E enjte, 18.04.2024, 10:24 AM (GMT+1)

Editorial

Ismail Kadare: Adhurimi i Shqipërisë antikastriotiane

E diele, 14.11.2010, 08:59 PM


Të mbrosh një komb nga shuarja e vet është, sipas shumë njerëzve, ndër motivet më të epërme në botë, por në Shqipëri ka ca kohë që prej çmitizuesve kjo quhet “kombëtarizëm”, si të thuash një merak i kotë, shoqëruar me ironi, madje tallje.

Shuarja e kombit s’është as e rrallë, as e pamundur. Shumica e kombeve në botë janë shuar, pikërisht siç e ka parashikuar, ndonëse në mënyrë naive, himni i shtetit shqiptar.

Pyetja më e thellë ndoshta do të ishte: A ka një orë të keqe për një komb, një kohë në të cilën gjasat e rrëzimit do të ishin më të mëdha? Përgjigjja do të ishte jo fort e gëzueshme. Natyrisht që ka një kohë të tillë, por, për një paradoks të gjërave, s’është e thënë që ajo të jetë koha e pushtimit, por shpesh e kundërta, ajo e lirisë. Në fillim të shekullit XXI, kombi i shqiptarëve jep tablonë më të favorshme të vet. Ajo përmblidhet në një frazë: Asnjëherë në botë nuk ka pasur kaq shqiptarë të lirë.

Ndërkaq, si për një drejtpeshim fatal, pikërisht në këtë kohë, një pamje e dytë, ajo që s’duket, jep një paralajmërim tjetër: ky komb është në rrezik zbehjeje, faza e parë e shuarjes.

Shqipëria është e sëmurë. Shenjat e sëmundjes janë vënë re një shekull më parë, ndoshta më herët, siç është thënë në këtë sprovë. Veç kësaj, sëmundja nuk është e panjohur ndër kombe të tjera, por ky nuk është një ngushëllim, ashtu siç nuk do të ishte kurrfarë ngushëllimi vdekja e kombeve.

Sëmundja e Shqipërisë është e rëndë, si çdo lëngatë që do të prodhohej brenda saj. Duke iu shmangur filozofimit në cekëtinë, siç thuhet për dokrrat e mbështjella me lëvozhgë kinse filozofike, mund të thuhet se asnjëherë doza e ndotjes morale në Shqipëri nuk ka qenë kaq e lartë sa sot. Ajo rrezik të zëvendësojë të keqen që sollën bashkërisht pushtimi osman, dështimi komunist dhe uzurpimi serb i gati gjysmës së hapësirës shqiptare në Ballkan.

Asnjëherë nuk është bërë përpjekje që kundërshqiptarizmi të shpallet haptas si doktrinë gati kombëtare. Si rrjedhojë, asnjëherë nostalgjia për robërinë, e bashkë me të adhurimi i renegatëve, spiunëve, xhelatëve, shitësve të kombit, shkurt adhurimi i Shqipërisë antikastriotiane, të kthehet në modë.

Si të mos mjaftonte filozofia e robërisë, e cila u përmend më lart, një tjetër kinse filozofi filloi të çajë rrugë në mjegullën shqiptare. Ishte fjala për një zgjedhje, që për shumë njerëz ngjante ogurzezë: Ta duam Shqipërinë në mënyrë primitive, apo ta shesim në mënyrë moderne?...

 



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora