E enjte, 25.04.2024, 05:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Koka e djaloshit nga Dimali - dëshmi e një qytetërimi të lashtë

E diele, 14.11.2010, 04:27 PM


KOKA E DJALOSHIT NGA DIMALI - DËSHMI E NJË QYTETËRIMI TË LASHTË

Sami Starova,Shekulli, 09/11/2010
 
KOKA E DJALOSHIT NGA DIMALI - DËSHMI E NJË QYTETËRIMI TË LASHTË
 
Në perëndim të qytetit të Beratit ndodhet fshati Krotin. Sipër tij ngrihet një kodër relativisht e ulët deri në lartësinë 450 m mbi nivelin e detit. 
Ekzistencën e këtij vendbanimi e dokumentoi arkeologu Austriak Pra Chnike, i cili ka bërë vëzhgime mbi këtë kështjellë (1).


Disa vite më vonë, studiuesi Sestieri shkruante: "Në kohën kur studioja Gradishten e Belshit të Elbasanit dhe kur mendoja për ekzistencën e padyshimtë të një sistemi të përbashkët ndërlidhjeje dhe ndihme reciproke në të kaluarën Iliriane. Midis këtyre kalave vëzhgimi, u lajmërova edhe për ekzistencën e një kalaje vëzhgimi në Mbjeshovë dhe një në Bistricë në mbarimin jugor të malit të Shpiragut. Këto pa dyshim kanë pasur funksion paralajmërues (2). 


Kjo kala krahas emrit të Krotinës, njihet dhe me emrin e Bistrovicës dhe rrallë herë si Kalaja e Allambrezit. Tre emërtesat e saj janë funksionale, sepse kodra ku është vendosur kalaja është qendrore. 


Nëpërmjet dokumenteve të autorëve antikë e kryesisht të Livit dhe Polibit na del dhe emri i qytetit të Dimalit. Kjo emërtesë është evidente në ngjarjet e Luftërave Romake, Maqedonase dhe atyre Punike. Duke u nisur nga fakti i ekzistencës së një qyteti me emrin Dimal Dr. Hasan Ceka bëri përpjekje për të lokalizuar Parthianët në trevën midis Durrësit dhe Tiranës, në kalanë e Dorazit (3). 


U deshën punimet arkeologjike të viteve 1963-1964 që emri i Dimalit të identifikojë kalanë e Krotinës (4).


Zbërthimin e këtij emri nga ana linguistike e gjejmë te referati i Prof. Eqerem Çabej i mbajtur në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire në shtator të vitit 1972. Çabej në këtë referat duke ju referuar studiuesit J.G.Hanit shkruan: " Gjuhësisht ai (është fjala për Hanin), merr dhe heton përpilimet e të dhënave që kemi nga koha e vjetër me gjendjen e sotme, e sidomos ai me një mënyrë gati moderne - hyn në krahasimin e nomenklaturës gjeografike të lashtë të vendit me të renë, e aty veçanërisht në çështjen se cilët emra gjeografikë të vjetër janë ruajtur si alternative në gjuhën e sotme, i bindur sikurse ishte me të drejtë, që ekzistenca e emrave të tillë është një argument i parrëzueshëm për kontinentin. Ndër këto emra gjenden tek ai barazime të tilla si Delmata: delme dele, Dardania: dardhe, Dimallum: di dy edhe mal (5) ". 


Ky qytet antik falë pozicionit të tij gjeografik dhe në kushte të një klime mesdhetare-kontinentale, pati një zhvillim të madh ekonomiko-kulturor. Dimali duke qenë maja e një trekëndëshi me bazë vijën bregdetare Apolloni dhe Orikum, ishte një favor i dyfishtë. Ai në lidhje me detin ishte pak orë rrugë larg dhe bëhej si porta e dytë, ndërsa për të kaluar nga trevat lindore për në perëndim ndërmjet detit, Dimali ishte porta e parë nëpërmjet të cilës duhet të kalohej. Ky pozicion komod midis lindjes dhe perëndimit, të detit dhe tokës i dha një zhvillim këtij qyteti, qyteti i Dimalit u fuqizua edhe nga tregtia ndërmjetëse e cila kryesisht kryhej nëpërmjet rrugëve lindje perëndim. Ky qytet i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit IV p.k merr fizionomi të plotë në shek. II p.k. E këtij shekulli mund të jetë edhe portiku, në këtë shekull kemi edhe vepra arti me shumicë dhe kryesorja me cilësi. Ndër ato pa dyshim koka e një djaloshi meriton të analizohet. 


1. C. Prashnike: " Muzakhia und Malakastra" Wien 1920 fq. 103
2. Sestieri P.C: " eksplorazioni archeologiche in Albanien nel 1941-1942 v. Milano fq.157
3. H.Ceka: Zbulimi i një qyteti antic Ilir në rrethine Tiranës. "B.SH.K. Shoq" 1, 1951 fq.86-89
4. B.Dautaj: Iliria 2 "Zbulimi i qytetit Ilir Dimal" Viti 1972 fq.135-151
5. E.Çabei: Problemi i vendit të formimit në gjuhën Shqipe" Kuvendi i parë i studimeve Ilire. Shtator 1972 fq. 7-26


Është fjala për një vepër arti fantastike e punuar në gur vendas që i datohet shekullit III p.k. Ky fakt na jep mesazhin parë se autori ka qenë nga ky qytet. Gjithashtu del se autori ka qenë bashkëkohës i këtij djaloshi i cili, me sa duket ka fituar një garë olimpike. Kjo vepër arti me lartësinë 12cm flet shumë. Së pari, ajo duhet të ketë qenë trupore ose së paku një bust. Pa dyshim pjesët e tjera janë të mbuluara nga dherat brenda mureve të kalasë, diku poshtë rishesë qendrore. Gjetja e pjesëve të trupit të këtij djaloshi, jo vetëm që do ta bënte të plotë këtë vepër arti, por do të na jepte mundësinë, së paku, të saktësonim llojin e sportit ku ky djalosh ka triumfuar.


Koka e djaloshit nga Dimali të befason që në pamjen e parë. Te kjo vepër arti shprehet një botë që të tundon. Ajo flet për një djalosh 18-20 vjeçar. Portreti i tij djaloshar paraqiste një pamje të qetë, të sigurt si dhe tepër modeste. Në tiparet e tij të rregullta një buzëqeshje e lehtë flet shumë për botën e brendshme të një djaloshi të kurorëzuar. Kjo kurorë quhet tenjë dhe kalon hijshëm nëpër flokët krela-krela. Portreti në fjalë është punuar përsosmërish nga dora e një mjeshtri vendas. Me sa duket, autori e njihte mire jo vetëm artin, por edhe autonominë trupore. Koka, qafa, organet shqisore janë të vendosura me saktësi dimensionale dhe të realizuara në mënyrë përfekte nga ana artistike. Autori ka ditur që kësaj vepre jo vetëm t'i japë jetë, por edhe ta bëjë të lexueshme nga të gjitha pozicionet e të shikuarit të saj. Ajo flet nga çdo pozicion që e vendos dhe të bën të meditosh gjer në pafundësi.


Kjo vepër e gurtë merr gojë e flet dhe kërkon pjesët e tjera të trupit të saj për të lëvizur....


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora