E premte, 19.04.2024, 02:11 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Komunistët shqiptarë pushkatojnë shqiptarët

E diele, 19.10.2008, 12:58 PM


Komunistët shqiptarë pushkatojnë shqiptarët, pikërisht ata që më shumë e deshën Shqipërinë
 
Shkruar nga: Mërgim Korça
   
Ç’më nxiti ti shkruaj këto radhë?

Mërgim Korça
Rastësisht më ranë në dorë tri fletë letre të zverdhura dhe të shtangura nga koha e gjatë që kur ishin shkruar: 18 qershor 1945. Shkrimi, në pamjen e parë, menjëherë ta krijonte përshtypjen se i përkiste një njeriu të formuar. Ishte një shkrim i rregulltë dhe i bukur. Kjo, ana formale. Kur e filloje leximin, shihje pastaj se ato fletë letre sillnin një kumt tejet prekës materializuar e ngurtësuar në atë shkrim : Kishe të bëje me “testamentin shpirtëror” të një të riu 32 vjeçar që linte amanetet e fundit dy ditë para se dora mizore komuniste t’ia kosiste lidhjet me jetën të cilën aq shumë e donte  ! Dhe menjëherë lotët t’a vishnin pamjen e ti nuk e vazhdoje dot më gjatë leximin. Edhe tani, duke i shkruar këto radhë, ( ndonëse i kam lexuar dhe u a kam lexuar të tjerëve ato tri faqe me dhjetëra herë ), tek u a hedh sytë radhëve të shkruara, sa më shumë lotët ma veshin pamjen aq më i fuqishëm kumbon në veshët e mi kumti i Ajdin Kullës që përtej varrit :
“ … po vritem si shqiptar dhe jo si tradhëtar … të rrojë Shqipëria, të rrojë Flamuri Kombëtar i Shqipërisë ”. Pohimi se nuk po vritej si tradhëtar e gjithashtu edhe shprehja e fuqishme dëshirore rreth Atdheut dhe Flamurit, të cilat Dëshmori i Nacionalizmës i përsëriti dy herë, së pari tek i hipnin mbi kamion në burgun e Korçës për t’i çuar të dënuarit me vdekje në vëndin e pushkatimit në Bilisht, dhe së dyti para togës së pushkatimit, kujtohen edhe sot nga të mbijetuarit. I lemë tani për një çast të dënuarit në buzë gropës ku do t’i hidhnin trupat e tyre dhe vijmë në ditët tona : si e kujtojnë atë ngjarje sot dy kategori njerëzish atëhere armiq për vdekje ? Ishin të rinj, shumë të rinj atëbotë Ylber Darova, Skënder Stefanllari e Avni Bejkova me shokë, të burgosur vetëm me vetëm se e donin Shqipërinë pa i pranuar pikëpamjet komuniste. Sot, të thinjur e të kërrusur nga vuajtjet e burgjeve edhe nga mosha, ata nuk pushojnë së pohuari se qëndrimi Ajdin Kullës me shokë, që shkonin të pafajshëm drejtë skuadrave të pushkatimit e u linin shokëve të burgosur amanet Shqipërinë, i ka mbajtur ata gjallë përgjatë dhjetëra viteve për t’i përballuar burgjet mizore komuniste ! Shumë i ri ishte atëhere edhe ai partizani nga Kalivaçi, pjesëtar i togës pushkatimit. Edhe ai e donte Shqipërinë me mënyrën e tij. I a kishin mbushur mëndjen se akuza për të cilën pushkatohej Ajdin Kulla, që Shqipërinë e donte etnike, përbënte një faj të dënueshëm me vdekje. Dhe ai e zbatoi detyrën pa i u dridhur dora. Vitet kalonin dhe ish partizani, i cili edhe më 20 qershor të vitit 1945 e çmoi guximin me të cilin Ajdini me shokë e përballuan vdekjen, rritej në moshë por edhe piqej. Sot edhe atij i dridhet zëri kur përsërit pohimin si edhe shprehjen dëshirore të fundit të Ajdinit dhe akoma i kumbon në veshë zëri tij i fuqishëm … të rrojë Flamuri Kombëtar, amanet Shqipërinë … Shqipërinë … Shqipëri .. dhe ai vetë tashti bën një pohim :
“Nuk ka më nga ata shqiptarë si Ajdin Kulla me shokë që Shqipërinë dhe Flamurin Kombëtar i donin dhe i vinin mbi çdo gjë !”
Kthehemi tashti edhe një herë në Bilishtin e asaj dite kur u krye krimi i shëmtuar i pushkatimit. Të vënë në radhë, në vijë të zhdërvjellët për një dhe të lidhur me litarë ndodhen, para gropës së çelur enkas për t’i gëlltitur patriotët që do të pushkatoheshin, Gani Zëmblaku sypatrembur i lidhur me të nipin Ajdin Kullën, heroin e këtij tregimi, Sheh Qerimi, patrioti i shquar dhe gojëmbëli i përkryer i lidhur me të birin, Saliun, të riun ballist të vendosur dhe e mbyll vargun Zyhdi Tapia, elegant si gjithmonë, (i veshur enkas me sqimë sikur shkonte në dasëm), që mëkatë kish vetëm se e donte shumë Shqipërinë. Xha Ganiu, i rrahur me jetën si edhe më i moshuar, duke pasur frikë se mos në çastin e fundit para vdekjes të nipin do t’a lëshonin nervat e tendosura, ngre krahun e lidhur, e pushton të nipin dhe e shtërngon në kraharor për t’i dhënë zemër të qëndrojë si burrat edhe për disa çaste. Por Ajdin trimi jo që s’kish nevojë t’i jepnin zemër por u dha zemër të tjerëve me fjalët që ish partizanit kalivaças, dëshmitar i gjallë i çasteve të fundit para vdekjes Ajdinit, akoma sot i kumbojnë në veshë “ … amanet Shqipërinëëë !”
 
Të dhëna personale si edhe për rrethanat:

I ati Ajdinit, Jonuzi, bashkë me tre vëllezërit e tij marrin pjesë aktive në lëvizjen patriotike kundër Turqisë. Ishte shok i ngushtë me Kajo Babjenin edhe Mihal Gramenon. Komandant i çetës për Rrëzën e Korçës. E ruajnë edhe sot e kësaj dite familiarët e tij një fotografi të çetës në qëndër të së cilës ishte patrioti i shquar si edhe eruditi i skajshëm Hafëz Ali Korça. Emblema e çetës, shkruar me gërma të mëdha, LIRI A VDEKJE. Në mesin e luftës parë botërore, kur Korça rrezikohej të merrej nga grekët, Jonuzi mbështeti Themistokli Gërmenjin dhe shpallën Republikën e Korçës. Me këtë frymë patriotike dhe këto bëma u mëkua që i vogël edhe Ajdini. Ish 22 vjeç kur i vdiq i ati i cili në shtratin e vdekjes la amanet t’i vinin mbi varr një pllakë ku të shkruhej : “Vdes i lumtur se e le Shqipërinë me një zot “. Ishte mësim i madh për Ajdinin e ri dashuria e t’et për Atdheun. Pllaka relike ruhet edhe sot e kësaj dite. Plaku patriot zëmblakas, ndonëse i pashkollë, i kuptonte mirë këshillat e Hafëz Aliut se Shqipërinë nuk e bënin dot njerëz të pashkolluar e kështu Ajdinit, pas fillores i dha qytetësen e pastaj tre vjet Shkollën Amerikane , (aq sa qëndroi e hapur herën e parë kjo shkollë me profil pedagogjik e Harry Fultzit), e vitin e fundit e bëri në normalen e Elbasanit. Në normale Ajdini ishte shok klase me prokurorin e ardhshëm që do t’a dënonte me vdekje, kriminelin përbindësh Nevzat Haznedarin. Dhe ironia e fatit ish se ndërsa Ajdinin e shohim në fotografinë e vitit fundit të shkollës si të vetmin nxënës që e kanë marrë profesorët dhe e kanë ulur në rrjesht me ta, si nxënësi më i shquar i normales, prokurori dhe krimineli ardhshëm ishte nga nxënësit më të dobët dhe ç’është më e madhja, ndërsa Ajdini nuk pranonte t’a vishte këmishën e zezë të fashistit të shtunave, Nevzati nuk kish asnjë lloj vrasje ndërgjegje për t’a veshur atë !
Gjatë periudhës luftës Ajdini si edhe e gjithë familja e tij radhiten me formacionet nacionaliste, nisur nga lidhje trashëgimie familjare që kishin me krerët e nacionalizmës ku prindët e tyre kishin luftuar e punuar së bashku “për t’a bërë Shqipërinë”. Në fillim ata ushqenin një farë iluzioni se me forcat partizane kishin të njëjtin qëllim dhe u inkuadruan, bashkë me ta, në Luftën Nacional Çlirimtare. Kjo deri në Konferencën e Mukjes, ose më mirë të themi, fill pas saj kur Miladin Popoviçi si edhe Dushan Mugosha e detyruan Enver Hoxhën t’i hidhte poshtë si të papranueshme vendimet e kësaj mbledhje, me që aty flitesh pa mëdyshje për një Shqipëri etnike. Nga ky çast domosdo edhe rruga e Ajdin Kullës u nda me atë të atyre nacionalistëve që u gabuan dhe u përfshinë në radhët partizane të udhëhequra nga partia komuniste shqiptare ! Nga ky moment fillon edhe vëllavrasja -lufta civile- e nxitur nga Miladini e Dushani, sepse kështu uji shkonte plotësisht në mullirin serbomadh. E pikërisht në këtë pikë të udhës kryq të historisë shqiptare ngrihet një lapidar me një emër të shkruar me gërma të arta mbi të : SAFET BUTKA. Tragjedia e tij është se e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët më shumë se veten dhe u vetëflijua që të mos t’a shihte vëllavrasjen ! Që nga ai çast edhe  Ajdinit, si edhe të gjithë nacionalistëve të tjerë, i u komplikua shumë puna : okupatori duhej luftuar por nga ana tjetër mundoheshin me ç’do kusht t’a shmangnin edhe vëllavrasjen e nxitur nga “miqtë për kokë jugosllavë”. Detyra e tij si mësues patjetër që do t’a bënte të njohur Ajdinin që nga Moglica në Pojan e që nga Stropani në Pustec, fshatra ku kishte shërbyer. Përkushtimi pastaj me të cilin shërbeu bëri që respekti për të mos të kishte kufij, kështu që edhe fjala e tij zinte vënd. Dy ishin linjat kryesore që përshkonin tërë fjalimet që mbante e që edhe sot i mbajnë mënd si në Korçë edhe në Devoll : Populli të mos gënjehej nga shprehjet e bukura internacionaliste si edhe Shqipëria etnike.
E kështu arrijmë në nëndorin e 1944-ës. Gjëndja politike u rrokullis tatëpjetë. Ajdinit me shokë, me shumë keqardhje, e vetmja rrugë që u ngeli ishte largimi nga Shqipëria.
Ndërsa në Shkodër ishin mbledhur ajo pjesë e nacionalistëve që bëheshin gati t’a linin me keqardhje të madhe vëndin e tyre, mbërrin thirrja e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar e cila i grishte të gjithë ata që  nuk i kishin lyer duart me gjak të mos largoheshin dhe të punonin së bashku për t’a rimëkëmbur atdheun. Kaq u desh për xhaxha Ganinë me gjithë Ajdinin, zbritën nga barka ku kishin hipur, ( gati për tu nisur ), dhe morën rrugën e kthimit. Nuk qe nevoja të shkonin në Korçë sepse … i arrestuan që në Elbasan. Thanë njerëzit më vonë “… si u gënjyen dhe besuan e u kthyen në gojën e ujkut ?” Nuk ka asnjë çudi. Ata ishin mbrujtur me normat e moralit se fjala e dhënë nuk kthehet. Kurse historia tregoi se këto norma as që përfilleshin nga pala tjetër.
Që nga çasti arrestimit e deri tek thirrja e fundit me të cilën linte amanet Shqipërinë, dalë nga kraharori Ajdin Kullës përpara skuadrës së pushkatimit, do të kishte shumë për të shkruar. Nga ana tjetër mund t’a hiqnim emrin e tij dhe t’a zëvëndësonim me atë të qindra të pushkatuarve politikë të asaj kohe dhe ngjarjet, torturat, gjyqet, prokurorët gjakatarë, (Nevzat Haznedari, Josif Pashko dhe Aranit Çela), si edhe amanetet, mbesin të pandryshuar. Por Ajdin Kulla ka një të veçantë krejtë personale si edhe tejet prekëse, vendimin e trupit gjykues që e dënon me vdekje “ … për agjitacion e propagandë duke qenë koshient i politikës Shqipërisë etnike “.
Qëndrojmë tani tek kjo nyjë gordiane. Jo vetëm hetuesit por edhe më i fundit i gardianëve e trajtojnë patriotin e skajshëm si ndonjë qen rrugësh. E shajnë, e shqelmojnë dhe e pështyjnë këtë “luan të lidhur” se e dijnë që s’ka se ç’u bën, por nuk e dijnë dhe as e kuptojnë idealin e tij. U ka thënë Nevzati se kanë të bëjnë me një tradhëtar të vëndit të tij si edhe me një armik të vëllezërve jugosllavë ! E kjo për ta mjafton. Kjo ishte vija politike.
E marrim tani dosjen gjyqësore të Ajdin Kullës, e cila po të shtrydhet kullon gjak, dhe e transferojmë në Kosovë. Atje do t’a vinin me përkujdesje të skajëshme mbi një jastëk kadifeje dhe do t’a përcillnin ceremonialisht për në altarin e dëshmorëve. Kjo sepse atje akoma ekziston ndërgjegja kombëtare.
E çojmë tani po atë dosje në Janinë apo Konicë. Atje nuk ka më njeri që t’i lexojë fletët e saj. Ato i merr era dhe asnjeri nuk i quan më relike të vyera. Përse, lind natyrshëm pyetja ? Sepse në këtë situatë çoi politika sa e të pandërgjegjëshmëve aq edhe e të paaftëve. Politikanët nuk luftuan për Çamërinë dhe avash avash mbi të u end “pëlhura e harresës.”
Pikëriht këta shëmbuj e bëjnë njëkohësisht edhe më tragjike vrasjen e Ajdin Kullës por edhe e ndriçojnë figurën e tij në mënyrë të pakrahasueshme. Ai nuk kish prona as edhe interesa personale në Kosovë e aq më pak në Çamëri. Por i digjej zemra për Shqipërinë.
Prandaj sot tingëllon më e kohës se kurrë aforizma e Faik Konicës që thotë : “ Shqipërinë e bënë idealistët, e shpëtoi rastësia dhe do t’a fusin në varr politikanët !” Në fakt politikanët e lanë të humbasë Çamëria, nuk e quajnë çështjen kosovare pjesë të çështjes kombëtare dhe po i a venë kazmën edhe Shqipërisë ! Mjer o Ajdin Kulla që e dhe jetën për një çështje madhore të cilën politikanët sa vjen dhe e inflacionojnë !

Epilogu kësaj jete të shkurtër, të vrullëshme dhe … fatkeqe.
 
Në kohën kur Ajdin Kulla shkruante testamentin e tij shpirtror, e shoqja Fidaria, ishte nuse e re. I drejtohet mëmës tij Ajdini si edhe vëllezërve me lutjen që t’ia pyesnin nusen në se mbas pushkatimit tij ajo dëshironte të qëndronte e pamartuar apo jo. Por pyetja e tij, ndonëse e sinqertë, mbeti vetëm pyetje retorike se Fidaria lidhi jetën me fëmijët e saj. Jetuan për dyzet vjet të internuar në kodrat e Belshit, larg fshatit si edhe larg gropës-varr të përbashkët të Ajdinit saj me shokë !
Pesëdhjetë e tre vjet mbas ngjarjes së kobëshme të 20 qershorit 1945, duke i u dridhur zëri nga ngashërimi, kujton nënë Fidaria 80 vjeçare se si familjarët e të pushkatuarve, ajo së bashku me Gjylkën, të shoqen e Zyhdi Tapisë, Nyzetin, të bijën e Sheh Qerimit dhe motër e Saliut dhe nja dy gra të tjera, disa ditë mbas vrasjes, mes rreziku të madh që u kërcënohej po t’i diktonin, në një natë të errët e zbuluan gropën dhe secilit trup të masakruar i vunë përkrah një shishe të taposur me gjithë emrin. E kështu kaluan ditët, vitet si edhe dhjetëvjeçarët. Një ditë vere të vitit 1992 u mblodhën disa dhjetra njerëz tek vëndi i quajtur Meratë e Bilishtit që të nxirrnin eshtrat e të pushkatuarve të 20 qershorit 1945 dhe t’i rivarrosnin me nderimet e duhura. Vërtet që koha e gjatë e kishte veshur dhe mbuluar atë ngjarje të kobëshme me tisin e harresës, por sapo kazmat e para filluan t’a gërmojnë dheun s’mbeti njeri të cilit të mos i shihej si i rrihnin tëmthat nga trysnía e brëndëshme. Dhe më në fund … u arrit në nivelin e skeleteve. Ç’të shihje. Dy nga ata, siç ishte pëshpëritur vesh më vesh nga pjestarët e skuadrës pushkatimit fill mbas ngjarjes, ishin të rënë përmbys dhe krahu i njerit akoma e pushtonte nga shpatullat tjetrin ! Ishin xhaxha e nip, Xha Ganiu i Zëmblakut me Ajdinin !
Në këto çaste tejet prekëse përpara asaj pamje tronditëse, kish rënë një heshtje “që mund të pritej me thikë”. Nxjerr atëbotë i biri Ajdinit dhe i zgjat profesor Zekirja Canës, që nga Kosova pat ardhur të merrte pjesë në ceremoninë e rivarrosjes këtyre burrave patriotë, kopjen e vendimit gjyqit :
“Ajdin Kulla … gjykata ushtarake … e dënon me vdekje … koshient i Shqipërisë etnike.”
Profesori nga Kosova lexon dhe zbehet. Duart që mbajnë dokumentin i dridhen.
Si ka mundësi që shqiptarët të kenë vrarë shqiptarët pse këta e donin Shqipërinë?!         



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora