E premte, 19.04.2024, 09:17 PM (GMT+1)

Mendime

Ruben Avxhiu: Joe DioGuardi, mbështetja e shqiptarëve, fushata dhe arsyet e humbjes

E shtune, 06.11.2010, 03:22 PM


Joe DioGuardi, mbështetja e shqiptarëve, fushata dhe arsyet e humbjes

 

Nga Ruben Avxhiu

 

Një këndvështrim shpjegues i faktorëve që ndikojnë në fushatat zgjedhore amerikane

 

Joseph DioGuardi humbi në betejën për t’u zgjedhur në Senatin Amerikan dukie marrë vetëm 36.6% të votave përballë senatores Kirsten Gillibrand, e cila u rizgjodh me 61.2%. Diçka më shumë se 2% shkuan për kandidatë të tjerë të parëndësishëm.

Kjo garë ishte më e ndjekura nga shqiptaro-amerikanët sepse DioGuardi është themeluesi dhe bashkëkryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane, organizatës të parë lobiste në historinë e shqiptaro-amerikanëve në Washington. Me DioGuardin fillon lobizmi modern shqiptar dhe ndonëse në 20 vitet e fundit shqiptarët kanë dalë me forma alternative, madje edhe më të sofistikuara lobimi, DioGuardi ka mbetur popullor sepse ishte i pari që e nisi këtë lojë.

Një numër shqiptarësh, kryesisht aktivistë e anëtarë të Ligës, u angazhuan në betejën e tij brenda Partisë Republikane. Kura i fitoi aty dhe filloi fushatën përballë senatores Gillibrand, angazhimi i shqiptarëve u bë masiv. Ata ishin kudo, në takimet e tij publike, në takim fondembledhëse, në debatet dhe klubet mbështetëse në internet, etj.

Në fund, Gillibrand fitoi me një diferencë relativisht të madhe, duke pasur parasysh se ajo ndryshe nga Schumer nuk është ende një figurë e çimentuar e jetës politike të New York-ut. Fitorja e saj erdhi jo thjesht se New York-u është një shtet që anon nga Demokratët por edhe për një sërë faktorësh të tjerë që e dëmtuan në mënyrë fatale

Shteti i demokratëve dhe vota e të pavarurve

Në përgjithësi, New York-u i shpëtoi dallgës elektorale të kthimit Republikan në Kongres, vetëm dy vite pas fitores së bujshme të Presidentit Barack Obama. Ndryshe nga Massachusetts-I në janar, New York-u i qendroi besnik Demokratëve, duke zgjedhur guvernatorin, dy senatorët dhe një numër postesh të tjera lokale nga radhët e Demokratëve. Në Albany, pushteti mbeti në duart e Demokratëve. E vetmja pikë ku Republikanët përparuan pak ishte Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres ku tani nga 29 kongresistë, 7 do të jenë Republikanë (fitorja më e bujshme e Republikanëve këtu ishte ajo në Staten Island.

DioGuardi ka marrë pak më pak se një million e gjysëm vota. Kjo është më shumë se çfarë ka marrë Carl Paladino që konkurroi nga Republikanët për guvernator apo Jay Townsend që konkurroi gjithashtu për senator dhe humbi përballë Schumer-it.

Pra DioGuardi ka arritur shumë më tepër se kandidatët e tjerë të Partisë Republikane. Mirëpo, ajo që vihet re është që DioGuardi ka humbur në zonat republikane ku ka fituar Paladino. Madje ai ka humbur edhe në zonat që kanë zgjedhur Republikanë për në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit. Kjo është shumë interesante.

Pëqr shembull DioGuardi ka humbur në Delaware dhe Green County të cilat për dhomën e ulët ka dalë fitues Republikani Christopher Gibson me jo pak por 11% diferencë. Pra kjo është një zonë qartas pro-Republikane. DioGuardi ka humbur gjithashtu ne Steuben dhe Cattaragus County ku Republikanët i kanë fituar zgjedhjet si për dhomën e ulët ashtu edhe për guvernator. Mjafton të përmendim faktin se në Cattaragys, kandidati republikan për guvernator, Carl Paladino ka fituar masivisht me më shumë se 65% të votave.

Pyetja është pse këta njerëz kanë ndryshuar parti apo kanë refuzuar të votojnë kur ka ardhur puna te DioGuardi?

Është pra shumë e mundshme që shumë Republikanë kanë preferuar të mos votojnë për DioGuardin. Që t’ia japin votën Gillibrand-it ose të mos votojnë fare për Senatin.

Mirëpo, atëhere si shpjegohet që DioGuardi ka dalë me më shumë vota se Paladino dhe Townsend nëse partia e tij nuk e ka votuar sa duhet. Shpjegimi është vetëm një: DioGuardi ka arritur të tërheqë votues të cilët nuk shkojnë sipas partive, nuk votojnë shpesh dhe kanë shkuar në kutitë e votimit vetëm për DioGuardin.

Sikur Partia Republikane në New York të kishte treguar më shumë kujdes për kandidatët që kanë këtë aftësi, të tërheqin të paangazhuarit, DioGuardi do të kishte dalë shumë më mirë në votime. Mirëpo, shanset janë që e njëjta udhëheqje partiake që nuk e deshi fare në listën e kandidatëve të mos ketë bërë si duhet detyrën për ta ndihmuar në fushatë dhe në ditën e votimit.

DioGuardi nuk preferohej nga udhëheqësit lokalë Republikanë sepse nuk ishte nën kontrollin e tyre. “I jep shumë gojës”, kishte thënë gjatë konventës shtetërore, një prej tyre. Për udhëheqjen lokale, ai mbeti dikush që i kishte sfiduar dhe kishte fituar pa lejen e tyre. Dhe ndoshta u hakmorrën në mënyrën e tyre të vogël për këtë.

Nga qyteti apo nga shteti i New York-ut

Ka një ndarje historike në shtetin e New York-ut, një ndarje e cila është e ngjashme edhe në shtete të tjera të Amerikës. Qytetet e mëdha anojnë nga Demokratët, rrethinat janë të ndara, ndërsa zonat rurale anojnë nga Republikanët.

Në New York, gjeografia luan rol sa edhe politika. Shumëkush në provincat veriore të shtetit të New York-ut ankohet se të gjithë politikanët e shtetit vijnë nga qyteti apo rrethinat e tij, se shumë pak kujdesen politikanët për ata që banojnë në zonat pyjore, malore si dhe të qytezave të vogla si dhe që New York-u është mbarë shteti dhe jo vetëm Qyteti më këtë emër.

Tradicionalisht Qyteti i New York-ut voton për Demokratët dhe sa më shumë udhëton drejt veriut as më shumë votohet për Republikanët, me ndonjë përjashtim në qytetet e tjera si Buffalo e Rochester, por edhe aty njerëzit janë shumë më konservatorë se fjala vjen në Manhattan apo Brooklyn.

Kësaj here Demokratët kanë bërë një zgjedhje të suksesshme. Kirsten Gillibrand është Demokrate, por ajo është vajzë nga veriu, nuk është pjesë e rrethit politik të Qytetit. Madje liberalët e Qytetit u ankuan shumë për zgjedhjen e saj se nuk e donin. “Nuk është Demokrate si ne”, u ankuan ata.

Ajo u zgjodh fillimisht nga guvernatori Patterson i cili shpresonte se në zgjedhjet e radhës do të kishte në xhep qytetit dhe me ndihmën e saj do të fitonte vota edhe në zonën jo-urbane të shtetit. Zgjidhja e tij që fillimisht u kritikua nga Demokratët punoi shumë mirë për ta. Vetë Patterson doli nga politika, por zgjedhja e tij mbijetoi.

DioGuardi do të kishte pasur më shumë sukses nëse do të kishte përballë fjala vjen Caroline Kennedy-n që donin liberalët e Qytetit dhe e cila mesiguri nuk do të dinte nga të shkonte në zonat veriore e nuk do të dinte çfarë t’u thoshte njerëzve të provincave që janë mësuar të jenë të lirë dhe krenarë.

Mirëpo, Gillibrand është natyrë tjetër. Një lloj Demokrate e paparë. Ajo vërtitet në pjesën veriore të New York-ut si në shtëpinë e saj, kurse në Qytet la partinë që të bënte fushatën për të.

Kjo është një arsye më shumë se pse DioGuardi nuk mundi të fitojë në zona të cilat njerëzit votuan masivisht për Republikanët.

Të hidhura sidomos për DioGuardin do të kenë qenë humbjet në Westchester dhe Dutchess County, zona në të cilat ka punuar jetuar dhe për të cilat kanë kontribuar në vite. Këto janë edhe zona në të cilat ai ka marrë mijëra vota shqiptarësh, por ndryshe nga Illinois, ku gara ishte e ngushtë, në New York, një komunitet i vogël nuk mund të bëjë shumë. DioGuardi u la në baltë edhe nga komuniteti Italian, megjithëse nënvizoi prejardhjen e tij nga Italia, mori pjesë në paradën vjetore italiane, në panairet italiane të kohës dhe bëri një numër takimesh me udhëheqës të komunitetit Italian dhe katolik.

Pa pare as zogjtë nuk këndojnë në politikën amerikane

Ajo çfarë e fundosi fushatën zgjedhore të DioGuardit ishte diferenca e madhe në financa. Gillibrand është a famshme për aftësinë e saj për të mbledhur shumë para. Ajo mbështetet nga interesa të forta në të djathtë e në të majtë.

Ndryshe nga DioGuardi ajo ka dy vite në Dhomën e Përfaqësuesve dhe dy vite në Senat e gjatë kësaj kohe ka përpunuar një bazë të fortë mbështetësish financiarë, të cilët iu gjendën pranë në këtë garë.

Në fund, ajo kishte dhjetë herë më shumë para se DioGuardi, që në traditën e politikës amerikane është fatale: DioGuardi kishte mbetur në dy javët e fundit me 350,000 dollarë, ndërsa Gillibrand kishte 3 milionë e gjysëm. Reklamat televizive janë vendimtare në gara që përfshijnë hapësira të mëdha si New York-u, ku kandidatët nuk kanë kohë dhe mundësi të takojnë miliona votuesit e shpërndarë në mbarë shtetin.

DioGuardin e mbytën me reklama që ishin çorientuese, shpesh keqinformuese dhe që e portretizonin atë si një mashtrues, vjedhës dhe armik të vlerave bazë të shoqërisë njujorkeze. Gillibrand tregoi pak klas në këto sulme dhe dëshmoi se ishte një kundërshtare e ashpër nga ato që nuk kursejnë asnjë metodë për të fituar. Zakonisht kur kandidatët janë 20% përpara në anketime, ata janë më kavalierë e më fisnikë, duke u përpjekur të tërheqin votues të paangazhuar dhe madje edhe ata që përkrahin kundërshtarët. Mirëpo, Gillibrand luftoi sikur kjo të ishte një betejë për jetë a vdekje e përpara këtij sulmi DioGuardi nuk përgjigjej dot.

Duke mos pasur para për të kundërshtuar me reklamat e tij televizive, DioGuardi i la shumë votues të pasqaruar. Ai nuk njihej shumë përtej zonave ku ka jetuar dhe këto reklama ia humbën çdo shans për një prezantim më normal me zonat e tjera të shtetit.

Takimet e tij të kushtueshme në zona të largëta me nga 30 veta nëpër salla, nuk mund të përballeshin me reklamat e shtrenjta televizive që shiheshin çdo natë në TV nga miliona njujorkezë.

Ishte një shembull se sin ë garat elektorale amerikane është më e natyrshme që të fitojë Goliati sesa Davidi.

I harruar nga partia e tij

Kur shqiptarët e Michigan-it mblodhën 30,000 dollarë për DioGuardi-n ky ishte një lajm i bukur për fushatën e tij dhe një shenjë bujarie nga shqiptarët. Ai ishte gjithashtu një akt mirënjohjeje. Mirëpo, në shkallën e garave të tilla zgjedhore, 30,000 dollarë janë si një pikë uji në oqean. DioGuardi ishte gati 3 milionë dollarë mbrapa Gillibrand-it.

Diferencën duhej ta kishte mbyllur qendra e Partisë Republikane Amerikane, e cila shpenzoi qindra miliona dollarë në shtete demokratike si për shembull California, mirëpo nuk e gjeti në zemër që të jepte 2-3 milionë për DioGuardin që ai të kishte një shans të vërtetë në betejën e tij zgjedhore.

Arsyeja kryesore ishte se ndryshe nga DioGuardi ata nuk besuan se hendeku prej 20% mund të kapërcehej në një kohë aq të shkurtër (dymujore). Ndryshe nga DioGuardi, Carly Fiorina në California dhe Sharron Angle në Nevada ishin shumë afër rivalëve të tyre Demokratë në këto shtete. Për më tepër, rivalët e tyre sihin senatorët e shquar Demokratë Barbara Boxer dhe Harry Reid. Republikanëu shpenzuan në këto dy gara po aq sa shpenzuan në mbarë Amerikën dhe i humbën të dyja. Këto ishin dy njollat më të errëta për ta në hartën e fitores së jashtëzakonshme të të martës në mbarë Amerikën.

Tani që gjithshka ka mbaruar sigurisht që ia vlen të spekullojmë se nëse një pjesë a tyre parave do të kishte udhëtuar drejt New York-ut mbase DioGuardi, ndonëse më mbrapa në anketime do të kishte mundur të fitonte garën duke ia rrezikuar shumicën Demokratëve në Senat.

Mirëpo, paratë nuk ishin e vetmja gjë që Partia Republikane nuk ia dha DioGuardi-t. Në fushatën e tij munguan emrat e mëdhenj si Sarah Palin, Mitt Romney dhe Huckabee. Ndoshta, sepse njujorkezët nuk para kanë shumë respekt për këto figura. Apo mbase ngaqë DioGuardi ka mbështetur rregullin senatorin McCain në garat presidenciale dhe rivalët e tjerë iu hakmorën duke mos e ndihmuar. Nga kjo vjen pyetja tjetër, ku ishte John McCain.

McCain është nga ata politikanë Republikanë që tërheq votuesin e paangazhuar apo të pavarur. Dhe ai i detyrohej DioGuardit për ndihmën që ky i ka dhënë në vite. McCain dërgoi një mesazh me video dhe një me e-mail, por një turn ë shtetin e New York-ut si ai që bëri në Illinois për Mark Kirk dhe ai në California për Carly Fiorina do të kishte qenë shumë ndihmës. Mbase nuk do të kishte përmbysur situatën por do të kishte bërë të paktën e detyrën.

Fushatës së DioGuardit i munguan emrat e mëdhenj. Kryetari i Partisë Republikane për New York-un doli vetëm në një miting sa për sy e faqe në vend që të bëhej pjesë e fushatës. Asnjë nga figurat kryesore republikane të shtetit nuk u angazhua. As Giuliani, as Pataki, as Bloomberg e as ndonjë tjetër nuk “e vunë ujin në zjarr”.

Një tjetër mungesë, ndoshta me dëshirën e vetë DioGuardi-t ishte ajo e vajzës së tij, e cila i kishte dhënë një ndihmë të madhe fillimisht, kur nisi garën brenda Partisë Republikane. Ndoshta prania e saj mund ta kishte ndihmuar në qytetin e New York-ut ku Republikanët nuk preferohen por yjet e spektakleve televizive tërheqin shumë vëmendje. Poo kështu do të ndodhte edhe në very të shtetit.

DioGuardi mund të kishte ecur shumë nëse dega lokale e partisë do të kishte “dëgjuar” anketimet dhe do ta kishte ndihmuar që në fillim. Në vend që të luftonte për një vit rresht kundër Gillibrand-it, DioGuardi u detyrua të luftonte i vetëm për një vend në listën e kandidatëve republikanë, duke humbur kohë, energji dhe para të çmuara për një betejë që mund të ishte evituar.

Ndryshe nga Republikanët, Demokratët nuk bënë ndonjë betejë paraprake. Një liberal nga qyteti që guxoi të sfidonte Gillibrand-in u detyrua të tërhiqej nga gara pas ndërhyrjes nga Shtëpia e Bardhë, që u kujdes që Demokratët të mos përçaheshin në New York.

Për këdo që i ka ndjekur me kujdes këto zhvillime ka qenë e qartë qysh disa javë më parë se kjo betejë ishte e humbur për DioGuardi-n dhe jo për faj të tij.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora