E enjte, 25.04.2024, 05:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadare: E kam shkruar për të parandaluar orën e keqe

E diele, 14.11.2010, 08:59 PM


Nga Oliverta Lila 

 

“Mosmarrëveshja”

 

Sprova letrare, “Mosmarrëveshja mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”, rikthen debatin mbi identitetin. Libri është promovuar dje në Panairin e Librit, në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”, ku shkrimtari ka firmosur librat e tij

Ismail Kadare i kthehet edhe njëherë debatit të identitetit. Shkrimtari i njohur ka zgjedhur këtë herë të flasë përmes një sprove letrare. “Mosmarrëveshja mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” është gati një manifest për identitetin. Shkrimtari shpall hapur se e keqja na vjen më shumë nga vetja, sesa nga bota, se një frymë antishqiptare ka gjalluar në shekuj dhe vazhdon edhe sot, se çmitizuesit e kanë vënë në shënjestër Skënderbeun... Libri është promovuar dje në Panairin e Librit, në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”, ku shkrimtari ka firmosur librat e tij. Shkrimtari ka qenë në dyshim nëse këtë sprovë letrare duhet ta prezantonte në panair apo jo. E ka bërë gati për shtyp një ditë pasi ky aktivitet ishte çelur. Shkruar mes Parisit dhe Tiranës, Kadare shprehet se ky libër nuk kërkon të dënojë ndokënd. “Është më tepër një zë qortues dhe një përpjekje për të ndrequr diçka, nëse kjo është e mundur”, thotë ai. Në një intermexo merret edhe me mitet e komunizmit, me mitet e rreme dhe ato që sipas tij janë problematizuar më kot. Replikon edhe njëherë me Kasëm Trebeshinën për disidencën e tij, tregon për historinë e Ramize Gjebresë, Nako Spirut dhe Zaho Kokës. Shkrimtari shprehet se gjithçka synon që t’i ndihmojë shqiptarët të orientohen drejt.

 

“Mosmarrëveshja” është një manifest për identitetin shqiptar. Jemi në orën e keqe të Shqipërisë, ashtu sikurse ju thoni se ka një orë për të gjithë kombet?

 

Ky libër është shkruar për të paralajmëruar, ose për të parandaluar ardhjen e kësaj ore të keqe. Është menduar të jetë një zë kundër atij momenti.

 

Në sprovën tuaj ju sillni në vëmendje momente historike kur shqiptarët kanë qenë në portat e Europës. A do të jenë shqiptarët qytetarë të botës?

 

Pa dyshim. Shqiptarët duhet të ishin qytetarë të botës, rastësisht nuk janë, por do të jenë.

 

Në këtë diskutim identiteti, Skënderbeun e keni sjellë si shembullin më të qartë të rrezikut që vjen nga vetvetja. Cila është përgjigjja më e mirë ndaj këtyre sulmeve?

 

Është e rëndësishme që ata të cilët i ndërmarrin këto sulme, ta kuptojnë që e kanë gabim dhe të tërhiqen. Gabimi është njerëzor. Ky nuk është një libër që kërkon të dënojë dikënd. Është më tepër një zë qortues dhe një përpjekje për të ndrequr diçka, nëse kjo është e mundur. Çdo libër duhet të jetë i tillë.

 

Ju flisni për mite të rrejshme të komunizmit, e vërteta e të cilëve është e mbuluar arkivave. Besoni se është e afërt dita e së vërtetës?

 

Këtë nuk di ta them. Unë jam një ndër ata që e kam kërkuar dhe vazhdoj ta kërkoj këtë gjë. Nuk jam i sigurt nëse zëri im dhe i të tjerëve që kërkojnë të njëjtën gjë do të dëgjohet.

 

Ju u referoheni personave konkretë dhe historive të diktaturës që kanë mbetur ende të pazbardhur. Janë shembuj mitesh?

 

Jam përpjekur që me shembuj të rrokshëm, kokëfortë, të tregoj se në këtë botë ka mite të mirëfillta, mite të rreme, mite të çfarëdollojshëm dhe ne duhet të dimë të orientohemi. Për fat të keq, shoqëria shqiptare nuk po orientohet si duhet, prandaj unë kam sjellë disa shembuj për mitet e rreme, që nuk luftohen dhe mitet që bëhen problem, pa qenë të tillë.

 

Ju keni folur hapur në këtë sprovë letrare. Prisni të ketë reagime, apo reflektime?

 

Besoj. Reagimi mund të jetë i tërthortë, i heshtur, i pashpallur. Sidoqoftë është mirë kur ka reagime.

 

Dy ditë më parë studiuesit u mblodhën të diskutojnë e të japin piketa mbi historinë e letërsisë së realizmit socialist. A i besoni një rivlerësimi?

 

Nëse ka diçka që letërsia e një vendi e ka vështirë ta durojë, është cektësia dhe mendjelehtësia në të gjykuarit e saj. Në çdo kohë ka defekte të rënda, ashtu sikurse edhe mite të rreme të pafundme. Çdo sistem totalitar bazohet në një sistem mitesh të rreme. Vetë historia e tij dhe baza morale është e rreme. Letërsia, për aq sa ka marrë pjesë në këtë rrenë të madhe, do ta paguajë duke u harruar, siç e paguan pak a shumë në çdo rend shoqëror kur është e dobët, kur ka mungesë të madhe: mund të jetë artistike, teknike, morale, e këto të gjitha së bashku përbëjnë mungesat e mëdha që sjellin atë që quhet harrim.

 

Duket se “Mosmarrëveshja...” është një diskutim i pambyllur mbi identitetin...

 

Sigurisht, kjo është një sprovë letrare, një nxitje për të menduar.

 

Në kujtimet e saj, bashkëshortja juaj, Helena, shprehet se keni thënë që “E penguara” do të jetë libri i fundit artistik. Është e vërtetë kjo?

 

Besoj se do të jetë.



(Vota: 10 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora