E shtune, 20.04.2024, 05:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Telemaku dhe bilanci kontabël

E hene, 15.11.2010, 09:05 PM


3.- TELEMAKU DHE BILANCI KONTABËL

 

Nga cikli me tregime “Qyfyret e Telemakut” i Luan Çipit

 

Viti 1966 e gjen Telemak Xhaxhon Shef Finance në Ndërmarrjen Ushqimore të qytetit të Vlorës. Ai u kërkua me vendosmëri dhe u vendos këtu si dorë e fortë, duke qenë specialist i aftë finance, megjithëse kish një pozicion kyç në Ministri dhe ata u detyruan ta lëshojnë me keqardhje, pas ndërhyrjes nga lart ;

 Ndërmarrja Shtetërore Ushqimore e Vlorës, më e madhja në jug të vendit, ishte me rëndësi kombëtare si qendër industriale me shumë fabrika, sa në Vlorë Himarë e deri në Sarandë, për prodhim vaj ulliri e lule dielli, fabrikë sapuni gjithfarësh në Zonën Industriale të Vlorës, fabrika  makaronash, kantina verë rakie dhe për pije alkoolike, që furnizonin Vlorën, Sarandën dhe Fierin, po edhe për eksport në vendet e lindjes. E administruar keq e nga njerëz të pa aftë, dembel e deri abuzues, kjo ndërmarrje e rëndësishme kombëtare kishte 5 vjet rresht që dilte me humbje, merrte donacion shtetëror dhe ishte vendosur për faliment financiar e mbyllje aktiviteti. Si përpjekje e fundit për mbijetesë u  bë një ndryshim total në personelin drejtues, inxhinjero teknik dhe administrativ. U zgjodhën, nga ishin dhe nga s’ishin të kërkuar në Institucione e Ministri, kuadrot më të mira, kryesisht vlonjate, duke sakrifikuar, dëmtuar e dobësuar sadopak vendet e tyre te mëparshme të punës. Kështu u zgjodh edhe Telemak Xhaxhua, që la detyrën e Kryerevizorit në Ministrin e Industri Minierave dhe u emërua Kryetar i Degës Financiar të Ndërmarrjes Shtetërore  Ushqimore të Vlorës. Ai banonte pranë familjes së tij në fshatin Nartë dhe vinte në qëndron e vetë të punës në qytetin e Vlorës, duke lëvizur me biçikletën e tij të vjetër dalëboje.

Pa kaluar dy vjet gjendja financiare e ndërmarrjes u shëndosh dhe mbi bazën e një disipline të fortë dhe të masave ekonomiko financiare efikase, duke vendosur  një regjimi të rreptë kursimi e kontrolli, si dhe të kujdesit teknik për shfrytëzimin optimal të makinerisë, punës me tre ndërresa, që ndikoi direkt ne rritjen e rendimentit dhe kursimin e lëndëve djegëse, u shtua prodhimi dhe u ul kostua, Kjo solli fitime të konsiderueshme, që e vuri ndërmarrjen në pararojë në shkallë vendi.

Dhe pikërisht në këtë kohë, në një drejtim të caktuar spikati shkathtësia dhe u zbulua një tjetër “qyfyr i Telemakut”, që u bë shkak edhe për këtë rrëfenjë.

Edhe Telemaku, me stafin e tij te ekonomistëve dhe financierëve pati ndikimin e vetë për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e ndërmarrjes nga humbja shumë vjeçare. Ata, sipas shembullit të shefit të tyre të palodhur, punonin ditë e natë me orar të zgjatur dhe pa pushime javore. Pra lodheshin mbi shkresa, dokumente e llogaritje, bënin analiza financiare, gjenin mangësi e dobësi dhe programonin e ndërmerrnin masa përmirësuese, dhe rezultatet i sintetizonin në bilancet periodike kontabile, që pasqyronin në dinamik gjendjen e re financiare pozitive.

Këta njerëz të ndërgjegjshëm lodheshin dhe e kishin hak fjalën e mirë dhe inkurajimin e mëtejshëm. Po të tjerë, në udhëheqje të aparatit shtetëror lokal e qendror e në Parti vazhdonin rutinën e punëve të zakonshme, tejet burokratike, siç ishte karakteristike e sistemit socialist të ekonomisë. Bënin mbledhje e kontrolle, mbanin konferenca politike dhe shisnin ideologji. Këto Telemaku punëtorë, i ndërgjegjshëm e me sens praktik, si shumë të tjerë, nuk i pëlqente dhe i përbuzte. Këta lloj njerëzish, thoshte Telemaku, veç shesin mënd kot së koti.

Pikërisht, qysh herët në një mëngjes pune, hapi derën fare pa trokitur një i tillë burokrat, shoku Ismail, ish bashkënxënës me të. Ai, tani kapadai i nxitur nga vendi i tij i punës si Kryerevizor i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, i flet nga larg Telemakut dhe i thotë:

-Erdha unë, siç të thash në telefon, për të bërë analizën ekonomiko financiar të vitit, sipas dokumenteve kontabile dhe rezultateve të arritura. Prandaj më duhet bilanci kontabël vjetor dhe anekset e tij.

-I dashur Malo. Ti këtu je kompetent dhe si i shtëpisë. Merre vetë bilancin, bashkë me relacionin dhe anekset e tij, në dollapin e akteve qe e kam lënë hapur apostafat. Atje i ke bilancet radhë dhe çdo gjë që të duhet. Do ti jepja vetë, për të të nderuar edhe më shumë, siç e meriton, po unë po përgatitem se duhet të takoj Drejtorin, mbasi jemi para mbledhjes së Këshillit Teknik të Ndërmarrjes, ku vjen edhe një i deleguar i Ministrisë.

Malua, qe hiqej vërtet si kompetent po i ngelur pas shokëve të kategorisë së Telemakut, i kënaqur për besimin, ashtu siç qe edhe ca naiv e i pakujdesshëm, nga dollapi zgjodhi të parin bilanc kontabël dhe ju fut punës për ta analizuar sipas tij me kompetencë superiore gjendjen ekonomiko financiar të ndërmarrjes. Punoj atë ditë dhe dy dite te tjera më pas, pa u këshilluar me tjetër kënd, se i dukej se do zbulohej paaftësia e tij dhe do i ulej autoriteti. Përfundimisht  edhe mbështetur kryesisht te relacioni analizues i bilancit, formuloi një raport analize me 5 faqe, që e shtypi vetë në makinë shkrimi. Formuloi i gëzuar materialin për analizën në Këshillin Popullor të Rrethit, ku gjendjen financiare e quajti katastrofale , ndaj propozoi dhe masa disiplinore te rrepta për shkaktarët dhe shkelësit sipas pozicioneve, për Drejtorin shkarkim dhe për shef Telemakun, paralajmërim për pushim nga puna.

Raporti u lexua në  Këshillin e Rrethit nga vetë Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, që ishte edhe ai një tip fodulli, njësoj si Malua dhe vetëm sa mburrej me meritat e tij të luftës.

Kryetari pasi lexoj materialin dhe masat e propozuara kërkoj shpjegime.

Drejtori Ndërmarrjes Ushqimore, që ishte afër Telemakut i thotë atij me zë të ulët: -Ç’na ke bërë  more Telemak? Ne kemi dy vjet me  rezultate shumë të mira dhe me fitim, ndërsa këtu numërohen humbje kolosale dhe flitet për gjendje katastrofale ekonomiko financiare!

-Më lër mua te flas, ndërhyn Telemaku, se e di mirë dhe do ta shpjegoj qartazi katrahurën që ka sajuar budallai  dhe ngre dorën.

-Jo, jo thotë Kryetari. Të jap llogari Drejtori.

- Një pyetje kam, shpejton pa marrë leje Telemaku,  Për cilin bilanc kontabël bëhet fjalë?.

-Për vitin që kaloi, thotë Malua, natyrisht për vitin 1967.

-Po nuk duhet të jetë kështu, se ne ç’është e vërteta kemi dy vjet me fitim, aq sa jemi quajtur nga Dikasteri  për vitin e shkuar si Ndërmarrja më e mirë e vendit. Ju lutem, ta shohim bilancin kontabël që analizuat!

-Ja ku është  dhe Malua me krenari e siguri e ngre bilancin lart, ku  u pa nga të gjithë fare qartë  se aty shkruhej me germa të mëdha “viti 1965.”

-Po, për vitin 1965, për tre vjet përpara,  çështja ka kohë që është analizuar dhe për atë u morën masa dhe u shkarkua i gjithë personeli. Tani, me ne, që nga Ministria kemi marrë flamurin si më të mirët, çfarë keni?

Kishte ndodhur ajo që pritej, e përgatitur me ustallëk nga vetë Telemaku: Malua kishte marrë në dollapin e bilanceve atë që gjeti të parin dhe që enkas e kishte vënë ashtu Telemaku, megjithëse po ti kishte hapur sytë dhe të kërkonte vitin, do ta gjente lehtë, se  aty më poshtë tij ishte dhe  bilanci kontabël i vitit 1967, që kërkohej.

Pa marrë ndonjë masë të rreptë nuk mund të mbaronte mbledhja e Këshillit, ndaj u pushua  nga puna ai që e meritonte, Malo Ziu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora