E shtune, 20.04.2024, 05:21 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Dyfytyrësía e Bedri Spahiut sipas kundërthënjeve të tija

E hene, 24.12.2007, 04:00 PM


Dyfytyrësía e Bedri Spahiut sipas kundërthënjeve të tija

Shkruar nga: Mërgim Korça
 

Mërgim Korça
Nuk është rastësía ajo që më shtyn mbas shkrimit me titull : “Kur do të shkruhet historia si dhe njerëzit e përfshirë në të pa zbukurime dhe as pa shëmtime” të ndalem edhe të shkruaj për strumbullarin e padísë së Gjyqit Special, gjeneral majorin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Bedri Spahiun. Ruaj për të shumë kujtime dhe nga ana tjetër di edhe shumë dëshmí për të. Gjithashtu kam lexuar me vëmëndje të madhe si autokritikën e tij publike e, me akoma më të madhe kureshtje, Testamentin Politik shkruar prej tij.
Do të mundohem të qëmtoj mes tyre domosdo edhe t’i shtroj për diskutim.
Në Gjyqin Special Bedriu qe prokuror e Koçi Xoxe kryetar dhe dënuan me akuza shumë të diskutueshme e të përgjithëshme, koka të inteligjencës dhe patriotizmit shqiptar.
 Po pas tre vitesh ? Në gjyqin e Koçi Xoxes, Bedriu qe prap prokurori që kërkoi pushkatimin e Koçit, bashkëluftëtarit, bashk’anëtarit të Byrosë Politike, e shum’e shumë bashkë të tjera që e lidhnin me Koçin !
Parimor, mund të thotë ndokush për të. I pa besë ndaj shokëve, mendon ndonjë tjetër. I verbuar në shërbimin besnik ndaj diktatorit, shton një i tretë. Të gjitha këto janë pikëpamje të ndryshme, dakord. Po vetë Bedriu në ç’rrugë arsyetimi na fut me pohimet e tij ? Bedriu pohon edhe në vitet e pleqërisë së thellë se “Sikur njëmijë herë të ngjallej Bahri Omari, dhe unë të isha prokuror, me kënaqësínë time do t’a pushkatoja edhe njëmijë herë të tjera, pa urdhërin e Enver Hoxhës.”  Sa mllef shpreh ky pohim dhe nga ana tjetër sa dhimbje shkakton, tek e gjykojmë sot pohimin e sipërm. Mllefi i tij prej inatçiu të pakorrigjueshëm na bën t’a mëshirojmë, (duke u munduar të jemi skajshmërisht të drejtpeshuar ndaj tij), por ama nuk ka se si të mos na e kujtojë për bashkëshoqërim mendimesh fjalën e urtë të lashtë romake e cila thotë se :
Errare humanum est, sed perseverare diabolicum !
(Të gabosh është njerëzore, kurse këmbëngulja në gabim është djallëzore.)  
 E lemë tashti së gjykuari mllefin e tij dhe analizojmë objektin e dhimbjes tonë. Bedriu pohon me gjakftohtësínë më të madhe se do t’a ripushkatonte edhe njëmijë herë të tjera Bahri Omarin edhe pa urdhërin e Enver Hoxhës. Ky pohim i bërë dhe i përsëritur prej tij, sinqerisht na fut në mendime të thella si t’a ruajmë paanësínë e gjykimit rreth personit të tij. Në faqen 27 të Testamentit Politik të Bedri Spahiut, të cilin ai ia drejton qeverisë me akuzat e tija me 24 janar 1965, ai shprehet: “ Ju padis në vënd që t’i zhvilloni hetimet në bazë të sistemit shkencor që është sistemi i Republikës sonë, ju i zhvilloni ato në bazë të sistemit inkuizicionar mesjetar, i cili është kategorikisht i ndaluar nga ligjet e Republikës, është cilësuar si faj penal nga këto ligje ...”   dhe më tutje në SQARIMET e tija vazhdon “Sa shpejt e harruat ku çoi një metodë e tillë në 1946-1948 ? ” Sa kundërthënës Bedri Spahiu prokuror, si edhe plak, i krahasuar pastaj me Bedri Spahinë e burgosur. Përgjatë viteve të burgut ai kërkon zbatimin e legjislacionit shkencor të hetuesisë, po kur del nga burgu dhe e përsërit me shkrim së rishmi pohimin e tij sa sadist e po aq kriminal se si do të vepronte ndaj Bahri Omarit, aty e pranon si normale se po të jepte urdhër Enver Hoxha, nuk duhet patur as më të voglin dyshim, se ai urdhër makabër inkuizicional do të zbatohej nga Bedri prokurori !
Analizojmë tashti kur Bedri Spahiu flet për jallan shahitët (dëshmitarët e akuzës gënjeshtarë), dhe në faqen 72 thotë se : “Ju keni veç tjerash edhe shembullin e 1948 kur të dënuarit u përdorën si dëshmitarë akuze kundër Koçi Xoxes.” E lexoj këtë kalim dhe sikur dikush m’i heq me dorë dhjetrat e viteve, kaluar gjysëm qindvjeçari, nga shtati si edhe nga kujtesa, e më del përpara sikur t’ishte dje zhvillimi i gjyqit të Koçi Xoxes. Mbaj mënd shumë fakte që mund t’i rikujtoja, si p.sh. kur Koçi deklaroi se kish tentuar prerjen e damarëve që t’u jepte fund torturave e së bashku me to edhe jetës. Po do të ndalem në njërin nga momentet kulmorë që lidhet drejtpërsëdrejti me prokurorin e gjyqit, Bedri Spahiun. Koçi Xoxe pat deklaruar se shihte qartë që ishte pré e një komploti të kurdisur kundra tij, duke pohuar se kishte qëndruar rreth dy muaj i lidhur duke iu nënshtruar torturave e ç’ishte më e madhja duke i bërë presion të madh edhe familjes së tij. E Bedri Spahiu, me rrëmbimin e tij karakteristik, i ishte vërsulur duke thënë se ai (Koçi) tashti që iu zbulua plani kriminal s’dinte se ç’ thoshte se atë, jo torturuar që s’e kishin, por as me borzilok nuk e kishin prekur ! Pra kryehetuesi Bedri Spahiu në këtë rast, me prepotencën që i jepte posti i tij, i bëri të tillë trysní psikologjike të pandehurit Koçi Xoxe sa që ai i revoltuar deklaron se nuk do të fliste më asnjë fjalë. E prokurori i gatshëm replikon duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, Frederik Nosit, të mbante shënim se si i pandehuri refuzonte të fliste se nuk donte të thoshte asgjë për Titon e kështu t’i dilte zot këtij të fundit (Titos).
I kujtoj ato situata e lexoj se si në “Testamentin” e tij Bedri Spahiu vazhdon e thotë : “Ju padis se në praktikën e punës suaj ju kini zëvëndësuar parimin sipas të cilit hetuesi duhet t’i provojë të pandehurit akuzën, me parimin inkuizicionar sipas të cilit i pandehuri duhet t’i vërtetojë akuzën, hetuesit, (faqe 27). Më poshtë thotë : “... nga pikëpamja e larmisë së metodave kriminale, këta tanët ua kalojnë të tjerëve dhe të gjithëve së bashku. Dhe këtë e them unë që kam qenë i burgosur politik edhe në kohën e Zogut, dhe të fashizmit dhe jo vetëm një herë, dhe jo vetëm në një burg, (faqe 112).”
E ndërpres leximin i tronditur. Nga njera anë kam përpara shkrimet e gazetave që si aktualitet trajtojnë gjetjen e vëndit ku janë pushkatuar 17 martirët e Gjyqit Special. Nga ana tjetër e kam të freskët leximin me akuzën që i drejton Bedri Spahiu, tashmë i burgosur, qeverisë lidhur me mjetet që përdoren kundra të burgosurve. Por nuk ka se si të mos më kujtohet edhe skena kur logjikës së ftohtë dhe rigoroze të Kolë Tromarës në sallën e gjyqit, përfaqësuesi i akuzës Bedri Spahiu duke mos ditur se si t’i kundërvihet, bën gafën e cila nuk e besoj se ka precedent në analet e seancave gjyqësore : rrëmben mbajtësen e mikrofonit dhe matet t’a qëllojë të pandehurin Kolë Tromara ! E kjo, në sallën ku zhvillohej seanca e Gjyqit Special në pranínë e qindra pjesëmarrësve! E unë tashti, mbas dhjetra vitesh, duke u munduar së bashku me lexuesit e këtyre radhëve t’a gjykojmë veprimtarinë e Bedri Spahiut me paanësinë më të skajëshme, nuk kemi se si të mos i themi vetes : kur në sallë dhe para publikut prokurori nuk e frenon dot veten dhe vepron brutalisht, vallë ç’dhunë fizike i ka lejuar vetes përgjatë hetuesisë ? Sa kundrathënës qëndrimet si edhe veprimet e Bedri Spahiut si prokuror i Gjyqit Special apo i atij të Koçi Xoxes me Vaskë Kolecin e Pandi Kriston me shokë, krahasuar me predikimet e tija mbasi diktatori e futi në burg !
Në faqen 90 të “Testamentit Politik” Bedri Spahiu pohon “ Në jetën e lirë unë kam lexuar vetëm literaturë marxiste, marxiste e asgjë tjetër (faqe 90).” Dhe në vazhdim të po asaj faqeje bën edhe pohimin e dytë “Tani unë jam vetë një njeri që dua të njoh dhe, si i tillë, unë jam nxënës vetë i botës, i jetës, i njerëzve.” Këta pohime hapin shumë shtigje diskutimi. Pa dashur të filozofojmë gjatë, shikojmë dy anë të këtij pohimi. E gjithë kultura e tij ishte aq sa kish marrë ai nga literatura marxiste. Po ata që u dënuan si armiq të popullit vetëm se nuk ishin bashkuar me L.N.Çl. dhe e shihnin se kolaboracionizmi me kushte me okupatorin u shërbente më mirë interesave të kombit, ç’formacion kulturor kishin ? Ata jo vetëm marxizmin që e njihnin me themel, po edhe historinë e Revolucionit të Tetorit me të gjitha pasojat e tija negative ndaj Rusisë i njihnin më së miri. Ata e kuptonin edhe rrezikun që paraqiste ndaj vëndit tonë bashkëpunimi me emisarët e Partisë Komuniste Sërbe. Nga ana tjetër ata i njihnin shumë mirë edhe zhvillimet historike në Ballkan edhe më gjerë dhe i kishin shumë të qarta pikësynimet ekspansjoniste sërbe. Kështu që fushën e zhvillimeve politike si edhe pikësynimet e sllavo - komunistëve ata i kishin shumë më të qarta se Bedri Spahiu me shokë. E megjithatë Bedri Spahiu me gjithë trupin gjykues të kryesuar nga Koçi Xoxe që ishte me plot kuptimin e fjalës analfabet, i dënuan me vdekje si edhe kalbje në burg ata që mendonin se e keqja më e vogël ishte bashkëpunimi me okupatorin.
Në këtë kuadër do të sjell para publikut fjalët e Patër Anton Harapit thënë në fjalimin e tij kur pranoi detyrën e anëtarit të Regjencës :
 
“Ja, pra, se nji punë e parë u bâ : mbas sa muejsh anarkije, sa të frikshme aq edhe të rrezikshme, sot - mirë a keq- kemi nji Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeveri, kemi nji auktoritet shqiptar. Këtë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mij mrrijtën me thânë : Shka i u desht Pater Antonit me i a hy kësaj pune ? Këtyne due t’i u përgjegjem, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vedin, por për të ndritun mendimin t’êm edhe të tyne.
Më rrênë mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendojnë se un e mora kët barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e êmja që më shtyni deri ktu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën edhe po u thom se po : manija e Shqipnis, po, qe ajo që më vuni dilemën : a me anarkista për të bâ gjak, ase me hjekun dore prej çashtjes kombtare.  Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të bâj as njênën e as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njênën dysh : a të bâj nji marrí tue e pranue kët zyrë, ase të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendova mâ mirë të bâj nji marri : ase – sikurse thonë ata shqiptarë që duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem ....”
E solla këtë fragment nga fjalimi programatik i Patër Anton Harapit që lexuesi objektiv, ai që e ka prirjen të gjykojë paanësisht duke u munduar t’i njohë situatat si edhe rrethanat e veprimeve me kureshtínë e zbulimit të së vërtetës, në vazhdim të jetë i interesuar e t’a lexojë të plotë fjalimin e këtij meshtári, patrioti dhe eruditi të madh, (të cilin fjalim, së bashku me shkrimin e sipërm, unë po i a ve në dispozicion web-sitit www.zemrashqiptare.net për publikim).
               Për t’a mbyllur me analizën e figurës Bedri Spahiut duke u munduar të kundrohen dhe të drejtpeshohen të gjitha të dhënat në dispozicion, ashtu siç shpresoj se do të bëjnë studjuesit e ardhshëm në drejtim të vlerësimit të historisë si edhe figurave të popullit tonë pa i paragjykuar ato, po i sjell lexuesit kalimin me të cilin e mbyll Bedri Spahiu Testamentin e tij politik :
“Ju përshëndes sinqerisht, o zyrtarë ligjorë, se unë jam si ai i krishteri që, sa herë që mallkon Zotin, kthehet e bën kryqin se i kujtohet Satanái. Ju përshëndes sinqerisht dhe me respekt të pakushtëzuar edhe si përfaqësues të mendimeve të kundërta me të miat, se unë jam një partizan i tolerancës në fushën e mendimit.”  
Nuk po e rëndoj më lexuesin e t’ia filloj nga komenti i radhëve të mësipërme autografe të Bedri Spahiut. Po e le t’a bëjë ai vetë në e paftë të arsyeshme. Por nuk e di pse këto më kujtojnë figurat e skalitura nga Brechti, Shekspiri apo Dickensi ku ndërthuren parabolat e personazheve si Arturo Ui (i gjithpushtetshmi Al Capone i parë përmes lentes zmadhuese të Chaplinit), me Jagon (personifikimi i dyfytyrësisë veç për hir të xhelozísë pushtetit), si edhe me Uriah Heepin (personifikimi i shëmtísë dhe i djallëzimit shkrirë në një).
Për t’a mbyllur edhe me figurën e Bedri Spahiut do t’i rikujtoj lexuesit një figurë si edhe një skenë makabre simbas tregimit të meshtarit i cili ishte i pranishëm në vëndin e pushkatimit :
I lidhur qe Fejzi Alizoti me 16 shokët e tij, të dënuar me vdekje nga Koçi Xoxe me pretencë të B.Spahiut. “Zjarr” thirri komandanti i skuadrës dhe breshëria e predhave i shtriu për tokë të 17 viktimat. Mbas breshërisë, heshtje. Heshtja e vdekjes. Dhe heshtjen e theu zëri i mekur i Fejzi Alizotit: “Zoti më mëshiroi. Falmëni tani edhe ju sipas ligjeve ndërkombëtare”. Avitet Bedri Spahiu, e shikon ashtu të shtrirë për tokë të pafuqishëm, të pllangosur me gjak e pluhur e të lidhur me dy të vdekur, dhe me zë sadisti që kurrë me gjak nuk u ngop, i thotë: “Nuk njohim ne ligje ndërkombëtare, ne njohim ligjet tona”. Nxjerr koburen e tij dhe qëllon gjithë mllef atë kufomë akoma të gjallë! *

* E kam lexuar me vëmëndje dëshminë e z.Çeliku i cili sot thotë se ka qenë dëshmitar pamor i pushkatimit të 17 martirëve të Gjyqit Special. Ai pohon se ata kanë qenë të zgjidhur. Nuk ka të ngjarë. Së pari dëshmía e meshtarit, e nga ana tjetër ata i lidhnin me litar kur i sillnin nga Burgu i Ri e në sallën e gjyqit tek Teatri Popullor e jo më kur i radhitën para skuadrës pushkatimit ! Gjithashtu deklaron se për secilin kishte nga një gropë. Edhe kjo nuk ka të ngjarë për dy arsye. Së pari, edhe këtu dëshmía e priftit, e nga ana tjetër nuk kemi asnjë precedent e as fakt të mëvonshëm që të jetë praktikuar ky respekt ndaj atyre që pushkatoheshin. Së fundi z.Çeliku pohon se ka qenë rreth 80 metra larg skenës pushkatimit e pra edhe në kondita jo nga më të mirat për një vëzhgim, e pastaj edhe rikujtim mbas 59 vitesh të ngjarjes.
Megjithatë këto hollësí janë krejtësisht anësore lidhur me vetë analizën që në qëndër të saj ka B.Spahiun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora