukuruan vendin, një tjetër i tregoi një kopje të Biblës njëqindvjeçare me ilustrime, ndërsa i treti recitoi emrat e gjithë shenjtorëve. Kur mbaruan të gjithë, djaloshi Buckhard kuptoi me ankth se tani i erdhi radha atij. Prindërit i kishte njerëz të thjeshtë dhe i patën mësuar vetëm të hidhte topa në ajër dhe të zhonglonte me to.
Tani që mbeti vetëm ai, priftërinjtë e tjerë deshën ta mbyllnin ceremoninë, ngaqë druanin se ish-zhongleri nuk kishte çfarë t’i shtonte më, madje mund ta dëmtonte imazhin e kuvendit.
Por djaloshi, me zemrën plot, kishte një dëshirë të madhe që të jepte edhe ai diçka nga vetja për Jezusin dhe Virgjëreshën. I mbuluar nga turpi përballë vështrimeve ngulmuese të murgjve, ai nxori ca portokalle nga xhepi dhe filloi t’i hidhte lart dhe t’i priste në duar, duke krijuar një rreth të mrekullueshëm në ajër, siç e bënte atëherë me prindërit kur shëtisnin në të gjitha panairet e krahinës.
Në çast, Jezusi foshnjë, që rrinte në krahët e Virgjëreshës Mari, filloi të përplasë duart me gëzim. Djaloshi Buckhard bëri që Virgjëresha t’ia lirojë duart dhe ta lërë foshnjën të qeshë për disa çaste.
Legjenda thotë në fund, që falë kësaj mrekullie, në çdo dyqind vjet një Buckhard i ri troket në derën e manastirit të Melk-ut, pritet me dashuri dhe gjithë kohën sa rri aty, ua ngroh zemrat gjithë njerëzve që e takojnë.

Përkthimi në shqip nga Durim Taçe

Coelho në “Gazeta Shqiptare

Çdo vit, ditën e Krishtlindjeve, Paulo Coelho, shkrimtari më i lexuar në gjithë botën ndjek një traditë të veçantë. Shkruan një rrëfenjë për të gjithë lexuesit dhe adhuruesit e tij dhe e boton në gazetat më të rëndësishme të botës. Këtë traditë, si një takim virtual me lexuesit e tij, pikërisht ditën e Krishtlindjeve e zhvillon që prej tre vitesh edhe me lexuesit shqiptarë.
Në Shqipëri, Coelho përmes botuesit të tij në Tiranë, Fatmir Toçi (Shtëpia Botuese “Toena”) ka zgjedhur “Gazeta Shqiptare”, për të botuar rrëfenjën e tij të Krishtlindjeve. Dy vite më parë, në takimin e parë për Krishtlindje të shkrimtarit me lexuesin shqiptar, botuam “Rrëfenjë Krishtlindjesh: Një vend në parajsë”, një rrëfenjë mbresëlënëse me mesazhe të qarta për paqe dhe dashuri. Vitin e kaluar, Coelho kishte rezervuar për lexuesit një rrëfim të thellë filozofik me titull “Sandalet e Zhozesë”, i cili krahas “Gazeta Shqiptare” u botua po këtë ditë në gazetat më të mëdha në Europë, Amerikë, Azi, etj.
Ndërsa këtë vit, në takimin e tretë me lexuesit e tij në të gjithë botën, Coelho ka shkruar një rrëfim të ri me titull “Zhongleri i Shën Mërisë”. Këtë herë, Coelho na drejton kah bota e besimit përmes një legjende që flet për një djalosh zhongler që u gjend një ditë përballë Shën Mërisë dhe Jezusit foshnje...
Paulo Coelho është i njohur në Shqipëri me një varg romanesh të rëndësishëm botuar nga “Toena” si “Alkimisti”, “Veronika vendos të vdesë”, “Mali i pestë”, “Pelegrini i Kompostelos”, “11 minuta”, “Zahiri”, “Djalli dhe zonjusha Prym”, dhe romani i fundit “Shtriga e Portobellos”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora