Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Ismajli: Peizazhi kombëtar si element i identitetit të hershëm shqiptar

| E enjte, 04.11.2010, 10:00 PM |


PEIZAZHI KOMBËTAR SI ELEMENT I IDENTITETIT TË HERSHËM SHQIPTAR

Nga Nuhi Ismajli

Identiteti i hershëm shqiptar shquhet mjaft edhe nëpërmjet trajtimit të natyrës kombëtare dhe krijimit të peizazhit kombëtar. Autorë të hershëm shqiptarë, në shkrimet e tyre, kanë trajtuar mjaft natyrën kombëtare dhe kanë krijuar peizazhin kombëtar, me vlerë të madhe për identitetin kombëtar shqiptar.

Emërtimet

Në shkrimet e hershme të autorëve shqiptarë janë të pranishme mjaft elemente të  ndryshme të gjeografisë e të botës shqiptare, me rëndësi për peizazhin kombëtar, siç janë emërtimet e vendbanimeve, të kështjellave, të rrugëve, të lumenjve, të liqeneve, të maleve etj., si: Lezha, Kruja (ipeshkvia e Krujës quhej me emërtimin nacional, në kohën kur, në Evropë, asnjë ipeshkvi nuk quhej me emërtimin e saj nacional (Fulvio Cordignano; E. Sedaj), Shkodra, Apollonia, Durrësi, Ulqini, Prizreni (Prizreni, sipas Bardhit, është atdheu i perandorit Justinian), Shkupi, Ohri,  Elbasani, Drishti, Tivari, Valona, Dukagjini (të cilin Bardhi e quan edhe qyteti i ri), Dibra, Petrela (e cila, sipas Bardhit, është vendlindja e Aleksandrit të madh), Novo Bërda, Prishtina, Kaçaniku, Peja, Trepça;Varri i Skënderbeut; Kështjella e Shkodrës, Kështjella e Prizrenit, Kështjella e Shkupit, Kështjella e Kaçanikut etj.; Rruga Egnatia, Rruga bregdetare e Kandavisë, që kalon nga Apolonia; Drini i Bardhë, Drini i Zi, Vardari, Buna, Kiri, Ibri etj.; Liqeni i Ohrit, Liqeni i Shkodrës; Tomori, Pashtriku etj.

Pasuritë dhe bukuritë e natyrës kombëtare

Në shkrimet e autorëve të hershëm shqiptarë, shumë kohë para himnizimit romantik të natyrës shqiptare, me emocione të theksuara, por edhe me mjeshtëri artistike, janë paraqitur pamjet, pasuritë dhe bukuritë e vendeve shqiptare.

M. Barleti jep një përshkrim shumë të bukur të bukurive dhe pasurive të Shkodrës, si: “Ky qytet…ka pozitë të veçantë se gjendet mbi një kodër krejt shkëmb dhe rreth e përqark ka fusha të mëdha shumë pjellore. Është një qytet i fortë prej natyre, por i fortë edhe prej dorës së njeriut; është shumë i lartë me një gjerësi që sot është mesatare sepse qysh kur u hodhën themelet e qytetit, rreth mureve shtrihej atje poshtë një fushë më tepër se dymijë hapa katrore. Pjesës së poshtme të këtij qyteti i binte përmes lumi i Drinit, mbi të cilin ish ndërtuar një urë guri e mrekullueshme që ish aq e gjatë saqë shkonte e prekte Bunën me pjesën e vet të fundit; edhe sot kanë mbetur disa gjurmë të asaj ure. Ky qytet aq i shkëlqyeshëm e aq i njohur dallohet mbi të tjera për ajër të shëndetshëm, për ara pjellore e të punuara mirë dhe për ujëra që i ka me shumicë. Nga qyteti syri i përbin thuajse të gjitha fushat përreth, asgjë s’pengon të parët; prej andej i sheh të gjitha tokat që përfshijnë një hapësirë të madhe, edhe çdo gjë dallohet imtësisht. Prej andej sheh bujq që lëvrijnë tokën, korrës që korrin të lashtat, sheh mullinj, peshkatarë sa ndër lumenj e sa në liqe (çfarë liqeni), duke gjuajtur peshk që del me shumicë të madhe. Pastaj ka vreshtat, kopshtiet, burimet, liqenin e çdo gjë tjetër që ka krijuar natyra për të kënaqur njerinë. Sot rrënzat e këtij qyteti andej nga lindja i tog një degë e vogël e Drinit, kurse kah perëndimi kalon Buna që është e begatshme me çdo lloj peshku; ky lumë kalon nëpër qytet me rrymë të shpejtë derisa derdhet në det pas tetëmbëdhjetë miljesh. Buna buron prej atij liqeni shumë të përmendur, për të cilin të gjithë thonë se është formuar vonë…; gjendet larg qytetit gati gjashtëdhjetë stade…”.   

Bukuritë e Shkodrës, sipas Barletit, janë edhe shkaku i mahnitjes së të huajve me bukuritë e saj dhe lakmisë së tyre për ta pushtuar atë. Kështu, sipas Barletit, i huaji (sulltani), lavdëron dhe lakmon Shkodrën për bukuritë dhe pasuritë e saj: “Thonë se Sulltani kur paska parë pozicionin e qytetit dhe, pasi paska vërejtur mirë nga çdo anë fushat përreth, e paska lëvduar Shkodrën sa s’ka dhe paska thënë: “Oh, se ç’vend të shkëlqyeshëm dhe të lartë paska zgjedhur shqiponja për vete dhe për folenë e zogjve të vet…”.. 

Barleti, në Rrethimin e Shkodrës, paraqet edhe Krujën, me ç’rast, edhe përmes përshkrimeve të saj, bën një peizazh tejet të fuqishëm kombëtar: “Kruja është një qytet i Shqipërisë, kështjellë shumë e fortë dhe një çelës fare i sigurtë i asaj krahine. Kështjella nuk e ka rrethin e madh, por ajo qëndron mbi shkëmb shumë të lartë dhe të katër anët bie thikë; rreth e përqark ka fusha të mëdha…Aty ka kroje të begatshme e të pashtershme, bile emrin e ka marrë pikërisht prej këtyre, sepse në gjuhën shqipe krua dmth. burim. Fushat i ka shumë pjellore e të bukura po edhe pyjet. Kruja gjendet larg Durrësit 14 milja, larg Shkodrës 57 milja…”.

Peizazhet e bukura dhe të fuqishme kombëtare, të cilat i krijon Barleti, përmes përshkrimeve të Shkodrës dhe të Krujës, nuk kane arritur t’i bëjnë as rilindësit, me gjithë ndjeshmërinë e tyre romantike. 

N. Mejkashi, një nga udhëheqësit kryesorë të Kuvendit të Dukagjinit 1601-1602, në një relacion të tij, ndër të tjera, flet edhe për fushat shqiptare, për të cilat, thotë se ishin “pjellore, të begata me çdo lloj ushqimi”.  

Edhe P. Budi jep peizazhe të bukura të natyrës shqiptare, përmes përshkrimeve të bukura të pasurive e bukurive të vendeve të ndryshme. Një peizazh të bukur të pasurive e bukurive të natyrës shqiptare P. Budi ka dhënë në letrën drejtuar kardinal Gocadinit: “…nëpër malësitë…ka ngushtica e gryka nga çdo anë…çdo krahinë është e mbërthyer me male shumë të ashpër…Vendi pastaj është i plleshëm dhe ka me sasi të madhe çdo lloj ushqimesh; ajrin e ka shumë të butë, prej më të mirit dhe më të shëndritshmit që mund të gjendet në botë, dhe zakonisht, arrihet mosha e 90 dhe 100 vjetëve. Janë vise të brendshme, të mbushura me çdo lloj gjahu, me verëra shumë të mira,me vajra,me grurë shumë të mirë,me kafshë në sasi të madhe; të mbushura me lumenj e pyje, me liqej ku ka sasi të madhe të çdo lloj peshku; menjë fjalë, përbrenda dhe përjashta dhe në të gjitha anët, është si një parajsë tokësore”.

Në mjaft raste, edhe F.Bardhi, në relacionet e tij ka dhënë përshkrimet e natyrës shqiptare. Kështu, p. sh. në një relacion të qershorit të vitit 1637, ai flet për Pukën, në një relacion të qershorit të vitit 1638, ai flet për pozitën gjeografike shumë karakteristike dhe konfiguracionin e Iballës, kurse në një relacion të 10 prillit të vitit 1641, përmes përshkrimeve gjeomorfologjike, të pasurive dhe bukurive natyrore të krahinës së Zadrimës, ai jep një peizazh jashtëzakonisht të fuqishëm kombëtar: ”…Shtrihet Zadrima ndërmjet dy qyteteve të Shkodrës dhe të Lezhës, në një fushë shumë të bukur,më të shumtën në breg të Drinit, me ara shumë të plleshme dhe të begatshme në çdo fryt e sidomos grurë, mel e verë, fiq e dardha, kumbulla, shega, pjepra e shalqij; sallata, kore, rrepa, hudhra, qepë e zarzavate të tjera me çdo lloj bishtajoresh që falë zoti; qe, lopë, dele, derra, kuaj e kafshë të tjera me shumicë. Pastaj ka kroje shumë të ftohta për çdo mil, rrënzë maleve shumë të larta që i bëjnë kurrorë për bukuri nga jugu, lindja dhe veriu. Është i pajisur me kodra sa të duash dhe male të vogla shumë të kënaqshme, mbi të cilat, më të shumtën, janë ndërtuar kishët, të gjitha me altarin nga lindja dhe me dyert kryesore nga perëndimi. Gjithashtu ka lumenj të mëdhenj dhe shumë të këndshëm: Drini, Gomsiqja e Gjadri, plot me çdo lloj peshku të majmë, të mëdhenj e të vegjël, ka edhe të tjera përrenj të vegjël, plot me mullinj për të bluar çfarëdo gruri. Ajrin pastaj e ka shumë të shëndoshë e më në fund ka në sasi të mjaftë çdo send që i nevojitet jetës njerëzore. Vjeshtës e dimrit është i rrahur prej muranit dhe verës edhe prej erës freskuese jugore që shqiptarët e quajnë fresqia…”.

Mjaft vlera të peizazhit kombëtar kemi në shkrimet e P. Bogdanit.

Një peizazh të bukur dhe të fuqishëm kombëtar P.Bogdani krijon përmes përshkrimit të bukurive e pasurive të hapësirës së ipeshkvisë së Prizrenit: “Në këtë hapësirë shumë të bukur të qytetit të lashtë, ku gjendet edhe kështjella, shtrihen vreshtat…Mbi Prizren ngrihet Shari, mal shumë i pasur me kullosa. Aty pranë shtrihet edhe një rrafshinë pjellore për mrekulli në gjatësi prej 30 milesh. Ndërkaq, rrëzë këtij mali për së gjati shtrihet gjithashtu vreshtat shumë të pasura që japin shumë, prandaj në këtë anë prodhohet shumë vera”.  

Por, një shembull të madh të peizazhit të natyrës kombëtare, P. Bogdani krijon përmes paraqitjes së bukur të bukurive e pasurive të Shkupit me rrethinë: “Në afërsi të Shkupit gjenden minierat e arit dhe të argjendit dhe përpunohen monedhat. Shkupi ishte rezidencë  e bejlerbeut, mirëpo u ndalua për shkak të jetës së pafrenueshme e të paturpshme të bejlerberëve. Klima është e shëndoshë, kurse rritjen e bimëve e ndihmon lugina shumë e përshtatshme e lumit. Në drejtim të malit Orbelia, toka është pjellore, drunjtë e lartë të malit shërbejnë për punë njeshtërie e për çdo nevojë tjetër. Përreth shtrihen vreshtat e mëdha e të panumërta, kështu që nga këto prodhohet vera e cilësisë së mirë, si e bardha, ashtu e zeza dhe mushti…” .    

Lukë Bogdani, në poezinë e tij: Shumë ndriçimit…, portreton pasuritë natyrore dhe shpirtërore të qyteteve ku zhvilloi tërë veprimtarinë e vet kishtare dhe patriotike (Prizreni, Shkupi, Shkodra) dhe, veçanërisht, bukuritë e  vendlindjes: ”Duel n’Gurit’bukuria, / Zana, si nji sut’ e naltë,/ Qi s’kish mbrenda Veneqia, / Te Peshtriku muer maltë”. Bukuritë e Pashtrikut, sipas poetit, nuk i ka as Veneqia.

Natyra në funksion kombëtar

Është interesant se tek autorët e hershëm shqiptarë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë theksohet kuptimi dhe vlera kombëtare e natyrës shqiptare. Natyra shqiptare, sipas tyre, ka funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm kombëtar. Ajo formëson karakterin kombëtar (fisnik) të shqiptarëve, përkrah jetën, qëndresën dhe triumfin kombëtar, në situatat më të rënda kombëtare. 

Natyrën shqiptare, si natyrë me funksion kombëtar, e kanë trajtuar një varg autorësh të hershëm shqiptarë, si: M. Segoni, M. Beçikemi, M. Barleti, P. Budi, F.Bardhi etj.

Në një fragment të M. Segonit për Skënderbeun, ku flitet për Rrethimin e Parë dhe të Dytë të Shkodrës, tregohet sesi Sulejman Pasha, ndër të tjera, nuk arriti ta nënshtronte Shkodrën edhe për shkak të natyrës së vendit, se Shkodra, edhe “për natyrën e vendit ishte gati e pamposhtur”.

Te: Panegjirik L. Loredanit dhe Senatit të  Venedikut, M. Beçikemi paraqet Krujën dhe natyrën karakteristike përreth që luante rol në mbrojtjen e saj, se Kruja ishte “një kështjellë që nga natyra e vendit nuk mund të pushtohej në asnjë mënyrë”.

Shkodra, në veprën Rrethimi i Shkodrës, të M. Barletit, është jo veç vend i bukur dhe i pasur, po edhe vend i nderit dhe vend i formimit moral të shqiptarëve. Shqiptari, fra Bartolomeu, në fjalën para shkodranëve, thotë: “Ky qytet ju siguroi ushqimin, ju rriti me nder e ju pruri deri në atë moshë; ky qytet ju edukoi me ligje të drejta, me zakone të shkëlqyeshme e me parime mësimore të larta”.

M. Barleti, i cili, në veprën e tij, kohën dhe vendin i quan si një nga kushtet e fitores kundër pushtuesit (M. Hysa), jep kuptimin dhe vlerën kombëtare të natyrës shqiptare.

Natyra shqiptare, sipas Barletit, është në shërbim të shqiptarëve dhe në armiqësi me pushtuesit: “Ata të qytetit kishin grumbulluar një sasi të madhe predhash dhe forcat për t’i përdorur nuk u mungonin. Veç kësaj atyre e jepte për çdo gjë edhe vendi i cili e ndihmonte kështu vetveten”.

Kruja, sipas veprës Rrethimi i Shkodrës, të Barletit, është një kështjellë e fortë, sepse atë e ka fortifikuar edhe natyra: “Kruja është një qytet i Shqipërisë, kështjellë shumë e fortë dhe një çelës fare i sigurtë i asaj krahine. Kështjella nuk e ka rrethin e madh, por ajo qëndron mbi shkëmb shumë të lartë dhe të katër anët bie thikë…Kjo kështjellë nuk mund të sulmohet as mund të shtihet në dorë sepse në çdo anë e ka fortifikuar natyra dhe dora e njeriut me mjeshtëri të madhe”.

Edhe Shkodrën, sipas Barletit, përveç tjerash, e mbronte edhe natyra e saj: “tash otomani, duke marrë parsysh se Shkodra ishte qyteti më i përmendur, dhe kryeqendra e krahinës, ushqen një shpresë shumë të madhe për ta shti në dorë…E megjithatë e dinte fare mirë se ai qytet ishte i fortifikuar për mrekulli si nga natyra, ashtu edhe nga dora e njeriut dhe kishte mbrojtje të fortë”.

Në ndihmë kundër pushtuesve, shqiptarëve, sipas Barletit, iu vie edhe hëna. Në librin VII, të His. së Skënderbeut, thuhet se: “Moisiu i bëri fare lehtë gjithë vrojtimet, sepse hëna ndriste tërë natën, dhe kështu për të gjitha sa pa, e njoftoi me saktësi të plotë Kastriotin, i cili, duke shfrytëzuar atë natë aqë të mbarë, dha urdhër që të niset ushtria dhe të marshonte përpara me një shpejtësi të pazakontë”.

P. Budi flet për natyra shqiptare, në funksion të mbrojtjes kombëtare, te letra drejtuar kardinal Gocadinit: “…nëpër malësitë…ka ngushtica e gryka nga çdo anë, që e gjithë bota po të  vinte, kurrë nuk do të mund të kalonte për të dëmtuar ato vende tona; kaq janë të ngushtë shtigjet saqë çdo krahinë është e mbërthyer me male shumë të ashpër dhe me të tilla ngushtica saqë 100 burra mund të barabiten  dhe do t’u qëndrojnë 10.000 vetëve”.

F. Bardhi paraqet katundet e Shkodrës, si vende strategjike, të cilat  s’mund t’i pushtojë pushtuesi, sepse si thotë: “Të gjitha, pothuaj janë të strukura dhe të strehuara në vende e male shumë të larta e shumë të forta për vendosje”.

Katundet e Iballës, që i takojnë gjithashtu Dukagjinit, sipas F. Bardhit, kanë një konfiguracion të tillë, i cili iu mundëson vendësve të përballojnë fushata, beteja të rrepta, si ajo e Vuçe Pashës, në shkurt 1638.

F. Bardhi flet edhe për ndikimin e natyrës së katundeve të Iballës në psikologjinë dhe antropologjinë e veçantë të njerëzve të saj, në jetën e tyre shumë të pasur emocionale, natyrën luftarake të tyre, siç e dëshmon edhe fitorja e tyre kundër ekspeditës së Vuçe Pashës, në shkurt 1638 etj.

Përveç se në veprat e shkruara, peizazhi kombëtar është mjaft herët i pranishëm edhe në letërsinë gojore shqiptare, çështje që do një trajtim të veçantë. Të përmendim në këtë rast vetëm gjurmët e kalit të Skënderbeut, që, sipas studiuesit Q. Haxhihasanit, “Pothuajse në tërë trevën e Kastriotëve takohen një varg gjurmësh që njihen me emrin “Gjurmë të kalit të Skënderbeut…”.

Peizazhet kombëtare, si ato që përmendëm, kanë vlerë të madhe për edukimin kombëtar shqiptar.             

(Fragment nga një punim më i gjatë)