E enjte, 18.04.2024, 06:25 PM (GMT+1)

Mendime

Shkëlzen Gashi e Gazmend Bërlajolli: Reagim

E marte, 09.11.2010, 08:36 PM


Reagim

 

Para disa ditësh, përfaqësues të partisë Fryma e Re banë nji debat publik në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), ku diskutuen me studentët për vizionin e subjektit të tyne. Përfaqësuesja e FER-it nga fundi i prezentimit, në të cilin i kritikoi qeveritarët aktualë, pyeti para studentëve, duke aluduar në udhëheqësit e kësaj qeverie: “A mendoni se me të vërtetë ato janë ftyrat me të cilat hyhet n’Europë?”. Pyetja e saj u shoqnue me të qeshuna e duertrokitje prej studentëve, gja që si duket e nxiti këtë politikane të re me e përforcue pyetjen e vet me nji tjetër: “Seriozisht?” (http://www.youtube.com/watch?v=WD6U6pE5gKM).

 

Krahas me privilegjin e pretendimit të nji posti udhëheqës politik, vjen edhe përgjegjësia e shtueme për fjalën publike. Ose, të paktën, duhet me ardhë. E ne si qytetarë nuk mund të pranojmë që subjekte ende të pasprovueme politike ta synojnë pushtetin tue e nxitë ovacionin e publikut mbi bazën e nocioneve fyese. Urojmë që të kemi ecë mjaft larg prej nocioneve që e ndjellin urrejtje për tjetrin mbi bazën e gjinisë, ngjyrës, etnisë, ose qoftë edhe të fizionomisë, nocione këto që gjithmonë janë bazue në fyemje dhe gjithmonë kanë gjenerue veç të liga për njerëzimin. Të dalun vetë si shoqni prej nji lufte që e pasoi diskriminimin ndaj nesh mbi bazën e etnisë, as nuk do të donim me e mendue ndonjiherë kthimin e mundshëm në politika që marrin ovacione prej përhapjes së fyemjeve.

 

Besojmë se fryma e re që do ta ndryshonte klimën politike të këtij vendi do të duhej me qenë ndonji që zotohet me e ndalë korrupsionin e keqmenaxhimin që e ka ngulfatë politikën tonë aktuale. Këtu ka vend për kritika, e për ma shum, ka nevojë për garanci e zotime nga subjektet e reja se krejt kapacitetet profesionale e vlerat njerëzore të tyne do të futen në shërbim të ndryshimit të kësaj klime. Neve si qytetarë do të na pëlqente sikur këto garanci e zotime të mund t’i ndigjonim prej partive të reja që po i bashkangjiten garës për pushtetin politik, ma parë sesa vetëm disa zane të reja që i shtohen korit të pakënaqesive. Por, nxitja e ovacioneve publike me fyemje te tilla gjatë fushatave politike, kjo e ndez alarmin.

 

Shpresojmë sinqerisht që qëndrimet e kandidates së FER-it të kenë qenë të nxituna veç nga emocioni i të paraqitunit para publikut, deri diku i kuptueshëm për njerëz të pasprovuem me këtë përvojë. Shpresojmë po ashtu se qëndrimet e saj nuk i shprehin edhe ato të mbarë subjektit politik në emën të të cilit kandidatja flet. Nji distancim publik i politikanes në fjalë, por edhe i Këshillit Inicues të kësaj partie, nga këto qëndrime, do të na e përforconte këtë shpresë. Ndryshe, a mund të hyjmë n’Europë me politikanë që fyejnë, dhe prandaj nesër edhe mund të diskriminojnë, mbi bazën e fizionomisë?

 

Shkëlzen Gashi e Gazmend Bërlajolli



(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora