E shtune, 20.04.2024, 10:28 AM (GMT+1)

Faleminderit

Lulzim Logu: Intervista e fundit e poetit Din Mehmeti

E diele, 14.11.2010, 08:59 PM


MOS ME LER NE TERR SHPRESA IME?!

 

-Intervistë me poetin DIN MEHMETI-

 

Në vend të hyrjes…

 

Kohë më parë , botuesi I Veprës Letrare të Din Mehmetit, miku im I nderuar Mr. Jetish Kadishani, gjatë një vizite që bëri në Tropojë, më dhuroi kompletin prej pesë vëllimesh , të cilin sapo e kishte botuar  Shtëpia Botuese:  “ Drenusha” Prishtinë.

I kisha treguar për udhëtimet e fundit të Din Mehmetit në Tropojë, për mirënjohjen që komuniteti krijues dhe Bashkia e Bajram Currit I akorduan poetit të madh shqiptar, për konsideratën e lartë që ai kishte për këtë vend dhe njerëzit e tij si dhe për poezinë e fundit që Din Mehmeti kishte deklamuar në takimin e fundit poetik, të zhvilluar me të rinjtë tropojanë, me titull: “ Trashëgimi”

Salla qe ngritur në këmbë kur ai e përfundoi dhe e vlerësoi si poezia e tij e fundit, në manifestin e vet poetik…

Ai ishte 80 vjeç, me sy të rrudhur melankolikë, me një kasketë të lehtë, pak të mënjanuar mbi ballë, me frymëmarrje të rënduar, por mjaft I emocionuar dhe I dëshiruar që të fliste, të shtërngonte duart me pjesëmarrësit, të tregonte vazhdimisht për mallin e fshehur të dhjetra viteve ndarje të padrejtë dhe druhej se çdo çast për të do të ishte I fundit, pa shijuar dashurinë e bashkimit…

S’di a do të mund të ngjitem dot deri në Valbonë, ta shoh njëherë atë vend të bekuar, më tha atë ditë në ndarje, në Qafë të Morinës dhe shumë herë të tjera, kur e kam takuar dhe biseduar me të në Gjakovë!...

 Kishte qënë poeti Tahir Bezhani, I cili pat’ shënuar rilidhjen shpirtërore dhe kulturore mes Gjakovës, por dhe viseve tjera të Kosovës me Tropojën dhe qytetet tjera, pas çlirimit të Kosovës. Ai propozoi atëkohë që aktiviteti I parëI përbashkët ti kushtohej pikërisht Din Mehmetit, legjendës së gjallë të poezisë shqipe. Pastaj erdhën Ali Podrimja e plot poetë, piktorë dhe artiste të kosovës, duke begatuar kësisoj lidhjen e rivendosur dhe të shumëendërruar, nga të dy anët e kufirit të pazakontë…

Duke biseduar për veprën e Din Mehmetit, në takimin e fundit me Jetish Kadishanin, I cili ndrroi jetë papritur, para disa ditësh, ai më  sugjeroi që ti shkruaj impresionet nga takimet me Dinin, ti mbaj shënim thënjet e tij, ato janë lapidare për çdo njeri, për çdo artist dhe intelektual, më tha. Këmbëngul, intervistoje, ai është I sëmurë dhe çdo ditë e humbur nga takimi me atë njeri, dhëmb shumë…

Nga fundi I tetorit më bie zilja e telefonit, Tahir Bezhani më njofton për gjendjen e rënduar të Din Mehmetit, më lut të shfrytëzojmë njohjet tona e të nderhyjmë për një vizitë të specializuar të poetit në Tiranë.

Me plot dëshirë dhe respekt të jashtëzakonshëm, këtë e realizoi poeti Mujo Buçpapaj, I cili u kujdes për të gjitha shërbimet e specializuara ndaj tij. Por tashmë sëmundja e kishte bërë të veten, vetëm etja për jetë dhe forca e shpirtit e mbante gjallë Din Mehmetin.

Para dy javësh e vizitova në shtëpinë e tij në periferinë e Gjakovës, me mikun e tij të vjetër, Tahir Bezhani. U ngrit në këmbë, bëri të buzëqeshë, lëshoi një thënje me zë të ulët:” Ah, ju tropojanët…!”

Fytyra e tij e bardhë si faqja e murit, sytë fshehur thellë në zgavra, trishtimi që dukej se pikonte në çdo segment të tij, pyetja e tij e parë, në vend të përshëndetjes me ne, se a ka dalë koha e bukur, më stepen, nuk mund ti kërkoja intervistë, ishte e tepërt…

Ai nuk u shtri, u mbështet përballë nesh në kanape, rregulloi me dorë flokët mbi ballë dhe tha:

-           Edhe pak kohë më ka mbetur! Por me ju më pelqen të flas, në mundsha!

 

Intervista e fundit me Din Mehmetin.

 

Nacional: Baca Din, fëminia gjithmonë mbetet ishulli, ku së fundi, kthehen të gjithë krijuesit e medhenj.Çfarë kujtoni më së shumti nga fëminia e juaj, si mund ta konturoni me pak fjalë atë?!

-           E kam thënë diku, në librat e mi, është ndjenjë normale njerëzore, ti kthehesh të kaluarës, përkatësisht feminize dhe familjes. Mbaj mend babain kapuçbardhë, njeri që kurrë nuk rrëzohej, ngase dinte të ecte I matur, nuk I frikësohej kurrë mortjes…

Mbaj mend këngëtarët popullorë nëpër oda, këngët e tyre më përziheshin me do rrefime të më të vjetërve, për trimninë, bukurinë dhe flamurin, pastaj për kreshnikët e zanat dhe ndoshta këtu zë fill edhe poezia , që shkrova më vonë.

 

Nacional:  Krijimtaria juaj letrare I perket një periudhe të madhe të sundimit serb, si e konsideroni tani në këtë faze të lirisë, këtë krijimtari, dimensioned krijuese të saj?

-           Liria , dihet, I ka dhënë frymë të re poezisë sot, ju ka dhënë  tjera mundësi shprehjeje poetëve.Ata mund të njihen me traditat botërore të poezisë, me teknikat e reja, por pa manipuluar me to. Disa poetë në emër të lirisë, prodhojnë joliri, së pari, poeti duhet të jetë I lirë  ndaj vetvetes, ta dojë tjetrin dhe poezinë e tij, sa ta konsiderojë si të veten.

Sot kanë ndryshuar shumë raportet, kahjet, poezia është më elitare, ndonjëherë tuj dashtë me u duk ma moderne, e humbet rolin dhe peshën e vet.

Atëbotë, kur ju më pyesni shkruhej shumë poezi, ndoshta gaboj, por tash mendoj se popujt e ndrydhur dhe të prapambetur shkruanin shumë poezi, mendonim se do ta ndryshonim krejt botën me poezi,  nganjëherë duhej ta bënim dinake, të fshehur…

Poezia është e çuditshme, ka moment që duket sikur vdes, bëhet pafundësisht individuale, humbet rolin e saj shoqëror, por mbijeton si sfinksi, ngrihet dhe bëhet një gjini elitare, e cila natyrisht se kerkon edhe lexues elitarë.

 

Nacional: Ju keni frymëzuar dhe rritur gjenerata të tëra me poezinë tuaj dhe fjalën tënde të rrallë. Çfarë mendoni sot për krijimtarinë e më të rinjve?

-           Tash poezia s’mund të jetë tërësisht transparente, duhet pak më shumë abstraksion, sot s’ka shumë kohë për vargje të gjata e monotone, apo për shtresime të gjera vargu, njerëzit edhe bukën shumë herë e hanë në udhëtim, në tren, autobus apo këmbë, ndaj dhe poezia duhet të jetë më adapte ndaj njeriut dhe të rinjtë duhet ta kenë perherë parasysh këtë.

   Të rinjtë sot janë pa komplekse, guxojnë, shpalosin edhe hone të fshehta ndjenjash, janë të shlirë nga pesha e nacionalizmit fals dhe urrejtja ndaj tjetrit. Kjo më pëlqen tek të rinjtë, unë vet kam qënë dhe jam nacionalist, por dashuria ime e madhe ndaj popullit tim, kurrë nuk më ka lejuar dhe s’më lejon ta urrej tjetrin, kam shkruar në një poezi timen, moton:” Unë jam në ju, ju jeni në mua!”

Të rinjtë ndonjëherë edhe mashtrohen, kur deklarojnë me të madhe se shkruajnë vetëm per vete, jo për të tjerët. Eshtë e pamundur të të mos kujtohet ai tjetri, kushdoqoftë ai, I afërt, apo I largët, I dashur apo I urryer.

Poetët janë berthama e botës, s’di tash, kush e ka thënë këtë dhe kjo s’do koment apo jo?!

 

Nacional:  A mund të shpeheni për poetët tuaj më të preferuar?!

-           Oh, jo s’do të guxoja të deklarohesha kështu! Por nuk gaboj të them se poetë si Dritëro Agolli e kanë shënuar epokën e vet, me mënyrën e tyre të të konceptuarit të realitetit, që zor se përsëritet.

Poezinë e mban në këmbë bukuria, ajo rrëzon tempuj, diktatura, atë nuk e rrëzon kush dot! Kush e rrëzon korbin e Edgar Alan Poes?!

Idhulli im, ndoshta Reshpja?!I panjohur per shumë njerëz, shpesh I harruar në kohë, për paradokset e veta. E pata takuar në Tiranë, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, sapo më pa, më njohu. I thashë thjesht, Frederik, të dua shumë, por ai iku shpejt, u shua…

Pastaj Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, ka shtylla plot kjo poezia jonë, ndoshta nuk e kemi vlerësuar akoma poezinë tone shumëdimensionale…

 

Nacional: Ju së fundi udhëtuat në Shqipëri, perms rrugës së kombit, a menduat se vizioni I të ardhmes së kombit shqiptar, është më I ndriçuar se kurrë?

-           Rruga është rilindja e kombit, definitivisht është bashkimi I ardhshëm I shqiptarëve, Berisha ka natyrshëm emrin e pashlyeshëm në këtë proces!

-           Mendoja shumë here se do të vdisja pa e parë këtë rrugë, një peng, më pak…

Në takimin e fundit me krijuesit, ju ekzaltuat sallën me poezinë tuaj me titull:” Testament” Cili do të ishte testament poetik I Din Mehmetit, në pak fjalë?!

-           Duke qënë miqtë e mi të ngushtë dhe duke respektuar gazetën tuaj, është dashtë të jem I gëzueshëm, por në këto moment të jem I sinqertë, botën e shoh pak të përthyeme, çasti I dhembjes është I egër, çdo fjalë kujtoj se më kthehet mbprapsht, ti e di, ta kam thënë një ditë, Din mehmeti o flet sinqerisht, ose nuk flet!

Kam respekt për Tropojën, panteonin natyror dhe kulturor të Shqipërisë, ka dhënë emra shumë të shquar, me qëllim zgjodha ta lexoj atje këtë poezi timen, që nuk e di a është e fundit?! Në e kam quajtur testament, mire ja paskam qëlluar që e lash te ju testamentin tim…

Na e bëri me dorë të pushojmë, u kollit ashpër, ndërkohë që Tahiri më tregonte çiftelitë në mur, ai u ngrit ngadalë, mori një shami, e cila u duk se u përgjak pak në fshirjen e buzëve, ju afrua telefonit, diçka I tha dikujt, na u afrua duke na bërë me shënjë, të bëjmë foto tek divani. Po ju përcjell tash, tha dhe arriti të dalë deri tek shkallët, nga dera e hapur ja dha zhurma e jetës së Gjakovës së tij të dashur…

-           A thua , do te mund të shkojmë nesër deri në Shkugëz, Tahir?!

-           Po, Baca Din, shkojmë!

Dera u mbyll dhe më mbeti në sy profili I skajshëm I Din Mehmetit, vizatuar në xhamin e saj. Ishte imazhi I fundit I tij, intervista e tij e fundit…

 

Biografi e Din Mehmetit:

 

Din Mehmeti lindi në fshatin Gjocaj, afër Junikut, me 7 Maj 1929.Shkollën fillore e kreu në Junik, kurse të mesmen, normalen, në Gjakovë.

Studjoi gjuhen dhe letersinë shqipe në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1959.Aty regjistroi dhe studimet pasuniversitare dhe provimin e magjistraturës me titull: “ Nëna në strukturën e poezisë lirike shqiptare”

Din mehmeti ka punuar si inspektor I shkollave në Lipjan, 1952-1954; si gazetar I rubrikës së kulturës në gazetën Rilindja, 1959-1962, si profesor I gjuhës dhe letërsisë shqipe në normalen dhe gjimnazin e Gjakovës, 1962-1967, nga ky vit deri në pension, punoi si profesor I letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë si dhe në Fakultetin e Edukimit.

Në Prishtinë I janë botuar 17 vepra, në Tiranë 4 vepra, në gjuhën serbokroate 2 vepra, në frengjisht 1 vepër. Ai është autor dhe I shumë panoramave dhe antologjive në gjuhë të tjera.

Ka fituar shumë shperblime kombëtare, së fundi :” Shperblimi Kombëtar “ Azem Shkreli” 2005.

Elizabet Shabyel ka shkruar për Din Mehmetin:

 “ Të jesh njeri, do të thotë të jesh deri në vdekje, të jesh mish dhe buzëqeshje, por dhe asht’ dhe hi’. Që të mund të jetojmë, jeta nuk pushon së kërkuari vdekjen, ajo duhet ti kerkojë eshtrat, ti mbledhë, ti identifikojë…

Kjo poezi na magjeps, ngase na bën të vetdijshëm, për një essence, të jesh njeri!

Në poezinë:” Më lini të qaj!” Din Mehmeti shkroi, ndër të tjera:

“ S’pata koh

Ti rreshk ëndrrat në këngë

Gjuha ime emrin a ma ruan?!...

Emri i Din Mehmetit qe shkruar perjetësisht, që atherë kur thoshte:” fatin tim nuk e nënshkruaj!”

Lamtumirë, Din Mehmeti!

 

Pergatiti: LULZIM LOGU

Gjakovë- Bajram Curri

Nentor 2010



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora