E premte, 29.03.2024, 01:09 PM (GMT)

Mendime

Kiço Blushi: Kush na hedh kundër njëri-tjetrit?

E enjte, 11.11.2010, 09:57 PM


Kush na hedh kundër njëri-tjetrit?

 

Nga Kiço Blushi

 

Thënia e Konicës “armiku më madh i shqiptarit është vetë shqiptari”, sot mund të shqiptohet edhe: “armiku më i madh i shqiptarit po bëhet vetvetja”.  Kjo sepse prej 20 vitesh nuk po dalim dot nga ngërçi i tranzicionit, por edhe se për ne shqiptarët evropjanë të liberalizuar, dmth pa viza, “punë me mend” e me vlerë quhet në se shpallesh i hasmosur me dikë që nuk të njeh, ndaj dikujt që i përket një tjetër partie “armike”. Fakti që Brukseli na la jashtë “oborrit”, do të thotë që urrejtja dhe përçarja ndër ne vlerësohet si politikë e mençur, shkatërimi i dialogut mes partive quhet burrëri, ndërsa humbja e sensit të perspektivës si maturi! Në këtë drejtim nuk bëjnë përjashtim as haberet e “luftës drumepre” që vijnë edhe nga Kosova, Maqedonia e Mal i Zi. Shqiptarët e politikës gjithandej nuk meren vesh mes vedi në shqip, edhe kur vjen një delegacion i BE-së për pajtim, edhe kur flitet për integrimin në BE, edhe kur nga marëveshja mes palëve varet fati i ardhmërisë.Të përfshirë në një klimë gjithëpërfshirëse konfliktuale, ne, nga konfliktet e vjetra shkojmë te ca konflikte të reja “demokratike”, aty ku ndjesia e theqafjes të shtyn të pyesësh: kush na ka mallkuar, dreqi e mori? Përse përherë ndodh të ecim në mos mbrapsh, në kuturu? Përse ne mbetëm më të fundit për liberalizimin e vizave? Përse nuk na e dhanë statusin e vendit kandidat, ndryshe nga Mali i Zi, apo edhe Serbia? Kjo ndodh nga që ne ende jemi të papjekur, të papërgatitur për standartet e Evropës, apo nga që paria politike nuk ndjen dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për veprimet e veta antidemokratike? Përse, edhe tash që punët kanë hyrë në rrugë të mbarë, ka shpërthyer kjo llumhanë grindje-sherre-shpifjesh tek e gjithë klasa politike shqiptare, ku fjalët “t’i hash kokën” tjetrit, rivalit, kundërshtarit, konkurrentit, dmth shqiptari shqiptarit, duken si tepër delikate?!

Tirana, pa dyshim ka shërbyer si një model i keq, si epiqendër e kësaj pandemie helmatisëse, mbarëkombëtare, përçarëse, vetvrasëse. Kjo e bën tablonë edhe më të zymtë. Pra, jo vetëm në Tiranë, po edhe në Prishtinë pluralizmi dhe politikbërja përtypen si një shpif-sherr-sharje e ndërsjellë; liria si një drejtë e pakufizuar për të abuzuar; demokracia si mospajtim; vota si kusht për fitore e sundim me çdo çmim; posti si ofiq; transparenca si gënjeshtër; politika si fuqi e pakontrolluar dhe e pakufizuar; posti i kryetarit si bajrak; vjedhja quhet nder e lavdi; anëtarësia partiake si rekrutim mercenarësh të paprinciptë…Në mjedise të tilla nuk mund të ketë as drejtësi dhe as standard demokratik. Sa herë punët e kombit marrin për mbarë, mospajtimet, grindjet, “djegja e jorganit edhe për një plesht”, tek ne, mjerisht, arrijnë kulmin. Askush nuk e ka spjeguar derimësot se si dhe pse ndodh që, sa herë ka zhvillime dramatike në Shqipëri, do të ketë patjetër trazira e turbullira edhe në Kosovë. Dhe anasjelltas.

Në të shkuarën paralelet me kundërsens flisnin në favor të antishqiptarizmës dhe të teorisë së konspiracionit. Por edhe në ditët e sotme, kur punët e Kosovës po mbrothësohen, kur Haga vulosi pavarësinë dhe kur Beogradi u detyrua nga SHBA e BE të ulë bishtin e të pranojë bisedimet me palën kosovare si shtet i pavarur, ndodhi përçarja LDK-PDK…Qeveria Thaçi u rrëzua. Kaq mjaftonte dhe u çmend papritur e pakujtuar e gjithë klasa politike për arsye nga më meskinet, për një copë “karrige” (është sebepi, por jo shkaku i vërtetë fakti që ish Sejdiu donte të ishte njëkohësisht edhe kryetar, edhe President), për t’u vetkarfosur si provincialë para kamerave e historisë, cytur nga qëllimi i verbër: kush ka më shumë merita e kush asht ma i madh se tjetri?…”Lista Rugova” është ilustrimi më i spikatur i zhvillimeve absurde, kur edhe pse do të bëhen zgjedhje të parakohëshme, “për inat të sime vjehërre”, synohet shkërmoqja e arritjes së Pavarësisë, natyrisht jo për alternativa, por për të zaptuar kreun e LDK-së e më pas Presidencën e postin e kryeministrit! Askush nuk e vret mendjen të dijë se ç’kosto do të ketë rrëzimi i qeverisë në një moment të tillë. Ja pra, praktikisht Kosova ka rënë në kolaps të plotë: po shkohet në zgjedhjet “e jashtëzakonshme” pa qeveri, pa President, pa Kuvend, pa asnjë autoritet shtetëror! Ashtu si krerët e Tiranës, edhe krerët kosovarë nuk iu trembën përgjegjësisë para popullit dhe historisë, dhe në çastet më vendimtare. Ata e zhytën vendin në një krizë të pajustifikuar, te një tjetër shans i humbur, duke e shënjuar veten, po edhe çështjen shqiptare, në një tjetër polirtikë: të dalëkutëdalë…Kjo që po ndodh në Kosovë nuk ka lidhje me mungesën e përvojës, por me ambicjen tradicionale për t’u bërë me çdo çmim i pari i vendit: kush do të bëhet nesër kryebajraktar i Kosovës?! E pra, aty ku flitet bukurfort për nacionalizëm, për Komb, etj, aty me sa duket paska më shumë përçarje dhe, rrjedhimisht, edhe shërbim pa tru ndaj një Beogradi të dorëzuar, të cilit, edhe për habi të ndërkombëtareve, po i çohet “lepuri” te gryka e çiftes. Në këtë kontekst nuk ka rëndësi të thuhet: kjo ndoshta bëhet pa vetëdijë e pa qëllim, sepse në politikë mungesa e një qëllimi kombëtar, në momente kaq kritike, do të cilësohet nesër si një faj tepër i rëndë…Por tollovia nuk mbaron me kaq.

Edhe në Mal të Zi përçarja dhe urrejtja e ndërsjellë quhen politikë e frutdhënëse. Aty u zhvilluan zgjedhjet, por pesë apo shtatë parti shqiptare u kacafytën mes vedi për të fituar secila për vete Bashkinë e Ulqinit dhe, pasi ia “hëngrën kokën njëritjetrit” me sukses të plotë, e humbën Ulqinin; sipas rregullit të lashtë romak “përça e sundo”, grindu e therru sa më shumë me njëritjetrin, asnjëra syresh nuk doli e fituar…Edhe në Maqedoni lufta më e egër zhvillohet mes krerëve shqiptarë jo dhe aq për çështje dhe interesa kombëtare, por që kryetarët e partive shqiptare si e si të gjejnë një shteg për të hyrë në qeveri, natyrisht në qeveritë që drejtohen nga zotërinjtë primarë maqedonas…Sa herë një parti futet në koalicion me shumicën maqedone e tjetra mbetet në opozitë, kërleshjet mes shqiptarëve arrijnë kulmin, sherret e shemrës nuk njohin kufi në shpifje dhe në përdorimin e llojeve të armëve…Mosmarrëveshjet për çështje madhore në Maqedoni janë nga më të këqiat, më të papajtueshmet. Aty udhëheqësia e ka më të lehtë të merret vesh me Gruevskin, se sa Ahmeti me Thaçin…Ca më shëmtuar po ndodh këto ditë kur krerët partiakë e hanë “karemin” e hapjes së dosjeve të diktaturës dhe mësyjnë njëritjetrin duke denoncuar, për qëllime karrieriste, shpesh edhe pa baza, si ish spiunë të UDB-së, madje duke “dëshmuar”, si bëri Menduh Thaçi, edhe kundër ish luftëtarëve të UÇK-së së Kosovës, pikërisht në kohën kur Kosova ka rënë në një krizë të thellë…Me sa duket edhe Marrëveshja e Ohrit ka mbetur në letër për faj të partive shqiptare, të cilat, me sherr-mospajtimet e tyre, të shtyrë nga psikoza e shemrës, u bëjnë “hyzmetin”, me një çmim mjaft të lirë, qarqeve shovene maqedonase për spastrim të mëtutejmë etnik, për shkeljen e të drejtave të tyre, për t’u thënë ndërkombëtarëve: ja, e shikoni në ç’nivel demokratik dhe sa zjarrvënës janë shqiptarët që ju i përkrahni?....

***

Nga e gjithë kjo gërnajë natyrshëm buron pyetja: përse ne shqiptarët, edhe pas një shekulli me shtet të mëveçëm, nuk kemi mundur të ndryshojmë kuptimin e sentencës së Konicës as në monarki, as në diktaturë dhe as në demokraci? Zakonisht kërkohet spjegimi te konspiracioni, te armiku i jashtëm, te UDB-ja serbe apo te Asfalia greke, po edhe kjo hamendje mund të rrëzohet nga pyetja tjetër: përse na gjejnë më të kollajtë ne shqiptarët që të (keq)përdoremi kësisoj për qëllimet e tyre ogurzeza, duke na përçarë e duke na vënë të hamë kokat e njëritjetrit? Përgjigjen e kësaj pyetjeje të vështirë ma dha, pa dashje, ish President Sejdiu. Shumëkush në të dy anët e kufirit ka pyetur veten: Përse ky dha dorëheqje si President dhe jo si kryetar partie, kur dihet që posti i Presidentit është më i lartë e më i nderuar se i një kryetari partie? Besoj se tash është e qartë: Sejdiu veproi si Berisha në ‘97-tën që la Presidencën, la pushtetin, por jo partinë, edhe pse kjo kishte katandisur kokoshi një thelë. Sepse partia të sjell prapë në pushtet, të bën kryeministër, zot absolut të vendit! Sepse partia është prona private më e shënjtë e një kryetari. Në se Sejdiu do të kish lëshuar partinë, as krizë “institucionale”, as krizë në LDK, as krizë qeveritare dhe as zgjedhje te reja nuk do të kish në Kosovë. Por ai ndoqi interesin e vet para interesit të Kosovës. Sepse ai e dinte që, kur t’i mbaronte mandati i Presidentit e të kthehej në parti, nuk do të gjente karrige ku të ulej, ashtu si dje Mejdani në PS e nesër Topi në PD. Sepse Sejdiu, njëlloj si sivëllezërit e vet në Tiranë, Mal të Zi dhe Maqedoni e di se vetëm po të jesh kryetar partie mund të transformohesh në një sundimtar më fuqiplotë se çdo President Republike, apo edhe se një bajraktar malsije, sepse kreu i shtetit, kur i ikën karigja nga të ndenjurat, përfundon në një ish, si Zogu, si Moisiu apo si Nano…Sot për sot të kesh një parti është më shumë se të kesh një bajrak. Partia të bën më të nderuar e më të karfosur, një kryetribal të cilit nuk i shterr fuqia, autoriteti, nuk i ndahen tribunat, ekranet e sidomos “tryezat e partive”, ku ndahet torta e pushtetit e ku bëhet kiameti…Një bajraktar nuk e ka këtë fat. Prandaj pluralizmi tek ne ka zëvendësuar bajraktarizmin. Ja përse kryetarët e partive kanë instaluar me sukses pluribajraktarizmin nëpër parti, ku asnjëherë nuk mund të ketë zgjedhje të drejta e të ndershme, as demokraci të brendshme.

Partitokracia ka grryer besimin te demokracia. Ky palo sistem ka sjellë deformime të tilla morale që na shtyjnë te gënjeshtra, te mashtrimi, duke na detyruar t’i hamë kokën njëritjetrit me sherre e përçarje. Prandaj në përfundim ne qorrollisemi e mbetemi në qorrsokak, ku e vetmja shpresë për shpëtim nga zullumqarët fuqiplotë mbetet “dora e Zotit”…Nuk ka përmirësim demokracia sa kohë në Kushtetutë e statute partish nuk është i kufizuar mandati i çdo lloj kryetari e shtetari. E pra, as Hoxha në diktaturë dhe aq më pak Berisha në demokraci nuk do të mund të bënin aq shumë dëme e zullume, nuk do të ndërsenin dot shqiptarin kundër shqiptarit, nëse do të ishin të detyruar të linin postet e tyre pa dhunë, në një afat të detyrueshëm kohor. Sepse kryetarët e partive nuk i zgjedhim ne, ata vetëzgjidhen. E paskësaj ata bëhen të pazëvendësueshëm, të pagabueshëm. Edhe deputetët, ministrat, gjykatësit, etj, nuk i zgjedhim ne, këta përzgjidhen si mercenarë e pastaj emërohen nga kryetarët. Ky “mekanizëm” i përçudnuar partitokrat na detyron që ne të bëjmë sikur votojmë, kurse ata, kryetarët e partive, të bëjnë sikur numurojnë votat tona. Në një sistem deledash, gjasme demokratik, ku diktatura e Njëshit është zëvendësuar me demokracinë e Njëshit, qytetarët nuk kanë mundësi të zgjedhin më të mirët, më të aftët, më të përkushtuarit; ja përse nuk qëndron as mallkimi: ne meritojmë atë qeveri që kemi.…Në këto kushte Reformë e vërtetë do të ish vetëm kjo: kufizmi me ligj i mandateve për kryetarët e partive. Vetëm atëhere Shqipëria dhe shqiptarët do të bien në qetësi e drejtësi. Vetëm atëhere do të ketë standarte të sigurta demokratike, sepse nuk do të kenë asnjë mundësi të na sundojnë e drejtojnë kryetarët-bajraktarë…Ja pra kush na shtyn kundër njëri-tjetrit!

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora