E enjte, 25.04.2024, 05:01 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: PSHDK - Celule solide e te djathtes

E merkure, 26.12.2007, 12:59 PM


PSHDK - CELULE SOLIDE E TE DJATHTES

Nga Idriz ZEQIRAJ

Profilizimet partiake gjithëshqiptare zënë fill që nga viti 1940, pra, që në vitet e para të luftës së dytë botërore. Komunistët shqiptarë, pra, e majta, në të dy anët e kufirit, u lidhen fort pas domegës ideologjike ruso-jugosllave, duke e krijuar aleancën internacionaliste.Në anën tjetër u rrjeshtuan forcat nacionaliste, pra, e djathta shqiptare. Konfrontimi i palëve, i të djathës me të majtën ishte i ashpër dhe i përgjakshëm. Komunistë shqiptarë, të udhëhequr nga Enver Hoxha, vegël bastarde ruso-jugosllave, të ndihmuar fort nga "internacionalistët" jugosllavë, e degjeneruan luftën clirimtare në luftë civile vëllavrasëse. Në Kosovë e djathta nuk ishte e organizuar në subjekte të mirëfillta partiake, sic ishte në Shqipëri "Legaliteti" e "Balli Kombetar." Për një organizim të tillë u provua vetëm në mbarim të luftës. Por, ideologjia sllavo - bizantine, komunizmi, që tashmë, kishte zëvendësuar fashizmin, madje për nga egërsia, brutaliteti ngjasonte me pararendësin si me ndarë një bajgë përgjysmë. Edhepse Partia Komuniste e Shqipërise varrosi pluralizmin dhe demokracinë, duke ekzekutuar 22 deputetë nacionalistë dhe shumë qindra të tjerë intelektualë, që kishin studjuar në universitetet ë të zëshme të Evropës dhe ishin mëkuar me ndjenjat fisnike të lirisë dhe të demokracisë perëndimore. Me gjithë terrorin e egër e tej fashist komunist, krerët nacionalistë në jug dhe veri vazhduan rezistencën e armatosur kundër murtajës komuniste. Janë të njohura kryengritja e Postribës, (Shkodër), revolta e Kallmetit (Lezhë) dhe gjetkë, në ballë të së cilës ishin të krishterët katolikë. Dhe, hakmarrja e pushtetit të majtë komunist vazhdoi për gjysmë shekulli me radhë, duke gjakosur të djathtën, e cila do të frymojë përjetësisht djathtas.

E djathta shqiptare, edhepse në kushtet e terrorit, gjithnjë mendonte e vepronte edhe për Kosovën. Ajo denonconte aleancën tradhtare të komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, që vrisnin sivëllezërit e tyre në Kosovë. Atëbotë, sekretari i rinisë të "Ballit Kombëtar" për Tiranën dr. Osman Kazazi, i cili më vonë do të vuante 43 vjet burg, dërgonte në Kosovë një cetë luftëtarësh, si ndihmë simbolike nacionalistëve, të cilët vazhdonin rezistencën kundër cetniko - partizanëve jugosllavë dhe lakejve të tyre shqipëfolës komunistë. Më vonë, për një rezistencë te organizuar do të vinin Gjon Sereci e Marije Shllaku me shokë. Mbi këtë trung rrënjëthellë është ngritur Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, e cila përbën një celulë solide të së djathtës në Kosovë. Në vitet '90 - a pluralizmi partiak në Kosovë do të begatohej me partinë zëmirë të demokristianëve të Kosovës. Spektri i anëtarësimit do të ishte më i gjerë se sa emërtesa. Ajo nuk do të mbetej parti e "latineve", sepse në të aderuan edhe njerëz të përkatësive tjera fetare e sidomos ata të fesë islame.

Vënia në krye të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës e akademik Mark Krasniqit, ishte një zgjidhje e qëlluar. Professor Krasniqi e dinë mirë burimin e partisë që drejton. Prandaj, nuk është i rastësishëm deklarimi i tij se " unë jam aty ku është dr. Ibrahim Rugova." Dhe, nuk hezitoi të rrjeshtohet përkrah atyre që aspirojnë një të djathtë, ashtu sic ishte përcaktuar shpirterisht dhe mendërisht përfaqesuesi më eminent i këtij profilizimi dr. Rugova.

Përgjatë afro këtyre dy dekadave janë bërë dy përpjekje për ta spostuar akademik Mark Krasniqin nga drejtimi i PSHDK - së. Në fillim kushëriri i tij Lazër Krasniqi dhe së voni kushëriri im Zef Morina. Nëse kreun e partisë do ta uzurponte Lazër Krasniqi, ajo do të orientohej dhunshëm majtas, përkundër rrjedhës burimore të saj. Në vitet '90 - a në Ludwigshafen (Rheinland Pfalz) të Gjermanisë ishte themeluar një aktiv I PSHDK - se, kryesisht me anëtarësi jo të krishterë. Zoti Lazër Krasniqi paralajmëroi vizitën dhe ne, pavarësisht nga përkatësia partiake, në respekt të PSHDK - së, organizuam pritjen me pjesëmarrjen e shumë qindra mërgimtarëve. Cuditërisht, mysafiri na zhgënjeu, madje edhe keqpërdori mirëpritjen e tubimin. Ai ishte për pagesën e anëtarësisë të partisë, por jo edhe të 3% obligativ. Dhe, mërgimtaret bënin një dëshifrimi praktik: "Kush është kundër 3% -it, është për nënshtrim ndaj Serbisë - meqe ai ishte i vetmi burim financiar legal i institucionalizuar. Pas shumë viteve strukjeje u shfaq sërishmi Lazër Krasniqi, kandidat i pavarur për komunën e Prishtinës. Dhe, vota e tij ishte vetëm për kandidatin e majtë. Ruaje Zot partinë e djathtë nga nostalgjiket shmajtanë!"

Një shembull identik sjellim këtu degjenerimin e partisë të parë simpatike e masive te shqiptarëve në Maqedoni. Kur komunisti i mykur Arbër Xhaferi uzurpoi kreun e partisë, nga një orientim tërësi djathtas, u konvertua në një të majtë ekstreme, duke u lidhur fort me socialistët e Tiranës dhe me stalinistët e Kosovës. Në fund nëntorin, kur e majta e Kosoves kinse perkujton lindjen e Adem Jasharit, komunisti i mërdhezur Xhaferi, me gjuhën e tij nefrerkë, iu sul denigrueshëm dr. Rugovës, duke vargëzuar shpifje monstruoze. Ky përkujtim asnjëherë nuk i ka shërbyer emërtimit thirrës. Përkundrazi, është keqërdorur vijimisht nga ideologët e racës sllavo - bizantine.
Mendoj se edhe sforcimi i zotit Zef Morina për të qenë i parë i PSHDK - së, nuk ishte fisnik. Bilëz, edhe mosmirënjohës për postin e ministrit që gëzoi përgjatë një mandati, që natyrshem, është përzgjedhur nga kryetar Krasniqi. Flirtet me Nard Ndokën, i konvertuari partiak për të tretën herë, krijimi i ashtuquajturit Union Demokristian, nuk besoj t'i shërbejnë zotit Morina për prestigj e besueshmëri, aq të nevojshme për ata që synojnë majtat. Fundja, nuk mund as të mendohet një Union Demokristian në trojet shqiptare, për të gjallë të akademik Mark Krasniqit, pa qenë ai në krye.

Akademik Mark Krasniqi është nga ata burra të Kosovës që fjala i ka peshë dhe zënë vend. Ka pasur raste, si ai për pajtimin kombëtar, që ka hyrë me qëllim të dlirë, por kur ka hetuar manipilimin, është tërhequr i pari heshturazi. Ndërkohë, që në reagimin ndaj shkrimit tim "Mjegulla demagogjike e pajtimit kombëtar", atëbotë, mua më ka rënë në qafë padrejtësisht, meqë as unë dhe as opinioni nuk e dinte për tërheqjen e professor Markut nga komisioni përgaditor i Kuvendit, që nuk u mbajt kurrë.

Njerëzit me karakter, të përkushtuar për të drejtën, zakonisht, reagojnë ashpër ndaj të keqes. Profesor Marku, mendoj, e manifeson zemratën gjer në inat. Por, është provuar se inati në politikë është humbës. Dhe, kjo u dëshmua me inatin deri në fodullëk të zotit Fatmir Sejdiut, që e përmjeri një parti të tërë. Tej një dekade të shkuar ishim të ftuar në Kongresin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë në Tiranë. Dëgjova se profesor Marku ishte irrituar për një shpërdorim të mundshëm financiar nga kreu i partisë atje. Druaja në zbehjen e atmosferës festive të Kongresit demokristian dhe krejt intimisht e luta profesor Markun që edhe nëse ka aferë shpërdoruese, kërkesa e  llogarisë të bëhet pas Kongresit. "Profesor, ju lutem, ta heshtni këtë herë problemin, fale zotin Zef. Edhe jevxhitët e Tiranës ngasin veturat, e si mos ta këtë një veturë kryetari I kësaj partie simpatike?! Madje, nëse e keni parë makina e blerë është e vjetër dhe aspak komode për një kryetar. Zoti Zef as nuk ka shofër dhe as shoqërues." i thashe unë. Dhe, profesor Marku u përgjigj prerazi:"Jo, nuk e fal, ai ka vjedhur!" Akademik Mark Krasniqi u prit dhe u përcoll i duartrokitur. Në Shqipëri nderohet dhe respektohet fort, madje pavarësisht partive politike apo fetare.

Në Kosovë e djathta është shumicë absolute. Kjo është dëshmuar për të gjallë të Presidentit Rugova. Me keqardhje duhet pranuar se aktualisht kjo e djathtë përjeton një krize të thellë  morale, ndonëse ka humbur Kryezotin e saj. Konsolidimi i të djathtës është nevojë akute, madje për të mirën e Kosovës. Abstenimi në masën, pothuajse, 70%, të votuesve, tregon për mungesën e theksuar të demokracisë dhe mosinteresimin total të popullit për cfarë po ndodhë në vendin e tij. Dhe, kjo u lënë dorë të lirë batakcinjëve politikë.

Motoja e poltikës është veprimi që përjashton spontaneitetin. Bashkimi dhe konsolidimi i të djathtës është imperativ i kohës. Nisma për grupimin e të djathtës kërkon protaginistët e saj. Padyshim se njeri nga të parapelqyerit do te ishte akademik Mark Krasniqi, si një personalitet i pranuar cilësisht dhe i panjollë pavarësisht sa numerike është partia që ai kryeson. Si hap fillestar duhet të shërbente bashkimi i dy grupimeve demokristiane, pavarësisht se sa peshë bart degëzimi i shkëputur nga trung. Ky unifikim është lehtësisht i realizueshëm, për faktin se ndarja është bërë për "kapuc të madh" dhe aspak për arsye parimore. Përfoja e para disa muajve se kësaj zenke banale e të pakuptimtë po i vie fund, gëzoi sinqerisht të gjithë njerëzit të animit djathtas. Në deklarimet vlerësuese për personalitetin e profesor Markut, të bëra nga zoti Zef Morina, nëntektohej pendesa dhe pajtimi njëherësh. Cuditërisht, si një rrufe në mot të kthjelltë, pasoi reagimi i palës tjetër, duke vrerosur të gjithë pritësit dashamirë të ankthësuar. Nuk u muar vesh nëse kjo frymë refuzuese, sa e papritur, aq edhe nxituese, buronte nga shefi idhnak i partisë, apo nga ata që e rrethojnë atë, në shenjë respekti e besnikërie. Sidoqoftë, polarizimi i sërishëm ndërgrupor la shijë të hidhur dhe tejet zhgënjyes. Ngushëllues ishte vetëm fakti se rrjeshtimet para-zgjedhore të palëve riprovuan profilizimin djathtist të pandryshueshëm. Dhe, kjo është një dëshmi shtesë së demokristianët e Kosovës janë partnerë të besueshëm e solide të së djathtës, që për arsye subjektive po neglizhon konsolidimin dhe fitoren e  pashmangshme në raport me të majtën ekstreme, e cila u shpërblye me pushtet nga disa monstrumë karieristë, të infiltruar djallëzisht brenda të së djathtës.

Akademik Mark Krasniqi shquhet për ndjesinë kombëtare, duke qenë kritik i rreptë karshi të gjithë atyre që konfondojnë fenë me kombin. Personalitete të zëshme, të besimit jo të krishterë, janë shprehur, heroashere, per rendesine e fuqizimit te PSHDK - së në Kosovë, nderkohë profesor Marku nuk ka provuar asnjëherë të paktën publikisht, të imponohet në atë masë që dikton aktualiteti. Një qasje serioze e tij botës studentore e intelektuale do të rezultonte e suksesshme. Dhe, kjo do t'i jipte peshë edhe nismës fisnike për unifikimin e të djathtës të Kosovës. Koha është për veprim. Bjerrakoha vecsa konservon statuskuonë anarkike në gjirin e të djathtës, duke u reflektuar pashmangshëm në ngecjen shumë planëshe të zhvullimit dhe prosperimit të shoqërisë në Kosovën tonë hallemadhe.

Dhjetor 2007



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora