E shtune, 20.04.2024, 05:07 AM (GMT+1)

Faleminderit

Besim Muhadri: Lamtumirë Baclok!

E shtune, 13.11.2010, 11:00 PM


Lamtumirë Baclok!

 

Në vend të nekrologut me rastin e ndarjes nga jeta të Din Mehmetit (1929-2010)

 

Nga Besim Muhadri, New York

 

Din Mehmeti i Mehmet Dinës. Njeriu që sfidoi kohërat, nuk është më në mesin e të gjallëve. Sa fjalë e rëndë, o Zot. Nuk jeton më jetën aktive, poeti që i këndoi atdheut, tokës së tij të dashur në të cilën që nga sot do prehet trupi i tij. Nuk është më në jetë më Bacaloku që ishim mësuar ta shihnim gjithmonë me një çantë në dorë dhe si gjithmonë, me një kapelë në kokë duke përshkuar pash më pash rrugët e qytetit të përgjakur, që mundohej të ndërtonte lirinë, të cilës si kush më shumë i këndoi Ai.

Sa vështirë qenka të shkruash nekrologun për mikun, poetin dhe të dashurin e shpirtit tuaj. Për njeriun dhe poetin  më të popullarizuar të të gjitha kohërave. Për njeriun, nekrologu për të cilin ishte shkruar dhe lexuar në pranverën e vitit 1999 kur qe përhapur lajmi se e kishin vrarë policët dhe ushtarët serb. Unë isha i pari në atë kohë që pata shkuar në redaksinë e Radio Kukësit e të Tiranës dhe u pata thënë se lajmi është i rrjeshëm dhe se Din Mehmeti nuk është i vrarë dhe se ai jeton.

Po jo. Sot lajmi nuk është i rremë, sepse Din Mehmeti ka ndërruar jetë. Nuk është më në jetën aktive Bacaloku i Dukagjinit, që s’rreshti kurrë së kërkuari më shumë nga vetëvetja. Njeriu i cili çdo mëngjes ndalej atje te biblioteka e qytetit për t’u çlodhur në mes librash, gazetash, revistash, të cilat e shoqëruan gjatë tërë jetës së tij të bujshme prej poeti dhe bardi. Njeriu që ulej në fund të bufesë së pallatit të Kulturës për të pirë një kafe, për të lexuar shtypin ditor, apo për t’ua lexuar ndonjë poezi të fundit miqve.

Kohëve të fundit tek ai shpesh vërehej një mërzi e madhe dhe një zhgënjim. Dhe kjo nuk ishte aspak e çuditshme. “As vetë s’e di ç’të të them. Më mirë të rri në shtëpi”, sikur pëshpëriste më vete, por jo, ai nuk mund të mbyllej në shtëpi, megjithë lodhjen, sëmundjen, zhgënjimin, prandaj sfidonte këtë “qëndrim” të tij të heshtur.

Dhe ai rrugëtonte nëpër kohë. Ia kishte ënda t’i kthehej fëmijërisë, rinisë së shkuar, jetës e dashurisë që kurrë s’iu venit në shpirt.”Nuk dua të ik i hidhëruar nga kjo botë”, thoshte shpesh, prandaj mundohej të fliste me të gjithë ata që e donin e ata që e hidhëronin.

Tani që s’është më në jetë, në mesin tonë, sikur e shoh ashtu të gjallë. Duke përshkuar rrugët e qytetit të Gjakovës. Duke shkuar në Shkollën e lartë, aty ku e kaloi një jetë të tërë. Duke ndenjur me shokët. Duke lexuar poezi, duke bërë debate.

Bisedonim për poezinë, për artin në përgjithësi, e madje nganjëherë edhe për politikën, por është e çuditshme, ai kurrë nuk më fliste për vitet si profesor.

“Do të më flasësh një ditë për punën Tuaj prej profesorit, sepse kurrë s’më keni folour për këtë, Profesor!- i thash një ditë.

“Eh!- pshëretiu thellë Ai. “Kjo ka shumë rëndësi, sepse kjo është pjesa më e dashur dhe më rëndësishme e jetës sime, për të cilën s’ju kam folur e kam ç’të flas. Ndoshta për këtë mund të rrëfej me ditë të tëra dhe rrëfimet nuk do të përfundojnë ndoshta kurrë”, ma ktheu Ai.

“Po për vdekjen a mund të bisedojmë. A i frikësoheni asaj, profesor?”- e pyes unë.

“Vetëm për këtë mos më pyet se do të të zhgënjej”, ma ktheu Ai.

Edhe pse nuk ia kishte ënda të fliste për vdekjen, megjithatë ai atë e ndiente se po i trokiste çdo ditë në trupin e tij, prandaj mundohej ta sfidonte këtë të mallkuar proces të pashmangshëm. Prandaj për këtë fliste prezenca e tij kudo: në rrugë, në shkollë, në manifestime letrare e joletrare. Në debate për letërsinë, kulturën, politikën.

“Do ta shkruaj edhe këtë libër dhe më pas do të shkoj” (e kishte fjalën për vdekjen)- me tha një ditë si me gjysmë shakaje.

E përse do të shkosh, Baclok”( kështu e thërrisnim të gjithë Din Mehmetin), i them unë.

“Jam lodhur. Vërtet jam lodhur”, ma kthen sërish Ai.

“Edhe në atë botë s’e keni më mirë, Baclok, prandaj meqë s’është më mirë as atje, më mirë rrini këtu, profesor”, ia bëra unë si me shaka.

Dhe ai nuk foli, por heshtja e tij sikur thoshte më shumë se fjala. 81 vitet e jetës së tij, ngarkuar mbi supe, sikur rëndonin sa pesha e Bjeshkëve dhe kullave të Dukagjinit. Sa pesha e maleve dhe fjalëve që s’veniten kurrë.

Dhe Bacloku vërtet s’është më në mesin tonë, por kujtimet për të do të jenë të përjetshme. Vepra e tij, që na la si trashëgimi të pakontestueshme, do t’iu flet brezave. Ai ka mbetur përjetësisht i pavdekshëm. Ndoshta edhe më i madh seç e dinim ne.

Dhe kur po i shkruaj këta rreshta, ndodhem larg vendit tim. Në Nju Jork. Nuk pata mundësi që të hidhja një grusht dhe mbi varrin e Tij, aty ku tash e përjetë do të prehen eshtrat e poetit që e desha dhe më deshi. Dhe jam thellësisht i pikëlluar.

Andaj, lamtumirë Baclok.  

Kujtimi për Ty qoftë i përjetshëm!

Fotografitë janë bërë me rastin e Akademisë Përkujtimore në ditën e varrimit më 12 nëntor 2010. Fotot nga Shkëlzen Rexha - Xeni



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora