E enjte, 25.04.2024, 09:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Giuseppe Scelsi: Ideologjitë shkatërrojnë marrëdhëniet mes njerëzve

E diele, 14.11.2010, 04:36 PM


Nga Admirina Peçi, Gazeta Shqiptare

 

Tinguj dhe plumba", një roman grishës me ngjarje, personazhe, dhe fatet e një Shqipërie në tranzicion, i shkruar nga prokurori italian Giuseppe Scelsi, ka ngjallur mbrëmë kërshërinë e një numri të madh vizitorësh në Panairin e Librit. Ardhur enkas në Tiranë për promovimin e këtij romani Scelsi ka rrëfyer, gjithë ngasjet që e shtynë të zhytej në këtë eksperiencë krejt të pazakontë. Të pranishëm në këtë prezantim libri, zhvilluar në formën e një bisede të hapur pranë stendës së botimeve "Toena" (botuesi që e solli në gjuhën shqipe romanin e Giuseppe Scelsi-t), e pranishme në këtë eveniment ka qenë edhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, zv. ambasadori italian në Tiranë, shkrimtarë dhe artistë shqiptarë si, Visar Zhiti, apo regjisori, Dhimitër Anagnosti etj.

Edhe pse i cilësuar si një roman, "Tinguj dhe plumba" mbart në vetvete shumë elementë të tjerë që lidhen drejtpërsëdrejti me autorin e këtij libri, një njeri i lidhur ngushtësisht me sistemin e drejtësisë. Duke u nisur nga ky fakt drejtori i "La Gazzetta del Mezzogiorno" Carlo Bollino, i cili ka drejtuar gjithë bisedën me autorin e këtij libri, tha se botimi dhe promovimi i këtij romani po ndodh në një moment të veçantë.

"Tinguj dhe plumba" është një sintezë e një eksperience 20- vjeçare të Shqipërisë dhe nis me rënien e regjimit komunist. Është historia e emigracionit klandestin dhe për koincidencë të veçantë, ky roman promovohet sot në një ditë të tillë kur zyrtarisht, shqiptarët nuk do ta kenë më ankthin dhe turpin e kërkesave për viza.

Ngasjet drejt librit

Në krye të bisedës Giuseppe Scelsi ka rrëfyer për gjithë detajet e shkrimit të këtij libri dhe ngasjen që çoi drejt kësaj eksperience. "Kam punuar prej vitesh si jurist në një zyrë gjyqësori në Bari dhe më është dhënë mundësia të njohë shumë ngjarje si në Bari ashtu edhe në Shqipëri. Si qytetar por edhe si prokuror kam pasur mundësinë të jem dëshmitar i ngjarjeve dramatike të shqiptarëve në vitet kur filloi emigrimi klandestin, e kur solidaritet që tregoi populli i Barit veçanërisht në vitet e para ndaj atyre njerëzve, të cilët mbërrinin atje në kushtet nga më të mjerat nuk kishte si të ishe i asaj shkalle që të krenoheshe. Por, falë kësaj pune kam pasur mundësinë të jem edhe dëshmitar i armiqësive të krijuara për shkak të disa veprimtarive të paligjshme të një pjesë të atyre shqiptarëve që mbërrinin në Itali, siç është e vërtetë edhe nga ana tjetër se një pjesë e mirë e tyre janë përpjekur të integrohen në shoqërinë italiane, të punojnë e të krijojnë një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. Pikërisht kjo ka qenë pikënisja e kësaj përvoje modeste letrare",- tha Scelsi, duke bërë një paralelizëm mes profesionit të tij lidhur ngushtë me sistemin e drejtësisë dhe profesionit të mjekut, ku sundon e njëjta gjuhë teknike, larg ndjenjave dhe emocioneve "të atyre njerëzve të cilët janë të përfshirë në punën tonë". Scelsi kujtoi periudhën e viteve të para të '90-ës, kur, sipas tij në Itali u përhap një lloj frike ndaj shqiptarëve, nisur nga informimi për disa vepra kriminale, kryer prej grupesh të caktuara shqiptarësh në Itali. E njëkohësisht me këtë, po sipas prokurorit italian, njoftimet mbi hapjen e kazermave dhe depove të armëve ishin tejet shqetësuese. "Ekzistonte mundësia që njerëzit të merrnin armët në duart e tyre. Po ashtu u përballëm me faktin se një pjesë e mirë e këtyre armëve po shiteshin në Ruanda", - tha Scelsi, duke rrëfyer analizmi i këtyre dy të dhënave e bëri të arsyetonte e të reflektonte. "Nuk ishte e vërtetë që të gjitha armët ishin në Shqipëri. Dhe nuk mund të mendohej as hipotetikisht se këto armë mund të shkonin në Itali, pasi një pjesë e tyre ishin çuar në Ruanda. Kjo ishte pikënisja. Unë doja të shkruaja një vepër letrare mbi mundësitë e një familjeje shqiptare për të ndërtuar një jetë në Itali, duke i prerë urat me të kaluarën dhe mitet e tyre të largëta".

Katarsis ne liber dhe jashte tij

Në një ndërhyrje për një pyetje të dytë, Carlo Bollino ka rrëfyer pak nga subjekti i librit, i cili rrëfen historinë e një oficer të ushtrisë shqiptare, besnik i Partisë Komuniste, besnik deri në atë pikë sa nuk arrinte të kuptonte që kohët po ndryshonin dhe regjimi po shembej. Një ditë, ai zgjohet dhe sheh se kazerma e tij ishte e boshatisur. Ushtarët kishin ikur dhe kishte mbetur i vetëm në kazermë. Ai e lidh veten si rojë e asaj ç'ka kishte mbetur nga ushtria shqiptare dhe në këtë kontekst ai do të ruante edhe armët, të cilat gjendeshin në depot e kazermës. Kjo është pika ku nis tranzicioni shqiptar. Është një periudhë historike e pështjelluar dhe e tendosur për Shqipërinë, është ajo periudhë kur edhe nisi realisht trafiku i armëve si ai që përmendëm, me Ruandën. Në këtë kuadër historik nis edhe çoroditja e këtij personazhi. Ai gjendet në një skaf së bashku me gruan dhe një prej djemve të tij, pasi njëri nga djemtë i ka vdekur në rrethana që shpjegohen në roman. E pikërisht këtu nis edhe katarsisi i këtij njeriu, ku zbulon edhe talentin e tij prej muzikanti…. Nisur nga ky detaj i romanit, Bollino ka bërë një paralelizëm me prokuronin Scelsi, duke e pyetur nëse ka qenë shkrimi i këtij libri edhe një lloj katarsisi për atë vetë si personalitet. "Mund të jetë mbase diçka e tillë", - ka thënë Scelsi, duke rrëfyer përpjekjet e tij për të depërtuar në psikologjinë dhe botën e emocioneve, për të arritur deri tek ajo që ai e quan "edukatë ndjenjash". "Kësisoj, - tha Scelsi - mund të shihet edhe mënyra sesi njerëzit mund të rriten e të rrisin edhe personalitetin e tyre".

Ideologjite shkaterrimtare

Në vijim të bisedës Bollino ka shkëputur një fragment ku personazhi kryesor femëror i thotë personazhit mashkullor "mjaft më, unë nuk kam besim te komunizmi. Nuk kam më besim as tek ty...". Përmes këtij shpërthimi, ai ka kujtuar gjurmët që la në familjet dhe shoqërinë shqiptare kriza e sistemit dhe regjimi komunist në Shqipëri. E përballë kësaj krize, ishte arti që i shërbeu si një mjet për të ribashkuar familjen. Bollino i drejtoi pyetjen Scelsit nëse ideologjitë janë shkatërrimtare të këtyre marrëdhënieve dhe përballë tyre arti gjithmonë, si një mjet që mund të shërbejë për të bashkuar këto pjesë të shoqërisë dhe të familjes...Sipas Scelsit "çdo ideologji ka gjithmonë një efekt gërryes edhe në marrëdhëniet ndërpersonale. Kësisoj zhvillimi dhe forcimi i një shoqërie duhet të ndodhë jashtë komplekseve të fanatizmit, siç është e vërtetë se jashtë komplekseve të tilla duhet të ngjizen edhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Sa më e pjekur të jetë një shoqëri aq më evident do të jetë ngasja që marrëdhëniet mes njerëzve të mos përjetohen me fanatizëm", - tha prokurori italian Giuseppe Scelsi.

Perralla dhe mesazhe

Një mbyllje e bisedës me fakte jetësore, ngacmoi te të pranishmit kërshërinë për të mësuar diçka më tepër për ato faqe të librit që ngjajnë me një dosje të vërtetë hetimore, e që zënë vend në libër po aq dukshëm sa disa faqe të tjera, të cilat ngjajnë si përralla. Duke u përpjekur të ruajë disa enigma të ngjarjeve të romanit, Carlo Bollino e ka ngacmuar autorin të flasë për të dy këto anë të medaljes. Scelsi tha se përrallat që tregohen e që transmetohen nga brezi në brez, në të vërtetë përbëjnë edhe mekanizmin e përcjelljes dhe transmetimit të miteve. "Kam arritur në përfundimin që shpeshherë këto përralla kanë një vlerë të dëmshme, pasi evokojnë dhunën si zgjidhje në rastet e shtypjeve dhe arrogancës", - tha scelsi, duke kaluar më tej në një detaj vetjak. "Është e vërtetë se në disa skuta të kujtesës time janë disa përralla, për të cilat prej vitesh kam dashur të përsias. Unë kam tre fëmijë dhe kur ishin të vegjël që t'i vija në gjumë sajoja nga mendja përralla dhe këngëza. Natyrisht duhet të kishin ritmin e tyre që t'u ndillnin gjumin...Si të tilla këto kujtime, mbeten për mua një ngasje", - përfundoi Giuseppe Scelsi, argumentin e tij shoqëruar me mesazhe të qarta. Promovimi i këtij libri është shoqëruar edhe për disa minuta me takime të shkurtra me të pranishmit, ku ra në sy shtrëngimi i duarve dhe bisedat e shkurtra me prokuroren Ina Rama, e krejt në fund, firmosja e librave prej prokurorit Giuseppe Scelsi, për një varg lexuesish që prisnin pranë stendës së botimeve "Toena" me librin e tij në duar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora