E enjte, 25.04.2024, 06:39 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Triumfoi fryma demokratike e LDK-së

E hene, 08.11.2010, 10:26 PM


NJË START I RI PËR LDK-NË

 

Triumfoi fryma demokratike e LDK-së që zgjodhi Isa Mustafën

 

Nga Elida BUÇPAPAJ

 

Tashmë LDK-ja ka një lider të ri të cilin e presin punë të mädha. Isa Mustafa fitoi me shumicë eklatante garën ndaj Fatmir Sejdiut, përkatësisht 235 vota ndaj 124 vota që mori rivali i tij.

 

Fitorja e Mustafës pritej, si reaksion ndaj pakënaqësisë për metodën drejtuese të Sejdiut, e cila e kishte tkurrur elektoratin dhe e kishte izoluar LDK-në. Ndërsa LDK-ja fillonte Kuvendin e saj të Shtatë, Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi”, e njohur tashmë për sondazhet dhe anketat profesionale të saj, kishte publikuar  rezultatet e një hulumtimi  si për zgjdhjet e ardhme të përgjithëshme që do të mbahen më 12 Dhjetor, ashtu edhe për ato të Kuvendit të LDK-së.  sipas Gani Bobit, Isa Mustafa do të merrte rreth 70 %, ndërsa Sejdiu 30 %. Këto shifra të parashikuara do të vërtetoheshin disa orë më vonë nga votimi i 359 delegatëve partiakë.

 

Rezultatet e votimit, të ardhura si verdikti i bazës së LDK-së, janë një fitore e frymës demokratike që përfaqëson kjo bazë, ndaj frymës së ndrydhjes dhe përjashtimit që, mjerisht, kishte mbjellë Fatmir Sejdiu. Më tepër se fitorja e Isë Mustafës, mund të thuhet se ishte një fitore e demokracisë brenda LDK-së, krijuar nga lideri i saj karizmatik Ibrahim Rugova.

 

Opinioni publik nuk e ka harruar aspak Kuvendin VI të LDK-së, mbajtur në 2006, kur Fatmir Sejdiu goditi pikërisht demokracinë brenda partisë, duke hedhur farën e përçarjeve dhe të ndasive. Humbja e sotme e tij ishte çmimi për mënyrën e gabuar të drejtimit.

 

Hapja e Kuvendit të Shtatë u ndoq live dhe nisi me një përshtypje të mirë për opinionin publik, kur kryesuesi i mbledhjes së Kuvendit, Sabri Hamiti, një nga emrat më të njohur të LDK-së, deklaroi se 359 delegatët do të votonin për dy kandidatët e njohur tashmë, Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu. Ky i fundit, në fjalën që mbajti, në vend që t’i kërkonte ndjesë LDK-së dhe elektoratit për gjendjen ku e kishte çuar partinë e Ibrahim Rugovës, e filloi fjalimin e tij me akuza për gjoja „orkestrime fushatash me fyerje dhe denigrime kundër LDK-së“ çka nuk rezonon aspak me të vërtetën.

 

E vërteta është kjo që kemi para sysh, ku Isa Mustafa ka fituar me 235 vota, ndërsa Fatmir Sejdiu ka marrë  vetëm 124 vota, ku triumfoi fryma liridashëse e LDK-së,  demokracia e së cilës ishte shkelur me këmbë nga një klan megalloman, të cilit nuk i shihnin sytë nga pangopësia për pushtet, ku triumfoi demokracia brenda partisë, ndaj metodave ndrydhëse.

 

Pas shpalljes së rezultatit, tani e rëndësishme është të njihet ky rezultat edhe nga humbësit. Dmth nga Fatmir Sejdiu dhe klani i tij. Në kuptimin që humbësit të heqin dorë nga mënyrat vendikative dhe përçarëse, sepse edhe nëse tentojnë do të shijojnë një humbje shumë më të hidhur se kjo që e shijuan.

 

Isa Mustafa posa ka deklaruar se fitoren e tij nuk e sheh si fitore personale por si fitore të përbashkët, dmth, edhe të Fatmir Sejdiut. Fakti që në Kuvendin e Shtatë të LDK-së pati dy kandidatura e dëshmon këtë. Nëse Fatmir Sejdiu do ta pranojë këtë sfidë, kjo do të jetë për të mirën e LDK-së, por edhe për të mirën e tij.

 

Ndërkohë zgjedhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së do të shërbejë si një fillim të ri për LDK-në, si hapje dyersh për ata që ishin përjashtuar dhe si ftesë për përfshirje dhe aleanca. Ky fillim i ri i duhet LDK-së meqë është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, për të marrë pikë rëndesën që i takon si njëra prej dy partive më të mëdha të Kosovës.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora