E enjte, 25.04.2024, 05:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi - Basha: Hadi (dramë)

E diele, 14.11.2010, 08:06 PM


SABILE KEÇMEZI-BASHA

 

H A D I

 

(dramë)

 

PRISHTINË

2004

 

SABILE KEÇMEZI – BASHA

HADI

 

Babait tim, i cili e përjetoi rendë mbi supet e veta peshën e Hadit

Autorja

 

 

BIBLIOTEKA

D R A M A

 

REDAKTOR

ADEM  GASHI

 

RECENSENT

Prof. Dr. NEBI ISLAMI

 

LEKTOR

HYSEN KADRIU

 

BALLINËN

AGON BASHA

 

Sabile Keçmezi - Basha

                                                                                                           

HADI

 

LIDHJA E SHKRIMTARËVE  TË KOSOVËS

Prishtinë

2004

 

Fletëkujtesë

 

        Çdo gjë ka fillimin dhe fundin e vet. Njësoj si njeriu, diktatori, shteti dhe ndoshta vetë zoti Had. Mu ashtu edhe diktaturat e shumta botërore patën fillimin, kulmin dhe në fund ranë për tokë sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Orakulli kishte dëftuar se edhe Zeusi do të bjerë nga Olimpi po qe se i thyen ca rregulla që i kishin vënë hyjnitë. Mirëpo, Prometheu e zbulon fshehtësinë dhe, me më pak flijime, e tejkalon këtë katastrofë. Edhe Hadi, në të vërtetë Mbretëria e Hadit, ishte një mbretëri që sundonte botën nëntokësore, ku me realitetin tonë mund të bëhet një lidhje e drejtpërdrejtë, pakëz rrëqethëse, por çfarë t’i bëjmë, e vërteta është e tillë. Edhe kjo mbretëri, sipas ca orakujve  ilirë, herët a vonë duhet të shkatërrohet. Por zbulohet enigma, a thua vallë kush do të jetë shkatërruesi i tij? Me siguri, përsëri njeriu, ai njeriu i urtë, i vogël, i thjeshtë dhe vazhdimisht i shtypur, të cilit i vjen shpirti në grykë dhe, në shenjë revolte ngre kokën, grushtat dhe flamurin e fitores dhe ecën përpara… përpara deri te fitorja e plotë e njeriut të lirë. Ngrihet njeriu me tërë mllefin e vet vetëm e vetëm për të përmbysur atë botë hadiane, atë pushtet të padurueshëm që ia thithte gjakun dalëngadalë nëpër shekuj dhe që vazhdon deri në ditët e sotme. Dikush mendon se tani askund nuk ekziston Hadi, as

 

 

Persefona, as Tanati, as gjykatësit e tribunalit të Hadit. Sa fort mashtrohen ata. Ose nuk e njohin fare  historinë, ose nuk duan ta pranojnë një të vërtetë të hidhur. Sa  lehtë është të zbulohet Hadi. Aty ku ka diktaturë, aty ku ka policë, aty ku nuk respektohen ligjet qytetëruse, aty, pra, është vetë Hadi. Është pak ironike, por e vërtetë se edhe unë e të parët e mi e përjetuam rëndë mbi supet tona pushtetin e Hadit. E rëndë është jeta në Hadë. Këtë të gjithë e dinë. Andaj, nuk është aspak e rastit pse njerëzit e urtë, si ne, ju, ata, deshëm ta shembim Hadin si një kullë të shkatërruar e të kalbur përmbrenda. Sa mirë është të frymosh i lirë. Këtë e gjakuam me shekuj. Prandaj, le të shembet Mbretëria e Hadit dhe kjo botë hadiane.

 

NJOFTIME

 

       Për të njohur Hadin është e nevojshme të përjetosh tërë atë me vrazhdësinë e tij mbi trupin tënd të lodhur. Hadin e njoh që nga lindja, andaj nuk më ishte enigmatik asnjë veprim i shërbëtorëve të tij. Sidomos ditët e fundit të Mbretërisë së Hadit më ishin më të këndshmet, ngase në një mënyrë të vacantë ato i përcolla nga afër dhe me një përpikëri e vërejta zbehjen e tij e më vonë edhe rënien kaherë të pritur. Njerëzit që kishin vendosur ta bëjnë një gjë të tillë i kisha miq, po më herët të njëjtën gjë kishin tentuar edhe babi me shokë, por ata e kishin pësuar keq se Tanati kishte vepruar me shpejtësi rrufeje dhe e tërë përpjekja u asgjësua në gjysmë të rrugës. Por, të tjerët ecën, e vazhduan rrugën e lënë në gjysmë edhe më me vrull, edhe më me dëshirë. E studiova gjatë  Mbretërinë e Hadit, hyra në çdo pore të saj vetëm e vetëm që ta njihja sa më mirë. Por,

 

 

po them, ndoshta nuk ishte edhe aq e nevojshme të bëja aq shumë hulumtime, ngase Hadi ndjehej çdokund, mbretëronte në çdo vend dhe terrorizonte çdo njeri që nuk pajtohej me rregullat e tij. Andaj, ishte lehtë ta studioja Hadin, ngase ai ishte në çdo institucion, në çdo rrugë, gati në çdo njeri të sojit të vet. Nuk kisha dashur ta njihja këte botë hadiane, por unë isha në shtëpin time, në tokën tonë, e ata nuk e di se nga erdhën dhe si mysafirë të paftuar u ulën këmbëkryq në trojet tona. Pra, mallkuar qoftë Mbretëria e Hadit!

 

FUNDI

 

      Fundi i Hadit është shkatërrimtar, “Hadi do të shkatërrohet”, tha studenti në emër të miliona njerëzve. Botën do ta kaplojë dielli dhe hadianet si lakuriqët do të ikin  në Mesjetë – në terrin mesjetar.

      Vërtet a ishte Hadi apo më ngjau mua. Shikoj nga dritarja dhe bindem. Matanë vërej shtëpinë e përhitur me dryrë të hekurt dhe mendoj: “Ja dëshmia për të, se ai ishte këtu, veproi këtu dhe u varros këtu, në kokat tona”. Vallë, mos e imagjinova Hadin, mos ishte Hadi ankth apo iluzion i një populli të tërë? Megjithatë nuk e besoj. Atëherë çka ishte Hadi, robëri apo errësirë shekullore që edhe tani bën hapat e fundit për të ndalë kohën të mos ecë kah lindja e diellit. Jo, megjithatë Hadi ekzistonte, vërtet ekzistonte dhe ishte me shekuj realiteti ynë i hidhur. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VETAT:

  1. HADI, zot i botës nëntokësore
  2. PERSEFONA, grua e Hadit
  3. TANAT, zot i vdekjes në mbretërinë e Hadit
  4. EMPUZA, fantazmë në mbretërinë e Hadit
  5. LAMIA, përbindëshe në botën nëntokësore
  6. HEKATA, hyjneshë e botës nëntokësore
  7. GRUAJA SHTATZËNË, e burgosur në mbretërinë e Hadit
  8. GRUAJA ME TË KUQE, po ashtu e burgosur
  9. GRUAJA ME TË BARDHA, po ashtu e burgosur
  10. EURIDIKA, gruaja e Orfeut këngëtar
  11. ERNIA, shërbëtore e Hadit dhe Persefonës
  12. PROMETHEU, titan që ndihmonte njerëzit
  13. PIKTORI, i burgosur
  14. POETI, i burgosur
  15. STUDENTI, i burgosur
  16. RADAMANTI, gjykatës në tribunalin e Hadit
  17. EAKU, gjykatës
  18. MINOSI, gjykatës

       ROJA  I, II,

       ROJTARËT  I, II,

       BURRA, GRA, FËMIJË

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SKENA E PARË

 

PAMJA E PARË

 

(Skena gjysmë e errësuar, me një treulës në mes. Duket një dritare e vogël, pranë saj një komodinë e zbrazët. Dyshemenë e stolisë një qilim i zi. Në mur janë të varura ca maska të trishtueshme, ka figura të ndryshme që të fusin tmerrin. Aty çdo gjë është e zymtë, bile edhe jeta që rrjedh. Vetëm një tavolinë e vogël në mes, me një vazo me lule të freskëta, thejnë  monotoninë që kishte kapluar Hadin. Në mur qëndrojnë ca trasta të punuara me dorë, në të cilat duken shumë gjëra  si: thika të ndryshme, shtiza, kërbaçë e ca të tjera. Në njërën nga to varen ca lule plastike me lloj-lloj ngjyrash. Në treulës rrijnë të ulur një burrë dhe një grua. Janë të moshuar, aty rreth 45-50 vjeçarë. Burri është një shtatmadh, i veshur në të zeza, mban dorëza të zeza, syze të zeza dhe ka një qëndrim të vrazhdë. Gruaja, po ashtu, është veshur me fustan të gjatë e të zi, të punuar me rrudha të

 

 

shumta, ndërsa në kokë mban një kapelë të zezë që përpara e zbukuron një tyl i hollë. Qëndrojnë njëri pranë tjetrit,  bisedojnë diçka, me gjasë intime. Gruaja shpesh e shikon drejt në sy, e në buzë i duket një buzëqeshje e hollë. Nga jashtë vazhdimisht dëgjohet një muzikë e lehtë dhe e përmallshme të cilën e shoqëron një harfë e lodhur)

 

HADI

Diçka kundërmon këtu, si lule të freskëta më ngjan. (Shikon kah tavolina, vëren lulet e freskëta  dhe me ca hapa të ngadalesuar u afrohet, i kap e i hedh për dritare. Me një zë si të dalë nga dheu i drejtohet asaj- gruas ).Të kam thënë se këtu nuk guxon të këtë jetë,  as lule, as këngë. Sa e sa herë të kam porositur që të mos sjellësh asgjë, ama asgjë nga bota e të gjallëve, e ti përsëri me të vjetrën.

 

PERSEFONA

E di se lulet i kam dobësi. Pastaj, . . . pastaj muaji mars është, dhe natyrën e ka mbuluar gjelbërimi e lulet. Desha që vetëm pak . . . desha që të fus pak freski pranvere në këtë nëntokën tonë. Nëna mi fali këto lule e unë mendova që të ka marrë malli për pranverën.

 

HADI

Mua malli për lulet?. Po ti nuk je në vete moj! Po sikur t’i adhuroja ato unë do t’i kultivoja edhe këtu. Por, si e sheh, më kap teshtitja kur ndiej aromën e tyre. Unë e dua këtë botë kështu siç është, të errët, të zezë, pa jetë dhe pa gëzim.

 

 

PERSEFONA

(Ngrihet ngadalë, me një ecje të lehtë i ofrohet çantës në mur, ku duken lulet prej plastike, i merr  dhe i vë në vazo. Duke u kthyer përsëri në vendin e vet, me njërën dorë e përkëdhel burrin krahëvë dhe përsëri ulet pranë tij. Do të qeshë, por e mbulon gojën me dorë). Më fal, e di se këtu është e ndaluar edhe e qeshura, edhe lulet, edhe dëgjimi i muzikës. (Hadi e shikon  rreptas). Më fal…                                                                                                                                                                                                                                                                                                                         (ngrihet nga kanapeja, ec nëpër dhomë. Për një moment ndalet te dritarja, shikon jashtë, me gishta troket në xham. Më vonë me dorën tjetër lëviz unazën e Martesës. Por për një moment tërhiqet e frikësuar prej aty). Uh, kjo errësirë. Sa e paskajshme, sa e pafund, sa e zezë, sidomos sonte kur u ktheva nga nëna.

 

HADI

Çfarë ke sonte, Persefonë? Sonte je shumë e shqetësuar. Nuk më shikon fare në sy. Më duket se diç fsheh nga unë. Je e frikësuar, çfarë ka ndodhur, më thuaj (Edhe ai ngrihet dhe ec në drejtim të saj, por nuk është si më pare i vrazhdë. I del përpara, ia zë rrugën. E kap për krahash).

 Të ulemi, të bisedojmë shtruar, se çdo ardhje e jotja nga të gjallët më sjell kokëçarje dhe më bën të dyshoj se diçka nuk është në rregull këtu, ose me jetën tonë, ose ti me gjasë ende nuk je adaptuar (mendon ), duhet menduar për të ardhmen. Nuk është mirë që të shkosh fare te nëna, atje mbi tokë.

 

PERSEFONA

Si? Ti nuk mund të ma ndalosh këtë. Pak të dukët që i kaloj gjashtë muaj me ty, këtu në  këtë errësirë! (bën sikur

 

 

qan). Edhe atëherë kur më grabite, më grabite me tradhti. Tani kërkon që edhe ata gjashtë muaj t’i flijoj për ty. Të lutëm, pra, çfarë thua, si të jetoj unë këtu me errësirën, me hijet! Por që tani po ta them troç, nuk mundem kështu, nuk mundem!

 

HADI

Mos harro se kjo është mbretëria ime.

 

PERSEFONA

Hijet dhe errësirat, hem. . . . falë të qofshin.

 

HADI

Po, mu ato e dashur. Po të tregoj edhe një herë: A ka më lumturi se sa kur e di se herët a vonë çdo njeri do të vijë në mbretërinë time. E unë do të jem ai që do të vendos për fatet e tyre. Ku do t’i vendos ata mysafirë të përjetshëm të mbretërisë sime? Në fushat e Elizesë do të vendos njerëzit me më pak mëkate, në një mënyrë këta janë edhe të privilegjuarit e mi, ndërsa në Asfodeli do të vendos ata që mënjëherë do t’i shndërroj në hije, dhe gjatë e gjatë do të bredhin  pa hare e më plot pikëllim dhe pa kurrfarë komunikimi mes vete. A ka më kënaqësi, pra, se të jesh mbret i tyre.

 

PERSEFONA

E di, e di se ndjen kënaqësi në mbretërinë tënde. Por qëkur u ktheva nga nëna disi pa ndërprerë më shkon mendja vërdallë. Deri kur do të ekzistojë kjo mbretëri dhe deri kur do të mbash në këtë errësirë të rëndë këtë popull të gjorë dhe

 

 

deri  kur do t’i caktosh fatet e tyre.

 

HADI

(Kthehet me rrëmbim kah ajo, e kap për krahu  dhe e detyron ta shikojë drejt në sy) Më sheh moj ti, çka janë këto rromuze sonte, apo diçka e papritur ka ndodhur, e ti ma fsheh të vërtetën? Më shiko drejt në sy sepse vetëm atëherë jam i bindur se e thua atë që mendon. Më thuaj, çfarë të rejash sjell nga mbitoka? Apo përsëri nëna jote ta ka mbushur kokën me fjalë boshe?

 

PERSEFONA

(Tërhiqet  ngadaël nga duart e Hadit, duke e mënjanuar kokën nga shikimi i tij) Asgjë,  bash asgjë, askush nuk më ka thënë dhe as që kam dëgjuar diç të re, sepse  nuk shoqërohem me askënd që nga ajo kohe kur ma ke tërhequr vërejtjen ti.

 

HADI

Atëherë pse je e shqetësuar? Të shikoj  qe sa orë e ti thuase e ke humbur të folurit. Qëndron  në një vend dhe mendjen e ke krejtësisht diku tjetër. Eh, sikur ta dija çka po bluan ajo koka jote e bukur.

 

PERSEFONA

(Qesh më vete dhe përshpërit ). E bukur, vërtet e bukur. Pse nuk thua më drejt se në një  kohë  vërtetë ishte e bukur, por tani as nuk i ngjan asaj që ka qenë më parë. E, për këtë që më akuzon vërtet nuk di, disi kam një parandjenjë të keqe që më përcjell qe sa ditë. Këtë e kisha edhe mbi tokë. Besa edhe nëna ishte e merakosur për këtë shqetësim timin, por…

 

 

s’di, me të vërtetë s’di se çfarë ndodh me mua. Ose, mendoj (ndalet e mendon), ndoshta malli për nënën, ndoshta edhe vitet e mia ose ku ta di unë…

 

HADI                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               

Vitet e tua, thua! Ç’marroqe je moj Persefonë! kjo të merakos ty? Po ne jemi të pavdekshëm, apo e ke harruar? Për ne vitet nuk kanë rëndësi e as që lozin ndonjë rol në jetën tonë. Vërtet nganjëherë më dukesh e marrë (e kap për një ble flokësh dhe qesh hidhur).

 

PERSEFONA

 

Ëndrrat më shkatërruan këto netët e fundit. Të tmerrshme më janë ca. Tërë natën jam në ankth. Fëmijë, plot fëmijë, nganjëherë kam përshtypjen se Karoni në mbretërinë tonë sjell vetëm fëmijë. Më tmerrojnë ata trupa të njomë kur i shoh pa shpirt dhe të dërrmuar. Mendoj se kjo që bën Empuza është e tepërt.

 

HADI

Fëmijë thua, ata të tmerrojnë. E si thua ti, t’i kursejmë? A nuk e ditke se ata janë më të rrezikshmit për ne. Ata janë, si thotë shpesh Tanati, ardhmëria e një populli. Neve nuk na nevojitet ardhmëria e atij populli rebel. Sa më vonë, sipas disa të dhënave që sjellin nga tereni, po këta fëmijë do të jenë të rrezikshëm për tërë mbretërinë tonë.

 

PERSEFONA

 

 

Po, po, por unë disi vështirë po e pranoj këtë gjë.Thjesht, më dhimbsen ata miturakë, sepse mendoj se fëmija është diçka e papërshkrueshme,e padjallëzuar dhe e pakrahasueshme me diçka tjetër, andaj edhe nuk mund të përshkruhet ndjenja për të. Me atë padjallëzinë e vet të detyron të bësh çdo gjë, të jetë çdo gjë, vetëm e vetëm të mos e lëndosh, të mos i ndodh diçka e keqe. Njeriu është i gatshëm edhe për vetëflijim.

 

HADI

Mu për atë, mu për atë i bëj të gjitha këto ndaj pjellës së tyre. Se vetëm  në këtë mënyrë i detyroj të më nënshtrohen, të më dëgjojnë dhe të jenë të urtë si thëllëzat.

 

PERSEFONA

 

Por thëllëzat një ditë mund të fluturojnë, e pastaj . . . pastaj të mbetemi krejt vetëm.

 

HADI

Mu këtë dëshiroj të arrijmë. Sa më pak të tillë në mbretërinë tonë aq më e rehatshme do të jetë jeta këtu. Më kupton çfarë dua të them?.

 

PERSEFONA

Terrori është shumë i madh. Kështu më tha nëna, që në të ardhmen të kemi më tepër kujdes. Se mund të ndodhë gjithçka…

 

HADI

 

 

E çfarë mund të ndodhë? Pse s’ma thua? Le ta provojnë pra, e do të shohim se kush do të pësojë. Ashtu kot, mendoj se nuk më thonë Had, mbret i nëntokës e i errësirës.

 

PERSEFONA

Edhe diçka tjetër dëgjova mbi tokë. (Fërkon ballin me duar dhe mendon a të thotë të vërtetën apo jo) dhe flitej . . .

 

HADI

Fol de, fol, se më je bërë  shumë e çuditshme. Pret që çdo fjalë të ta nxjerrim me darë nga goja. (Persefona hesht, ndërsa një hije e zezë me rrëmbim futet në skenë. I gjatë e i dobët, në kokë mban një kapelë që ka dy brirë të zinj. Dorëzat e zeza i shkëlqejnë në duar. Qëndron gatitur para tyre. Kur Hadi e vëren  të ardhurin, ngrihet në këmbë dhe e përshëndet). Ooo, mirë bëre që erdhe Tanat, çfarë do të bëja unë pa ty me këta të rebeluar që për çdo ditë ngrenë kokën si gjarpëri.

 

TANATI

Imzot, për çfarë të rebeluarish është fjala. Këtu çdo gjë është në rregull. (Dhe shikon në drejtim të Persefonës e cila shikon herë njërin e herë tjetrin). O zonjë e nderuar, me shëndet si jeni? Edhe pallati ynë ndryshoi qëkur erdhët ju këtu.

 

HADI

Tanat, mos u shqetëso për të rebeluarit, ashtu kot e thashë, se derisa ju punoni me atë përkushtimin tuaj djallëzor, asgjë nuk do të ndodhë, këtë e di. Por, qëkur u kthye Persefona nga nëna e vet, disi si ndjellakeqe na është

 

 

bërë (e shikon të shoqen).

 

TANATI

Jo, lartmadhëri, nuk keni të drejtë të mendoni kështu, e aq më tepër zonja, kur e di se çdo gjë është nën kontrollin tonë. Por, në tokë njerëzit ngushëllojnë njëri-tjetrin duke menduar se e tërë kjo kalon së shpejti dhe se mbretëria  jonë është e përkohëshme.

 

HADI

Por, megjithatë duhet të kemi kujdes, se nganjëherë ndodhin disa gjëra kur ti më së paku i pret, o zot i vdekjes, e mirë është të mos ndodhin,  mos të jemi të befasuar.

 

TANATI

Ju e dini imzot se tentime për trazira ka pasur edhe më herët, por ju kujtohet se si i shuam. E ata, të dëshpëruar por asnjëherë nuk u dorëzuan në duart tona.

 

HADI

Mirë është, mirë është qysh në fillim t’i zbulojmë krerët e tyre e t’i asgjësojmë, përndryshe marrin kokë dhe e vërteta e merr dhenë. Problemet dhe paknaqësitë e tyre duhet të mbeten këtu dhe të vdesin bashkë me ta, a kupton Tanat?

 

TANATI

Probleme thua? E çfarë probleme na paskan këta shpirtëra të trazuar? Jetojnë edhe këtu, vetëm se jetë të vdekurish bëjnë. Hanë, pijnë, flejnë, ecin dhe shijojnë errësirën më të dendur që ka mundur t’iu ofrojë ndonjë

 

 

mbretëri tjetër. Andaj habitem pse janë të pakënaqur?

 

HADI

Në rregull Tanat, në rregull. Por kisha dashur që kjo që po flitet për mbretërinë tonë nuk është mirë të depërtojë në mbretëritë e tjera rreth nesh. Posejdoni mezi pret të ndodhë diçka këtu, ndërsa Zeusi kaherë është mllefosur në ne.

 

PERSEFONA

(Që deri atëherë hesht, ngrihet në këmbë dhe u drejtohet të dy burrave).

 Nga kjo që po dëgjoj nga ju, kuptova se diçka paska ndodhur ose pritet të ndodhë së shpejti. Kuptova, kuptova. Tani e kam të qartë pse e tërë ajo ndjenjë e të keqes tek unë, e ju të gjitha këto i fshehni prej meje. Dhe është krejt normale që vetëm supozoj për të papriturat. Nëna më paralajmëroi në një mënyrë, por unë asgjë nuk kuptoja ngase të gjithë ngaredni diku dhe nuk bëzani... (E pikëlluar mbështetet pranë dritares dhe shikon në largësi).

 

TANATI

Mos u merakosni zonjë e nderuar, se këto që mi tha burri i juaj nuk janë asgjë tjetër veçse një vërejtje e pa të keq që u bë ndaj punës sime mijëvjeçare (Shikon në drejtim të Hadit).

 

HADI

Persefonë e dashur, të garantoj se këtu, në mbretërinë tone, nuk ka gjasë të ndodhë diçka e papritur. Asgjë nuk fshehim nga ti, por parashenjat janë paraqitur. Megjithatë, si çdo herë, çdo gjë është nën kontrollin tonë. Errebi, Pallati

 

 

dhe e tërë mbretëria është nën kontrollin e rreptë, ashtu siç e di ti. (Persefona shikon në dritare, Hadi i ofrohet, ia përkëdhel kokën me qëllim që ta largojë nga skena. Ajo e nevrikosur, largohet nga ai dhe bën hapat e fundit që të dalë nga skena. Duke u larguar ajo, Hadi i thotë me zë) Është mire, Persefonë, që këtë kokë të bukur mos ta angazhosh me gjëra që ta prishin rehatinë e shpirtit.

 

PERSEFONA

(Duke daël) Ashtu, ashtu njësoj edhe ti je i pashpirtë kur mendon se kokat e bukura janë edhe të zbrazura (qesh me ironi dhe del).

 

HADI

A sheh Tanat, kokë gruaje, (ofshan thellë). Është shumë e merakosur se çfarë ndodh këtu, por nuk ma bën zemra t’i tregoj për afishet që janë shpërndarë në qytet, sepse e di se ajo të gjitha i merr pa rrugëdalje dhe vuan shumë për të gjitha.

 

TANATI

(Bën digresion në bisedë sepse e sheh se edhe për Hadin ishte i rëndë shqetësimi i Persefonës) Sot nuk i kam parë fare bashkëpunëtoret e mia.

 

HADI

Për kë mendon kështu Tanat, me gjasë je fort i merakosur, posaçërisht për dikë.

 

TANATI

 

 

Empuza, Lamia dhe Hekata kanë dalur kaherë në terren dhe ende nuk janë kthyer, ç’është më e keqja asnjë lajm nuk e kanë dërguar deri më tani.

 

HADI

Duhet të jenë këtu diku në kthinat e Erebit.

 

TANATI

(I afrohet Hadit më afër dhe fillon t’i tregojë diçka nga xhepi) Mirë bëri që shkoi zonja. Tani jemi më të lirë që t’jua tregoj ndodhitë e sotme.

 

HADI

Domethënë janë të vërteta të gjitha ato që u përshpëritën. Kasnecët i sollën të gjitha lajmet me kohë, por të them të drejtën disi nuk iu besoja. Pas asaj masakre që bëmë në atë fshatin e largët, besimi i tyre më befason dhe në njëfarë dore edhe më shqetëson, Tanat.

 

TANATI

Imzot, këto që po jua them ende nuk janë të vërtetuara, por së shpejti do t’i zbuloj prijësit e tyre dhe e dini se çfarë i pret ata.

 

HADI

Të besoj Tanat, të besoj. Por pse nuk më thua ç’janë ato që nuk mi tregon e i mban të palosura në xhep.

 

TANATI

Asgjë zotëri. Mu për këto erdha që të ju njoftoj, se të

 

 

vetmen dëshmi që kemi deri më tani janë këto afishe që i gjetëm diku në qendër të qytetit (nxjerr nga xhepi një afishe dhe ia jep Hadit.  Ai e lexon me kujdes duke tërfëlluar).

 

HADI

Të poshtërit, mendojnë se me afishe shembet një mbretëri, e sidomos  kjo e jona. Po ne me vite kemi investuar që të kemi rend këtu, e këta pa një pa dy duan ta shembin. Sa qesharake. Bij  bushtrash janë këta. Në vend që të jenë mirënjohes për këtë që bëjmë ne, këta e ngrenë kokën. Dhe këtë kokë ne duhet t’ua këpusim, Tanat. Nuk mundi as Posejdoni e as Zeusi të rrëmbejnë këtë mbretëri, e këta si prej qiellit duan të formojnë hiç më pak se një mbretëri në mbretëri. E, çfarë mbretërie se?!!

 

TANATI

Imzot, mos u shqetësoni fare. Nga ana jonë çdo gjë është në rregull dhe në lëvizje. Në lojë i kam futur edhe njerëzit e tyre. E dini si janë ata më të varfërit, shpirtërisht kuptohet. Ata të gjorët as për neve nuk peshojnë shumë, por tani janë të mirëseardhur, e më vonë i hedhim si të mos kishin ekzistuar fare, sepse as në ta nuk kam besimin e duhur. Ata janë një popull i çuditshëm, Imzot. Sa mendon se çdo gjë mori fund, diç del në një anë tjetër e bile shpeshherë dinë edhe të befasojnë.

 

HADI

Tanat, në ty kam besimin më të madh. Ti je përgjegjës për të gjitha këto. Bëj çfarë të duash, por me rëndësi është

 

 

që të shuhet pa zhurmë, vepro siç veprove edhe më parë. Deri më tani ia ke dalë faqebardhë. Fundja, shuaje edhe me gjak. Duhet të ketë viktima, se këta të zgjebosur ende nuk e kanë të qartë se në Had është i lejuar çdo mjet i dhunës e i terrorit. Aq më bën. Kjo është punë për ta. Vetë të thërrasin të sillesh barbarisht me ta.

 

TANATI

Domethënë është e lejuar të ketë edhe viktima, Imzot?

 

HADI

Po. Pse çfarë të keqe ka në këtë. Këto nuk do të jënë as të parat e as të fundit, deri në shkuljen totale të tyre nga këto troje. Madje, do të kemi qetësi absolute në mbretërinë tonë.

 

TANATI

Imzot, po qe se arrijmë deri te trazirat, ku do t’i vendosim të rebeluarit e rinj. Në Asfodel janë mbushur të gjitha kthinat.

 

HADI

Nuk e ditke ti se ku duhet vendosur të rebeluarit? Po ku i vendosnim më pare, Tanat. Ke harruar se sa tregtinë ia bënim Karonit plak? Asgjësoi, Tanat, asgjësoi. Shpalli të humbur, të tretur, të ikur. Nuk është me rëndësi si, por unë dua qetësi absolute në mbretërinë time. Kupton? (Ndalet dhe mendon) Po në fushat e Elizesë a nuk ka vend?

 

TANATI

 

 

Jo imzot, jo. Janë mbushur edhe ato, e dini, kaherë  bile.

 

HADI

Shpikni diç të re, vendosni nga dhjetë në një kthinë, vendosni njëri mbi tjetrin, punë e madhe, prej andej nuk do të dalin të gjallë ata rebelë.

 

TANATI

Po kështu kemi vepruar deri më tani, Imzot, por nuk kemi dashur të ju trazojmë me gjëra të tilla. Gratë, Imzot, gratë janë bërë të padurueshme.

 

HADI

Cilat gra, ore?

 

TANATI

Ato të burgosurat, edhe ato jashtë burgut. I has në rrugë, në shtëpi, në fusha, shkojnë e vijnë turma-turma. Ecin ato gra të mallkuara, ecejaket i kanë të rënda dhe të mërzitshme. Në duar mbajnë pankarta të shkruara në atë gjuhën e tyre që ne po e shuajmë dalëngadalë. Unë po bëhem alergjik kur po i shoh ato në rrugë.

 

HADI

Mjaft me këto hollësi, Tanat, se më çmende. Po ç’pret ore ti, bëj seleksionimin. Gra, burra, pleq, të rinj, njësoj janë të rrezikshëm për ne. (Ec i nevrikosur nëpër skenë, pastaj me rrëmbim e hap derën. Thërret gruan). Persefonë, ku trete moj grua. Të përpiu dheu përnjëherë. (Edhe Tanati del i dëshpëruar).
 

 

 

 

 

 

 

 

                         PAMJA E DYTË

 

 

(Një kthinë mesatare, e mobiluar me një tavolinë të vjetëruar në mes, pranë saj janë të mbështetura ca karrige po ashtu të vjetëruara. Në mure rrijnë të varur një legen, një rrip dhe një kërbaç, ndërsa mbi tavolinë qëndrojnë një bokall përgjysmë me ujë, një thikë e gjatë dhe ca rekuizita të tjera të torturimit.Pranë tavolinës, duke shfletuar ca afishe, që vërehen prej së largu se janë me shumë ngjyra, ku dominojnë e kuqja dhe e zeza. Tanati ulet në karrige,me ngadalë bën krahasimin e afisheve. Ngre duart përpjetë dhe ofshan thellë.)

 

TANATI

E njëjta dorë i ka shkruar (pëshpërit më vete), e njëjta dorë. (Nga jashtë dëgjohet një trokitje e lehtë dhe një zhurmë. Tanati ngre kokën dhe përgjon. Mbi tavolinë mbledh afishet, i fut në syze të tavolinës dhe thërret i nevrikosur). Hyr, hyr! (Dera hapet. Në skenë hyjnë dy gra, Empuza dhe Lamia, fantazma në mretërinë e Hadit. Empuza, e veshur me një pelerinë të zezë, ka vetëm një këmbë, edhe atë si  të gomarit. Ecën duke u përdredhur. Gruaja

 

 

tjetër është Lamia, edhe ajo me një pelerinë të zezë, ndërsa në kokë mban shaminë të cilën e stolisin tre brirë të zinj. Hyjnë të dyja të mërrolura dhe qëndrojnë gatitu para Tanatit )

 

EMPUZA, LAMIA

Na thirre Imzot. Jemi në shërbimin Tuaj.

 

TANATI

Kush ju tregoi se ju kërkoja?

 

EMPUZA

Nga zonja mësuam se na kërkonit, por s'e dimë pse ajo ishte shumë e dëshpëruar.

 

LAMIA

Asnjëherë nuk e kam parë më të zbehur se sonte.

 

TANATI

Mirë, mirë, po nuk e di nga ju vjen ky optimizëm i madh, që të gëzohemi të gjithë në këtë mbretëri.

 

EMPUZA, LAMIA

Optimizëm tek ne? Po pse të mos ketë? Çfarë të keqe ka në të?

 

TANATI

Ku është Hekata? Tërë ditën sot nuk e kam parë. Tani edhe natën nuk e  dimë ku është. Çfarë ka ndodhur me të, a dini të më tregoni?

 

EMPUZA

 

Keni harruar se i keni dhënë detyrën për sonte. Ajo nuk kthehet në pallat pa e kryer detyrën. Është shumë e ndërgjegjshme.

 

TANATI

Krejt më paska ikur nga mendja. Paskam harruar se e kam angazhuar.

 

LAMIA

Më thuaj, të lutem, çfarë po ndodh këtu? Ti të harrosh në këtë mënyrë?! Më duket e pakuptueshme, andaj tani edhe shqetësohem. Haptas po duket se diçka nuk është në rregull, por të gjithë po i mbani e po i ruani fshehtësitë thuase ne nuk jemi pjesë e kësaj mbretërie.

 

EMPUZA

(Shikon Lamien) Vërtet mirë e ka Lamia. Na thoni veç një herë se çfarë po ndodh këtu e ne do ta kemi shumë më lehtë dhe më me përkushtim do t'i rrekemi punës, se edhe ashtu na akuzoni për optimizëm të tepruar. Por ne nuk kemi faj që ju i fshehni gjërat nga ne.

 

TANATI

Kjo që thoni lirisht mund të ju them se nuk është punë e juaja të dini se çfarë po ndodh këtu. Por, për ju është më parësore që të mos sorollateni poshtë e lart, por të kryeni detyrat me përkushtim më të madh, andaj mund të flasim me lirishëm. Kuptuat?

 

EMPUZA

 

 

Së pari, të kuptohemi se ne punët i kryejmë natën, ndërsa ditën pushojmë. Pushojmë se dielli e drita na i vërbojnë sytë. Natën i nisim punët tona dhë natën i kryejmë që të gjitha. Punët më të liga i kryejmë natën.

 

LAMIA

Vërtet, nuk mund të marr me mend se gjatë ditës duhet të vras dikë, të bëj ngatërresa, shpifje, të krijoj shantazhe, të gënjej se më kanë dhunuar ai e ai,  ky e ky, në mes të ditës. Çfarë mendoni, se do të pijë ujë kjo gënjeshtër e kulluar?

 

EMPUZA

Pajtohem me ty plotësisht. Për t’i bërë të gjitha këto të liga duhet të lindesh i tillë. I lig që nga nëna e babai. Të kesh në gjak urrejtjen, errësirën dhe mospërfilljen.

 

TANATI

Nejse, nejse... Po llafazane e lavdraqe që jeni. Mezi prisni të jua çel dikush gojën e pastaj, ec e ndaluni. Me tërë këtë që thatë deri tani doni të dëshmoni se është dhunti nga vetë natyra.

 

EMPUZA

Jo nga natyra, o Zot i vdekjes, po nga vetë nëna ime. A e sheh këtë popull të mallkuar. Nuk ka mundur ta durojë as nëna e as babai im e të mos flasim për gjyshen e gjyshin tim. Domethënë, urrejtjen duhet ta kesh në gjene, në gjak, në dammar, or mik. A nuk thotë vetë Hadi se ne jemi populli

 

 

shenjtëror? Dhe, ne duhet të dominojmë si në të gjallët, ashtu edhe në të vdekurit e këtij populli të lashtë.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                

 

TANATI

Mirë Empuzë, kur dite aq mire të më mbash një ligjëratë nga historia, pse s’më thua çfarë pune bëre sot? Dhe a pate sukses me atë skandalin që krijove në atë vendbanimin e ri?

 

EMPUZA

Edhe po pyet. Kur ka ndodhur që Empuza të shkojë në ndonjë punë e të kthehet pa e kryer. Ç'më thua!

 

LAMIA

Në rregull, Zot i vdekjes, në bazë të kësaj që po vërej dhe po dëgjoj,  ju doni raportet e punës, domethënë deri këtu ka arritur puna. Vetëm më frikëson edhe kjo, më vjen keq që ta them, mirëpo me gjasë mos po e humbim besimin ndaj njëri - tjetrit. Andaj, mendoj se kjo është e keqja që më frikëson pa masë. Në  rregull. Në mëngjes do t'i keni edhe ato se edhe tani na pret puna në terren. (I drejtohet Empuzës). Shkojmë. (Duke dalur i thotë asaj), Sonte që të gjithë po më duken të çuditshëm.
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PAMJA E TRETË

 

(Në një rrugicë ecin ngadalë Empuza dhe Lamia. Bisedojnë njëra me tjetrën. Përreth tyre dëgjohen të lehura qensh. Ato bëjnë me dorë dhe shikojnë anash. Vetëm një tis i hollë drite shëndrit fytyrat e tyre të shëmtuara. Dëgjohen ca hapa prapa skene. Ato bëjnë se po fshihen në errësirë.)

 

EMPUZA

(I drejtohet Lamisë), Mos i merr punët me tërs. Tanati pa të keq deshi të dijë se çfarë pune kemi bërë e asgjë më tepër. E ti u nevrikose aq shumë? Me aq rrëmbim dole nga zyra e Tanatit. Edhe ai është i lodhur kohëve të fundit, a nuk e sheh?

 

LAMIA

(E nevrikosur), Po si moj, si të mos bëhem e tillë kur të gjithë heshtin, të gjithë fshehin diçka. Po ku janë të tjerët: Hekata, Ernia e të tjerët? A thua vetëm ne duhet të punojmë.

 

EMPUZA

Çfarë të bëjmë moj Lamie, po secili kryen punët e veta tani.

 

LAMIA

Punët e veta thua? Po unë ç'bëj pra, sorrollatem kot këtu?

 

EMPUZA

Jo moj, jo. Qetësohu. Edhe ti qenke e gatshme të ndezësh luftën sonte. Ububu, sa e shqetësuar jam sonte. Kam të ftohtë në trup e në shpirt.

 

LAMIA

Edhe ti ke shpirt, thua? (qesh  më vete).

 

EMPUZA

Mos qesh. E di se këtu është e ndaluar e qeshura?

 

LAMIA

E di moj, po si nuk e di. E çfarë të keqe ka nga e qeshura? Më qeshet sonte, thjesht më qeshet. A nuk të duket qesharake ty kjo? Kur të gjithë ju fshihni diçka, frikësoheni nga diçka, trembeni nga hija juaj e nga unë kërkoni që të përmbahem. Nejse, mendoni ju, Lamia është shërbëtore dhe nuk prish punë që nuk e di të vërtetën. Apo jo, Empuzë?

 

EMPUZA

(Bën se dëgjon diçka. Në skenë dëgjohen ca hapa. Të dyja shikojnë kah rruga në terr. Duket Hekata. Afrohet pranë tyre  me

 

 

flokë të gjata e të pakrehura, me fytyrë të skuqur; në të vërehen ca pika gjaku; është e veshur me një fund të gjatë ngjyrë hiri dhe me një bluzë të bardhë. Edhe bluza është e stërpikur me gjak). Sa mirë bëre që erdhe moj Hekatë. Të gjithë u merakosëm për ty.

 

HEKATA

Jam e lodhur, shumë e lodhur sonte. Të shkojmë në pallat, vetëm pakëz të pushoj e pastaj bisedojmë më shtruar (Nisen). Ti Lamie (e shikon atë), ti përsëri e zemëruar. Kur nuk kryen ndonjë punë atëherë zihesh me të tjerat. Dil, organizo diç, mos rri duarkryq. Ato gratë plaka mezi presin ndonjë skandal. Organizoi ato, mjafton që të defilojnë qytetit, të bërtasin, të qajnë, të çirren, të krijojnë imazhin e presionit, se mjafton që bota të mendojë se  jemi ne të shtypurit, jo ata. Mjafton edhe kjo se gjoja ata na detyrojnë të ikim prej këtej.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                

 

LAMIA

Edhe ti si Empuza mendon, të krijosh konflikt pa pasur nevojë.

 

HEKATA

Po, po, mu ashtu. A nuk e sheh si po shkojnë gjërat?

 

LAMIA

Po ju kuptoj, të gjithëve po ju kuptoj (Niset të ecë vetëm).

 

HEKATA

 

Edhe kjo na duhet, të kemi përçarje brendapërbrenda.

 

EMPUZA

Kjo është kalimtare te Lamia. Kështu, para çdo veprimi bëhet ters, ama detyrën e kryen tamam ashtu siç duhet.

 

HEKATA

E di se e ka të vështirë, por të gjithë ndodhemi në të njëjtat pozita.

 

EMPUZA

Hekatë, t’i lëmë këto biseda se më duket janë aq të rënda e të neveritshme sa ma shtojnë mllefin ndaj çdo gjëje.

 

HEKATA

Ke të drejtë, ke të drejtë. Më duket se vetëm ti je esull sonte dhe di çfarë flet e bën. Po si thua moj Empuzë, si thua, të pushoj. Kur ec e pusho po qe se mundesh, ec e harroji të gjitha ato që i bëj gjatë natës. Edhe tani më ushton në vesh ulërima e një gruaje. Edhe tani dëgjoj vajin e fëmijës së posalindur. E unë, unë duhet t'ia marr shpirtin atij të gjorit. E unë, unë duhet të kryej punën time siç thua ti. Ta lë nënën pa fëmijë, të duket punë e vogël? Askush nuk më pyet si e bëj këtë punë, por me rëndësi është që Hekata ta lërë nënën pa fëmijë. Dhe nuk duhet zgjedhur formën për të zhdukur atë qenie të vogël.

 

EMPUZA

 

Mos u emociono, të lutem. Nuk është hera e parë që kryen një vepër të këtillë.

 


HEKATA

E vërtetë. Por më parë i mbytja në embrion. Nënave ua shkatërroja mitrën në emër të një dekreti. Tani të gjitha janë rebeluar. Nuk vijnë më as të këshillohen me ne. Shumohen, për çdo ditë shumohen si thneglat, o Zot. E unë duhet të kryej punën time. Si makina larëse më ngjajnë gratë e tyre. Lindin bebe pa ndjerë kurrfarë dhembje dhe me gjasë kurrfarë kënaqësie. E hedhin në rrugë dhe bëni çfarë të doni. E unë vërtet bëj punën time. Vetëm mbrëmë i mbyta njëmbëdhjetë bebe, në emër të një sëmundjeje ngjitëse. Kuptohet edhe një ishte yni, por çfarë të bëj. S’thonë kot, pranë drurit të thatë digjet edhe i njomi.

 

EMPUZA

Sa mirë, dalëngadalë po e realizojmë planin tonë. Sa më pak fëmijë, ardhmëria është më afër nesh e larg tyre. Se ata pa fëmijë nuk mund ta mendojnë jetën e tyre të varfër.

 

HEKATA

Vërtet Empuzë, si shkojnë punët te ti në përçarjen e njerëzve. Asnjëherë nuk të kam pyetur, por sonte jam më e lirë dhe dua të di. Njeriu si gëzimin ashtu edhe dëshpërimin ka dëshirë ta ndajë me dikë.

 

EMPUZA

Unë me gjasë e kam më lehtë se ti. Natën shndërrohem në një krijesë krejt tjetër, në atë çfarë ma do shpirti dhe pa u hetuar futem në ndeja, në mes të burrave, në mes të grave, në lokale të ndryshme e të dyshimta dhe ua kujtoj njerëzve të kaluarën, ngatërresat e mëhershme dhe bah . . .

pa një e pa dy, lind belaja, kërcasin fyerjet, kërcasin shishet e më vonë edhe armët e zjarrit. Dhe, a do moj Hekatë, sa të duash mosmarrëveshje mes tyre. E këta, më kot e kanë, më kot pajtojnë familje, kur ne, unë, ju krijojmë hasmëri të reja. Unë ndodhem çdokund, në fshat e qytet, mes fqinjve, mes bashkëshortëve, mes vëllezërve, kërcet fjala, dajaku e në fund edhe plumbi.

 

HEKATA

Punë të ndyra kryejmë ne moj mike. Kurrë nuk do të mund të harroj rastin e një nëne e cila pas gjashtë vajzave lindi një djalë të shëndoshë si molla, e unë me duart e mia ia mbyta. Nëna e shashtrisur mbeti një kohë të gjatë e nemitur, lotët si kokrra rrushi i shkonin faqeve e unë kënaqesha me veprën time. Por, kuptohet, për këtë edhe u shpërbleva.

 

EMPUZA

Sa mirë që rrëfehemi sonte mes vete.  Edhe unë e ndjej veten më lehtë kur flas me dikë.  Do të tregoj një rast, kur një natë morëm urdhër nga Erebi që sa më shumë njerëz të torturonim në mbretërinë tonë. Kështu edhe vepruam.  Helmuam me mijëra fëmijë, disa prej tyre edhe sot i ndjejnë duke krijuar një mijë e një shkaqe për ikje. Patëm sukses. Mund ta marrësh me mend kur të duan të ikin të gjithë, s'është me rëndësi ku. Kështu është propaganda dhe ka efektin e vet.  Një nënëloke mbeti një ditë krejt vetëm se djali së bashku me nusen e femijët i shkuan në kurbet e nënëlokja mbeti në mëshirën tonë. Dhe  ne, e di ti, s’kemi

 

 

mëshirë ndaj këtyre rasteve. (Empuza fërkon duart  dhe qesh me zë).

 

HEKATA

Ke sonte edhe ndonjë detyrim apo vetëm po ia çelim zemrën njëra- tjetrës?

 

EMPUZA

Ti thuase e ke shlyer nga mendja  se nata është e jona dhe terreni është më i përshtashëm për veprime të këqija. (Ato ecin ngadaël dhe largohen).
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PAMJA E KATËRT

 

                        (Në skenë duket një kthinë që u ngjan birucave të burgut famëkeq në mretërinë e Hadit. Aty janë tri gra që llafosin mes vete. Njëra është e veshur me të bardha dhe qëndron e mbështetur për grila të dritares, tjetra është e veshur me të kuqe dhe qëndron ulur mbi diçka që i ngjan shtratit, por që shtrat nuk është. Ndërkaq gruaja e tretë vërehet që është shtatzënë dhe qëndron shtrirë pranë asaj që është ulur. Derisa këto qëndrojnë kështu, pranë tyre vijnë e shkojnë dy fantazma që janë të veshura krejt me të zeza dhe përcjellin çdo lëvizje të tyre. Ndërkohë në skenë duket edhe një grua që e sjellin dy roja. Është e re dhe e bukur, por e dërrmuar dhe qan pa zë edhe pse mundohet të fshehë fytyrën. Gratë që janë në birucë shqetësohen kur vërejnë praninë e saj dhe shikojnë njëra - tjetrën ).

 

 

 

GRUAJA ME TË BARDHA

(Kur sheh se rojat dalin, ajo merr guximin dhe i afrohet ngadalë). Kush je ti? A je e jona apo ndonjë spiune e tyre? Po qe se mendon të luash ndonjë lojë atëherë trego që tani se ajo nuk pi ujë tek ne.

 

GRUAJA ME TË KUQE

Nuk ke arsye të luash me ne ndonjë lojë, ngase ne të gjitha i kemi pranuar. Haptas e kemi bërë veprën dhe për këtë as nuk pendohemi. Iu thamë këtyre troç. Andaj, ta kesh të qartë për çdo rast se nuk kryen ndonjë punë të madhe.

 

GRUAJA SHTATZËNË

(Më ngadalë ngrihet nga shtrati dhe e shikon të posaardhurën). A më sheh se si më kanë bërë? (tregon fytyrën e maviosur) e trupin, trupin e kam krejt të murrmë, këta ma bënë. E pse? Për hiçgjë. Vetëm e vetëm pse burri im ishte në grupin e organizuar dhe vepronte ilegalisht duke u fshehur nga shërbëtorët e Hadit.

 

EURIDIKA

(E befasuar nga reagimi i grave shikon përreth dhe fillon edhe më tepër të dënesë). Nuk më njihni? Jam Euridika. Në gjysmë të rrugës më rrëmbyen. Nuk më lanë të dal nga këtu edhe pse Hadi më amnistoi. I shkreti Orfe s'di si do t’ia bëjë tani pa mua. Oh, më dhemb...këtu më dhemb (tregon zemrën me duar), edhe trupi edhe shpirti më dhembin (qan).

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Po ti qenke moj e uruar. Për ty u fol aq shumë këtu, sa

 

 

edhe na u gëzuam për daljen tënde.

 

GRUAJA ME TË KUQE

E ju iu besuat këtyre ?(qeshet pa të keq).

 

GRUAJA SHTATZËNË

Po ti mirë që ke shpëtuar. Të tjerëve u ka ndodhur edhe më keq. Kështu iu thonin jeni të liruar. I hipnin në makinë, i shpienin në drejtime të panjohura dhe çka i priste pastaj? Plumbi pas veshi. E më vonë kishe se çfarë të dëgjoje. Disa thonin se ka dashur të ikte jashtë kufijve të Hadit, disa thonin se ai ka bërë vetëvrasje, ose ku e di unë se çfarë variante të ndryshme lansoheshin në llogari të të ndjerit. E, bartja e kufomës ishte tregim në vete. Në varrim nuk shkonin as dy-tre vetë, vërtet ky ishte turpi ynë. Por çfarë t’i bëje moj motër, kohë të vështira ishin ato.

 

EURIDIKA

Mu për këtë edhe Orfeu, duke i ditur marifetllëqet e tyre, ktheu kokën për t’u bindur se isha prapa tij dhe, saora, më rrëmbyen hijet e zeza. Dhe ja, më sollën në mesin tuaj. Ububu, sa e lumtur isha para një ore, moj motra. Mendoja se vuajtjes sime i erdhi fundi, por jetës e fatit nuk i dihet asnjëherë.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Duhet mësuar edhe me këtë jetë. Se edhe aty ku ishim jetë Hadi bënim. Në qytet, fshat, rrugë, familje, çdokund mbretëron Hadi me ligjet e veta. Andaj, çfarë jete është ajo kur edhe në shtëpinë tënde nuk je i lirë.

 

 

GRUAJA SHTATZËNË

Ata na u përzien çdo kund, moj e dashur, edhe në pjesët më intime të jetës. Jo bëjmë shumë fëmijë, jo kryejmë shumë shkolla, jo krijojmë shumë kapital e çfarë jo tjetër.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Djemtë na i dërguan në fronte lufte vetëm e vetëm që t'i asgjësonin më lehtë. Luftë është, e çfarë mendoni ju? Në të bien edhe viktima, thonin. Donin që ne të rrinim duarkryq. A mund të durojë nëna këtë të zezë mbi fëmijën e vet? E, pse jemi nëna, moj.

 

GRUAJA ME TË KUQE

Nuk durohej, jo. Edhe për fëmijën e huaj kisha vepruar ashtu.

 

EURIDIKA

(Nga jashtë dëgjohet një këngë e lehtë, Euridika ngrihet në këmbë dhe dëgjon). A e dëgjoni, ai përsëri këndon. Këndon këngën time. Dëgjoni, dëgjoni sa zë të ëmbël ka. (Gratë dëgjojnë dhe janë shumë të pikëlluara). A thua deri kur do të këndojë. Oh, a thua,  a mund t'ia ndalin këngën? (fillon edhe ajo të këndojë  këngën e Orfeut).

Çdo gjë në këtë pranverë

ka filluar të çelë,

vetëm ti më mungon,

shpirtin ma dërrmon

(Para kthinës ku rrijnë të burgosurat pa u vërejtur fare përgjon Empuza. Ajo është e veshur me të zeza. Ec  me një hap të lehtë, si të maces).

 

 

EMPUZA

Shih, shih, po ju llafosni moj të mjera. Po ju edhe këndoni se. Ky është guxim i tepërt nga ana juaj (kërcënohet). Edhe pak ditë e do të shihni zotin tuaj të madh (qesh me ironi). E ne lavdërohemi se kemi burgjet më të rënda në tërë dheun. Po, taman ashtu, e ju keni guxim edhe të këndoni. Burg se jo mahi (del me rrëmbim).

 

EURIDIKA

Ç'pati kjo e mallkuar. Edhe tani më ushton në vesh zëri i saj si një piskë. Korba, sa e ligë është. Me të ligë se ajo nuk ka në burgjet e Hadit.

 

GRUAJA ME TË KUQE

Kur më mori në pyetje herën e parë më ka shkallmuar të tërën. Nuk  kënaqej vetëm me flakaresha e fyerje, por pa mëshirë e përdorte edhe kërbaçin.

 

GRUAJA SHTATZËNË

Kam dëgjuar se ishte edhe perverze. Sidomos ndaj studenteve të reja e të bukura, tregonte shenja simpatie.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

E, çfarë duhet të presësh tjetër nga këto krijesa gjysmake. Për këta këtu çdo gjë është e lejuar, por sjellja njerëzore asesi dhe është e panjohur.

 

GRUAJA SHTATZËNË

A dëgjuat, po kjo kudër na u kërcënua: "Do ta shihni ju edhe për pak ditë”, ( përdridhet si ajo). Me siguri mendoi për

 

 

gjykimin tonë. (Nga jashtë dëgjohet një rrënkim, pastaj një britmë dhe përsëri rrënkimi i padurueshëm. Në skenë ngadaël fiket drita).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PAMJA E PESTË

 

(Në skenë hyn Persefona si çdo herë e rregulluar dhe e veshur bukur. Ec poshtë e lart, thyen gishtat, nganjëherë shikon në dritare. Errësira e frikëson, tërhiqet nga mesi i skenës dhe drejtohet kah publiku).

 

PERSEFONA

Vërtet nuk durohet errësira. Edhe unë e pata vështirë në fillim, mendoja se kurrë nuk do të përshtatem. Por ja, u mësova. Bile-bile fillova edhe ta adhuroj errësirën. Më premtonte Hadi se së bashku do ta sundojmë errësirën. Por...(bën një pauzë), me gjasë ata rebelë përsëri duan të ngrenë kokën. Të gjithëve kjo do të na kushtojë shtrenjtë, por nejse. Edhe ata do ta paguajnë haraçin e tyre. Të gjitha këta i dinë, i kanë njerëzit e vet në rrugë, në tubime fshatare, në institucione, çdokund. E unë, mbretëresha e

 

 

Hadit, rri dhe i shikoj se si vrapojnë. Mundohen të më kursejnë. Ndersa unë të gjitha i di, të gjitha m’i tregoi nëna dhe vërtet doli ashtu. (Derisa kjo flet më tepër më vete në skenë padiktueshëm duket një njeri i veshur me rroba të zeza dhe me një parukë të bardhë në kokë. Ky është Radamanti, gjykatës në tribunalin e mbretërisë së Hadit).

 

RADAMANTI

Mirëmbrëma zonjë e nderuar. Zotëria nuk është këtu? Eh, sa pata nevojë për të, prandaj edhe nxitova. (Persefona frikësohet nga zëri i tij dhe me rrëmbim kthehet kah ai)

 

PERSEFONA

Mirëmbrëma gjykatës, mirëmbrëma. Po ju ç'e mirë ju solli këtu? Diçka po ndodh, megjithatë mua askush nuk më thotë asnjë fjalë, megjithse edhe këtu asgjë nuk mbetet pa u zbuluar. Më thuaj, zoti gjykatës, vini në cilësinë e gjykatësit apo si më parë, të mikut të shtëpisë?.

 

RADAMANTI

Si mik, moj zonjë, si mik. A thua nuk paskam të drejtë të vij në vizita private vetëm pse jam gjykatës. Po unë derën e hapur e kam pasur prej se më solli Zeusi që t'i ndihmoja Hadit në këto punë të vështira. Zonjë e nderuar, më lejoni të ju pyes, me shëndet si jeni dhe diç më dukeni e shqetësuar.

 

PERSEFONA

Mos më bezdis ti mua, miku im. Por më trego çfarë po ndodh në mbretërinë tonë. Edhe ti më dukesh i dyshimtë, se ndryshe nuk kishe ardhur në këtë kohë. E di sa është ora?

 

 

RADAMANTI

Ç'lidhje ka ora me ne, zonjë e nderuar. E, për merakosje, me sa di unë, këtu nuk ka vend. Por, ne duhet çdoherë të jemi të përgatitur e të gatshëm për çdo të papritur. A sheh sa njerëz kemi në hetuesi, në burgje. Në çdo qytet i kemi transferuar vetëm që këtu ta kemi më lirë. Por...(bën një pauzë), të gjithë këtyre u duhet këputur koka, se më vonë është e kotë, më kupton.

 

PERSEFONA

Të kuptoj, të kuptoj. Por, është vështirë, tani të veprosh kundër tyre. Madje... madje janë bërë edhe si shumë të zgjuar e të mençur. Në çdo bastisje, në çdo arrestim kërkojnë dëshmitarë. Thërrasin zëdhënësin e tyre, mbledhin njerëzit, bëjnë dëshmitarë të shumtë dhe çdo gjë e paplanifikuar mund të na kushtojë shtrenjtë dhe çdo sjellje tjetër do të jetë e pamend.

 

RADAMANTI

Jo zonjë, ne tollovive nuk guzojmë t'u ikim, por përkundrazi, vetëm në to mund të bëjmë çfarë të duam. Atëherë duart i kemi të lira. Se, për shembull aq lehtë e kemi të likuidojmë njeriun dhe të mos kemi asnjë përgjegjësi. Ai u likuidua, ta zëmë, se deshi të ikë nga vendi i ngjarjes, ose deshi të na kundërvihet dhe për atë shkrepëm armët e zjarrit, e shumë arsye të tjera. Çdo tjetër veçse ta pakojmë sa më shumë këtë popull të rebeluar. Këtu nuk ka nevojë për frikë se vetëm ne e kemi pushtetin këtu. Ne mund t’i falim, ne mund t’i dënojmë. E, për t’i falur ata duhet të na kryejnë njëmijë e një punë, me besnikrinë më të madhe. E

 

në të ardhmen mund t’i lëmë të lirë që më vonë të bëjnë jetë gaforreje. A nuk jemi zemërgjerë, moj Persefonë. (Ndërsa këta bisedojnë hyn në skenë Hadi me hapa të rëndë, i përcjelël nga Tanati. Pelerinën e ka të hedhur krahëve, në dorë mban një ombrellë të zezë. Tanati i veshur krejtësisht me të zeza i shkon pas dhe me sjelljen e një shërbëtori besnik  përcjell çdo fjalë të tij).

 

HADI

Paske ardhur, i dashur mik, shpejt paske ardhur. Këtu çdo gjë funksionon si ora. Eja pra të ulemi e të bisedojmë shtruar (Nga xhepi nxjerr ca afishe dhe ia afron atij). Merri, a i ke lexuar këto?

 

RADAMANTI

Asgjë e re. Këto afishe i kemi parë edhe para dyzet vjetësh, edhe më herët, por do t’i shohim edhe më vonë. Kjo nuk është asgjë, miku im, ngase për të gjitha këto jemi përgatitur dhe jemi njoftuar me kohë.

 

HADI

Kështu mendoja edhe unë më herët. Por tani ndryshuan qëndrimet, e me to edhe njerëzit. E di kush i frymëzoi për qëndresë dhe kush i mbajti në jetë. Por çfarë t’i bësh kur nuk e bëmë të heshtte me kohë. Çdo masë torturuese përdora ndaj tij, por çudi ai mbeti i pathyeshëm.

 

RADAMANTI

Për Prometheun po mendon?

 

HADI

 

Mu për atë. Ai ua fali zjarrin, ua mësoi shkrimin, leximin dhe edukatën, i mësoi të bëjnë qëndresë. Të çuditshëm janë këta njerëz. Po qe se vërejnë se dikush i përkrah ata ngrenë kokën dhe nuk duan të dinë se kë kanë zot. Çudi, harrojnë krejt se këtu janë skllevër, më kupton?

 

RADAMANTI

Keni të drejtë, keni të drejtë. Shumëçka ka ndryshuar tani këtu. Edhe bashkëpunëtorët e dikurshëm nuk janë si më parë. Na kanë humbur. Nuk duan të bashkëpunojnë, nuk sjellin informata dhe nuk marrin parasysh se çfarë iu ofron. Te këta është ngritur padiktushëm vetëdija kombëtare dhe ajo shtetformuese. Janë bashkuar të gjithë rreth një trungu. Nuk thyhen lehtë, por ne do t’i thyejmë. Do të shohin këta dhe do të na mbajnë në mend.

 

PERSEFONA

(Dëgjon me kujdes, pastaj shikon herë njërin e herë tjetrin. Tanati qëndron gatitu para tyre) Domethënë, këta përgatisin konflikt, duan konflikt me ne. O zot, sa të marrë që janë. Nuk e dinë se do të bëhen mish për plumba.

 

HADI

Por ti nuk duhet të shqetësohesh. Të gjitha i merr me të nxehtë. Prandaj desha të t’i mbaj në fshehtësi të gjitha këto. Por është e pamundur. Ti do të dish çdo gjë.

 

PERSEFONA

Nuk jam e shqetësuar, por jam e tronditur. Këta horra nuk mbledhin se nuk mbledhin mend. Edhe më parë tentuan, por

 

 

çfarë i gjeti. U dergjën nëpër burgje me vite të tëra. Kur dolën më tepër iu ngjanin urithëve se njerëzve të kësaj bote.  Edhe familjet e tyre nuk kaluan më mirë. Të gjithë u traumatizuan.

 

HADI

Kështu mendon ti, Persefonë, por gabohesh shumë. Ata kurrë nuk kanë qenë më të fortë dhe më të bashkuar, më të mençur dhe më të pathyeshëm. Shiko, vetëm shiko, se çfarë përgjigje më dha Prometheu i tyre për lirinë që i ofrova. (Lexon me zë) "O JU TË PASHPIRTË! TË GJITHËVE JU URREJ! NUK DUA TË NDËRROJ MUNDIMET E MIA ME SHËRBIMIN SKLLAVËROR NDAJ NJË TIRANI". Unë i ofroj lirinë, jetën e rehatshme e të begatë e ai, burri i botës, më përgjigjet në këtë mënyrë.

 

TANATI

Imzot, për këtë mos u merakosni. E rregulloj unë këtë punë. Do ta bindim që të na dojë, madje edhe të na dashurojë, se falë jush kemi  mënyra të përshtatshme edhe për këtë.

 

RADAMANTI

Jo, Tanat, nuk duhet nxiturar. Me të duhet të kemi kujdes se si duhet të sillemi. Duhen kryer pa bujë punët. Mirëpo ... (mendohet), të likuidohet Prometheu është një punë që nuk bëhet. Populli i do ata. Dhe, kur është puna te idoli i tyre kombetar, atëherë ata nuk pyesin për sakrifica. Mendoj se është mirë t'i shtohen keqtrajtimet aty ku është. Në kthinën e tij është mirë të hedhim një të tonin dhe një të çmendur e

 

kështu kryhen punët, në heshtje dhe pa zhurmë. Më vonë e shpallim si qerim hesapesh  mes të burgosurve.

 

HADI

Dhe ti mendon se populli është aq i marrë sa t'iu besoj gënjeshtrave tona.

 

PERSEFONA

Po kush pyet për popullin. Popullit kur i shtohet skamja, uria, vuajtja, keqtrajtimi e zullumi i paparë, nuk ka kohë të merret më me punë Prometheu.

 

RADAMANTI

Ashtu, ashtu është, por të gjitha këto duhet të kalojnë në heshtje, duhen injoruar kërkesat e tyre. Duhet ndaluar çdo hyrje-dalje jashtë, duhet ndaluar çdo kontakt me të huaj, se këto takime atyre iu japin shpresë, e ne duhet që te këta të mbysim çdo iluzion për ardhmërinë. Së bashku me iluzionet ua mbysim edhe kujtesën për të kaluerën, e më të ua shlyejmë edhe historinë. Populli i cili nuk ka histori, çfarë të drejte do të ketë për ardhmëri.

 

HADI

Shumë bukur Radamant, e kam ditur se vetëm ti je i denjë të marrësh vendin e kryetarit të tribunalit të mbretërisë. Pra, juve iu mbetet, ty dhe Tanatit, të zgjidhni këtë punë. ( Ndërsa ata dalin skenën e kaplon errësira).
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SKENA E DYTË

 

PAMJA E PARË

 

(Një kthinë e vockël, vetëm se një dritë e dobët shëndrit fytyrat e njerëzve që ndodhen në të. Është plot tym duhani, pluhur dhe papastërti. Në një qoshe është një teneqe për nevoja fiziologjike. Njëri nga të pranishmit ngrihet dhe i afrohet teneqesë. Dy të tjerët e mbulojnë anash që të mos duket nga të tjerët. Në dysheme qëndrojnë të shpërndara ca pjata të vjetëruara me ca lugë po ashtu të vjetra e të thyera. Në ndonjë pjatë është edhe ndonjë krodhe buke bajate. Njerëzit janë të lodhur, të damkosur, mbajnë syze me dioptri të madhe.Palltot i kanë të grisura. Dikush kollitet pandërprerë. Nga ata tre vetë, sa janë aty, njëri lexon një libër të trashë, tjetri shkruan një poezi, një tjetër vizaton me një laps të thjeshtë. Para tyre, te dera e improvizuar, ec një roje e armatosur. Herë pas here përgjon të burgosurit. Ndërkohë dëgjohet një rrënkim, një gjëmim. Një roje tjetër,

 

kalon atypari, me një njeri krejt të gjakosur, e ngre për pallto dhe herë pas here e shqelmon. Të burgosurit në dhomë shqetësohen nga zhurma që dëgjojnë. I ndërpresin punët dhe shikohen  mes vete).

 

STUDENTI

(Ngre kokën), Po e çojnë Prometheun përsëri në terapinë e mundimit.

 

PIKTORI

Sa më dhemb kjo vuajtje. Më duket se plagët e tij kullojnë edhe në trupin tim.

 

POETI

Ata mund ta mundojnë sa të duan, në fund edhe ta mbysin, porse po ju them se ta thejnë atë, kurrsesi nuk munden.

 

PIKTORI

Dëgjoni, të jua them të drejtën, jam shumë i merakosur për fatin e tij. Është mirë të ndërmarrim diç për ta shpëtuar, së paku nga torturimi i vazhdueshem që i bëhet. Por kam një hall. Si t’i lajmërojmë ata  jashtë, se kështu nuk durohet. Të shkatërrohet Prometheu para syve tanë, më duket absurde.

 

POETI

Po, çfarë pret. Propozo ti dhe unë jam i gatshëm ta kryej detyrën.

 

STUDENTI

 

 

Duhet bërë grevë urie, mendoj. Nganjëherë mendoj edhe këtë, se duhet njoftuar shtabi që të ndërhyjnë disi edhe ata nga jashtë. Por sa më shpejt. (Derisa këta bisedojnë e bëjnë debat, përsëri nga jashët dëgjohet rrënkimi dhe oshama).

 

PROMETHEU

Dua ujë, vetëm pakëz ujë. Më shkatërruan veshkë e mëlçi. M’i vërbuan sytë. Ma copëtuan zemrën këto bisha të egra. (Përsëri oshan dhe rrënkon dhembshëm). Vetëm pak ujë, se më mbyti etja e vapa e padurushme më dëpërton në palcë, më djeg ngadalë. (Prometheu qëndron i kryqëzuar në një shtyllë, është i përgjakur, i parruar dhe i dërrmuar, këmishën e ka të grisur dhe të përgjakur. Nga brenda i duken mushkëritë e copëtuara. Në qelinë e burgut ku janë të burgosurit bëhet plani si të informohet shtabi i ilegalistëve për shpëtimin e Prometheut. Roja kohë pas kohe përgjon dhe i mshon derës më shqelm)

 

ROJA I

Qetësi o ju të mallkuar, apo ndoshta ju ka marrë malli për përkëdheljet e mia. Dhe ju fort mirë i dini çfarë janë ato. (Në qeli ndalet për një kohë biseda, por më vonë fillon edhe më me vrull.)

 

POETI

(I drejtohet piktorit), Si thua, nesër ka vizitë. Po a do të mund ta përcjellim porosinë.

 

PIKTORI

Po si, po si. Për ta përcjellë atë ka një mijë e një forma. Mundemi edhe nëpërmjet këmishës. Në jakën e saj fusim

 

 

informatën, se nëna ime kur e pastron atë e shikon hollësisht, kupton.

 

STUDENTI

Ndoshta do të ishte më e përshtatshme edhe kjo, ja nëpërmjt këtij libri mund të përcjellim porosinë. Germat e duhara për porosi i nënvizoj me laps në rreshta të ndryshëm, prej nga lidhen fjalët dhe formohen fjalitë. Kështu kanë vepruar edhe të tjerët para nesh dhe ia kanë dalë.

 

POETI

Dhe ti mendon se do t’ia dalim?

 

STUDENTI

E pse të mos kemi, në jakë, ajo është shumë e aplikushme, po edhe kjo e librit është edhe më e kapshme.

 

POETI

Or student studenti, të kem lakmi sa optimist që je, pa më thuaj ku e more krejt këtë optimizëm.

 

STUDENTI

Çfarë argumenti, do më të madh or poet, sesa kur sheh Prometheun e dërrmuar e nuk dorëzohet. Ty të kanë çfilitur e asesi nuk ankohesh, poetin e kanë lodhur por ai i shkruan poezitë më të mira për lirinë, që ndonjëherë dhashtë Zoti në liri t’i botohen. Edhe pse, pas çdo seance torturuese, kthehet i dërrmuar deri në palcë. Dhe, më pyet pse jam optimist. Burgjet në mbretërinë e Hadit anekënd janë mbushur me të rinj dhe të reja. Kthehen recidivat dhe i përshëndesin ata që

 

 

së shpejti do të bëhen recidivë. Mekanizmi i ferrit funksionon, por shtrohet pytja edhe sa dhe deri kur. Ata, vogëlushët tanë, që lindin në terror, rriten me dhunën, ata do t’i mbajnë në mend krejt këto, do t’i skalisin thellë në kujtesat e tyre fëmijërore, dhe nesër, apo një ditë tjetër, grushtat e tyre do ta tundin qiellin.

 

POETI

Vajza me të cilin kaloja sa isha jashtë më shoqëronte çdokund. Kur më arrestuan i dhashë leje të martohej me kë të dojë, se rruga ime është e gjatë, i thashë, zgjat shumë vite, dhe nuk e di kur kthehem e si do të kthehem. Mos më prit, e porosita. Ajo më shikoi gjatë në sy, lotët i shkonin nëpër faqe si kokrra rrushi. Lotët e saj ma shponin zemrën. Ajo u zhduk në errësirë pa zhurmë e lehtë siç kishte ardhur një ditë pranvere në takimin tonë. E shikova gjatë, atë vajzë të urtë e krenare. Ky është takimi ynë i fundit, thashë më vete. A thua vallë, do ta shoh ndonjëherë të gëzuar dhe të lumtur? S’di as vetë pse mendova kështu. (Fshin ballin me shami dhe një ofshamë e thellë i del nga fundi i zemrës).

 

PIKTORI

Mos trego, të lutem, po qe se kjo ngjarje të sjell emocione. Të lutem mos u shqetëso se ka edhe këso rastesh. Po çfarë të bëjmë kur e dimë se kështu e ka jeta. 

 

POETI

Por jeta ime nuk është si e të tjerëve.

 

PIKTORI

 

E di, e di, por çfarë t’i bëjmë fatit kur jetën e bën nën okupim, e ai, okupatori t’i cakton rregullat e lojës.

 

POETI

Por lojën duhet ditur ta lozësh, miku i im, andaj edhe po të rrëfej për vajzën që u tret në errësirë pa as një fjalë lamtumire. Ai ka llogaritur edhe  këtë: Ikja e saj do të më lëndojë e do të më shkatërrojë dhe kanë llogaritur se do ta thyejnë  lehtë ndjeshmërinë e poetit.

 

STUDENTI

Në rregull, pra, na thuaj çfarë ka ndodhur me ty, me të pastaj, që flet me kaq afsh e temperament.

 

POETI

Ajo edhe meriton të flitet për të, të shkruhet për të.

 

STUDENTI

Vazhdo të lutem, vazhdo. Kjo që tregon ti i ngjan më tepër një tregimi romantik.

 

POETI

Dhe pasi e kryen hetimin për mua, më dënuan me dymbëdhjetë vjet burgim. Deri te vizita e parë pata mjaft kohë të mendoja edhe për të. Nga dy ditë m’i kishin futur në një ditë. Mendoja: u bë mirë që shkoi ajo, tani kam një barrë më të vogël e një brengë më të madhe. Për çdo natë  ëndërroja ikjen e saj pa asnjë fjalë. Nganjëherë mendoja se atë natë ishte e fyer dhe e lënduar në të njëjtën kohë. Por, më dukej krejt e arsyeshme një sjellje e këtillë. Erdhi vizita e

 

 

parë. Me padurim  e pritja atë, por në vete kisha edhe një drojë të pashpjeguar. Çfarë lajmesh do të kem nga ajo?

 

PIKTORI

Fol de, se do më shkojnë lotët nga ky përjetim yti. Të lutem trego epilogun se çfarë ka ngjarë.

 

POETI

Çfarë ka ngjarë thua, si në roman, ashtu siç tha studenti. Kërcet çelësi, më ftojnë për vizitë, pastaj rrang - dang kërcet dera e hekurt. Unë prisja në kthinën e errësuar. Hyri lokja me një grua të re e cila shumë më ngjante në Brisildën time. Njëherë u rrëqetha e pastaj ndjeva të një të ftohtë nga këmbët. U frikësova. U ngrita në këmbë, por këmbët nuk më bënë punë. Kur u afrova pranë tyre një dorë e fortë më ndali. "Nuk guxon t’u afrohesh, i dënuar", m’i kujtoi rregullat e burgut. Tisi i hollë i dritës që hyn nga një dritare e lartë ndriste fytyrat e nënës dhe të gruas së re. Nëna deshi të flasë: "Bir..." por fjalët i mbetën në grykë se roja që qëndronte pranë i tha "Duhet të flasësh në gjuhën tonë, në gjuhën e kësaj mbretërie". Ajo heshti, më shikoi gjatë, por, megjithatë, nuk foli. Ashtu me heshtjen e saj donte të zgjaste vizitën. Shikova nënën e lodhur dhe të mplakur, pastaj gruan e re pranë saj. Më tha: "bir, nuk e njeh Brisildën”. Atëherë u binda se ishte ajo vetë. M’u duk e lodhur. Ndërkohë, deri sa i shikoja ato dhe analizoja çdo vijë e vijëzim në fytyrën e tyre, roja më kapi për krahu dhe vizita mbaroi. Ishte ëndërr vallë e tërë kjo, mendova.

 

PIKTORI

 

Ç’ndodhi me Brisildën, pastaj?

 

POETI

Më vonë nga ajo mora letër në të cilën më njohtonte se "unë, së bashku me nënën e babain e pamë të arsyeshme se shumë më mirë është që unë të shkoj te nëna jote e të jetoj me të sesa të rrij tek prindërit e mi, të cilët kanë edhe fëmijë të tjerë, ndërsa nëna jote të ka vetëm ty e me mua më lehtë do t’i kalojë ditët e pleqërisë. Unë do të qëndroj në shtëpinë tënde dhe do të pres, kurdo që të kthehesh".

 

STUDENTI

I lumtë, i lumtë!  (Duke  fshehur fytyrën  i fshin sytë me shami).

 

PIKTORI

Ashtu pra, këto janë motrat tona dhe për këto duhet ta fitojmë doemos lirinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PAMJA E DYTË

 

(Në kthinën ku qëndrojnë të burgosurat mbretëron një qetësi e madhe, vetëm gjëmimi i njërës nga to e thyen kohëpaskohe heshtjen e madhe. Ato janë të lodhura dhe të shtrira njëra pranë tjetrës. Vetëm aty ku qëndron roja një tis i hollë drite zbardhëllen fytyrat e tyre të shëmtuara. Në ndërkohë njëra nga të burgosurat trembet në gjumë. Fillon të qajë dhe të rrënkojë.)

 

GRUAJA SHTATZËNË

Ku ndodhem, oh ku ndodhem unë kështu? Po ku i kam fëmijët e tjerë? (Me duar shtrëngon barkun. Shtrin duart, kërkon fëmijët). As ata nuk i kam. M’i morën fëmijët të mallkuarit. Edhe burrin ma morën, më lanë vetë, krejt vetë. Jeta, e çfarë jete është kjo pa ata. (Gratë zgjohen, i afrohen, e kapin për krahësh, mundohen ta qetësojnë. Zgjohet edhe roja ).

 

ROJA

 

Qetësi ju atje, a kuptoni, a nuk e dini sa është ora? (I bie derës me grushta), Qetësi, ose do të jua këpus kokën juve atje.

 

GRUAJA ME TË KUQE

Sa ka zjarrmi e gjora. Ka pësuar shumë në jetë, andaj nuk është e çuditshme pse ka ankth të vazhdueshëm.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Edhe unë nuk kam gjumë të rehatshëm. Ëndrrat nuk më lënë të pushoj. Çudi, me net të tëra me përsëritet e njëjta ëndërr. Ëndërroj lumenj të mëdhenj e të rrëmbyeshem. Të kthellët si loti janë, vijnë nga të tigja anët e derdhen në stadiumin e qytetit. Pastaj, çudi moj motër se si lëvizin si njerëzit, ecin nëpër çdo rrugë e rrugicë të qytetit. Ti me gjasë i shpjegon disi ëndrrat. A s’më thua çfarë domëthënie ka kjo ëndërr?

 

GRUAJA ME TË KUQE

Pse më pyet mua, po ku e di unë se çfarë domethënie kanë ëndrrat. A nuk e sheh se më është bërë krejt njësoj, si realja, si irealja? Nuk bëj farë dallimi  mes tyre. Por një gjë e di, se gjyshja më thoshte kur isha e vogël, se të shohësh në ëndërr lumenj, e sidomos të kthjellët, është shumë mirë. I ke punët e pastërta me shumicën. Ndërsa uji i turbullt, ih, është keq, ngase do të kesh punë me hyqymetin.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Athua do të jetë ashtu! A nuk është mjaft të qëndrojmë këtu, në këto biruca të mallkuara, por na u dashka ende të

 

kemi punë me hyqymetin. Hyqymeti  i kreu punët me ne. Na dënuan pa të drejtë që të mbrohemi.

 

GRUAJA ME TË KUQE

Sa dëgjova unë, këta po u përgatitkan që edhe një herë të na nxjerrin para gjyqit. E, ajo që do të vendosin aty me gjasë do të jetë definitivja.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

E çka është definitive? Kur të gjithë e dinë se e tërë kjo është vetëm një farsë, një rrenë e kulluar. Dënimet tona kaherë i kanë të përgatitura e i mbajnë në syze dhe kur të jetë nevoja i nxjerrin nga aty dhe fletë- fletë na i shqiptojnë.

 

 

GRUAJA ME TË KUQE

Po, po ke të drejtë, por këta këtu nuk mendojnë si ti dhe nuk i njohin ligjet e tjera, përveç këto të Hadit.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Loja duhet vazhduar, mikja ime, ai që nuk i di rregullat e saja,deshëm o s’deshëm ne, ai del nga loja. Me gjasë këta këtu e kanë humbur kaherë fillimin e saj. E, sa na përket ne, dashurinë ndaj këtij vendi duhet ta masim me sakrificat që bëjmë për të.

 

GRUAJA SHTATZËNË

(Fillon përsëri të gjëmojë. Të dy gratë i afrohen, ia prekin ballin, njëra nga to fillon një masazh të lehtë në kokë). Pak ujë, vetëm pak ujë më jepni, se më doli flaka. (Njëra nga gratë

 

 

merr një matare me ujë dhe ia zbraz në gjokës dhe në ballë; Ajo nis të këndellet).

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Me gjasë nuk di se ku ndodhet, sa më dhimbset.

 

GRUAJA ME TË KUQE

E ka humbur krejt zjarrmia (roja hyn brenda, i kërcënon, njërës i jep një shqelm dhe zgërdhihet trishtueshëm).

 

ROJA

A e dini se është natë, ori të mallkuara.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Po këtu vazhdimisht është natë. Ti, a e dallon terrin nga drita?

 

GRUAJA ME TË KUQE

Po ku ta dallojë i gjori, kur asnjëherë nuk ka parë dritë. Hadi është mbretëri e territ, e ti kërkon nga ky i gjorë (i drejtohet shoqes), të dallojë diellin nga hëna (qesh  me ironi).

 

ROJA

Nuk guxon të qeshësh këtu, se edhe kjo është e ndaluar.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Më thuaj, pra, çka është e lejuar?

 

ROJA

Të jetosh si e vdekur.

 

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Unë? Po a nuk më sheh se unë jam e gjallë?

 

GRUAJA ME TË KUQE

Ky edhe këtë dallim nuk e bëka mes të gjallit dhe të vdekurit. Ja, ta tregoj unë. (I afrohet rojes dhe e kap për krahu) A më sheh? Kjo që sheh jam unë, jam e gjallë, ndërsa ti qe je këtu, je i vdekur, e qartë?

 

ROJA

(Afrohet ngadalë, ia kap flokët gruas që flet dhe ia përdredh) Qetësohu, po të them, bushtër e mallkuar.

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Largoji nga unë ato thundrra të mallkuara se më vjen të vjell, o i përlyer. Edhe ti do ta pësosh si të tjerët. Do të të shtrydhin e do të të shtrydhin e në fund do të të hedhin si limon të harxhuar. Pastaj, kur nuk do të kesh çka të ofrosh, do të të likuidojnë si të tjerët para teje. E ke të qartë tani?. Edhe më zi se të parët do ta pësosh. (Roja disi i frikësuar, e  lëshon gruan nga flokët dhe me hapa të ngadalshëm del jashtë).

 

GRUAJA ME TË KUQE

I duhet treguar ketij qeni ku e ka vendin. I sojit tonë është, por është i fëlliqur.
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PAMJA E TRETË

 

(Në skenën e mobiluar Hadi e Persefona bisedojnë, por janë disi të pikëlluar. Herë pas herë heshtja futet mes tyre. Persefona nganjëherë ofkëllin dhe ngrihet e bredh nëpër dhomë. Pas një pauze të shkurtër ajo ulet pranë Hadit  dhe e shikon drejt në sy).

 

PERSEFONA

Pse nuk me shikon si më parë. Je tëhuajsuar disi. Ka diusa ditë që të shikoj e ti zihesh në vete. E di, e di se ke probleme. Por mos harro, ato duhen zgjidhur bashkërisht. A jam, a nuk jam gruaja jote? Zemra duhet të hapet mu ndaj meje. Askujt nuk i dhimbsesh më shumë se mua, por edhe i njëjti fat na pret që të dyjave.

 

HADI

E çfarë të të rrëfej, kur edhe unë ndodhem para një dileme më të madhe që kam pasur gjer më tani. Edhe...edhe mërzia jote më çmend kohëve të fundit. Prej se u ktheve nga nëna jote shumë punë më shkuan mbrasht, por, po të them,

 

nuk ka nevojë për frikë e panik. Ky popull është rebeluar shumë, ç'është e vërteta, po ne kemi mjete për qetësimn e tij.

 

PERSEFONA

Po pse e përzien nënën time në këto punë.

 

HADI

Se ajo asnjëherë nuk u pajtua me rrëmbimin tend nga mbitoka.

 

PERSEFONA

Dhe tani mendon se ajo po hakmerret! Gabim e ke. Në fillim vërtet nuk u pajtua, por më vonë për të ishte njësoj  se ku jetoja, me rëndësi ishte që gjashtë muaj të vitit t'i kaloja me të. E di këtë.

 

HADI

E di, e di. Por pse mu në këtë pranverë të mallkuar të na ndodhin këto konflikte të papritura?!

 

PERSEFONA

Si nuk i pritje. Po këta kanë qenë të qartë që nga fillimi. Asnjëherë nuk janë pajtuar me jetën në errësirë. E di, me gjasë edhe fëmijët posa iu lindin dhe fillojnë të qajnë në vajet e tyre me ngjan se ka thirrje për dritë. Po, megjithatë ke të drejtë. Këta punuan me aq mjeshtri sa edhe detajet më të vogla i bënë në ilegalitetin më të madh.

 

HADI

 

 

Domethënë, tani janë më të mençur se më parë.

 

PERSEFONA

Më të mençur thua! Po pse më të mençur?

 

HADI

U shkolluan, moj grua, u shkolluan. E për këtë ne vetë jemi fajtorë. I ulëm me zor në bangat e shkollës, iu dhamë laps e fletore në dorë. Ja , kjo ishte arma që ua dhamë kundër nesh. Ne i mësuam ç’është drita e dielli. E tani kur e dinë ç'është drita e dielli vështirë është t'ua marrësh. Po as nuk heqin dorë nga ajo.

 

PERSEFONA

Me gjasë fajtori kryesor për këtë është Prometheu.

 

HADI

Oh, të ishte vetëm një Promethe lehtë do ta kishim me të. Po çfarë të bëjmë kur nga ai kanë dalë njëmijë, njëqindmijë e më tepër Promethe. Çfarë thua ti kur një popull i tërë kthehet në Promethe dhe nuk do të dijë për torturat që ia bëjnë çdo ditë. E tërë kjo qëndrueshmëri e tyre më bën të çmendem kur i shoh se si durojnë nuk dorëzohen dhe nuk japin pesë para për atë që u ndodh. Feniksa janë bërë këta të gjorë.

 

PERSEFONA

Ata po lavdëron, ore.

 

HADI

 

 

Unë nuk i lavdëroj, por po të them  se cilët janë ata me të vërtetë.

 

PERSEFONA

Por nuk janë të mjerë ata që gjakojnë lirinë, dritën.

 

HADI

Të mjerë janë ata se Tanati i shkatërroi nëpër biruca dhe ata nuk mbledhin mend, se këtu është mbretëria ime, e nga këtu nuk kanë ku të shkojnë. Iu flet e këta heshtin, nuk bëzajnë, thua se janë të shurdhër, të pagojë, të pandjenja.

 

PERSEFONA

Por ky grupi i ri që u zbulua tani, me sa di unë, të gjitha i ka pranuar, ama bash të gjitha.

 

HADI

Mu këtu qëndron e zeza. Se tani më nuk frikësohen. Nuk na e varin veshin fare. Çdo gjë ta thonë haptas, çdo dëshire, çdo kërkesë të tyre. Kërkojnë të drejtat e veta, po tani di]në edhe t’i mbrojnë. Të mençur janç të marrët.

 

PERSEFONA

Përsëri ofendon. Kohëve të fundit e ke humbur toruan fare.

 

HADI

Si të mos e humb, thua. Po këta jetojnë në mbretërinë time, moj grua dhe ende nuk e kanë të qartë se mund të gëzohen vetëm aq sa i lejoj unë në këtë vend. Mund të ecin

 

 

vetëm aq sa unë iu jap hapësirë. Mund të dashurojnë, por vetëm aq sa iu jap mundësi me dekretet e mia. Kjo është ajo që këta ende nuk e kanë të qartë dhe po qe se duan mund të dalin nga këtu. Por të krijojnë mbretëri në mbretërinë time, këtë nuk kanë për ta përjetuar, përndryshe Tanati do të ketë punë edhe më tepër me ta.

 

PERSEFONA

Po tani, çfarë kërkojnë ata.

 

HADI

Kërkojnë atë çfarë kërkuan edhe baballarët e tyre dhe gjyshërit e ndjerë. Kërkojnë atë që ne kurrë nuk do t'ua japim. Kërkojnë fatkeqësinë e vet. Se në këtë tokë kurrë nuk do të lejojmë të gëzohet fëmija e  rebelit kryengritës.

 

PERSEFONA

Paj, s'di çka të them. Edhë këta dalin me disa argumente që vështirë është t'ua mohosh.

 

HADI

Shihe Persefonë, por si gruaja  ime që je nuk të lejoj të mbash anën e tyre.

 

PERSEFONA

(Qesh), Po kush tha se mbaj anën e tyre. Unë vetëm të them atë që edhe ti e di, por nuk do të pranosh para vetvetes e as para të tjerëve. Madje edhe mua  më akuzon. (Në skenë duket Ernia e shqetësuar. Në dorë mban ca letra dhe me njërën nga ato luan).

 

 

ERNIA

Imzot, kam lajme shqetësuese. Rrugët janë mbushur me njerëz. Kanë dalë që të gjithë në rrugë. Në sheshin kryesor nuk mund të kalosh nga masat e gjera. Kanë dalë burra e gra, pleq e fëmijë. Ka dalë çdokush që mund të ecë. Brohorasin pandërprerë. Në duar mbajnë pankarta dhe ja, një ua solla këtu (e nxjerr nga xhepi dhe ia tregon ).

 

HADI

Lexoje shërbëtorja e ime, lexoje se çfarë shkruajnë ata horra.

 

ERNIA

(Lexon), Duam dritë, duam liri, duam mbretërinë tonë...

 

HADI

Mjaft më, mjaft më! Po ju ku jeni, ç’punë bëni, apo mos frikësoheni se po ju ndodh ndonjë e keqe. Ejani rrini me mua, këtu jeni të sigurt, apo jo?

 

ERNIA

Imzot, (e frikësuar), në rrugë ka shumë njerëz, shumë. Si thneglat duken nga larg. Ata janë shumë, shumë imzot. Më shumë se ne. Tanati kryen punët e veta me përpikërinë më të madhe. Po ashtu edhe Empuza, Lamia e të tjerët të gjithë janë në terren. Mirëpo...

 

HADI

Çka, mirëpo...vazhdo shërbëtore, vazhdo! Si duket të gjithëve ju paska hyrë frika në asht. Po si nuk turpëroheni,

 

 

or të mjerë. Nuk ju vjen turp nga kjo përgaditje e pasukseshme. Kurrë gjatë mbretërisë sime nuk kam kërsyer asgjë për të ju armatosur sa më mirë, për të ju përgatitur për çdo të papritur. E ju, ja se me çfarë ma ktheni. Tani ikni një nga një nga terreni, vini këtu tek unë që të ankoheni dhe të qetësoheni. Turp, turp...

 

ERNIA

Imzot, më lejoni të ju tregoj se askush gjer më tani nuk ka ikur nga terreni. Unë erdha vetëm të ju njoftoj se çfarë ndodh në rrugë. Erdha edhe të konsultohem se çfarë të ndërmarrim më tutje. Të reagojmë apo të përcjellim çdo lëvizje të tyre? Për këtë erdha.

 

HADI

Assesi të ndërrmerrni diçka me aksion. Detyra juaj është të përcillni çdo gjë. Të incizoni çdo lëvizje. E më vonë, kur të shpërndahet turma, krejt më vonë, kur të rehatohen në shtëpitë e veta, kur të mendojnë se çdo gjë u qetësua, atëherë dilni ju në skenë dhe kryeni punën tuaj ashtu siç mundeni dhe dini, kemi duar të shlira për çdo gjë. Një nga një i sillni para meje, këtu. Ti shoh ato fytyra dhe të më mbajnë në mend edhe mua, kuptohet për një kohë më të gjatë. (Në skenë fillojnë të dëgjohen zërat nga jashtë. Persefona i afrohet dritares dhe dëgjon).

 

PERSEFONA

Me gjasë janë afër këta njerëz.

 

ERNIA

 

 

Mos u shqetësoni zonjë. Ata janë aq të qetë sa të habisin. Ecin të qetë, mbajnë pankarta në duar dhe janë shumë krenarë.

 

PERSEFONA

E zhurma që dëgjohet këtu tek ne.

 

ERNIA

Kjo nuk është e tyre. Janë njerëzit tanë që fusin huti në masë. Shpesh edhe me kërkesa të çuditshme edhe me rekuizita të tjera kombëtare. Duan të krijojnë konflikte dhe të ndërhyjë roja jonë.

 

PERSEFONA

Ju doni tollovi.

 

ERNIA

E si të ndërhyjmë, pra. Si t’i arrestojmë njerëzit po qe se nuk ka ndonjë tollovi.

 

PERSEFONA

Në rregull, në rregull, bëni çfarë të doni, por unë nuk shoh ndonjë zgjidhje fatlume me ndërhyrjen që do të bëni. (del)

 

ERNIA

Zonja është e shqetësuar, tepër e shqetësuar.

 

HADI

Të gjithë e keni vërejtur. Vetëm tani më thoni të vërtetën. Për atë që po ndodh tani në rrugë ajo kishte mësuar më

 

 

herët te nëna e saj. Por Persefona si Persefona më, askujt asnjë fjalë nuk ia tha. E mua që isha burri i saj u mundua të më kursejë. Por nuk bëri mirë që nuk m’i tregoi ato. Se tani nuk do të ishim të këtillë, por me një hop të dorës do t’i qetësonim që të gjithë. Kupton Ernie?

 

ERNIA

Do të mundohem, imzot, por ndaj zonjës kam konsideratë të posaçme dhe vështirë do ta kemi. Por ajo është e zonja dhe do ta përballojë këtë tollovi, siç i përballoi ato që na patën ndodhur më herët.

 

HADI

   Shiko, unë nuk të lutem ty, por po të them të kesh kujdes më të, dhe ta kursejmë nga lajmet e këqija. E di sa ajo është e ndjeshme.(Më ngadalë fiken dritat. Ata dalin).
 

 

 

 

 

 

                                 

 

 

 

 

 

 PAMJA E KATËRT

 

(Në skenë, të veshur me të zeza, gjykatësit e tribunalit të Hadit. Ata janë: Radamati, Eaku dhe Minosi. Edhe te këta vërehet një shqetësim i papërmbajtur. Përshendeten me Hadin dhe ulen në karriget e veta. Aty janë ca karrige, dy tavolina dhe foltorja e të burgosurve).

 

HADI

Mirë bëtë që erdhët. Më thoni, çfarë mendoni ju për këtë që po ndodh rreth nesh, këtu në vendin tonë?

 

RADAMANTI

Asgjë e jashtëzakonshme, imzot. Kjo na ka ndodhur edhe më parë.

 

HADI

Asgjë e jashtëzakonshme, asgjë e jashtëzakonshme, kështu thoni sa  herë që ka tollovi, por kjo po ndodh këtu,

 

në rrugët tona, e në qëndrojmë duarkryq dhe presim se çfarë do të ndodh.

 

EAKU

Duhen hedhur në sketerrë të gjithë këta heretikë.

 

MINOSI

Pastaj Tanati të ketë punë me ta. Duhet, duhet t’i shkokëzojmë ata, iu duhet treguar ku e kanë vendin.

 

HADI

Edhe më parë i hidhnim në skëterrë, i zdepnim dajak, i zhduknim. Por, këta e dinin  çfarë bënin,  shumoheshin edhe më tepër, sa në një familje jetonin nga njëzet e dyzet anëtarë. Bile-bile tani janë edhe më agresivë. Besa janë edhe më shumë. Dhe janë bërë të gjithë bashkë. Qytetarë e fshatarë, pleq e të rinj, gra e burra, profesorë e studentë, të gjithë janë si një trup i vetëm. Kjo është e rrezikshme.

 

RADAMANTI

Të gjithë duhen arrestuar ose duhen larguar nga rrugët. Se çfarë kahe është duke marrë, aq do të ketë jehonë.

 

EAKU

Pas disa ditësh fillojmë gjykimin e tyre. Kur të kryhet kjo punë, e di çka do të pasojë? Do t’i shpërndajmë anekënd vendit. Dhe përsëri le të ngrihen në protesta apo demonstrata masive.

 

MINOSI

 

 

Së pari, t’i arrestojmë, t’i hedhim në skëterrë, pastaj e kemi lehtë me ta.

 

EAKU

Kështu thonim gjithnjë, e kemi lehtë, e kemi lehtë. Mirëpo, po kam frikë se po na ndodh e kundërta, e ata demonstruesit po shtohen si thneglat.

 

MINOSI

Gabuam kur e dënuam me vite marramendëse Prometheun. Kjo duhet pranuar se ishte papjekuri e jona. Duhej pak taktikë, që neve na mungoi, mirëpo tani edhe këtë punë e mori lumi. Ne nuk deshëm të luajmë lojëra me rregulla, andaj dalëngadalë dolëm në terren të pastër, ku ata e patën edhe më lehtë me ne. Na i kuptuan të gjitha qëllimet. E politika e vërtetë, miku im, asnjëherë nuk luhet në skenë. Ajo që ndodh në prapaskenë është politikë. Ne me gjasë i nënçmuam forcat e tyre intelektuale dhe ata luajtën lojë politike ku ne nuk e pritëm fare.

 

EAKU

Në rregull, e si mendon se është dashur të veprojmë me Prometheun, kur ai ishte organizatori kryesor i trazirave? Kush e mendoi se me këtë shpejtësi do të zhvillohen ngjarjet?

 

MINOSI

Është dashur ta lëmë të lirë, të veprojë, por nën kujdesin tonë. Ndërsa me të tjerët më lehtë do ta  kishim pasur. Një nga një do t’i kishim zënë dhe hedhur në skëterrë. Do ta

 

 

kishim kryer punën në heshtje, pa zhurmë të tepëruar. Kështu, siç thonë, edhe mishim e kishim pjekur, edhe hellin nuk e kishim djegur.

 

RADAMANTI

Nuk kemi paraparë se do të marim këtë kahe këto trazira.

 

HADI

Ne do t’i shuajmë të gjitha. Pa marrë parasysh se çfarë mjeti do të përdorim. Po a nuk thonë kot se qëllimi e arsyeton mjetin? Andaj, çdo mjet na është i lejuar. Ndaj këtyre nuk do të kemi mirëkuptim. Me këta nuk do të kemi nevojë të bëjmë politikë, por do t’iu tregojmë se ku mbërrin njeriu i cili merret me të. (Ndërkohë në skenë duket Hekata. Është e gëzuar; iu afrohet burrave të cilët bisedojnë me kujdes. Asnjëri nuk e vëren praninë e saj. Ajo kollitet për të tërhequr vëmendjen e tyre)

 

HEKATA

Zotërinj, kam lajme të gëzueshme (kokën e mban ulur dhe pret reagimin e tyre)

 

HADI

Fol de, fol moj Hekatë, a nuk sheh se jemi të zënë me ca punë të ngutshme. Prandaj nuk kemi kohë të merremi me ty.

 

HEKATA

Ama imzot, unë thashë se kam lajme të gëzueshme, e sot të sjellësh lajme të gëzuara është punë e madhe. Jashtë

 

 

derdhet gjaku. Vriten njerëzit, fëmijët plagosen dhe shumë e shumë gjëra të tjera ndodhin sot në rrugë.

 

HADI

Mos të zgjasim, Hekatë. M’i thuaj, pra, ato lajme të gëzueshme që sjell.

 

HEKATA

Tanati ka zënë ca grupe të rebeluarish dhe i ka futur në skëterrë, e disave që ishin agresivët ua mori shpirtin.

 

HADI

Hekatë, të kuptoj plotësisht për gëzimin tënd, por këtu nuk është fjala më për grupe të caktuara, por për një popull të tërë. Më kot burgosim tani, mundemi edhe gjysmën ta hedhim në burgje, por ata po shtohen çdo ditë dhe po bëhen më të egër se të parët e tyre.

 

MINOSI

Është mirë që Tanati e Karoni të angazhohen më tepër.

 

RADAMANTI

Po, po, por është mirë që të angazhohemi që të gjithë. Edhe para nesh është grumbulluar një punë e madhe. Është mirë t’i rrekemi me seriozitetin më të madh. Ne duhet të përgatitemi. Sa më pak njerëz të lejojmë në gjykatore. Sa më pak informues, përshpëritës dhe të huaj. Se po vepruam ndryshe do të zbulohet i tërë komploti ynë.

 

MINOSI

 

 

Veprojmë si me proceset e mëparme. Aktgjykimet do t’i marrim të gatshme, të shkruara, vitet e vuajtjes së dënimit dhe neve nuk na mbetet shumë punë përveçse t’i vulosim e t’i nënshkruajmë. 

 

RADAMANTI

Po më duket se ende nuk e ke të qartë se në çfarë situate ndodhemi tani. Ne, me një fjalë, jemi të bllokuar. Kanë ndryshuar ato kohëra kur kalonim pa asnjë vërejtje. Do ta shohësh sa njerëz e mbrojtës do të kesh në gjykatore, e sidomos këta të huajt që si shumë po na e turbullojnë ujin.

 

MINOSI

Nuk do t’i pranojmë aty.

 

EAKU

Por, do të veprojmë si më herët, apo jo?

 

HADI

Megjithatë, unë nuk jam i qetë, edhe pse po premtoni shumë. Çdo gjë tani ka ndryshuar. Këto trazirat e fundit janë shumë më masive se ato të mëparmet. Janë më të organizuara, më të zëshme dhe më kuptimplote. Dhe, çka është më e keqja, këto u bënë në tërë vendin. Doni a s’doni ju, duhet të jemi shumë më të përgatitur se përpara.

 

MINOSI

Unë kam filluar t’i bëj gati fletëdenoncimet. Kur të fillojë gjykimi do ta kemi shumë më letë, gati-gati do t’i kemi punët të kryera.

 

 

HADI

Në rregull është që t’i kemi punët e kryera, por nuk është në rregull që t’i lejojmë përsëri të dalin në rrugë, që të lejojmë këso shqetësimesh në popull. Pastaj nuk është fjala vetëm për shqetësime, por këta kërkojnë diç edhe më tepër; kërkojnë një shtet të organizuar që do të jetë vetëm i tyre. Andaj, mendoj se ne duhet të fillojmë sa më parë procese gjyqësore, duhet të aktivizojmë të gjitha punktet në çdo qytet. Dhe ju lutem, të mos i kurseni në dënime. Sa më të egër do të jeni, aq më të respektuar do të jeni tek unë dhe te pushteti. Bile dikush edhe do të shpërblehet për mjeshtritë e hidhura.

 

RADAMANTI

Për këtë mos u bëni merak. Ne e dimë zanatin tonë. (Drita fiket ngadalë. Ende dëgjohet muzika e Orfeut diku larg)
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PAMJA E PESTË

 

(Burrat e burgosur bisedojnë në kthinën e tyre. Janë të lodhur dhe të rraskapitur. Diçka komentojnë me duar)

 

POETI

Dëgjo, dëgjo, ai ende këndon. Sa bukur e dhimbshëm këndon.

 

PIKTORI

Kush  këndon kështu, poet ?

 

POETI

Pse, a nuk e ditke ti. Orfeu ore, burri i Euridikës.

 

PIKTORI

 

Po ajo kaherë ka dalë.

 

STUDENTI

Jo, jo, e kthyen të poshtrit në gjysmë të rrugës derisa ti ishe në tretmanin e hetusisë. I gjori, vazhdimisht këndon. Përsëri mendon se me këngë do të zbusë zemrën e zezë të Hadit.

 

POETI

Mos kuptove diç derisa ishe në hetusi? A thua, kur do të na nxjerrin para gjyqit?

 

PIKTORI

Besoj se së shpejti. Por vërejta diçka që nuk e kam vërejtur gjer tani, diçka te këta ka ndryshuar. Janë më të butë, më të sjellshëm, dhe... dhe disi kanë njëfarë frike prej nesh.

 

POETI

Thua kanë ndryshuar. Ndoshta edhe kanë ndryshuar. Ne porosinë për Prometheun e përcollëm. Tani për çdo mend po presim reagimet e atyre nga jashtë.

 

PIKTORI

Pse, a nuk ke dëgjuar? Tërë qyteti është në këmbë. Me ditë të tëra mundohen ta qetësojnë masën por asesi nuk ia dalin.

 

POETI

Ooo, po ky qenka lajmi më i gëzueshëm që kam dëgjuar

 

 

prej se jam këtu. Me vite pres këtë lajm e ti ma thua në mënyrën më të qetë. Mirë or piktor, a je i vetëdijshëm se çfarë lajmi na kumtove sot?

 

PIKTORI

E di, e di. Por mos harro, unë nuk jam poet dhe nuk di ta zbukuroj, në mënyrën tënde. Unë të them se isha tepër i lumtur kur e dëgjova këtë nga ajo roja e tyre. Më tha "Sa shpejt do t’i kesh ato pesë minutat tua”. Unë qesha, edhe pse trupi më dhembte në çdo pjesë. E di, e di, i thashë. Këto nuk do të jenë pesë minutat e mia, por do të jetë tërë ardhmëria.

 

POETI

Të lumtë, o vëlla, të lumtë? E di se një ditë kur do të dalim nga këtu, të gjitha do t’i pikturosh me ngjyrat më të bukura. Dhe do t’i tregosh botës se çfarë pësuam në këto biruca të tmerrit.

 

STUDENTI

Qe sa kohë e vras mendjen pse kanë ndryshuar rojat, hetuesit e të tjerët.

 

POETI

Kanë frikë se edhe këtu mund të iu shkaktojmë të papritura. Të organizojmë ndonjë grevë apo ndonjë trazirë tjetër.

 

STUDENTI

E ti mendon se këta janë aq të mençur sa të mendojnë

 

 

edhe në këtë mënyrë?

 

PIKTORI

Nuk e kan hallin për këtu tek ne, por për ata në rrugë, për jehonën që kanë trazirat e pakënaqësisë popullore. I tërë një popull ka dalë në rrugë. E një popull të tërë nuk mund ta burgosin, ta asgjësojnë dhe ta largojnë nga trojet e veta.

 

STUDENTI

Me këtë që thua pajtohem plotësisht. Domethënë kësaj mbretërie të kalbur po i dridhen themelet.

 

POETI

Është turp të durojmë ende. Një popull aq i vetëdijësuar të keqtrajtohet, të ndiqet e të përbuzet, kjo është e pafalshme. Ngase të gjitha kushtet janë pjekur që pushtuesit t’ia shembim themelet.

 

PIKTORI

Koha ka ardhur, po nuk di sa jemi të gatshëm të punojmë bashkërisht  mes vete, të çmojmë atë që na prin në këtë rrugë dhe të respektojmë të diturit që e meritojnë, pa i shikuar interesat e ngushta individuale. Se zaten, momentet më të rëndësishme i kemi lëshuar nga dora dhe kemi mbetur kështu siç jemi, në gjysmë të rrugës.

 

POETI

Po sa pesimist je nganjëherë, or piktor. Dëgjo këtu, mos harro se këto që ndodhin jashtë janë brezat e rinj që kanë marrë mësime nga pësimet tona. Andaj, kjo që po ndodh

 

 

tani është vendimtare për ne, për fatin e këtij kombi. Unë e ti jemi të gatshëm të bëjmë sakrifica. Edhe atë pa u ndalur se çfarë ngjyre ka, nga na vjen dhe çfarë rruge ka zgjedhur për të mbërrijtur cakun. Me rëndësi është që idealin tonë të kahershëm ta ngremë lart e më lart dhe atë ëndërr të kahershme ta bëjmë realitet të përditshmërisë sonë. Mendoj se në këtë do të kemi sukses. 

 

PIKTORI

Po të mendoja ndryshe nuk do t’i hyja  kësaj pune.

 

STUDENTI

Po unë, pse qëndroj këtu? Po shokët e mi? Po Prometheu që i duron keqtrajtimet e njëpasnjëshme, mendon se i do ato? Jo, mor, jo. Rrijmë këtu e me sy hapur e shoh se si vjen pranvera në rrugët tona. Dita me diell, e me dritën së shpejti do të agojë në shtëpitë tona.

 

POETI

Ju më kuptuat, por edhe më keqkuptuat. Unë jam i bindur në fitoren tonë, prandaj me krenari e pres fundin e këtij dimri të madh. Por, është mirë që nga populli të mos fshehim asgjë, ama asgjë. Se populli mund t’i falë keqtrajtuesit e tij, por tradhtarët kurrë.

 

STUDENTI

Për këtë mos u bëj merak. Populli është i përgatitur për këtë. Kur ka mundur të përballojë Hadin me ligjet e tij, si nuk mund të durojë diellin mbi kokën e vet. (Më ngadaël fiket drita në skenë)
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SKENA E TRETË

 

PAMJA E PARË

 

(Në skenë duken dy tavolina të gjata me nga tri karrige. Mes tyre është një tavolin e vogël, e mbi të një makinë shkrimi. Në mes qëndron foltorja për të pandehurit. Në tërë këtë mbretëron një zymtësi. Çdo lëvizje e personelit është eurofike dhe nervoze. Në hapat e tyre vërehet ngutia e tepërt. Procesi mbahet diku në orët e mëngjesit. Nga dritarja vërehet se ka filluar të zbardhë dita. Në mbretëri nuk guxon të ketë as dritë e as diell. Një shërbëtore vë një plaf në dritare që të mos duket gjë nga brenda. Në skenë me radhë hyjnë gjykatësit: Radamanti, Minosi, Eaku. Pas tyre vjen një grua e veshur me të zeza, që ulet në vendin e daktilografistes. Pas një rituali të ngutshëm, zënë vendet. Në skenë duken të burgosurit të përcjellur nga roja. Hyjnë me radhë Piktori, Poeti, Studenti, Gruaja shtatzënë, Gruaja me të kuqe, Gruaja me të bardha. Tek të gjithë këta vërehet

 

lodhja dhe dërrmimi i trupit, por që të gjashtët janë krenarë dhe të paepur. Ata qëndrojnë në këmbë. Piktori shikon anash, pastaj shikon shokët, lëviz kokën në shenjë moskuptimi).

 

PIKTORI

Unë reagoj po qe se ky është gjykimi ynë. Pse bëhet pa praninë e familjes, të mbrojtësve dhe të dëshmitarëve.

 

RADAMANTI

Gjykimi është për ju dhe nuk lejoj kurrfarë reagimi në sallë. I pandehur ta ndaloj çdo koment, çdo pytje dhe çdo reagim. Ti je këtu i pandehur e ne të caktojmë dënimin. E ke të qartë tani? Çdo tollovi është e ndaluar në gjykatore. Kjo që po them vlen për të gjithë të pandehurit e tjerë.

 

GRUAJA SHTATZËNË

Pse të vlejë edhe për të tjerët? Edhe ne kemi pytjet tona. Ju e dini fort mirë se ne nuk jemi  kriminelë dhe (Shikon shokët), nuk jemi të rrezikshëm për rrethin ku jetojmë. Ju të gjithë e dini këtë. Pastaj, ç’është kjo marri, të na merrni nga gjumi e të na sillni këtu në mes të natës. Këtë vetëm ju e bëni, pirolla ju qoftë!

 

MINOSI

Moj marroqe. Çfarë drite kërkon ti, kur në Had ka vetëm errësirë. E juve ju dënojmë në këtë mënyrë pa ceremoni, se as nuk meritoni diç më tepër (të burgosurit qeshin).

 

RADAMANTI

 

 

Të pandehur, ç’ka këtu për të qeshur.

 

GRUAJA ME TË KUQE

Ju nuk e ditkeni pse qeshim ne. Çdo gjë që bëni ju është për të qeshur. Çdo sjellje juaja është qesharake, sidomos kur mundoheni të fshehni frikën nga ne dhe nga ata që thërrasin jashtë.

 

MINOSI

Mjaft më se do ta ndërpresim gjykimin.

 

PIKTORI

Do ta ndërpritni dhe  nuk do ta mbani kurrë më. Kuptuat?

 

GRUAJA SHTATZËNË

Nxitoni me gjykimin (qesh). Se ju vetë e thatë se nuk e duroni dot dritën. Po tani çfarë do të bëni, a nuk e shihni se ka filluar të agojë ? Me kot e  keni vënë atë plaf në dritare. Ende nuk kuptoni se dita po vjen, ja edhe këtu në errësirën tuaj? Hiqeni atë plaf, o të mjerë, se dritën askush nuk mund ta ndalë.

 

POETI

(Drejtohet kah dritarja, heq plafin, drita depërton me të madhe në sallë.) Tani a e dalloni dritën nga errësira, o të pashpirtë (Nga jashtë vijnë zërat duke brohoritur "Duam dritë!  Duam liri!).

 

EAKU

Moj nxitëse e konflikteve (i afrohet asaj), pse s’më thua, si e dallon dritën nga errësira apo edhe ju keni filluar t’i

 

 

humbni ndjenjat nga dëshira e flaktë për dritë e liri?

 

GRUAJA SHTATZËNË

Lehtë është t’ju tregoj se drita po vjen, se ju jeni treguesit më të mirë të kësaj. Në çdo hap që çon kah mëngjesi ju jeni edhe më të vrazhdë, më barbarë, më të padurushëm, shenjë kjo se mëngjesi është afër.

 

MINOSI

Hesht, bushtër e keqe, hesht, se do të ta këpus kokën me këto duar (tregon duart). Roje, roje, ku jeni? (Brenda hyjnë rojat. Minosi tregon me dorë kah gruaja shtatzënë) Kapeni. (Rojat e rrëmbejnë gruan, ajo del duke qeshur me ironi)

 

GRUAJA SHTATZËNË

Shpejt do të kthehem për t’ju gjykuar juve, or urithë.

 

GRUAJA ME TË KUQE

Domethënë ju keni frikë nga ne, nga ne me duar të lidhura. Nga të tjerët çfarë frike keni, mund ta marr me mend. Nga ata që janë qindra e mijëra përjashta. Ata do të vijnë, ata po vijnë, a nuk i dëgjoni? Shihni sa afër dhe sa shumë janë. E ju ku do të shkoni, o të mallkuar! Mendoni se do të kemi mëshirë për ju? Gaboheni, gaboheni...

 

GRUAJA ME TË BARDHA

Do të shkojnë atje ku e kanë vendin, moj motër. Në errësirë, në mbretërinë e urithëve, sa më larg dritës. A nuk e shihni sa po i tmerron emir i saj këta të padritë. A e shiheni si sillen me ne, por i kanë të numëruara sekondat.

 

 

MINOSI

Roje, kapeni edhe këtë bushtër se sonte  guximi iu ka hyrë disi në qejf. (Roja e kap edhe gruan e dytë, e nxjerr jashtë. Gjykatësit ndërkohë bisedojnë diç  mes vete dhe janë të shqetësuar.)

 

RADAMANTI

Do të bëjmë një pauzë të vogël. Të dënuarit i çoni në qelitë e veta. (Roja edhe të burgosurit e tjerë i nxjerr nga salla).

 

MINOSI

(Gjykatësit janë më të lirë tani dhe bisedojnë), Nuk e kam pritur se do të reagojnë kësisoj.

 

RADAMANTI

Ju prorozova që t’i gjykojmë veç e veç, por ju përtuat të punojmë kështu, tani është vonë për çdo gjë. Na fyen sa deshën dhe ishin shumë më të guximshëm se më parë.

 

EAKU

Vërtet mirë e paske pasur. Por, nejse, tani fillojmë një nga një. Edhe kështu punët i kemi të kryera. I thërrasim dhe ua shqiptojmë dënimet dhe me kaq merr fund puna për sot.

 

RADAMANTI

Ti mendon se në këtë mënyrë do t’i japim fund punës për sot? O Eak, Eak. Po ata që po brohorasin nga jashtë, çfarë dënimi propozon për ta? Sonte edhe unë e kam si shumë më të vështirë se në gjykimet e tjera. E vërejti ajo bushtra shqetësimin tim, mu për atë edhe fliste me rromuze. Por, do

 

 

t’ia tregoj unë qejfin asaj dhe të tjerëve. E këtyre që thërrasin jashtë qefin të ri do t’iu pres që sonte. Shpirtin në grykë ma sollën. Do t’i tregoj Hadit që me këtë gjykim se sa besnikë jemi ndaj tij.

 

MINOSI

Mendon se nuk do të reagojnë më?

 

RADAMANTI

Ne vendosim këtu, qejfet e tyre nuk do t’i pyesim.

 

MINOSI

Kemi mundur vetëm prindërit t’i lejojmë këtu, por...

 

RADAMANTI

Kemi mundur, kemi mundur... shumë sende kemi mundur. Por ja se ku kemi arritur. Çfarë mendon ti? I kemi  punët ngushtë.

 

EAKU

Kemi mundur, por ndodhi e papritura në qytet, në tërë vendin, dhe tani jemi para aktit të kryer. Të jesh o të mos jesh, thoshte poeti. Edhe sa e sa grupe presin të defilojnë këtu para nesh. Tanati me shokë sjell pandërprerë grupe të reja. Jemi në hall ku t’i vendosim. Kanë filluar të gjithë të dalin në rrugë. Madje edhe ata që deri dje i kishim bashkëpuntorët më besnikë. Vërtet diçka e madhe po ndodh, thua se apokalipsë po pëson mbretëria. Na e kthyen shpinën të gjithë. Tanët po ikin, dalëngadalë po e lëshojnë frontin. Frika të gjithëve u është futur në asht. A nuk shihni sa pak

 

 

kemi mbetur? Edhe Hadi, që më së paku e kam pritur, ka filluar të dyshojë në forcën e vet. Persefona kaherë është e shqetësuar. Kjo është, i dashuri mik, se kërkuam që gjykimi të mbahet në formë të mbyllur. Kupton tani (të gjithë janë të zymtë), andaj duhet punuar me procedurë të shpejtuar.

 

MINOSI

Të fillojmë pra. Por të mos harrojmë se ky është grupi më i rrezikshëm.

 

RADAMANTI

Mu për këtë duhet të jemi më të ashpër dhe të kemi kujdes (Thërret rojat). Roje, roje, i sillni të pandehurit. (Hyjnë të gjithë përsëri në sallë).

 

MINOSI

Të pandehur, në vendet  tuaja! Fillojmë gjykimin.

 

EAKU

I pandehur (i drejtohet poetit), ngreu në këmbë. (Ai ngrihet, është i lodhur, fytyrën e ka të mavijosur. Qëndron gatitu, trupin e mban drejt  dhe i shikon të gjithë me radhë).

 

POETI

S’di pse i tërë ky teatër kur e di se aktgjykimet i keni të gatshme, andaj është më mirë tani të na i shqiptoni këto dënime. Edhe ju edhe ne do ta kemi më të lehtë punën. Ne të gjitha i kemi thënë dhe i kemi pranuar dhe aspak nuk e shoh të arsyshme të qëndrojmë këtu para jush. Asnjë të re nuk do jua themi. E, aq më tepër, kur nuk e kemi të hapur

 

 

gjykimin.

 

EAKU

Mjaft më, mjaft! A doni që përsëri të ndërpresim gjykimin.

 

POETI

Ajo është punë e juaja.

 

EAKU

Punë e juaj, punë e juaj, thua. Pse nuk thoje më herët që është puna juaj kur të jepnim dajak.

 

PIKTORI

Po tjetër as që keni çfarë të ofroni.

 

RADAMANTI

(I mshon tavolinës me çekan. Piktori dhe Eaku ndërpresin dialogun). Ju lutem qetësi në gjykatore, ose do të ndërhyjmë.

 

POETI

Ndërhyrje, ndaj kujt do të ndërhyni?

 

EAKU

I pandehur, në ditën e pranverës, a organizuat trazira në rrugët e shqiponjave, përgjigju shkurt: po, jo.

 

POETI

Po, por ju nuk na pytni fare pse i organizuam ato. Çka na detyroi të marrim një hap të tillë.

 

EAKU

 

Për të gjitha do të përgjigjesh, por më vonë, se tani nxitojmë.

 

POETI

Në mbretërinë tuaj, zotërinj, jeta është e padurueshme. Jo vetëm për ne, po edhe për ju. Se deri sa unë jam i robëruar, ju jeni ata që na mbani në këtë gjendje, prandaj ju kuptoj plotësisht se edhe ju e keni të vështirë. Këtë më së miri e dimë ne që këtë fat e bartim mbi shpatullat tona. Edhe babai im, edhe babai i tij këtë që ju e quani jetë të lirë, ose jetë e ferrit do të thoshim ne. Të ndjekur, të keqtrajtuar, të izoluar brez pas brezi. Dhe, ju mendoni se kështu duhet vazhduar deri në amshim. Gaboheni, zotërinj, gaboheni! Sikur të parët tanë, ashtu edhe ne, por edhe brezat e ardhshëm nuk do të pajtohen me robëri. Ne do të rezistojmë deri tek njeriu i fundit që do të frymojë në këto troje. Dhe ju garantoj se nuk do të na e thyeni dashurinë për një jetë e vend të lirë. Një popull si ky i yni nuk mbahet me kërbaç, or zotërinj. Merrnie, zotri, merrnie vetëm një grusht rërë në dorë, shtrëngojeni fort në grusht dhe do të shihni sa mund ta mbani. Nuk do ta mbani fare zotërinj. Do të dëshproheni me siguri, po kjo është e vërteta. Edhe grushti i juaj do të jetë i padëgjushëm para një rëre të imtë.

 

RADAMANTI

Roje, roje, nxirreni jashtë të pandehurin!

 

POETI

(Duke dalë nga skena i drejtohet gjykatësit). Ju thashë se i frikësoheni të vërtetës.

 

EAKU

I pandehuri i dytë, ç’ke për të shtuar rreth mbrojtjes sate (I drejtohet piktorit).

 

PIKTORI

Ç’kam për të shtuar! Atë që e la përgjysmë poeti.

 

EAKU

Ju pyes edhe një herë, doni të mbahet ky gjykim apo jo?

 

PIKTORI

Me gjasë nuk keni fat me ne. A nuk e dëgjoni zhurmën që vjen nga jashtë. Populli kryen punët e veta me dashuri, zotërinj. Dëgjoni, dëgjoni. . . (Gjykatësit shikohen  mes vete, dhe vazhdojnë me gjykimin).

 

EAKU

Atë që kërkon populli kurrë nuk do të lejojmë të realizohet në Mbretërin e Hadit. E ju, o të rebeluar, do ta pësoni keq nga këto iluzione që keni.

 

PIKTORI

Zotërinj, kjo që po dëgjojmë nuk është iluzore, po është e vërteta që po depërton këtu, deri te ju. Kjo jua shpon timpanin, apo jo zotërinj? Por, kini durim. Së shpejti do të jeni dëshmitarët më të padëshiruar në ahengun tonë.

 

EAKU

Atë që kërkon populli do ta  marrë që sonte, ja këtu në këto biruca (bën  me dorë kah kthinat e burgut).

 

 

PIKTORI

Zotërinj, ta keni të qartë se kërkesat tona janë legjitime. Herët a vonë ato do të jetësohen. Kështu, në mënyrën tonë, ju do të jeni të detyruar  t’i pranoni ato. Ende nuk e keni të qartë se mbretërise suaj që është ngritur në trollin tonë kanë filluar t’i tunden themelet.

 

 

EAKU

I pandehur, edhe ju me gjasë keni harruar se ndodhni para gjyqit tribunal të Hadit dhe se ne vendosim për ju, kuptuat? Për të asgjësuar një jetë asnjëherë nuk është vonë, prandaj përgjigjuni në pytjet tona. Pse organizuat masën që të vijë në qytet? Përgjigjuni.

 

PIKTORI

(Qesh me ironi). Nuk i organizuam ne, po të gjithë kemi qenë kaherë të organizuar për këtë ditë. Çuditeni pse ishim të organizuar. Keni harruar se gjakimi ynë shekullor është i kahershëm sa vetë historia jonë. Drita e liria janë pika e fundit e dashurisë shekullore. Për këtë kanë punuar të parët tanë, për këtë angazhohemi ne, po për këtë do të angazhohen edhe brezat e rinj të këtijë kombi, se amaneti i të parve tanë është aq i shenjtë sa nuk krahasohet as me jetën. Por, dhashtë zoti, zotërinj, ne do ta përmbushim këtë amanet të shenjtë.

 

RADAMANTI

I pandehur, je para gjyqit, t’i lëmë ëndrrat, se zatën duke ëndërruar kështu na i mbushët burgjet me njerëz të

 

 

mashtruar.

 

PIKTORI

Ju mendoni se e tërë kjo është ëndërrallë, jo or jo. Po gaboheni keq. Por po ju them, që sot do të bindeni se nuk jemi ne në iluzione, por ju.

 

RADAMANTI

I pandehur, ta marrë fjalën e mbrojtjes...

 

 

PIKTORI

Ju dhemb e vërteta, ju dhemb zotri.

 

RADAMANTI

Nuk ke të drejtë të flasësh më në gjykatore.

 

STUDENTI

(Që deri atëherë dëgjonte e merr fjalën). Nuk ju dhemb e vërteta, por jua tregon ditën kur do të ikni.(Duke folur studenti, në skenë hyn Tanati i shqetësuar, drejtohet kah Radamanti dhe i tregon diçka në drejtim të dritares)

 

PIKTORI

(Duke iu drejtuar studentit) Po vijnë tanët, po vijnë, a po e dëgjon këngën dhe zhurmën? Për këtë nxitojnë tani këta. Por kij kujdes, duhet edhe ne të jemi të përgatitur që të mos i lejojmë të ikin.

 

RADAMANTI

 

 

(I shqetësuar) Qetësi, të pandehur. Gjykimi vazhdon.

 

PIKTORI

Do t’ju them se ju mund të vazhdoni dhe të shqiptoni dënime sa të doni, por prej këtu e deri te mbajtja e dënimit është një rrugë e gjatë. Andaj, keni të drejtë të shqetësoheni si tani, se dita shpejt po troket në dyert tuaja, zotri.

 

RADAMANTI

Do të ndërpresim gjykimin (Nga jashtë zhurma dëgjohet edhe më e fortë).

 

STUDENTI

Kjo nuk është në natyrën tuaj, të ndërprisni përsëri gjykimin dy herë brenda një dite. Vazhdoni, zotërinj vazhdoni. Ju duhet të mësoheni të punoni edhe në këto kushte të reja. Ne punuam në kushte edhe më të vështira, duke na ndjekur hap pas hapi.

 

MINOSI

Do të humb durimin, i pandehur, e pastaj, pastaj do ta kesh të qartë tërë punën tonë.

 

STUDENTI

Ne punët i kemi të kryera, zotërinj. Në shtëpinë tonë nuk do të vendoseni ju, por as nuk do të gjykoni si më parë. Do t’i ndërrojmë rolet, zoti gjykatës. Do të vëmë në jetë ligjet tona, se kemi edhe organet tona  kompetente shtetërore. Dhe, puna juaj me kaq mori fund. (Në gjykatore hyjnë Hadi, Persefona, Lamia, Empuza dhe të gjithë bashkëpuntorët e tij. Janë

 

 

të frikësuar. Ndërsa në anën tjetër të burgosurit bisedojnë diçka dhe ecin me hapa të ngadalshëm kah publiku, duke i futur në rreth të pranishmit).

 

HADI

Radamant, ndërpreje gjykimin. Roje, hidhi këta rebelë në biruca. (Nga jashtë edhe më zëshëm dëgjohen zërat e njerëzve dhe kënga e fitores. Roja shtanget në vend dhe shikon kah publiku i habitur. Hadi bën hapat e fundit në gjykatore, fërkon duart dhe thellë ofkëllon) Mbaroi mbretëria ime! Mbaroi mbretëria ime! ...(thërret sa mundet).

 

PERSEFONA

Ndërmerrni diçka, ndërmerrni diçka, ju lutem, se masa depërtoi brenda ( e mbulon fytyrën me duar dhe qan).

 

STUDENTI

Dorëzou, dorëzou or mbret i errësirës! Mbretëria jote mori fund, u shkatërrua! (Në skenë hyjnë burra, gra. Turmë e madhe hyn në gjykatore dhe rrethon të pranishmit. Formon nëntë rrathë të ferrit e thërret). Dorëzou Had, se mbretëria jote u shkatërrua... u shkatërrua... u shkatërrua. (Hadi, Persefona, Tanati, Lamia, Empuza e të tjerët mbeten të shtangur në vend. Të burgosurituai rrëmbejnë armët rojave dhe ua drejtojnë atyre)

 

(PERDJA BIE)

F  U  N  D

 

                                             Dhjetor,1990

                                         Prishtinë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DRAMË E SINTEZËS PARADIGMATIKE NDËRMJET MITIT  DHE REALITETIT

 

 

Drama “Hadi” e autores Sabile Keçmezi – Basha përmes paradigmës mitike të risemantizuar përkap temën e dhunës si problem jetik të ekzistencës njerëzore duke formuar një strukturë të qëndrushme përmbajtësore me shtrirje kohore mitike, historike dhe aktuale të vështruar në kontekstin e përgjithësimit artistik me vlera që mëtojnë të pasqyrojnë rrjedhën dialektike të formësimit, kristalizimit, dominimit dhe më në fund të zvetnimit e mënjanimit të së ligës si pengesë për anticipimin e jetës së denjë të individit dhe kolektivit.

Me titullin eksplikues “Hadi” që simbolikisht emërton errësirën, dhunën dhe vdekjen , autorja pasqyron vetëdijen mitike mbi gjendjen me të cilën njeriu nuk pajtohet dhe në këtë kontekst që nga fillimi sjell atmosferën e zymtësisë, të errësirës dhe të raporteve të një bote dhe qytetërimi paradigmatik jo të qëndrushëm, në mënyrë që duke e zhvilluar intrigën të kalojë në risemantizimin e situatave, gjendjeve, zhvillimeve dhe karaktereve individuale si pjesë përbërëse të korpeve etnopsikologjike të dy qytetërimeve të antagonizuara të cilat i bart në kohë historike dhe aktuale përmes mynxyrës që zgjon asociacionin për kalvarin individual dhe kolektiv të hapësirës konkrete.

Fabula e dramës ngërthen në vete një galeri subjektesh mitike nga bota simbilike nëntoksore ( Hadi, Erenia, Eaku, Minasi) që posedojnë forcën e mbajtjes së errësirës, të dhunës, persekutimeve të ballafaquara me subjektet e botës konkrete reale historike dhe aktuale (Gruaja me të bardha, Gruaja me të kuqe, Gruaja shtatzënë, Studenti, Piktori, Poeti ) si forca të zgjuara të cilat janë bartëse të ideve progresiste, emancipative, fisnike dhe të ideve për jetën e denjë njerëzore individuale dhe kolektive.

Ndërmjet këtyre forcave të antagonizuara zhvillohen konflikte dhe përplasje të ashpra për jetë apo vdekje me situata absurdi, në të cilat manifestohet natyra e dhunës, e krimit, irracionalitetit dhe prirja për dominim në një anë, të cilat në mënyrë ciklike riprodhojnë skena ankthi e tmerri ndërsa në anën tjetër lindjen, kristalizimin dhe materializimin e qëndresës, të vitalitetit shpirtëror të shndërruar në forcë fizike për t’iu kundërvënë të ligës duke u martirizuar dhe flijuar si akte që bëhen frymëzim për të ngadhënjyer.

Në këtë luftë tmerruese me konotacione të kataklizmave biblike brenda realitetit artistik ndiqet linja e zhvillimit dialektik të çdo gjëje ekzistuse mbi shpërndërrimin ciklik të dritës dhe errësirës me epilogun optimist të mundësisë së ngadhënjimit mbi errësirën si mesazh përfundimtar i dramës.

Tërsia përmbajtësore e dramës “Hadi” me shumëkuptimësinë e ideve dhe vizioneve që mëton të sjellë stigmatizon fuqishëm vetëdijen izolacioniste të forcave opskurante që mbyllin horizontet e ekzistencës së denjë, ndërsa në anën tjetër anticipon vizione mbi mundësinë e përvetësimit të horizonteve  emancipative dhe fisnikërue përmes të së drejtës për  t’iu kundërvënë dhunës me dhunë që aty - këtu sforcohen krahas me elementin e rebelimit prometheist edhe me groteskë revolucionare.

Në këtë kontekst drama ka ndërtuar disa karaktere të fuqishme sidomos të personazheve që i përkasin shtresës e cila gjendet nën trusninë e fuqishme të dhunës. Përsenozhat mitike janë dhënë kryesisht në kontekstin e njohurive që autorja i posedon në bazë të përfytyrimeve mitike.

Me idetë, shumëkuptimësinë, mesazhet dhe vizionet e synuara drama “Hadi” e Sabile Keçmezit – Bashës shënon një vlerë të qëndrushme të dramaturgjisë sonë e cila verifikimin e plotë do ta përjetonte përmes sendërtimit të saj skenik.

                                                                        Prof.dr. Nebi Islami

 

 

 

 

 

 

 

SHTJELLA E SKËTERRSHME

 

Struktura e errët e botës së nëndheshme , pjesa e errët e trurit njerëzor , kthinat pa dritë të ngrehës shtet kanë gjetur vend dëndur në preokupatën e krijuesve. Kujtoj se mu mbi këtë bazë janë realizuar veprat më të mira të të gjitha gjinive të artit . Le me një anë eposin homerik dhe tragjedianët grekë, shtjella danteske është labirinti më virtuoz i mendjes dhe pasionit njerëzor. Prerja e dritë – territ në një plan shumëdimensional shfaqet edhe tek “Parajsa e Humbur” e Miltonit. Duke lexuar më vonë Dostojevskin hetojmë së truri i njeriut si një hamall mban ferrin e vet përbrenda, siç mban edhe parajsën. Se pjesa e errët s’është e thënë të jetë detyrimisht e nëndheshme na bind “Stina e mërzitshme në Olimp” e Kadaresë. Ajo pra, e errëta, terrimi mund të shfaqet edhe në variante siperane. Sabile Keçmezi – Basha është kredhur në botën e Hadit. Ç’është e vërteta, ajo ka marrë strukturën e arketipit, dërkaq sa i përket njësisë së vendit dhe të kohës ka parapëlqyer ta thyej klishenë. Së këndejmi edhe individi edhe kolektiviteti, pavarësisht nga koha e vendi, do ta gjejnë shëmbëllimin e fatit të vet në ndeshjen e përvdekshme mes dhunës e paqes, mes robërisë e lirisë, mes diktaturës e demokracisë. Shembja e perandorisë së territ, e perandorisë së Hadit, në këtë dramë nuk është thjesht aspiratë e autorës dhe as optimizëm bosh, por, para së gjithash rrjedhojë logjike. Muga dhe muzgu, më në fund, davaritet vetëm kur aureoli i përndritur i krijusit hidhet guximshëm brenda asaj shtjelle të skëterrshme, siç bën Sabile Keçmezi – Basha.

                                                                            Adem Gashi



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora