E shtune, 20.04.2024, 03:34 PM (GMT+1)

Mendime

Lis Bukuroca: Politikë butakësh

E marte, 09.11.2010, 10:59 PM


Politikë butakësh

 

Nga Lis Bukuroca

 

Kur kundrohet nga jashtë skena politike shqiptare, atëherë mund të konstatohen këto mangësi: mungesa e parimit, mungesa e koherencës, mungesa karakterit, mungesa e burrërisë, mungesa e kockave dhe, kryesisht, mungesa e kurrizit. Shkurt e shqip: politikë butake! Mosprania e këtyre cilësorëve, përcaktorëve, tipareve, po shndërron politikanët tanë në dashnore të çdo politikani të jashtëm, pa marrë parasysh bindjet e tyre dhe motivet, që i shtyjnë të tallen me popullin dhe ndjenjat e tija. Politikanët tanë mund të krahasohen me zvarranikët, që marrin ngjyrën e mjedisit ku shpër-ngulen: si kameleonët.

Ata mund të jenë marksist leninist dhe kur ta kërkojë nevoja të shndërrohen në demokrat të përbetuar. Ata mund të jenë stalinist dhe të çirren se janë demokrat, mirëpo për përfitim personal, pas mutacionit, për t’iu përshtatur mjedisit. Ata mund të jenë ateist ose musliman dhe të futen në kishë, kur e kërkon interesi, ta shajnë islamin, kur mendon se e impresionon tjetrin dhe ta shajnë  krishterimin nga xhamia kur i pëlqen bashkëbiseduesit të tij ose të  luten së bashku me atë, që nuk i lidhë asgjë e përbashkët, pos raportit shekullor: zotëri -  skllav.

Ata për interesa vetjake, jo kombëtare, fusin shtetin laik, merreni me mend, shtetin laik, shtetin e deklaruar me kushtetutë jo fetar, në një klub të vendeve fetare, ku në shkolla mësimet mbi religjionin mbulojnë 70 % të orëve ( Arabia Saudite). Ata janë të gatshëm për interesa vetjake t’ i hapim dyert për të gjithë: për grekët, që shpallin qytete dhe shqiptarët grekë. T’ i ftojnë dhe durojnë investimet për faltore pa nevojë. Të bëjnë tregti me serbet, që ditë e natë përpiqen ta rrënojnë shtetin. Të gjunjëzohen në Vatikanin perëndimor dhe të lidhen për kunjin e kontinentit lindor. Ata janë në gjendje pa pikë turpi të sillen si aktorë, edhe pse nuk janë të tillë. Ata nuk luajnë role nëpër shfaqe teatrale apo kinema, por para popullit që i ushqen. A bëjnë cirk. Atyre u pëlqen shumë cirku politik. Ata janë më shumë zhonglerë se sa politikanë. Ata janë më shumë akrobat se sa politikan. Ata janë kameleon! Ata shfaqen në arenë pa pikë turpi dhe përligjin çdo gjë nga e cila përfitojnë vet. Jo vetëm lekë, por përforcojnë edhe karrierën, pushtetin! Ata për një grusht lekë, nuk shesin vetëm veten, por interesat kombëtare dhe nuk lidhin miqësi me shtete, por pranojnë tallje infantile, tribale dhe mendojnë se po lidhin vëllazëri. Vëllazëria në politikë nuk ekziston gjatë dhe nuk mbijeton. Vëllazëria në politikë mund të ndikojë në ndryshimin e miqve, të shkatërrojë miqësitë e vjetra, të krijojë të rejat, por nuk lindë kurrë vëllezër të ri. Vëllazëria kërkon më shumë se sa interesi vetjak dhe mbijetesa politike! Kërkon bashkëjetesë, bashkëndijesi, bashkëvajtje, bashkëvuajtje dhe prind të përbashkët...

Si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë rrihnin gjoks se do të ketë “bum njohjesh!” Ato nuk ndodhën, madje edhe nga ato vende nga të cilat pritej për shkak të fesë apo pranisë së shtetit laik shqiptar, europian, në një organizatë fetare afro-aziatike në shekullin XXI. Dhe, pastaj habitemi kur filmi gjerman “ Der Albaner” na vizaton si turq.

Hashimit ndoshta i sugjeruan të dalë në syret duke iu lutur Zotit. Ndoshta e urdhëruan. Ndoshta e bëri për t’ i përfituar vendet ku Shqipëria laike ka lidhur marrëdhënie diplomatike fetare. Ndoshta e qortuan! Ndoshta e shtrënguan Hashimin. Ndoshta nga kjo fotografi pret njohje të reja, por ajo fotografi do të përdoret si nga vendet islame, ashtu edhe nga ato të krishtera. Atë fotografi do ta mbajë në xhep Tadiçi sa herë të dalë  jashtë vendit. Kur shikohet ajo fotografi, njeriu i bën shumë pyetje vetes: pse Hashimi në rrezik kërkoi strehim politik në Zvicrën katolike, e jo te vëllai i vet musliman në Turqi? Pse Hashimi dhe Saliu vetëm tani i zbulojnë vëllezërit e tyre të vërtetë? Pse vetëm pasi SHBA e kreu detyrën tonë? Cili vend perëndimor armatosi maqedonët për t’ i vrarë shqiptarët dhe pse e bëri këtë vëllai turk, vëllai i Saliut dhe i Hashimit?

Edhe nga deklaratat e fundit mund të gjendet motivi pse filmi “Der Albaner” na paraqet ashtu si i shohim ne kurdët dhe turqit, apo pse bota perëndimore na imagjinon si turq të vegjël, si vëllezër të Erdoganit. Nëse vëllai i madh është turk, nuk mund të jetë shqiptar vëllai i vogël! Të shohim se çfarë budisti do të bëhet Hashimi nëse e kërkojnë këtë Kina e India. Mirëpo, duket se është bërë edhe budist, shihet se lopët këshilltare nuk mungojnë në rrethin e tij...

Vendet e krishtera, që na kthyen dinjitetin dhe na bën me atdhe dhe shtet duke anuluar palestenizimin e shqiptarëve, nuk patën kërkuar nga Hashimi të kryqëzohet në kishë edhe pse SHBA investoi miliarda dollarë për të na kthyer nga malet me nder në shtëpitë tona. Ata as nuk kërkuan të konvertohemi e as të ndërtojmë kisha, sepse u mbështetën në parime humane universale. Skena politike kosovare duke ndërtuar kombin e ri, po shkëputet nga rekomandimet kryesore të rilindësve shqiptarë.

Vendet muslimane, ku nuk ka ndikim Amerika, nuk e pranojnë Kosovën si shtet, jo vetëm pse ata e duan më shumë Serbinë, por sepse ata mburren me Serbinë, që pati guxim të luftojë kundër Amerikës. Serbia bëri diçka, që do ta bënin edhe ata, ëndërrojnë ta bëjnë apo do ta bënin sikur të kishim fuqi  dhe guxim. Ata e duan Serbinë pse ky popull urren/te Amerikën.

Kjo fotografi përveç se flet për karakterin dhe ylberizmin e Hashimit, nuk do të sjellë kush e di sa njohje të reja, por do të dërgojë shumë mesazhe, si brenda, por, ashtu edhe jashtë. Në Perëndim dhe Lindje...

Tani në skenën paraqitet stalinisti tjetër: Fatos Nano.  Nuk del si i penduar, por me plane të reja. Ai ka parë se populli shqiptar duron vetëm ata që kanë pasur një teserë të Partisë së Punës, vetëm kameleonët, prandaj ka vendosur të bëhet kryetar i shtetit shqiptar apo ta marrë në dorë PS. Ai ka vendosur, a dëshiron populli këtë a jo, nuk është me rëndësi, sepse tek ne, votat numërohen sipas dëshirës dhe fuqisë intriguese. Sipas fuqisë së gravitacionit. Aq sa më shumë kanë pushtet, aq më shumë peshë, aq më shumë ngjiten për karrige. Nano është i sigurt se bëhet kryetar. Ai dhe Berisha sigurisht dinë edhe përqindjet e zgjedhjeve të ardhshme. Natyrisht, për këtë hap do të pajtohet dhe do ta ketë mbështetjen e Saliut ( që e pat burgosur) sepse pas këtij akti, nuk do të kishte më kuptim të akuzohet Berisha si ish anëtar i Partisë së Punës...Si stalinist i fundit në Europë me pozitë politike...

Nëse vërtetë Fatosi arrin t’ i realizojë fantazitë e tija perverse, atëherë ky popull, do ta votonte edhe Enver Hoxhën po të kthehej dhe të krijonte një parti demokratike. Kur duron stalinistin Berisha me Parti Demokratike, pse nuk do të duartrokiste xhaxhin me një Parti Demokratike të Re?

Nëse Nano bëhet kryetar shtetit, natyrisht kjo do të arrihej vetëm me ndihmën e Berishës, si materiale ashtu edhe morale, atëherë mund të thuhet se ky popull nuk mund të ndihmohet më. Atëherë do të zgjasë edhe disa breza deri sa të profilizohen njerëzit e drejtë, sepse rrejti që kanë zhonglerët e cirkut, do t’ i bënte të paprekshëm dhe të pa ndërrueshëm politikisht. Në Shqipëri deri në vdekje do ta kemi Sali Berishën, deri sa ta thërrasë i Madhi. Ai po dëgjuaka zëra dhe mesazhe nga Zoti, kurse Kosovën do ta qeverisë Hashimi deri sa t’ i shtohet cilësori “rahmetlia”!

Kështu do të mbetemi gjithmonë pa orientim të drejtë, pa zhvillim dhe do të mbetemi të fundit në Europë, ashtu siç jemi edhe sot: pa parime, pa karakter dhe, kryesisht, pa kurriz...Me politikën që bëjnë ata, punën më të madhe që dinë dhe mund ta realizojnë është: dëbimi i shqiptarëve drejt Perëndimit, ( më shumë se dëboi Millosheviçi) jo drejt vëllait. Me politika të tilla nuk vijnë investitorë të huaj tek turku i vogël, kur mund ta bëjnë këtë në vendet tjera të Ballkanit apo te turku i madh, ku edhe tregu është disa herë më fitimprurës...

Të fundit ishim edhe me Enverin, edhe me Titon, të fundit do të mbetemi edhe me këta akrobat kameleon, që na qeverisin e  që i kemi sot. 

Mik imi mund të jetë çdo njeri, që respekton ndjenjat e mija kombëtare, por, pikë së pari i detyrohem Amerikanit dhe Europianit. Vëllezër nuk mund të kem më. Im atë është shumë i plak, i lashtë, detyrat e evolucionit i ka përfunduar dhe vëllezër nuk do të ketë më....



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora