E premte, 26.04.2024, 12:12 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ilir Çumani: Buzëqeshja testamentare e profesor Bedriut

E marte, 16.11.2010, 11:00 PM


Me rastin e 80 – Vjetorit të Lindjes së Prof. Bedri Dedja

 

BUZËQESHJA TESTAMENTARE E PROFESOR BEDRIUT…

- M b r e s a  -

 

“Më i lumtur nga të gjithë do të jetë ai popull, i cili më mirë se çdo gjë tjetër do të mësojë fëmijët e vet, do të dijë të pasurojë mendimin dhe t’u japë drejtimin ndjenjave të tyre.”

BEDRI DEDJA

 

Nga ILIR ÇUMANI

Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë 

 

Kur e njoha…

 

Për herë të parë emrin e madh të profesorit të nderuar Bedri Dedja, shkrimtarit  tonë të dashur dhe Mikut më të ngushtë të shumë gjeneratave të lexuesve, veçanërisht të  lexuesve  të vegjël, e kam ndeshur në fëmijëri. Ai  gjithmonë  i ka konsideruar dhe i vlerësonte  fëmijët si miqtë e tij më të  ngushtë dhe  më të mirë, të  vërtetë dhe të sinqertë.

Prej mëse 50 vjetësh, këtë emër  të njohur dhe  shumë të preferuar,  çdo prind e fëmijë, çdo mësues e nxënës, çdo i ri dhe student,  do ta ndeshte  në veprat e shumta të krijimtarisë së tij artistike dhe shkencore. Edhe  në numrat  e  revistave  të kohës për fëmijë, në botimet periodike me figura shumëngjyrëshe si,  “Yllkat”,  “Fatosi”,  “Pionieri”, por, edhe në gazetat periodike për të rinj, “Zëri i Rinisë”,  “Mësuesi” dhe revista “Pedagogjike”, etj.

Bedri Dedja prej dekadash u bë pjesë e pandashme dhe e qënësishme në të gjitha institucionet arsimore të edukimit në vend, në të gjitha familjet shqiptare; sepse  gjithmonë Ai  ka qenë i pranishëm me fjalën dhe këshillën e tij të mençur e të urtë, si krijues,  prind dhe edukator i mirë. 

 

Brenga e profesorit, e ardhmja e brezit të ri.

 

Me mendimin e tij teorik dhe shumë profesional, Bedri Dedja,  ky personalitet i spikatur i fushës shkencore dhe akademike,  na la  një trashëgimi shumë të vyer dhe të pasur të krijimtarisë së tij të begatë, një pasuri të tërë  në lëmin e letërsisë shqipe, kulturës, artit dhe  përkthimeve,  por, edhe mjaft studime që kishin të bënin me fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe sociologjisë bashkëkohore, të estetikës dhe mendimit filozofik,   ku trajtoheshin  pafund çështje që kanë të bëjnë me problematikën e gjerë  dhe botën e madhe të fëmijëve dhe  rinisë.

E ardhmja e brezit të ri ishte  brenga dhe shqetësimi i tij, ishte kauza të cilës profesori i kushtoi  jetën, sepse te kjo e ardhme Ai shikonte zhvillimin  edhe përparimin e kombit tonë.

Janë shembuj e raste pa fund të aspekteve dhe marëdhënieve  shoqërore, gjesteve dhe sjelljeve tejet njerëzore dhe humane të profesor Bedriut, që miq e kolegë, dashamirës, bashkëpunëtorë  dhe bashkëkohës të këtij personaliteti poliedrik dhe me kulturë të gjerë erudite, i sjellin në kujtimet dhe mbresat e tyre, duke ndriçuar anë të tëra të personalitetit të Tij Njerëzor. 

Sot, duke e ndjerë edhe më shumë mungesën e tij, këto kujtime dhe mbresa marrin përmasa dhe vlera  të veçanta.  Ato e ridimensionojnë edhe më shumë këtë figurë komplekse, po aq edhe unike. E bëjnë që të  mbetet  përherë i dashur  dhe i respektuar, një pikë referimi dhe orientimi për të gjithë ne, që patëm fatin dhe e njohëm nga afër, patëm fatin të ishim bashkëkohësit e Tij.  Por,  me jetën dhe veprën e Tij,  Profesor Bedriu do të mbetet  një shembull pozitiv dhe model i shkëlqyer edhe për brezat e ardhshëm që do të vijnë.

Me këtë ndjesi, respekt e simpati, me këtë përfytyrim  të mbartur prej shumë vitesh në imagjinatën time e kam përjetuar kontaktin e parë fizik me profesorin e nderuar  Bedri Dedja.

 

Një ditë maji…

 

Ka qenë muaji maj i vitit 2003, kur personalisht i kam telefonuar  në shtëpi  profesorit. Ora shënonte 09.30 e mbrëmjes, dhe përmes dilemës nëse duhej ta telefonoja ose jo, vendosa  më në fund  të bëja hapin final.

Çuditërisht, në ato  çaste që po formoja numrin e telefonit të shtëpisë së tij, ndjeja një emocion të pashpjegueshëm… Rrahjet e zemrës mu shtuan dhe nuk e di përse para se të shtypja  butonin e fundit të numrit, u tërhoqa duke menduar se ndoshta nuk ishte ora dhe çasti i duhur…

Duke qenë në krye të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë,  isha mjaft i preokupuar dhe angazhuar në pregatitjet e një veprimtarie shumë të rëndësishme kombëtare dhe sensibilizuese për fëmijët jetimë në mbarë vendin.

Ishte një veprimtari që do të organizohej në Pallatin e Kongreseve për herë të parë me përmasa të tilla nga ky Institut, me pjesëmarrjen e 3.000 fëmijëve jetimë nga e gjithë Shqipëria.

Ky eveniment do të organizohej më datën 30 Maj, një ditë para 1 Qershorit, që është edhe Dita Ndërkombëtarë e Fëmijëve.

Veprimtaria ishte tejet e rëndësishme dhe do të transmetohej e plotë në TVSH. Ishin  ftuar në këtë aktivitet shumë personalitete të politikës, artit, kulturës, shoqërisë civile, diplomatë dhe përfaqësues të kabinetit qeveritar, përfaqësues të prezencës së huaj në vendin tonë, akademikë,  shkrimtarë dhe artistë të  shquar të kinemasë dhe teatrit shqiptar, etj.

Nëpërmjet  kësaj pjesëmarrjeje elitare, në një spektakël me një skenar dhe program të bukurndërtuar që kishte në fokus tematikën e veçantë  të kësaj shtrese shumë problematike, do të manifestohej një solidaritet ku do të përcilleshin mjaft mesazhe për mbarë shoqërinë dhe institucionet e vendit për  më shumë vëmendje e kujdes për  fëmijët pa kujdes prindëror.

Pra siç shihej, pjesëmarrja në këtë veprimtari ishte e një niveli që kërkonte përgatitje dhe seriozitet,  një organizim dhe angazhim  serioz të një niveli shumë të lartë. Në këtë rast,  padyshim  kërkohej ndihma dhe kontributi i njerëzve vullnetmirë që kishin përvojën e duhur dhe sensin pozitiv për të kontribuar që kjo veprimtari t’ia arrinte qëllimit.

Të nesërmen në mëngjes i telefonova profesorit. Nga ana tjetër e telefonit dëgjova një  gjysëmzëri  që u përgjigj: “Urdhëroni, Bedri Dedja jam!”. Në moment shtanga… Mu duk shumë i afërt ai zë, shumë i njohur… Ishte një zë i shtruar, i qetë, me ton të ulët, i ngrohtë, i butë…

U prezantova dhe i kërkova mundësinë e një takimi me të, nëse do të ishte e mundur.  Sapo Ai e mori vesh se isha një person që në punën time të përditshme  merresha me fëmijët jetimë, u bë edhe më i vëmendshëm. Pa u menduar gjatë tha: “Të pres  sot  në mëngjes në shtëpinë time,  në ora 10.00.  Ke mundësi të vish..!?”

Po, - i thashë, - vetëm rrugën kam për të bërë.  Për 30 minuta jam aty.

Mora me vete numrin e ri të revistës “Integrim”,  dhe nxitova për të  shkuar në shtëpinë e tij që ndodhej në rrugën e “Kavajës”, diku në qendër të Tiranës.

Rrugës, aty për aty  më erdhi një shqetësim.  Mendoja  përballjen e bisedës në këtë takim të parë më të.   Nuk e pata kohën e mjaftueshme  të mendoja gjatë, kur befas u gjenda në shkallët e pallatit të tij… Ishte një pallat i ndërtuar prej shumë vitesh që nga koha e socializmit. Në çastin që po ngjisja shkallët, sa hap e mbyll sytë,  u gjenda përballë derës së apartamentit ku banonte.  Mendova me vete:  “…Vallë, po kaq i thjeshtë  e modest do të jetë edhe në banesën e tij profesori…(!?)”

Në fakt,  nuk u gabova. Apartamenti ku banonte profesor Dedja, ishte shumë i thjeshtë, nga ato që vetëm shkrimtarët kanë… Me shikim të parë,  të binin në sy rafte të mbushura plotë e për plot me libra.

Nuk e di përse ky episod më solli ndërmend jetën e shumë personaliteteve  të letërsië botërore,  të cilët,  përgjithësisht kanë bërë dhe bëjnë një jetë fare  modeste, jashtë çdo lloj luksi dhe  pa shumë pretendime. 

Sapo hyra në dhomën e tij të ndënjes, profesori u ngrit nga divani ku ishte ulur dhe pinte duhan. Më zgjati dorën dhe më ftoi të ulesha pranë tij. Bashkëshortja Pandora,  një grua e bukur dhe fisnike, i qëndronte pranë. Me sa kuptova, përkujdesej shumë për të, sepse herë pas herë kur profesori fliste e kollitej, ajo e shikonte drejt e në sy.

Tranzicioni që po kalonte vendi, por edhe mosha e problemet me shëndetin, e kishin lodhur ca, por gjithësesi,  në sytë e tij  të vegjël e të shndritshëm  shikoje dritë,  jetë, shpresë dhe ngazëllim…

Duke qenë edhe dëshmitar i shumë proceseve dhe fenomeneve negative që po kalonte shoqëria shqiptare në këtë periudhë të tranzicionit, profesor Dedja nuk mund të qëndronte pasiv dhe indiferent. Përkundrazi…

 

Vëmendja për shtresat në nevojë…

 

Ai tregonte vëmendje  dhe kishte interes për gjithçka po ndodhte në vend;  shprehte keqardhjen dhe shqetësim maksimal për kategoritë shoqërore më të brishta dhe më të pambrojtura. Në veçanti për  fëmijët jetimë dhe pa kujdesin prindëror, të cilët për hir të së vërtetës,  ishin  më të ekspozuar dhe më të rrezikuar nga plagët sociale të kohës.

Si një ish – fëmijë i rritur jetim,  (babai e la në moshë fare të njomë,  1 vjeç),  e bënë Atë të vëmendshëm dhe shumë të ndjeshëm ndaj çështjeve sociale, ndaj dhimbjeve, problemeve dhe halleve të njerëzve të thjeshtë  që vuanin nga pamundësitë dhe mungesat e mëdha. 

Fëmijët jetimë, (në veçanti fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës) e kishin ndjerë nga afër e në shumë raste interesimin dhe përkujdesjen atërore të  profesor Bedriut. Dhe jo vetëm atëherë kur Ai mbante postin e zv/Ministrit të Arsimit dhe kishte lidhje të drejtëpërdrejta me ta, por edhe më vonë  kur nuk i kishte  këto përgjegjësi shtetërore, shumë vite pasi kishte dalë në pension, Ai ishte gjithmonë i angazhuar në ndihmën ndaj tyre dhe  të njerëzve në nevojë.

Folëm gjatë për punën dhe programet e Institutit, për strategjinë  dhe projektet e ardhshme që kishin të bënin me  politikat sociale, për rrugët dhe format efikase që do të ndiqeshin  për mbështetjen dhe integrimin në jetë të fëmijëve jetimë.

Pasi i dhurova kopjen e parë të revistës “Integrim”,  botim që ai e quajti “Tribunë të Jetimëve Shqiptarë”,  më premtoi se në numrin e ardhshëm Ai do ishte i pranishëm me penën e tij.  Tha se do të shkruante diçka speciale për këtë revistë.

I entuziazmuar dhe i çliruar nga emocionet, nisa t’i  tregoja prefesor Bedriut edhe  qëllimin kryesor të këtij takimi, duke i thënë se me nismën e një grupi intelektualësh të shquar të vendit, dhe me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve, në veprimtarinë që do të organizoj në Pallatin e Kongreseve,  do t’i propozonte   Kuvendit të Shqipërisë që data 20 Maj të shpallet si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve Shqiptarë”.

Për këtë arsye, vijova më tej t’i shpjegoja profesorit, ne kërkojmë edhe mbështetjen tuaj. Me një fjalë, kërkojmë që t’i bashkangjiteni kësaj inisiative, këtij propozimi. Ta nënëshkruani  edhe ju atë.

Pa e mbaruar mirë fjalën, profesori u çel i tëri  në fytyrë. I mallëngjyer, u mbush thellë me frymë dhe me sy të përlotur tha:

“Do të ketë të ardhme  edhe për këtë vend…  Padyshim, do ketë të ardhme edhe për këta fëmijë…”.  Nxorri nga xhepi stilolapsin e tij,  dhe me një shpejtësi të rrufeshme e nënëshkroi atë dokument në të cilën ndodheshin edhe mjaft firma të personaliteteve të  njohura në vend si Dritëro Agolli, Ylli Popa, Xhevahir Spahiu, Kadri Roshi, Xhanfise Keko, Anesti Kondili, Diana Çuli, Ramazan Bogdani, Moikom Zeqo, etj.

Më pas, ai propozim u jetësua me një Ligj të veçantë nga Parlamenti Shqiptar, dhe sot, mbarë jetimët e Shqipërisë e kanë  Ditën e tyre 20 Majin, si një ditë që  tërheq vëmendjen dhe i bëhet apel shoqërisë dhe institucioneve të vendit për më shumë vëmendje dhe mbështetje ndaj  tyre.

 

Projekti i  fundit i profesorit, një testament për fëmijët jetimë.

 

Të nesërmen,  në Pallatin e Kongreseve salla ishte mbushur plot e për plotë me fëmijë e të ftuar nga e gjithë Shqipëria.

Me stafin organizativ të Institutit,  prisnim në hollin e hyrjes të ftuarit special që e nderonin këtë eveniment të rëndësishëm  me pjesëmarrjen e tyre dhe që organizohej për nder të fëmijëve jetimë. Mes të ftuarve të shumtë,  ishte i pranishëm edhe profesor Bedriu. 

Në takimin që pata në shtëpinë e tij një ditë më parë, më premtoi se do të shkruante diçka speciale në numrin e ri të revistës “Integrim”. Dhe profesori e mbajti fjalën. Kishte qëndruar përgjatë gjithë natën i pa gjumë për ta shkruar atë program, të cilin ma dhuroi aq bujarisht  të shoqëruar edhe me një buzëqeshje të ngrohtë atërore.

Ishte çasti  më emocionant që është fiksuar edhe në këtë foto që shoqëron shkrimin tim për  profesorin e nderuar.

  zarfin që më jep në dorë  (para se të ndahej nga jeta), ndodhej programi që Ai projektoi  për të ardhmen e këtij Instituti, për të ardhmen e fëmijëve jetimë. Ishte  një program mjaft i ngjeshur dhe ambicioz, i bukurndërtuar mbi baza shkencore dhe metodikë bashkëkohore.  Ai program synonte të garantonte mbështetjen ligjore dhe institucionale të këtyre fëmijëve nga ana e shtetit.

Por, brenda atij zarfi,  ishte edhe buzëqeshja -  testamentare që profesor Bedri Dedja  la jo vetëm për fëmijët jetimë, por për të gjithë fëmijët e Shqipërisë…

Që në  fytyrat e tyre të mos ketë asnjëherë cene e plagë sociale;  që në sytë e tyre të mos ketë kurrë  trishtim,  brenga, lot dhe shpresa ta vrara fëmijësh; por  vetëm ëndrra  dhe pasione të bukura, lodra dhe gëzime, një të ardhme edhe më  të mirë e të sigurt për ta.



(Vota: 12 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora