Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rikard Ljarja: Dueli im me heshtjen

| E merkure, 26.12.2007, 08:09 PM |


Dueli im me heshtjen

Shkruan: Ben Andoni

Rikard Ljarja
Nuk kam çfarë të them më”...Një pauzë e gjatë nderet pas zërit të trashë aq të njohur të basit. Dhe, dy sy kafe poshtë dy vetullave tej të ngritura, të ngulen përballë. Rikard Ljarja ka zgjedhur prej kohësh heshtjen për të identifikuar veten e tij. Është një duel pa gojë. Psikologjik. I heshtur. Në dukje. Në pjesën tjetër, qenia, Rikardi tjetër punon. Lexon. Shkruan pa fund. Derisa...bindet se duhet t’i lerë gjërat dhe të shkojë. Shpesh. Dendur ‘arratiset’ në Shkodër. “Shkoj në Shkodër, tek shtëpia ime, dhe mbjell qepë, hudhra, tulipanë, trëndafila etj. Në kopshtin tim punoj nga katër-pesë orë, pasi më merr malli të shkel në tokë zbathur”, shprehej dikur. “Pse nuk e rrëfen Shkodrën me një audicion të hapur, si Benigni që tregon Firencen?”-e pyesin. Të shikon, por përgjigjet e Rikardit të dalin para gojës direkt nga sytë. E mohon. “Ai asht i ri dhe i fortë. Nuk dua të turpnohem tash. Nuk kam ma mosh me i ndreq gjanat”. Në fakt, për Rikardin, nuk ka nevojë mosha. Është një këmbësor i paqëm që e ka ngritur vetë rrugën e tij. Jetën. Vazhdimin. Nuk i janë nevojitur mbroçkullat. I duhet të jetojë momentet e tij. Dhe, pakkush e di se me çfarë merret Rikardi sot. Ka “humbur” përkohësisht, që kur një ditë të vitit 2002, nuk i dhanë më rrogën në TVSH, ku punonte si Drejtor Artistik. U largua pa u ankuar, sepse të gjithë jetën e ka respektuar Autoritetin. Tre vjet më vonë, të 1000 kopjet e romanit të parë të tij: “Në një Humbëtirë këtej rrotull”, janë shitur menjëherë. Më në fund, një copëz e panjohur nga artisti, është zbërthyer për publikun e gjerë. “Koha kishte vënë në vend gjithçka. E keqja, nëqoftëse kishte enë ndonjëherë në këto anë, ishte mënjanuar e harruar. E mira kishte zënë vend kudo”.(pjesë nga Në një humbëtirë...) Kështu ka qenë dhe fillimi i aktorit të njohur. Dikur e mira. Kur ishte fëmijë ëndërronte të bënte gjëra, gjithnjë lidhur me artin. Në një shtëpi intelektualësh, prindërit i japin mundësi në muzikë. Luan në piano. Por përfundon në fagot në orkestrën simfonike të Prenk Jakovës. Në ato mote, Shkodra, gëlonte nga kultura. Më parë edhe më shumë. “Kur ikën serbët kanë marrë 20 piano dhe ... A e din çdo të thotë kjo”, të tregon. Atbotë Jezuitët përgatisnin një elitë për mendimin shqiptar. Urdhri i Françeskanëve mundohej të shkonte te populli i thjeshtë. Të jetonin si skamnorë. Rikardi në fëmijëri kujton ato që i kanë thënë për Dom Mjedën, një fisi të largët të së ëmës dhe kontradiktat e tij me njerëzit e tjerë. Si flitej gjuha shqipe? Mati Logoreci, një tjetër i afërm, i kanë treguar në shtëpi, mbante një fletore poshtë jastëkut, që shënonte edhe natën, ato që i kujtoheshin. Ndoshta, artikulimi i mrekullueshëm, që i bën shqipes, duhet të ketë gjurmët pa mëdyshje nga kujtimet e njerëzve të asaj kohe. Në fillim, drejtimi i Rikardit nuk është te fjala e shkruar, por bash tek e folura. Teatri i qytetit të Shkodrës e aktivizon të riun muzikant nëpër fshatra, ku ai interpreton edhe vetë skeçe. Vite më vonë ka edhe role. Më 1960 i del shkolla për matematikë, por një thirrje e brendshme e dërgon në aktrim. Futet në shkollën e aktorëve, ku, pasi konkurron, fiton lehtësisht. “Dritan Shkaba” , roli i parë i tij, përcillet me interes. Mes 15 konkurruesve, arrin të kapë rolin kryesor. Që atëherë ylli i tij vetëm shkëlqen në periudhën e parë të kinematografisë shqiptare të pas luftës. Bëhet një nga personazhet më të dashura për shqiptarët. Është zakonisht në rolin e intelektualit. Inxhinier, mësues...Role dogmatike, që ai u jep në thelb dyshimin. Sa mundet?!! Zbërthen rolin falë intelektit të tij dhe një pune që zgjat deri më 10 orë...Bën një galeri të tërë personazhesh në kinematografi. 30 role të realizuar në film u shtohen 30 roleve të tjera, që ka realizuar më parë në teatrin “Migjeni”. Zbret në Tiranë. Është aktor dhe regjisor në Kinostudio. E gjithë jeta artistike përshkon tashmë vetëm një vektor, Shtëpi-Kinostudio. Por, është një Rikard tjetër. Në një film ku luan aktorin kryesor dhe është regjisor, pas fasadës së lumturisë socialiste në mes të malit, (ku një grua lind me vështirësi pa fund në mes të maleve), ai bën me dije se deri ku arrin çmenduria e sistemit. Kurse Petrit Malajt, në rolin e doktorit kur udhëton i kërkon thjesht në një dialog, kur ta pyesin të thotë se: Ai nuk po vjen me qejf në fshat. Vjen sepse është detyrë dhe kaq”. Rikardi nuk ka luajtur me desidencën, jo vetëm se nuk ka qenë, por edhe nuk i është dashur. Ai ka qenë artist. Mbi të gjitha intelektual. Nuk i duhet. I gjen vetes gjithmonë shteg. Ngadalë.
Kështu fillonte zakonisht, pak nga pak, ngadalë, derisa gjithçka shkonte drejt një deliri kolektiv entuziast e të lodhshëm dhe kur zbardhte agu i mëngjesit ishin të pakët ata që qëndronin në këmbë. I gjithë fshati ishte plandosur.
Sot. Shkruan. Duket se është e vetmja gjë që di të bëjë për shpirtin e vet. I është kthyer anës së dytë në jetën e tij, fjalës së shkruar. Nuk i jep askujt të lexojë, ndërsa disa skenare, romane, etyde, rrinë në skaje për t’u përfunduar. Punon kur e ndjen se duhet. Nuk është tipi i shkrimtarit klasik. Shkruan që të qetësojë veten e tij. Rikard Ljarja, aq i pranishëm me ekranet e kinemasë dhe televizionit, që prej fundit të viteve ’90, kur Kinostudio “Shqipëria e Re” pushoi së prodhuari dhjetrat e filmave, nuk ka marrë asnjë rol si aktor në kinema. Pak përshtypje i bën. Mbase deri këtu. E kanë vlerësuar së fundi me një çmim karriere. I është kthyer sërish teatrit, pak më parë. Ka vënë në skenë një shfaqje në Teatrin Kombëtar, dhe në atë të Prishtinës, dhe ka interpretuar edhe si aktor në skenë. Ka bashkëpunuar edhe me IFEF (shoqatë amerikane) për një skenar. Sikur të mos mjaftonin këto, realizoi dhe një reklamë të mrekullueshme për AMC-në. Njeriu i shtyllës...që u bë proverbial për përpjekjen e tij mbi shtyllë. Rikardi ka një qasje të sikletshme me rrugën, teksa çapitet me hapin e madh, pak fshatar. I duhet që të ruajë vështrimin e tij që e kërkojnë shumë njerëz. “Më respektojnë por shumë edhe më lodhin”, të thotë sinqerisht. Kuptohet, kur i gjen momentin e tij. Dhe, në një thjeshtësi, jo të zakonshme, do të kesh një referim, që fillon nga Besëlidhja e Vjetër, ngërthehet me eposin shqiptar, me parapopullatën ilire...të gjitha brenda një shpjegimi, shoqëruar me gjestikulacion potent. Zgjat pak. Bie në dembelizmin e tij natyror. Nuk kupton shpesh, nëse flet Rikardi, apo qeniet e tij. Derisa, ai vetë të vendosë rendin mes tyre. E zbret në tokë, gjithçka. Pa bujë. Pa zhurmë. Bukur. Në Botë njeriu duhet të jetë modest, sepse çfarë i duhet rrëmuja, do të thotë. Dhe, procesionet e Rikardit janë të thjeshta. Ato janë thjesht për t’i mbushur shpirtin në kaosin shqiptar. Në mënyrë që të ketë se çfarë të hedhë edhe në telajo. I duhet të shikojë ngjyrën. Stinët. Ndonjë kapriço të motit. Ndonjë befje. Kohë më parë pikturonte, rregullisht. “Aj...tash..asgjë”. Në duelin e tij të madh me heshtjen, ngjyra ishte një armike e dashur dhe e duhur. Luftonin bashkë. Punonin. Më pas shkrimet. Skenare. Personazhe. Dhe shumë kamera. Kush e ka lexuar “Humbëtirën” e tij do të shikojë se në libër mungojnë sythet, sepse vetë Rikardi e vendos veten në pozicionin e konceptit. Ai është koha, vendi. Dhe, këtë kazan të madh të jetës e drejton ai. Ngjarjet vërtetë zhvillohen në Ballkan dhe me referencë pak me botën osmane, kur ishin vilajetet..por ato brenda përfshijnë personazhe, që u ngjajnë personazheve të zakonshëm njerëzorë. I beson popullit të tij. I druhet të paarritshmes. “Tani këtu tek ne, çfarë s’po ndodh! Të venë të jetosh me gjarprin dhe ti nuk e di se është gjarpër njeriu yt..gjarpër mund të jetë dhe vëllai dhe shoku, edhe djali, edhe gruaja...”.
Rikardi ka bërë shkollë për aktor. Por, intelektin, duket se ia ka dhënë veç rrjedhës natyrore dhe një punë e madhe, e cila duket se nuk do të ndalet. Nuk ka nevojë që t’i tregojnë. Nuk i bën përshtypje se e njohin, apo se ndokush i përmend ndonjë rol. Të dikurshëm. “...Difektet e mia, si kurrizi pak i kërrusur, nofulla pak shtrembër...”. Nuk ka turp t’i thotë të metat e tij. “Nuk kam vrapuar kurrë në jetë”, të sqaron. Pse duhet? Jam dembel. Jo indiferent. “U përmbysën kanune e vlera morale. U morën jetë, e pasuri të gjithfarëllojshme ranë në duar të paskrupullta grykësish”, ka shkruajtur dikur, teksa i bën një homazh kolegut të tij Ndrek Luca . “O Zot që je në qiell, që i sheh të tëra, kush do të më besonte! Kush do të më besojë! E për ç’farë, në fund të fundit!.E për çfarë, u ngjall Krishti në fund të fundit”... Për ta bërë të besojë dhe të shkruajë. Dhe, i druhet vetes. Gabimit. Nga mosbërja dhe nga koha, por edhe pse nuk ka se çfarë të shtojë. Ikën. Do shkruajë sërish.

Mapo