E enjte, 28.03.2024, 07:02 PM (GMT)

Faleminderit

Murat Gecaj: Bisedë e paharruar me ''Baclokun'' Din Mehmeti

E shtune, 13.11.2010, 09:39 PM


Nga e majta: Poeti Din Mehmeti dhe arsimtari Gjergj Gojani (Gjakovë, korrik 2000)
Nga e majta: Poeti Din Mehmeti dhe arsimtari Gjergj Gojani (Gjakovë, korrik 2000)
BISEDË E PAHARRUAR ME “BACLOKUN” DIN MEHMETI

(Nga blloku i shënimeve)

 

Nga: Prof.as.Dr. MURAT  GECAJ

publicist e studiues-Tiranë

 

Gjakovë, korrik, 2000…

Jemi ulur në një lokal të mirë të qytetit të Gjakovës dhe presim të na vijë poeti i njohur Din Mehmeti. Atij i telefonoi Halil Haxhosaj edhe ky një poet tjetër i kësaj treve, me shumë krijues të afirmuar. Këtë ma paraqiti arsimtari e dashamiri im, Gjergj Gojani. Shpejt u miqësuam, se të tillë janë njerëzit e letërsisë, pra që të "ngjisin" menjëherë. Që në takimin e parë, Halili nxori nga çanta një tufë të librit të tij të ri poetik, me titull; "Hija e orëligës"(kupto: serbisë,-shënimi im, M.G.). Përveç një kopjeje, që ma dhuroi mua me përkushtim, m'u lut që t'ua dërgoja dhe disa poetëve, shkrimtarëve e gazetarëve në Shqipëri. Dhe porosinë ia kreva, pra ua dhashë librin me autografin e tij: Bedri Dedjes, Xhevahir Spahiut, Adem Istrefit, Ilir Kaninit e Zenel Anxhakut. Ata shprehën falënderimet e tyre për këtë gjest mirësjelljeje dhe respekti.

Ndërsa mendoja për këtë botim të mikut tim të ri, Haxhosaj, shoh që përballë nesh ai vjen me poetin e talentuar të Kosovës, bacën Din Mehmeti ose, siç e njohin këtej për ta respektuar, me “baclokun”. Ai, tashmë, ka hyrë natyrshëm në botën e lexuesve shqiptarë, ka bërë emër me veprat e tij në letërsinë e sotme shqiptare. Lexohet e respektohet në shkolla, fakultete, familje. Takohem me të dhe i shtërngoj fort dorën, duke e përshëndetur me urimin e bardhë të zemrës: "Gëzohem që takohemi në Kosovën e lirë, pasi u thye "muri i dytë i Berlinit", një vit më parë!" Ai e kthen përshëndetjen, me një buzëqeshje pak të heshtur, pasi është i moshuar dhe jo fort mirë me shëndet. Megjithatë, në sytë depërtues dhe në shprehjen e fytyrës së tij, dalloj njeriun krijues e plot mirësi. Më tregon se është i lumtur që lufta nuk i la pasoja të rënda në familje dhe menjëherë ia nis bisedës për lëtërsinë.

 

            "Kam marrë vesh se poeti Xhevahir Spahiu ka botuar në Shqipëri një libër, ku flitet dhe për krijimtarinë time,- thotë baca Din.- Kam shumë dëshirë ta kem një botim të tillë". Në vazhdim të kësaj teme, i bëj edhe këtij një "suprizë" të këndshme: I tregoj librin e ri të  Sterjo Spasses, "Kuvendim me nipin". Në të, shkrimtari ynë i shquar thotë se në Gjakovë u takua (më 1975)  me drejtorin e Shkollës së Lartë Pedagogjike, siç shprehet aty, "poetin e njohur" Din Mehmeti. Bashkë, ata shkuan dhe në zonën e Junikut. Sterjo Spasse e portretizon kështu atë:

"Ai është i heshtur, flet ngadalë, me zë të mekur, por është gatuar vetëm me ndjenja të dlirta, i kredhur kurdoherë në mendime e në meditacione. Edhe kur e vështron, po atë pamje të jep: pamjen e një poeti meditativ. Shumë poezi të tij i kam lexuar në Shqipëri. Ai ka botuar gjer më sot nja pesë vëllime. Këto poezi të tij janë gatuar me emocione të forta, me ndjenja e mendime, që shprehin botën e një njeriu të ndjeshëm dhe të sotshëm kosovar: fëmijërinë e vështirë, aspekte nga drama historike shqiptare, probleme shoqërore të kohës. Ai këndon me një lirizëm subjektiv e objektiv, bashkë...Ai është bir i Bjeshkëve të Nemuna. Fshati i tij, Gjocaj, është lart mbi kryet e Junikut, midis shkëmbenjve dhe ca rudinave e korieve...Bariu i djeshëm, sot është një nga poetët më të mirë të Kosovës dhe një ndër intelektualët, që derdh mund e djersë me gjithë shpirt për të mirën e popullit të vet e të bashkëfshtarëve të tij".

 

            Vërej se, kur e shfleton këtë libër të çmuar, bacës Din i dridhen duart, por dhe buza. Ndoshta, si në mjegullim, ai tani sjell ndërmend atë takim dhe atë udhëtim të paharruar. "Ka qenë stilist i rrallë...,-shprehet si për vete, duke e vlerësuar  me fjalë të kursyera shkrimtarin Sterjo Spasse.-Mbaj mend se, kur ishim në Deçan, ai u ngrit e recitoi përmendësh vargjet e poemës "Krisma, është emri im". Mbeta shumë i befasuar, se si një shkrimtar i tillë i madh, të kishte mësuar përmendësh poemën time!"

            Biseda me poetin Din Mehmeti bëhet e ngrohtë, e çiltër, siç e ka shpirtin. Në këndveshtrimin e një gazetari, i bëj ndonjë pyetje dhe ai, me dashamirësi, përgjigjet menjëherë.

            Pyetje: Çfarë mendimi keni për  mësuesit dhe poetët e rrethinave të Gjakovës, sidomos për më të rinjtë?

            Përgjigje: Unë nuk jam kritik letrar. Bodleri thoshte se "është katastrofë që poeti të bëhet kritik". Megjithatë, për pyetjen tuaj, mund të shfaq ndonjë mendim.  Gjakova, me rrethinat e saj, ka tradita të hershme në fushën e arsimit shqip dhe ishte truri politik e atdhetar për tërë Kosovën. Sidomos pas vitit, kur këtu u hap Shkolla Normale, kjo luajti një rol me shumë rëndësi  në përgatitjen e qindra mësuesve, të cilët e shpërndanë dritën e diturisë në mbarë Kosovën dhe hodhën kështu themelet e arsimit modern. Pas Luftës II Botërore, u hapën kudo shkolla në gjuhën amtare dhe kurse kundër analfabetizmit, në tërë komunën e Gjakovës. Arsimtarët, që erdhën vullnetarë nga Shqipëria, bënë një punë të madhe atdhetare. 

            Brenda lëvizjes arsimore e atdhetare, dolën krijuesit e rinj.  Kur nuk kishim poetë, “Mësuesi i Popullit” Zekeria Rexha botonte në revistën "Jeta e re" krijime në prozë. Ai ndikoi shumë në afirmimin e letrarëve të rinj, se vetë e njihte mirë letërsinë evropiane. Pas tij, qyshë në Normalen e Gjakovës, shkroi poezi Enver Gjyrgjeku. Ndërsa Rexhep Hoxha u dallua si poet për fëmijë. Pas tyre,  shpërthyen një gjeneratë poetësh e krijuesish. Ndër ta, po përmend: Besim Bokshin (ka vetëm një vëllim e të mirë), Ali Podrimen e disa të tjerë dhe veten me ta e Halilin, që kemi këtu pranë. Ju e dini se poetët e kanë zemrën "zjarr", ajo nxjerr "prush". Për fat të mirë, ishte një  "furi" e re në lëmin e poezisë, pra numri i tyre është bukur i madh. Ndërsa në prozë, u afirmuan: Isuf Buxhovi, Teki Dervishi, Pal Ndrecaj...

            Pyetje: Si e përjetuan mësuesit dhe krijuesit gjendjen e krijuar në Kosovë, sidomos pas vitit 1990, kur u shtuan dhuna e represioni serb ndaj shqiptarëve?

            Përgjigje: Kjo periudhë, që përmendni ju, ishte mjaft e papërshtatshme për ne. Nga shkaku i mllefit të madh ndaj inteligjencies popullore, pushtuesit serbë

Libër me poezi, kushtuar poetit të madh, Din Mehmeti (Gjakovë, 2009)
Libër me poezi, kushtuar poetit të madh, Din Mehmeti (Gjakovë, 2009)
menduan të merrnin masa të gjithanshme për t'i ndërprerë të gjitha "kanalet" e zhvillimit arsimor e intelektual në Kosovë. Nga që bëhej mësim paralel, në fund ata vendosën që të na nxirrnin nga shkollat tona. Por, ne nuk u dorëzuam. Siç mund ta dini, nisëm t'u jepnim mësim nxënësve vullnetarisht, nëpër shtëpitë e qytetarëve dhe fshatarëve. Kjo punë nisi në vitin 1990 dhe vazhdoi, deri sa këtu plasi lufta. Kështu, u ndërpre edhe ofensiva serbe ndaj arsimit shqip në Kosovë. Sigurisht, cilësia e mësimit nuk ishte si më parë. Por është e rëndësishme se, në atë mënyrë, nuk u ndërprenë veprimtaria arsimore e kulturore shqipe. Arsimi mbijetoi gjatë këtyre viteve dhe i shkatrërroi synimet e planet djallëzore serbe, për kapitullimin tonë në fushën e traditave kombëtare. Të nervozuar apo të tërbuar, ata ndërmorën veprime të tjera barbare për çfarosje. Por nuk ia arritën dot as kësaj.

            Pyetje: Dëshiroj të njihem më nga afër me jetën tuaj arsimore dhe krijimtarinë poetike...Tani, çfarë po shkruani?

            Përgjigje: Pa mbarimit të shkollës Normale, kam shërbyer mësues në Lipjan, pastaj gazetar në "Rilindja" dhe pedagog në shkollën Normale  të Gjakovës, që nga viti 1967, ku kam dhënë teorinë e letërsisë dhe folklorin. Në këta 10 vjetët e fundit, kam dhënë mësim në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës. Kam shkruar qyshë i ri poezi. Përmbledhja e parë, me titullin "Në krah' të shkrepave", u botua më 1962. Deri tani kam botuar 13 përmbledhje me poezi dhe dramën "Agu"-simbol i luftës për bashkimin kombëtar. Atry flitet për ndërtimin e një ure për të realizuar lidhjen ndërmjet dy fshatrave, që nënkuton lidhjen e bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për nevoja shkollore kanë shërbyer botimi i studimit tim rreth krijimtarisë së Jeronim de Radës, si dhe një përmbledhje me poezi të zgjedhura. Poezitë e mia më të mira janë futur në antologjitë e botuara në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Gjithashtu, disa poezi janë përfshirë në botimet në formë panoramash për letërsinë shqiptare, në gjuhët: italisht, frengjisht, gjermanisht e anglisht.

            Ju interesohemi të dini se çfarë po krijoj tani. Po ua them shkurt: po e "shtrydh" trurin e po i mbledh fuqitë që të përgatis një vëllim  me poezi. Aty dëshiroj të shpreh idetë e mia ndaj realitetit dhe kushteve të reja, që janë krijuar tani në Kosovë.

            Pyetje: Çfarë mendimi keni për lidhjet, në kushtet e reja, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në fushat e arsimit, kulturës, letërsisë etj?

            Përgjigje: Mbas fitores së arritur në Kosovë, janë krijuar kushte reale për shkrirjen e kulturës dhe arsimit, që ne të realizojmë lidhje të ngushta: shpirtërore, në arsim, kulturë, shkencë, letërsi etj. Diçka madhore, e kryer qyshë herët, ishte njësimi i gjuhës letrare kombëtare…Mendoj se, në miniaturë, hap pozitiv është puna e nisur për hartimin e Abetares mbarëkombëtare. Mendoj se duhen e janë mundësitë për të bërë plane e programe të përbashkëta, që nga shkollat fillore dhe deri në ato të lartat, duke i përfshirë të gjitha trevat shqiptare.

            Së fundi, do t'i përshëndesja dhe do t'i ftoja institucionet  arsimore, kulturore, shkencore etj., në Shqipëri, që t'i kapërxejnë sa më parë "barrierat", të kalohen me guxim dallimet politike, si  në Kosovë e në Shqipëri dhe bashkërisht ta përdorim me dobi shansin historik, që është krijuar, për Kombin tonë të tejlashtë, të ndarë në pjesë.

            -E falënderoj nga zemra bacë Dinin për përgigjet e dhëna e i kërkoj të falur që e lodha. Ai, buzagas e ashtu heshturazi, përgjigjet me shprehjen e bukur: "Me nder qofsh!"

 

            Këtu, dëshiroj të shënoj diçka për  krijimet e poetit Din Mehmeti. Që nga viti  1961 e deri më 1999, ai publikoi 16 vëllime me poezi, shumica me përmbajtje figurative dhe protestë kundër pushtimit të egër shumvjëçar serb. Por dhe në vitet e lirisë së Kosovës ai nuk u shkëput nga krijimtaria letrare. Ja, për shembull, në gazetën e përmuajshme "Fjala" (Prishtinë, nr.4, prill 2000), ishin gjithësej 8 poezi të tij, të botuara në një faqe të plotë. Sa për të shijuar diçka nga ky artist i flalës së shkruar, po ndalem në njërën prej tyre, ku reflekton ngjarjet tragjike në Kosovë. Ajo mban titullin "Policët dhe librat" (1999). Fabula është e thjeshte: pushtuesit kërkonin armë dhe e bastisën  shtëpinë e poetit, ku gjetën vetëm libra: "I shpërndanë mbi qilim,/ si ushtarë të plagosur dukeshin;/ sa sosh me dinjitet,/ përballë tyre qëndronin". Prandaj policët u larguan, "pakëz të frikësuar, pakëz të zverdhur".

           

Nëntor 2010...

Para dy javësh, pra pas 10 vjetësh, ndodhesha përsëri në Gjakovën tonë. Më mbeti shumë merak që nuk e takova mikun e kahershëm, poetin e madh Din Mehemeti. Dëshiroja që të ishte i pranishëm në përurimin e një libri tim kushtuar mësuesit veteran Salih Miftar Kolgeci, i njohur i tij. Por ai ishte i pamundur nga gjendja shëndetësore dhe kërkoi të falur për mospjesëmarrjen, përmes kolegut tonë të përbashkët, Halil Haxhosaj. Ky i fundit, kishte publikuar në Gjakovë, në vitin 2009,  librin “Përkushtime”, me përmbledhje poezishë kushtuar Din Mehmetit. Por sa keq! Vërtet ky paska qenë dhumë i lodhur e në ditët e fundit të jetës së tij.

Në Internet Internet dhe në shtypin e shkruar, sot më 12 nëntor 2010, morëm lajmin shumë të hidhur për ndarjen, dje, përgjithnjë nga jeta, të poetit të madh të Kosovës e mbarë Kombit tonë, “bacalokut” Din Mehmeti. Dhimbjen time për këtë humbje e bashkoj tani me atë të familjarëve dhe krijuesve tanë, kudo që ndodhen. Por ai do të mbetet kurdoherë i gjallë në kujtesën e brezave, me veprat e shumta dhe të spikatura, që publikoi gjatë jetës së tij.

 

Tiranë, 12 nëntor 2010



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora