E premte, 19.04.2024, 05:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Poezia është një dhuratë e bekuar Zotit

E diele, 14.11.2010, 08:59 PM


Poezia është një dhuratë e bekuar Zotit

 

(Muhamed Kërveshi, Melancolie/Melankoli, Bukuresht 2010)

 

Poezia është fëmija e mëndjes universale që vjen nga dielli e hëna, nga lulet dhe zogjtë, nga ngjyrat dhe tingujt, nga ujërat dhe malet. Kur rrimë në natyrë apo asistojmë në një recital poetik, kur lexojmë një vëllim me poezi, kemi privilegjin e bashkëpunimit me shqiptarët falë divinitetit që qëndron mbi ne, apo mbi nivelin tonë të kuptimit, dhe atëherë kuptojmë të vërtetën se, pavarësisht nga distanca që ndodhet mes Bukureshtit dhe Prishtinës, ne jemi në një botë të përbashkët me hyjnitë.

 

Nga Baki Ymeri

albanvoka@yahoo.com

 

Duke e promovuar Kosovën përmes kulturës, shqiptarët i promovojnë vlerat artistike në nivel evropian. Kosova ka nevojë për kulturën rumune dhe kultura rumune ka nevojë për vlerat e mirëfillta të kulturës shqiptare. Në këtë kontekst inkorporohet edhe dalja në dritë e vëllimit antologjik Melankoli, e poetit Muhamed Kërveshi, vargjet e të cilit i kemi rikënduar në gjuhën rumune qysh para 35 vitesh (1974). Libri i M. Kërveshit (botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë) strukturohet në tre cikle: Zjarr i përqafuar, Hyrje në metaforë dhe Liria e vonuar. Lënda poetike jepet në gjuhën rumune ndërsa titujt, parathënia, pasthënia, bibliografia dhe vlerësimet kritike jepen në të dy gjuhët. Edhepse titulli i referohet melankolisë, autori krijon vargje të frymëzuara dedikuar Kosovës dhe vlerave të Saj, shkruan për muzeun poetik, ikjen nga mërzia, hijet e natës, shirat që flasin, kështjellën e gjallë, varret e panumërta, dëshmorët e lirisë, miqtë e poetit, mërzia e poetit sipas tij duke qenë e gjatë “si rruga deri në fund të detit”, poeti sipas poetit duke shkruar vargje me gjak, me dritë e me shpirt. Më thuaj, ku merr kaq gjak, dritë dhe shpirt, pyet poeti dhe përgjigjet: “Në Kosovën tonë, varr për çdo armik!”

 

Sipas kritkut letrar, Marius Chelaru, në kuadrin e parathënies  (Ishujt e dhembjes dhe deti i nostalgjisë), thekson: „Atë që s’e thot fjala, atë që s’e thot syri, loti e thot. Loti sipas një krijuesi të talentuar kosovar, është ishulli i dhembjes dhe deti i nostalgjisë. Po qe se duam ta definojmë shkurtimisht vëllimin e Muhamed Kërveshit, këtë mund ta bëjmë duke parafrazuar fjalët e autorit, poet dhe poliglot, personalitet i shquar shqiptar, sipas të cilit „sytë e dashurisë” janë skalitur „në ballin e Kosovës”, apo: „duke e pritur lirinë e vonuar”. Edhepse nuk flet në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo aluzive për fatin e kësaj pjese të botës, seleksionimi i poemave të këtij vëllimi të shpie drejt një teme qëndrore që bën fjalë për fatin e njerëzve të vendlindjes, për dramat e rrënjosura thellë në shpirtin e tyre. Një vëllim që të shtyn ta lexosh e rilexosh me mendimin te bota e poezisë, e njerëzimit, dhe jo e politikës. Ndoshta më elokuente në këtë drejtim është një fragment i poemit Pas perdesë: „drama jonë/ nacionale// aktorë të paduksheëm/ sqenografi e huaj.”

 

         „Shkëmb i egër” dhe „jetë e egër”, thot në një moment autori. Janë aq gjëra që s’i sheh syri i huaj në ato vende ku po ndodhin gjithfarë gjërash. Atje ku ndërpritet drita elektrike dhe kupton fragmentarisht gërshetimin e mundimeve ndërmjet njerëzve që përjetojnë gjithfarë traumash ekzistenciale në këtë epokë ku informacionet janë shpeshherë të importuara përmes mediatizimit të dirizhuar konform sintagmës “politically correct”, saqë, në rastin e një vëllimi të tipit të këtillë „duhet të depërtosh në brendinë e këtyre vargjeve prej guri/ për ta kuptuar jetën e gurtë”, për të kuptuar, qoftë vetëm përmes një pikëshikimi, përse Drini është i bardhë, apo përse është i zi, një lumë i përbujshëm që i shenjtëron rrugët iliriane të mbretëreshës Teuta. Apo për të depërtuar e gjithë korola e ideve që lindin në mëndjen e një përjetuesi në këtë hapësirë të do emrave si Lekë Dukagjini apo Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

 

Muhamed Kërveshi shkruan për poetët dhe doganat e ajrit, dhe flet për Kosovën si një vend ku „zogjtë mbyllin sytë/ pranë varrit të martirëve/ që shëmbëllejnë mes vedi”. Shkruan për pritjen e një lirie të vonuar, për nënat kosovare që i kanë humbur fëmijët, për fëmijët që i kërkojnë prindërit me sytë kah qiejt dhe varrezat. Por edhe për një Kosovë që ka „sytë e dashurisë/ në ballë”. Kështusoj, para se të jetë një vëllim poemash që mund të anlizohen dhe vlerësohen si do perla poetike të një hijeshie të rrallë, ky seleksionim vlerash antologjike i dedikohet Kosovës, të cilën njohësit e historisë e konsiderojnë si „motra binjake e Besarabisë”.

 

Poetët dhe lumi i vargjeve të tyre

 

Në kuadrin e pasthënies, poetja dhe eseistja Monika Mureshan bën fjalë për aktin krijues që i jep njeriut rastin të befasojë e zbulojë një mrekulli që po ngjet në jetën reale. Sipas saj, „krijuesi është i fisnikëruar nga vetë procesi kreativ përmes të cilit i jep jetë objektit të imagjinatës duke e konkretizuar dhe materializuar. Shumëkush e shpjegon fare thjesht këtë përmes faktit se atëherë është aktivizuar ana e djathtë e trurit. Në të djathtën thuhet se qëndron, duke veguar, edhe engjëlli ynë mbrojtës. Të çapëlosh me të djathtën është një shenjë e mirë. Janë të gjitha gjërat të paracaktuara, të cilat i marrim ashtu siç i kemi pranuar dhe në të cilat besojmë pa i hulumtuar. Njësoj ngjet me gjërat dhe me vizionin e depërtimit në botën e paprekshme në planin real të imagjinatës.” Jeta, sipas Monikës, është një dhunti, krijimtaria lirike është dhunti. Kur e mbaron poeti një poezi krijon përshtypjen se ajo është një dhuratë e Zotit. Duke qenë dhuntia e Zotit, logjika na udhëzon që të mendojmë se Zoti është poeti i parë, strërgjyshi i poezisë dhe i arteve të mirënjohura, apo, gjenerikisht, është vetë poezia dhe drita e saj.

 

M. Kerveshi i përkthyer nga B. Ymeri në  revisten Luceafarul, 1974
M. Kerveshi i përkthyer nga B. Ymeri në revisten Luceafarul, 1974
Poezia është fëmija e mëndjes universale dhe në lindjen e saj është njësoj sikur ta kishim prekur Zotin, për një çast, por në përfytyrim. A mund të besojmë vallë se nga të gjitha artet, poezia mund të jetë aktiviteti i Tij më i preferuar? Poeti tashmë e din se përgjigjen e ka marrë nga dielli e hëna, nga lulet dhe zogjtë, nga ngjyrat dhe tingujt, nga ujërat dhe malet. Kur rrimë në natyrë apo asistojmë në një recital poetik, kur lexojmë një vëllim me poezi, kemi privilegjin e bashkëpunimit me shqiptarët falë divinitetit që qëndron mbi ne, apo mbi nivelin tonë të kuptimit, dhe atëherë kuptojmë të vërtetën se, pavarësisht nga distanca që ndodhet mes Bukureshtit dhe Prishtinës, ne jemi në një botë të përbashkët me hyjnitë. Bota nusërohet, përmirësohet dhe duket në gjendje reale, pra është më e hijshme ndërsa ne, njerëz të përkohshëm, përfitojmë energji hyjnore për t’u ballafaquar me dritën për një çast, dhe nëse e pranojmë këtë fakt, konstatojmë se kemi poetë. Dhe i patharë është lumi i vargut të tyre. Ja se si lutet Muhamed Kërveshi te Melnakolia e tij: Vargu im, mos vdis/ pa u ballafaquar me dritën!

 

Vlerësime kritike autorësh shqiptarë për poezinë e M. Kërveshit

 

Muhamed Kërveshi është një zë i veçantë në poezinë shqipe të Kosovës. Poezia e tij ka një strukturë të vetën kompozicionale, ka ritme dhe sistemin e vet figurative; vetjakësi në menyrën e konceptimit e të abstragimit të lëndës jetësore nga mëkohet e merr krahë për t’u bërë e afërt për njerëzit, të cilëve u drejtohet dhe portretin e të cilëve përpiqet të gdhendë, ashtu me pak fjalë e përmes shprehjes sintetike, përmes simboleve e nervit të brendshëm të fjalës, që e gjallëron dhe i bën të lëvizin parasysh tërë imazhet e skenat që na pikturon. (Perikli Jorgoni). Zgjerimi i horizonteve krijuese dhe i mundësive poetike në këtë kohë është i dukshëm në poezinë e tij. Që prej fillimeve me këmbëngulje kultivon një varg të shkurtër, ekspresiv, me lidhje të papritura figurative, por ritmikisht të përpunuara dhe mjaft dinamik. Ndryshe nga poetët e tjerë të kësaj etape, që sjellin aq shpesh vizione rustikale, ai sjell vizionin e qytetit me portretet karakteristike të njerëzve të vegjël. Lexuesi do të mbetë i pushtuar dëshiret që të ketë rastin ta shoqërojë edhe disa herë Muhamed Kërveshin në ekskursionet e tij poetike. Sepse prej krijuesve seriozë prore ndahesh më i pasur shpirtërisht. (Rexhep Qosja).  Shkrimtari Muhamed Kërveshi me veprat e tija origjinale dhe me ato të shqipëruara, përveç që e ka begatuar kulturën letrare të Kosovës, me to e ka pasuruar edhe atë të Shqipërisë. (Xhevahir Spahiu).

 

Duke i vënë në raporte të anasjellta, duke ua ndryshuar gjësendeve relacionet në kontakte të ndryshme poetike (M. Kërveshi), poeti vjershës i jep karakter asociativ dhe e bën shumëkuptimshe. (Bajram Krasniqi). Muhamed Kërveshi shquhet si poet i miniaturave tërëheqëse lirike të lidhura kryesisht me ambientin e vendlindjes dhe njërëzit e saj. (Agim Vinca). Poezia e Muhamed Kërveshit zë një vend meritor në letërsinë tonë. Ai si poet dhe veprat e tij kanë sjellë freski në letërsinë tonë. Poezia e tij është përkthyer në shumë gjuhë të huaja edhe kjo dëshmon se autori është një ndër poetët më të mëdhenj të kohës sonë. (Besir Zyberi). Muhamed Kërveshi nuk ka vetëm figuracion të bollshëm e të skalitur artistikisht, por ai është edhe një meditacion me plot kuptim për jetën, qëndresën, sakrificën dhe fitoren tonë. Të gjitha këto dhe tjera elemente janë dëshmi se krijuesi kultivon edhe stil modern dhe postmodern në poezinë tonë bashkëkohore. Ky është vargu i tij poetik, ky është stili i tij dhe i këtillë është edhe individualiteti krijues i Muhamed Kërveshit. (Halil Haxhosaj). P. S.: Lënda me vlerësimet respektive është botuar edhe në gjuhën rumune, ndërsa në versionin shqip jepen edhe mendimet e Vehap Shitës dhe Hamit Xhaferit për këtë krijues.

 

Kush është Muhamed Kërveshi?

 

Sipas burimeve bibliografike kuptojmë se u lind më 1935 në Mitrovicë. Ka kryer gjimnazin në Mitrivicë, Fakultetin Filozofik (gjuhë të huaja dhe letërsi franceze), në Beograd, studimet pasuniversitare në Zagreb, kurse doktoratën e mbrojti në Prishtinë. Është i prezantuar në panorama dhe antologji të poezisë shqipe të botuaranë Kosovë, Shqipëri dhe vende tjera të botës, si dhe në antologji të huaja me autorë vendesh të ndryshme. Në gjuhë të huaja i ka të botuara 4 vepra letrare. Poezitë, esetë dhe tregimet e tij janë të përkthyera afro në 20 gjuhë. Flet disa gjuhë të huaja dhe është i njohur edhe si përkthyes, duke përkthyer nga serbokroatishtja, turqishtja, italishtja e sidomos nga frëngjishtja, nga e cila ka përkthyer poetët më të njohur jo vetëm në Francë por edhe në botë. Ka shqipëruar vepra të F. Vijonit, Sh. Bodlerit, S. Malarmesë, P. Elyarit. G. Apolinerit, Zhak Preverit, Pol Valerisë etj. M. Kërveshi është edhe përpilues i tri antologjive: Kurrizi i engjëllit (antologji e poetëve francezë të shekullit XX), Antologjinë e poetëve të Pejës, dhe sidomos Antologjinë e lirikës frënge (shek.XIII-XXI), me 77 poetë dhe 998 faqe. Është shkrimtar poliedrik që ka shkruar vepra për të rritur dhe për fëmijë. Ka botuar 29 përmbledhje me poezi, disa vepra me tregime, drama, monodrama, romane, një vëllim me ese  e kritika dhe përallëza. Është thënë dhe është shkuar se edhe në përkthime të M. Kërveshit hetohen individualiteti i veçantë i tij dhe dhuntia hyjnore.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora